Humb jetën një i mitur në aksident në Ferizaj, lëndohet një 16-vjeçar
Një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër është lënduar si pasojë e një vetaksidenti trafiku të dielën në Ferizaj.
Mësohet se viktima është L.I. 13-vjeçar nga fshati Prelez, i cili ndodhej në timonin e një veture Mercedes, ndërsa bashkë me të në automjet ishte edhe A.H. 16-vjeçar.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur rreth orës 16:30, kur një veturë e drejtuar nga një burrë ka dalë nga rruga.
“Për pasojë vozitësi ka humbur jetën, ndërsa pasagjeri ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar trajtim mjekësor”, thuhet në raportin policor.
Për rastin është njoftuar prokurori.
Policia ka raportuar se gjatë 24 orëve në Kosovë kanë ndodhur 29 aksidente trafiku me persona të lënduar dhe 64 me dëme materiale.
