Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LumirAbdixhiku, ka ripërsëritur zotimin e tij për rritjen e koeficientit të pagave.
Para 209 asamblistëve të LDK-së, ai ka thënë se kjo do të bëhet që në javën e parë.
“Kemi mundësinë që qytetarëve tanë tu japim paga të larta e punë të dinjitetshme. koeficienti i pagave do të bëhet 150 që në javën e parë, e asnjë pension në vend nuk do jetë më i ulët se 150 euro”, ka thënë Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka folur edhe për reformat dhe transformimin e shëndetësisë.
“Fëmijët tanë, në shkollat tona, kanë nevojë për mësim gjithëditor, me ushqim të ngrohtë, përkujdesje shtetare ndaj edukimit të tyre e të ardhmes tonë. Këtë mësim, gjithëditor, fëmijët e Kosovës, bërësit e së ardhmes sonë do ta kenë! Ne do ta bëjmë! Spitalet tona kanë nevojë për transformim të shekullit të ri. Nga infrastruktura, tek sigurimet e menaxhimi shëndetësor. Popull i ri, nevoja të reja, modele të reja. Ky është synimi ynë”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka thënë se familjet kosovare kanë nevojë për mbështetje financiare e shtetërore në përballjet e përditshme të tyre, me fëmijë, me banim, me kopshte e çerdhe, me kushte të mira të punës e me jetesë të lehtë.
“Të rinjtë tanë kanë nevojë për mundësi punësimi, për industri që ndërtojnë vet të ardhmen barabartë me secilin të ri e të re nëpër botë, nga teknologjia informative, tek sporti, kultura e vet muzika! Bizneset tona kanë nevojë për një qeveri që i mbështetë jo një që i shkelë. Një Qeveri që i konsideron ata patriot modern të Republikës”, ka thënë Abdixhiku.