Qeveria në detyrë mban mbledhje elektronike, del me tri vendime

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur të martën një mbledhje elektronike, në të cilën ka marrë disa vendime.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë, në kuadër të kësaj mbledhjeje, është themeluar Fondi i Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor i Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 400 mijë eurosh për zbatimin e Marrëveshjes me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në një vendim tjetër, ekzekutivi ka miratuar ndarjen e 153 mijë eurove për mbështetjen e realizimit të tri ngjarjeve në kuadër të iniciativës “OctoberTech”, e cila bashkon ngjarjet kryesore të teknologjisë dhe inovacionit në Kosovë./Reporteri.net/

Mësohet kur dalin 100 eurot për punëtorët e sektorit privat

Punëtorët e sektorit privat që ende nuk kanë aplikuar për mbështetjen prej 100 eurosh kanë kohë deri më 5 qershor 2026për të dorëzuar aplikimin e tyre përmes platformës së Administratës Tatimore të Kosovës. Sipas njoftimeve zyrtare, aplikimet që përmbajnë gabime ose të dhëna të pasakta do të refuzohen, ndërsa llogaria bankare duhet të jetë në emër të aplikuesit.

Nga kjo mbështetje përfitojnë punëtorët e sektorit privat, punëtorët e organizatave joqeveritare si dhe të punësuarit në entitete që nuk paguhen nga lista shtetërore e pagave, me kusht që të kenë të ardhura mujore bruto deri në 1,000 euro dhe të jenë të deklaruar në ATK nga punëdhënësi.

Kështu, menjëherë pas përfundimit të afatit më 5 qershor, pritet të nisë procesi i shqyrtimit të aplikimeve dhe ekzekutimi i pagesave prej 100 eurosh për të gjithë përfituesit që kanë plotësuar saktë aplikimin dhe kriteret e kërkuara.

Kush fiton e kush humb? Ylli Hoxha publikon numrat për zgjedhjet e 7 qershorit

Aktivisti dhe analisti politik Ylli Hoxha ka publikuar parashikimin e tij për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, duke vlerësuar se asnjë parti nuk do të arrijë ta sigurojë e vetme shumicën parlamentare.

Sipas projeksionit të Hoxhës, partia më e madhe do të mbetet Lëvizja Vetëvendosje me 50 deputetë, por me një rënie krahasuar me rezultatin e zgjedhjeve të fundit. Në vendin e dytë ai rendit Partia Demokratike e Kosovës me 24 deputetë, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës do të siguronte 19 ulëse në Kuvend.

Ndërkaq, sipas këtij parashikimi, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të arrinte të fitonte 7 mandate, duke kaluar pragun zgjedhor dhe duke ruajtur praninë e saj në Kuvend.

Mushkolaj del me parashikim: LDK rritet, PDK avancon, LVV bie

Analisti politik Imer Mushkolaj ka dhënë parashikimin e tij për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, duke projektuar një epërsi të qartë të Lëvizja Vetëvendosje në garën për ulëset në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, LVV pritet të sigurojë rreth 50 deputetë, duke mbetur forca më e madhe politike në vend, por pa arritur e vetme shumicën parlamentare prej 61 votash.  

Në projeksionin e Mushkolajt, Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 25 deputetë, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës do të siguronte 19 ulëse në Kuvend. Sipas këtij vlerësimi, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të arrinte të kalonte pragun zgjedhor me 6 deputetë.  

Kjo do të nënkuptonte se partia e Albin Kurti do të mbetej forca e parë politike, por me një rënie prej shtatë deputetësh krahasuar me rezultatin historik të fundvitit 2025. Nga ana tjetër, fituesja më e madhe relative sipas këtij projeksioni do të ishte LDK-ja e Lumir Abdixhiku, e cila do të shtonte tre ulëse në Kuvend.  

PDK-ja e Bedri Hamza do të kishte një rritje të lehtë me një deputet më shumë, ndërsa AAK-ja do të ruante pothuajse të njëjtin pozicion parlamentar.  

Ramabaja me parashikim të fortë: LVV 61 deputetë, AAK mbetet jashtë Kuvendit

Analisti politik Sadri Ramabaja ka paraqitur një projeksion të ri për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, duke parashikuar një fitore të thellë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe aleatëve të saj.

Në emisionin “Debat Plus”, Ramabaja ka vlerësuar se LVV do të sigurojë 61 mandate në Kuvendin e Kosovës, numër që do t’i mundësonte formimin e institucioneve pa pasur nevojë për koalicione me partitë e tjera shqiptare.

Sipas projeksionit të tij, Partia Demokratike e Kosovës do të fitojë 21 deputetë, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 18 mandate.

Një nga elementet më të komentuara të këtij projeksioni është fakti se Ramabaja parashikon se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të arrijë të sigurojë asnjë ulëse në Kuvend, duke mbetur jashtë përfaqësimit parlamentar.

Parashikimi i Visar Ymerit për zgjedhjet: Ja sa ulëse do t’i fitojë secila parti

Analisti politik Visar Ymeri ka prezantuar një parashikim të ri lidhur me përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.

