Rusia shpall në kërkim gazetarin gjerman pas pyetjes drejtuar Zelenskyt për humbjet e ushtrisë ruse

Rusia ka vendosur në listën e personave në kërkim gazetarin gjerman Michael Martens, korrespondent i gazetës “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), pas një pyetjeje që ai i bëri presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë takimit të tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Sipas raportimeve, Martens u përfshi në databazën e personave në kërkim të Ministrisë së Brendshme të Rusisë më 15 gusht.

Gazetari kishte pyetur Zelenskyn më 8 gusht se çfarë mund të bënin vendet evropiane për ta ndihmuar Ukrainën që të shkaktonte më shumë humbje në radhët e ushtrisë ruse.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS, e cila citon një burim anonim, Martens mund të përballet me deri në gjashtë vjet burgim nëse shpallet fajtor në bazë të nenit 282, pjesa e dytë, të Kodit Penal të Rusisë, që lidhet me nxitjen e urrejtjes ose armiqësisë.

Megjithatë, sipas TASS, Martens aktualisht është vetëm në databazën e personave të kërkuar nga Ministria e Brendshme ruse dhe nuk është shpallur ende në kërkim ndërkombëtar.

“Ky hap do të ndërmerret pasi të përfundojë procedura e nevojshme”, thuhet në raportimin e TASS.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *