Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk merret me deklaratat e presidentit serb, Alleksandar Vuçiq, i cili kërkoi kthimin e serbëve në institucionet e Republikës së Kosovës.
E rëndësishme, sipas saj, është që të respektohet Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi.
Haxhiu potencoi se e rëndësishme gjithashtu është që Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokuroria të deklarohen se pse nuk kanë vepruar në raport me dorëheqjet.
“Nuk ka asnjë rast kur një gjyqtar ka thënë dorëheqje dhe nuk i është pranuar dorëheqja. Por kjo ka ndodh me gjyqtarët dhe prokurorët serbë. Prandaj është e rëndësishme që të kuptohet qartë se përse Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial nuk e kanë adresuar këtë”, deklaroi ministrja e Drejtësisë për RTK-në.
Mes tjerash, ajo tha se nëse do të pranohej rikthimi i këtyre prokurorëve dhe gjyqtarëve të dorëhequr serbë në institucionet e Kosovës, përveç se do të ishte në shpërputhje me legjislacionin, dyshuese është nëse qytetarët mund të besojnë më tek sistemi i drejtësisë.
Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ajo tha se në Kosovë nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive, e që do ta “bosnjëzojë” Kosovën.
Mes tjerash, ministrja Haxhiu e ritheksoi se ura mbi lumin Ibër do të hapet dhe se kjo çështje ka qenë temë e diskutimeve me partnerët e Kosovës, përfshirë edhe KFOR-in. Ajo tha se për urën është diskutuar edhe sot në Bruksel dhe se edhe për BE-në është e qartë se hapja e urës nuk ka alternativë.
“Ura do të hapet dhe për këtë jemi në koordinim apo në diskutim e sipër me partnerët tanë”, tha Haxhiu.