Në emisionin “Debat Plus”, Ymeri ka shpalosur një projeksion të ulëseve parlamentare, sipas të cilit Lëvizja Vetëvendosje me partnerët e saj do të dalë forca e parë politike me 45 deputetë.

Sipas këtij parashikimi, Partia Demokratike e Kosovës do të sigurojë 24 ulëse në Kuvend, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë 22 deputetë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës parashihet të fitojë 9 mandate.

Ndërkohë, sipas projeksionit të Ymerit, 20 ulëse do t’u takojnë përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë, ndërsa subjektet e tjera nuk do të arrijnë të sigurojnë përfaqësim parlamentar.

Ky rezultat do ta linte LVV-në si partinë më të madhe në vend, por pa numrat e nevojshëm për të formuar e vetme qeverinë, duke e bërë të domosdoshëm krijimin e koalicioneve paszgjedhore për sigurimin e shumicës parlamentare.

Këto janë punët më të paguara në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar raportin për “Nivelin e Pagave në Kosovë, 2025”, ku thuhet se paga mestare bruto ka shënuar rritje për 11.6%.

Sipas këtij raporti, gjatë vitit të kaluar, paga mesatare bruto në vend është rritur në 713 euro krahasuar me 639 sa ishte në vitin 2024, shkruan Reporteri.net.

Ndërkaq ajo neto arriti në 636 euro, nga 552 euro sa ishte në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 15,2 %.

“Në sektorin publik (administrata), paga mesatare bruto u rrit nga 755 euro në 840 euro, ose për 11,3 %, ndërsa paga mesatare neto u rrit nga 668 euro në 744 euro, ose për 11,4 %. Në ndërmarrjet publike, paga mesatare bruto u rrit nga 783 euro në 915 euro, duke shënuar rritje prej 16,8 %, ndërsa paga mesatare neto u rrit nga 685 euro në 812 euro, ose për 18,5 %”, thuhet në njoftim.

Bazuar në raportin e ASK’së, në sektorin privat, paga mesatare bruto u rrit nga 598 euro në vitin 2024 në 666 euro në vitin 2025, duke shënuar një rritje prej 11,4 %, ndërsa paga mesatare neto u rrit nga 513 euro në 596 euro, ose për 16,2 %.

Niveli i pagave më të larta në Kosovë ishte sektori i ndërmarrjeve publike, derisa me paga më të ulëta ishte sektori privat.

Në vitin 2025, aktiviteti ekonomik me nivelin më të lartë të pagës mesatare, si bruto ashtu edhe neto, ishte “Informim dhe komunikim”, me 1,216 euro bruto dhe 1,068 euro neto. Pas tij renditet aktiviteti “Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar”, me 1,133 euro bruto dhe 1,000 euro neto.

Në anën tjetër, niveli më i ulët i pagave u regjistrua në aktivitetin “Shërbime të tjera”, me 425 euro bruto dhe 387 euro neto.

A ju kujtohet Fitnete Tuda e hitit “Shi bie në Tiranë”? Kështu duket sot…

Fitnete Tuda ishte një nga emrat e njohur për publikun shqiptar përmes muzikës, veçanërisht me këngën “Shi bie në Tiranë”, e cila u pëlqye gjerësisht në kohën e publikimit

Ajo mori pjesë edhe në Festivalin e RTSH-së, duke lënë gjurmë te dashamirësit e muzikës.

Këngëtarja me prejardhje nga Maqedonia e Veriut u tërhoq më vonë nga skena muzikore dhe zgjodhi të ndjekë një tjetër rrugëtim profesional. Aktualisht ajo është e angazhuar në gazetarinë e kulturës, shkruan “Kosovarja”.

Sot, Fitnete Tuda jeton në Prishtinë së bashku me familjen e saj. Ndonëse prej vitesh është larg muzikës aktive, emri i saj vazhdon të lidhet me këngën që e bëri të njohur për publikun.

Mërgimtari nga Gjermania e kërcënon haptazi Valon Sylën: “Me ba me zatet, drejt e ne spital ka me shku”

Gazetari, Valon Syla është kërcënuar nga qytetari i Ferizajit, Agim Hetemi banorë në Gjermani.

Në një intervistë për “Gazeta Mërgata”, mërgimtari deklaron se nëse e takon gazetarin Syla do ta bëjë për spital.

“Unë jam Agim Hetemi nga Ferizaji, jetoj në Gjermani, Valon Sylën ishalla nuk e zateti, se me ba me zatet aj drejt e në spital ka me shku”.

Aktakuzë ndaj pesë personave për krime lufte në Fushë-Kosovë

Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Të pandehurit P.N., Z.D., I.I., S.M. dhe J.D. akuzohen se si pjesëtarë të Policisë serbe në Stacionin Policor në Fushë-Kosovë, më 6 maj 1999, kanë kryer krime lufte në Fushë-Kosovë.

Sipas aktakuzës, ata kanë ndaluar dhe marrë me forcë pesë civilë, të cilët nga stacioni i trenit janë dërguar në vendin e quajtur “Megja”, ku janë ekzekutuar me armë zjarri.

PSRK-ja ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që gjykimi të mbahet në mungesë, pasi të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë. /Zëri