Musliu i reagon kryeshefit të Trainkosit: Nëse nuk kërkon falje brenda 24 orësh, përballja do të vazhdojë në rrugë ligjore

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar publikisht ndaj kryeshefit të Trainkos, duke e akuzuar për gjuhë seksiste, shpifje dhe deklarata të pavërteta ndaj saj dhe familjes së saj.

Musliu ka thënë se ka pritur tri ditë që ai të reflektojë dhe të kërkojë falje publike, por sipas saj, në vend të reflektimit, ai ka vazhduar me deklarata të tjera.

“Ajo që nisi me një koment në një portal, vazhdoi me një status të paramenduar mirë, ku ke bërë shpifje dhe ke thënë të pavërteta për mua dhe familjen time”, ka shkruar Musliu.

Ajo i ka vendosur një afat prej 24 orësh për të fshirë deklaratat dhe për të kërkuar falje publike ndaj saj dhe familjes së saj.

Musliu ka paralajmëruar se, nëse kjo nuk ndodh, çështjen do ta dërgojë në rrugë ligjore.

“Unë nuk do të hesht përballë shpifjeve, fyerjeve dhe përpjekjeve për të njollosur emrin tim apo familjen time”, është shprehur ajo.

Në fund, Musliu ka deklaruar se është e gatshme t’i përballojë akuzat me prova dhe fakte, duke paralajmëruar se përgjegjësia për deklaratat do të kërkohet edhe para gjykatës.

Postimi i plotë:

KUR TRENAT MBESIN NË VEND, POR MENDËSIA SEKSISTE ECËN ME SHPEJTËSINË E DRITËS.

Kryeshef i Trainkosit, çoji trenat përpara, sepse gratë e kanë gjetur rrugën e tyre pa lejen dhe miratimin tuaj!

Kam pritur tri ditë që të reflektoje dhe të kërkoje falje publikisht, jo vetëm ndaj meje, por para së gjithash ndaj bashkëshortes tënde dhe ndaj të gjitha grave të Kosovës, të cilat çdo ditë përballen me paragjykime, fyerje, shpifje, linçime, kërcënime, abuzim dhe gjuhë seksiste, si ajo që ke përdorur edhe ti.

Por, në vend që të reflektoje, paske shkuar edhe më larg.

Ajo që nisi me një koment në një portal, vazhdoi me një status të paramenduar mirë, ku ke bërë shpifje dhe ke thënë të pavërteta për mua dhe familjen time, duke tentuar të njollosësh jo vetëm emrin tim, por edhe familjen time.

Të paralajmëroj publikisht: nëse nuk reflekton, nuk i fshin deklaratat dhe nuk kërkon falje publike ndaj meje dhe familjes sime brenda 24 orësh, atëherë përballja jonë do të vazhdojë në rrugë ligjore.

Unë nuk do të hesht përballë shpifjeve, fyerjeve dhe përpjekjeve për të njollosur emrin tim apo familjen time.

I dal ballë secilit me prova, fakte dhe argumente, sepse trashëgimia më e madhe që më ka lënë familja ime është pastërtia kombëtare, shtetërore, institucionale e njerzore.

Këto vlera do t’i mbroj në çdo instancë dhe me çdo kusht, ndaj secilit që tenton t’i cenojë, t’i njollosë apo t’i shtrembërojë.

Përgjegjësinë për fjalët dhe akuzat tuaja do ta mbani edhe para gjykatës.

Bëri thirrje për pushkatimin e Haradinajt, Llugiqit i caktohet një muaj paraburgim

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Skender Llugiqit, i dyshuar se ka bërë thirrje për vrasjen e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt.

Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Llugiqi, pak ditë më parë, gjatë qëndrimit në sallën e Kuvendit të Kosovës, e cila ishte hapur për pritjen e mërgimtarëve, kishte bërë thirrje për pushkatimin e Haradinajt.

Pas deklaratës së tij në Parlament, rasti i Llugiqit ka ngjallur reagime të shumta publike dhe politike./Klankosova.tv

Kosovari i arrestuar nga Serbia nën dyshimet për kr’ime lufťe, s’është veteran i UÇK-së

Dukagjin Maxhuni nga Gjakova, i cili është arrestuar nga autoritetet serbe dhe ndaj të cilit është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, nuk është në listën e personave që gëzojnë statusin e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur për REL, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Arrestimin e Maxhunit e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili ka thënë se ai “dyshohet për krime lufte”.

“Ekzistojnë dyshime të bazuara se ai e ka kryer veprën penale kundër popullsisë civile, në dëm të anëtarëve të dy familjeve, gjatë qershorit të vitit 1999, në fshatin Bec, në komunën e Gjakovës”, ka thënë Daçiç përmes një njoftimi.

Sipas Daçiçit, ndaj të dyshuarit fillimisht ishte caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa kallëzimi penal ishte dërguar në Prokurorinë serbe për Krime Lufte.

“Bazuar në vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd – Departamenti për Krime Lufte, atij i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh

Ndërkohë, në Kosovë, gjatë viteve të fundit janë arrestuar dhjetëra serb nën dyshime për krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë, ndërsa disa prej këtyre rasteve kanë përfunduar me aktgjykime dënuese.

Arrestimi i Maxhunit është i dyti gjatë muajit gusht që Serbia e bën në lidhje me pretendimet për krime lufte në Kosovë. Më 2 gusht, një person tjetër ishte arrestuar në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë.