Gjyqtari Gashi u arrestua në motel, dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale ka lëshuar një komunikatë të përbashkët lidhur me arrestimin e gjyqtarit Avdirrahman Gashi në Gjykatën Themelore të Prishtinës, dega Lipjan.
Në komunikatën e tyre, thuhet se Gashi dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në bazë të pamjeve të publikuara në komunikatë, vërehet se Gashi është arrestuar në një nga motelet në Kosovë, shkruan Insajderi.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Njësinë e Veçantë Hetimore në Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë veprime hetimore që kanë rezultuar me arrestimin e A.G., gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare””, thuhet në njoftim.
Prokuroria Speciale bën të ditur se hetimi ndaj tij ka zgjatur që disa muaj.
“Bazuar në të dhënat dhe provat e siguruara gjatë hetimit, Prokuroria Speciale ka vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirje në veprën penale për të cilën është ndërmarrë masa e arrestimit. Me qëllim të respektimit të integritetit të procesit hetimor dhe parimit të prezumimit të pafajësisë, nuk mund të ndahen detaje të tjera në këtë fazë”, vijon më tej postimi. /Insajderi.org/
