Tahiri për Vetëvendosjen: Gradualisht po e shohin qytetarët se po i vjen fundi

Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar për të shtatën ditë radhazi aksionin para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në shenjë proteste për mos-thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

Aksionit të PDK-së edhe sot i janë bashkuar deputetë të Aleancës, ndërsa në protestë kanë marrë pjesë edhe asamblistë të PDK-së nga Komuna e Lipjanit.

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se qëllimi i këtij aksioni është ngritja e vetëdijes qytetare dhe politike për, siç u shpreh ai, shkeljet kushtetuese që po ndodhin në vend.

“Jemi këtu bashkë për të ngritur vetëdijen qytetare dhe politike për vendin tonë se një ndër shkeljet më të mëdha zinxhirore historike ka ndodhur në udhëheqjen e një partie, e cila siç po shihet është strukur diku në zyret e veta dhe e cila vazhdon me qenë recidiviste në shkelje kushtetuese.

Historia do të tregojë se një kabinet qeveritar i përbërë prej 21 anëtarëve e prej tyre 17 njerëz janë betuar si deputetë edhe 17 njerëzve nuk ju vjen marre me shku prej Kuvendit në ministri me ushtruar funksione të dyfishta kundërligjshëm.

Për me ushtruar funksion të kundërligjshëm si zyrtar publik, kjo nuk përshkruhet ndryshe veçse me këtë kabinet të kësaj partie, të cilëve gradualisht po ju vjen fundi dhe gradualisht po e shohin qytetarët e Kosovës se shkeljet kushtetuese të vazhdueshme janë logjikë e punës së Vetëvendosjes”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *