Policia del me detaje për dorëzimin e Hazirajt: Për kapjen e tij u aktivizuan FIT dhe AKI
Vezir Haziraj, i dyshuari për plagosjen e 7 gushtit në fshatin Orobërdë të Istogut, është dorëzuar sot në Polici pas disa ditësh në arrati.
Sipas policisë, pas ngjarjes i dyshuari ishte larguar në drejtim të panjohur.
Hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime në Pejë kishin punuar intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Sot, më 15 gusht, Policia ka zbatuar një plan veprimi në bashkëpunim me njësite të nivelit qendror, përfshirë NJSI/FIT, njësinë e vëzhgimit dhe njësi të tjera.
Në operacion, sipas Policisë, rol kyç ka pasur edhe AKI-ja.
“I dyshuari Vezir Haziarj, duke e pa se nuk kishte mundёsi largimi ёshtё dorёzuar dhe gjithçka ka shkuar pa ndonjё incident”, ka deklaruar Policia e Kosovës përmes një komunikate.
Vezir Haziraj, nga Istogu, është përmendur edhe më herët në raste penale. Në vitin 2018, ai ishte akuzuar për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë, pasi dyshohej se kishte sulmuar me thikë një 17-vjeçare, me të cilën kishte pasur lidhje.
Sipas Prokurorisë, sulmi kishte ndodhur pasi vajza kishte kërkuar që fotografitë dhe videot intime të saj të fshiheshin nga rrjetet sociale.
Në vitin 2022, ndërsa ishte i burgosur, ai ishte përmendur edhe në një rast ku dyshohej se kishte porositur një sulm ndaj një zyrtari korrektues në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc. Rasti atëherë ishte iniciuar nga Policia si “kanosje”.
Tashmë, Haziraj është në procedurë hetimore lidhur me plagosjen e raportuar në fshatin Orrobërd të Istogut.

