Shtesat për fëmijë në krye të listës, pensionet marrin shumën më të madhe

Skema e Shtesave për Fëmijë ka pasur numrin më të madh të përfituesve ndër skemat e mirëqenies sociale gjatë muajit korrik 2026.

Shtesat për Fëmijë mbeten skema më e gjerë sociale, ndërsa për nga shuma e mjeteve të ndara, pensionet bazike të moshës kryesojnë me mbi 27.4 milionë euro gjatë një muaji.

Sipas të dhënave për skemat e mirëqenies sociale, në korrik kanë përfituar nga Shtesat për Fëmijë gjithsej 391 mijë e 904 persona, ndërsa për këtë skemë janë shpenzuar rreth 14.18 milionë euro.

Numri i përfituesve të Shtesave për Fëmijë është dukshëm më i lartë se në kategoritë e tjera. Pas tyre renditen pensionet bazike të moshës, me 171 mijë e 999 përfitues, për të cilët janë ndarë mbi 27.4 milionë euro.

Në kategorinë e pensioneve kontributpaguese të moshës kanë përfituar 47 mijë e 854 persona, me pagesa në vlerë prej rreth 11.7 milionë euro.

Ndërkohë, 39 mijë e 578 veteranë kanë përfituar gjithsej rreth 7.82 milionë euro gjatë këtij muaji.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se 21 mijë e 518 persona me aftësi të kufizuara kanë përfituar mbi 3.45 milionë euro, ndërsa skema e ndihmës sociale ka pasur 14 mijë e 961 përfitues, me pagesa prej rreth 2.23 milionë euro.

Në korrik kanë përfituar edhe 12 mijë e 377 familje të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, të cilave u janë paguar rreth 3.75 milionë euro.

Sa i përket mbështetjes për lehonat, skema për lehonat e papunësuara ka pasur 6 mijë e 607 përfituese, me pagesa prej rreth 3.32 milionë euro, ndërsa 2 mijë e 106 lehona të punësuara kanë përfituar mbi 1.05 milionë euro.

Nga skema për përkrahje financiare të familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 4 mijë e 449 persona, me një vlerë totale prej 758 mijë e 700 eurosh.

Në kategoritë e tjera përfshihen pensionet paraplegjike dhe tetraplegjike, pensionet familjare, pensionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pensionet e Trepçës, skema e të verbërve, pensionet e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, si dhe skema e kompensimit për punëtorët e arsimit për vitet ’90.

Të dhënat për korrikun tregojnë se skemat e mirëqenies sociale në Kosovë vazhdojnë të përqendrohen kryesisht në mbështetjen e pensionistëve, kategorive të dala nga lufta, familjeve në nevojë, fëmijëve dhe lehonave./Zëri

Image

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *