A do të jetë Agim Veliu kandidat për deputet? Përgjigjen nga LDK

Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Paris Guri ka folur edhe për Agim Veliun dhe kthimin e tij të mundshëm në listën e LDK’së për deputet.

Guri ka thënë se nesër mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm dhe se emri i Veliut mund të propozohet vetëm nga Dega e Podujevës dhe sipas tij është në dorën e Degës atje nëse ndodh propozimi ose jo.

“Nesër mbahet mbledhja e KP të LDK-së. Qendra e bën ndarjen për Degë. Dega e Podujevës i propozon emrat, i voton Kryesia, e votohen në Prishtinë. Nëpër degë merret vendimi”, ka thënë Guri në FRONTAL të T7

“Kryetari i partisë e ka një normë, të prurjeve që janë jashtëpartiake”, ka thënë Guri, i pyetur nëse Abdixhiku mund ta propozojë për deputet Veliu.

 

Meta: Pres që me LDK-në do t’i marrim 30%

Ish-deputeti i Kuvendit, Burim Meta, ka deklaruar se pret që së bashku me ish-presidenten Vjosa Osmanin dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës të arrijnë rreth 30 për qind në zgjedhjet e 7 qershorit.

Ai tha se përfshirja dhe aktivizimi i Osmanit në skenën politike do të ndikojë në stabilizimin e përgjithshëm të skenës politike në vend.

“E rëndësishme është që tashmë me aktivizimin dhe angazhimin e Vjosa Osmanit në skenën politike dhe partiake, e gjithë skena politike në Kosovë do të stabilizohet. Jam i bindur se këto diferenca të mëdha mes partisë së parë dhe partive të tjera do të zvogëlohen, do të jenë më minimale dhe mund të shprehem në mendimin tim personal se me LDK-në mund të marrim rreth 30%”, tha Meta.

Skandaloze, Dimal Basha hedh pas kauqi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës

Ish-deputetja e Vetëvendosjes, Adelina Grainca sot ka publikuar një fotografi duke treguar se i ka shkuar në zyrë ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Dimal Bashës.

Grainca e ka cilësuar atmosferë shumë miqësore teksa kanë biseduar, siç ka thënë ajo, për projektet, sfidat dhe mundësitë për zhvillim.

Mirëpo në fotografinë e takimit që është mbajtur në zyrën e ministrisë, vërehet se Basha ka lënë prapa dyulësit Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës zakonisht është parë e varur nëpër muret e institucioneve, mirëpo i të njëjtit mendim nuk është Basha që ka vendosur ta fsheh diku prapa dyulësit të zyrës.

Ky është një moment tjetër skandaloz i Bashës që muaj më parë u zbulua se në një hulumtim shkencor të vitit 2012 kishte shkruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte milici e nëntokës e lidhur me banda kriminale dhe drogën. Për këtë hulumtim kishte cituar edhe famëkeqin Dick Marty.

Edhe Bardhyl Hasanpapajn i bashkohet Osmanit

Ish-presidentja Vjosa Osmani ka prezantuar aderimin e ri në rrugëtimin e saj lidhur me zgjedhjet e 9 qershorti.

Përmes një postimi në “Facebook” Osmani njoftoi se Bardhyl Hasanpapajn është prurja e re.

“Nga garat si studentë, në një garë të përbashkët e vendimtare për Kosovën!

Me Dr.sc. Bardhyl Hasanpapajn, rrugëtimi ynë nuk filloi në politikë. Filloi në vitin 2001, si dy studentë të rinj që bartnim ëndrra të mëdha dhe përfaqësonim Universitetin e Prishtinës në garat më prestigjioze ndërkombëtare të drejtësisë.

Bardhi, përveçse njihet si një zë i arsyeshëm i diskursit publik, ka specializuar në të Drejtën Europiane dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Bremenit në Gjermani, ndërsa doktoraturën e ka përfunduar në Universitetin e Firenzes në Itali. Si ekspert i sundimit të ligjit, dijen profesionale e ka shndërruar edhe në ndërmarrësi, duke udhëhequr projekte të rëndësishme për organizata ndërkombëtare si BE, USAID, NDI, NCSC, IFC dhe EBRD.

Por përkundër të gjitha arritjeve, Bardhyli ka mbetur njeri i thjeshtë. Një mik i mirë. Një profesionist që nuk u largua kurrë nga dëshira për t’i dhënë Kosovës më shumë. E mbi të gjitha, një malsor që kurrë nuk e shkelë besën e dhënë.

Jam e lumtur që edhe sot kemi pranë njerëz si Bardhyl Hasanpapaj, që me dije, integritet dhe përkushtim i japin forcë vizionit tonë për të ardhmen.

Na priftë e mbara, Bardhyl”, shkroi Osmani.

Vetëm pak javë para zgjedhjeve, Kurti “merr këtë vendim”

Pavarësisht kritikave që mori ditë më parë, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka vazhduar të shtojë kabinetin e tij.

Të premten, në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit është bërë e ditur se sekretarja e Partisë Guxo, Triera Kasumi-Berisha, është emëruar zëvendësministre në Ministrinë e Ekonomisë.

“Kryeministri në detyrë Kurti e uroi znj. Kasumi-Berisha për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja”, thuhet në njoftim.

Në fillim të këtij muaji, një ditë pasi u caktua që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 7 qershor, Kurti kishte emëruar tre zëvendësministra. Ky veprim kishte nxitur reagime nga partitë opozitare, të cilat e patën akuzuar kryeministrin në detyrë për zhvatje të buxhetit të shtetit në fund të mandatit.

Haxhi Avdyli i përgjigjet Guxo: Jo 3 probleme, por 100 mijë e 786 vota më pak

Ish-deputeti Haxhi Avdyli i është kundërpërgjigjur partisë “Guxo”, e cila largimin e tij, Jeta Statovcit dhe Albena Reshitajt për t’iu bashkuar Vjosa Osmanit, i cilësoi si “3 probleme më pak”.

Avdyli ka thënë se kjo nënkupton “100 mijë e 786 vota më pak”, duke i përmendur numrin e votave që kanë marrë treshja në zgjedhjet e 28 dhjetorit kur garuan në listën e VV’së, shkruan Reporteri.net.

“Jo, 3 probleme më pak por 100 mijë e 786 vota më pak. Përndryshe, më 28 dhjetor, Jeta Statovci pati 37 mijë e 916 vota, Haxhi Avdyli 33 mijë e 562 vota dhe Albena Reshitaj me 29 mijë e 308 vota. Shihemi më 7 qershor…”, ka shkruar Avdyli.

Reagimi i tij vjen si kundërpërgjigje ndaj Sekretares së “Guxo”, Triera Kasumi-Berisha, e cila i krahasoi largimet nga Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2018, disa prej të cilëve më pas u bashkuan në PSD.

Kasumi-Berisha ka thënë se largimet ishin të pritura, teksa ka thënë se për “Guxo” janë “vetëm 3 probleme më pak”./Reporteri.net

 

“Do të jetë i vdekur”, Kurti reagon pas kërcënimeve nga “Severna Brigada”

Organizata terroriste serbe “Severna Brigada” ka publikuar një kërcënim me eliminim fizik të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

Në mesazhin e publikuar nga kjo organizatë, thuhet: “Sa të lindë agimi mbi Kosovë, Albin Kurti do të jetë i vdekur”.

I pyetur nga gazetarët lidhur me këto kërcënime, Kurti tha se pjesëtarët e kësaj organizate nuk kanë vend në Kosovë dhe se institucionet i kanë shpallur ata organizatë terroriste që në vitin 2023.

“Po, ne i kemi shpallur ata organizatë terroriste më 29 qershor të vitit 2023 dhe këto kërcënime që i bëjnë ata janë veçse dëshmia më e re se janë ashtu siç i kemi shpallur dhe se nuk kanë vend në Republikën e Kosovës. Të gjithë pjesëtarët e të ashtuquajturave ‘Brigada Veriore’ janë kriminelë, janë terroristë, të cilët kanë bërë zullum në Kosovë në të kaluarën, por koha e tyre në Republikën tonë ka kaluar. Fatkeqësisht, ata janë të lirë dhe vazhdojnë që të kenë ndikim në Beograd”, tha Kurti.

Ndërsa Organizata terroriste serbe “Severna Brigada” ka publikuar një kërcënim me eliminim fizik të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Në mesazhin e publikuar nga kjo organizatë, thuhet:

“Sa të lindë agimi mbi Kosovë, Albin Kurti do të jetë i vdekur”.

Kjo parti i kërkon bashkëpunim PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit

Ashtu siç paralajmëroi një ditë më parë,Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, i ka dërguar letër kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Në të thuhet që partia e tij të jetë pjesë e listës së PDK-së, për të garuar në zgjedhjet e 7 qershorit.

Përmbajtja e plotë e letrës:

NISMA Socialdemokrate

Prishtinë, 07.05.2026
Ref: 16/2026

I nderuari z. Bedri HAMZA, Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës,

Të nderuar anëtarë të Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës,

Në frymën e përgjegjësisë politike dhe shtetërore, si dhe duke respektuar kërkesën dhe pritjen e vazhdueshme të shumë qytetarëve, mbështetësve dhe strukturave tona për bashkimin e potencialit politik që përfaqësojnë PDK-ja dhe NISMA Socialdemokrate, përmes kësaj shkrese ju paraqesim zyrtarisht gatishmërinë tonë për pjesëmarrje në listën zgjedhore të PDK-se për zgjedhjet e 7 qershorit.

NISMA Socialdemokrate dhe unë, si kryetar i saj, kemi shprehur vazhdimisht, si para këtyre zgjedhjeve ashtu edhe në vazhdimësi, gatishmërinë për bashkëpunim dhe bashkim politik në funksion të krijimit të një alternative të fuqishme dhe përfaqësuese për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ne besojmë se një bashkim i tillë nuk përfaqëson vetëm një marrëveshje politike apo elektorale, por edhe një frymë të bashkëpunimit ndërmjet njerëzve dhe strukturave që për vite të tëra kanë ndarë ideale, sakrificë dhe vizion të përbashkët për Kosovën.

Në këtë frymë, dëshirojmë të theksojmë se angazhimi ynë nuk udhëhiqet nga kërkesa të veçanta politike apo organizative, por nga bindja se bashkimi dhe koordinimi i potencialit opozitar është në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Njëkohësisht, shprehim gatishmërinë tonë për të dhënë kontributin e plotë politik, organizativ dhe elektoral në kuadër të këtij procesi të përbashkët.

Duke besuar në mirëkuptimin, respektin reciprok dhe vullnetin për bashkëpunim, mbetemi të gatshëm për koordinimet dhe hapat e mëtejmë lidhur me këtë proces.

Me respekt,

Fatmir LIMAJ
Kryetar
NISMA Socialdemokrate

“Me Albin Kurtin na bashkoi Kosova” – Peci bëhet i “gjallë”

Bashkëkryetari i Guxo, Faton Peci, është bërë i ‘gjallë’.

Ai ka shkruar në rrjete sociale për koalicionin me VV-në, duke theksuar se me Albin Kurtin e bashkoi Kosova.

“Me Albin Kurtin na bashkoi Kosova. Nevoja që të ndalim projektet e ndarjes dhe copëtimit, për ta transformuar Kosovën në shtet me sovranitet.”, shkroi ndër të tjera Peci.

Kryetari i Guxo kishte kohë që nuk kishte bërë ndonjë reagim politikë. Ai nuk u bë i ‘gjallë’ as për çështjen e Presidentit, as për përplasjet Kurti-Osmani dhe as për largimet e shumta nga partia e tij, ditëve të fundit

Postimi i plotë:

Me Albin Kurtin na bashkoi Kosova

Nevoja që të ndalim projektet e ndarjes dhe copëtimit, për ta transformuar Kosovën në shtet me sovranitet. Ajo për çka u bashkuam, nga kjo perspektivë, veçse u forcua.

Në këtë konstelacion forcash, jemi të palëkundur se me kë e shohim partneritetin për Kosovën.

Andaj, sot riafirmuam angazhimin dhe përkushtimin për Kosovën, duke nënshkruar koalicionin me VV, Alternativën dhe PSHDK-në.

Të palëkundur në parime, të palëkundur për Republikën e Kosovës.