Sulmohet dhe kërcënohet mjeku në QMF-në

Komuna e Vitisë ka reaguar pas një rasti të sulmit fizik dhe kanosjes ndaj një specialisti të mjekësisë familjare në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Pozharan.

Sipas Komunës, rasti ka ndodhur gjatë kujdestarisë së natës, derisa mjeku me inicialet A.Ç. ishte në vendin e punës duke ushtruar detyrën e tij profesionale.

Komuna e Vitisë, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe QKMF-ja e kanë dënuar ashpër rastin, duke e cilësuar si akt të papranueshëm dhe cenim serioz të sigurisë dhe integritetit të punonjësve shëndetësorë.

“Nuk mund të normalizohet dhuna ndaj punonjësve shëndetësorë. Asnjë pakënaqësi, mosmarrëveshje apo rrethanë nuk e justifikon sulmin fizik apo kërcënimin ndaj mjekut, infermierit apo çdo profesionisti tjetër shëndetësor”, thuhet në reagim.

Nga Komuna kanë theksuar se përsëritja e rasteve të tilla është shqetësuese dhe kërkon reagim të menjëhershëm institucional.

Sipas njoftimit, për rastin janë njoftuar edhe institucionet e sigurisë, ndërsa Komuna ka kërkuar që ndaj personave përgjegjës të ndërmerren masat e parapara me ligj.

Komuna ka shtuar se do të shqyrtojë të gjitha mundësitë ligjore për të rritur sigurinë e punonjësve shëndetësorë gjatë ushtrimit të detyrës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *