Zbulohen tre kushtet e LDK-së për koalicion me Vetëvendosjen
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka vlerësuar se Kuvendi i Jashtëzakonshëm i partisë u përmbyll me sukses dhe në një frymë pozitive, duke bërë të ditur se tashmë kjo përplasje e brendshme i përket të kaluarës.
Haziri theksoi se procesi pasqyroi pjekurinë politike të LDK-së dhe kulturën e saj të brendshme.
“Është mbyllur sot një Kuvend në një atmosferë kolegiale dhe të punës, ashtu siç di LDK-ja: paqësore, të durueshme dhe miqësore me njëri-tjetrin. Ky kapitull tashmë ka përfunduar”, është shprehur Haziri.
Përveç zhvillimeve brenda partisë, nënkryetari i LDK-së u ndal edhe te mundësia e një bashkëqeverisjeje të ardhshme me Lëvizjen Vetëvendosje, ku shpalosi tre parimet kryesore mbi të cilat mund të ndërtohet një bashkëpunim i tillë: Marrëveshje për të gjitha ose për asgjë; harmonizimi i agjendës shtetërore, politikave sektoriale dhe programit qeverisës; dhe ndarje e përgjegjësive konform dy parimeve të para.
