Mushkolaj del me parashikim: LDK rritet, PDK avancon, LVV bie
Analisti politik Imer Mushkolaj ka dhënë parashikimin e tij për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, duke projektuar një epërsi të qartë të Lëvizja Vetëvendosje në garën për ulëset në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, LVV pritet të sigurojë rreth 50 deputetë, duke mbetur forca më e madhe politike në vend, por pa arritur e vetme shumicën parlamentare prej 61 votash.
Në projeksionin e Mushkolajt, Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 25 deputetë, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës do të siguronte 19 ulëse në Kuvend. Sipas këtij vlerësimi, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të arrinte të kalonte pragun zgjedhor me 6 deputetë.
Kjo do të nënkuptonte se partia e Albin Kurti do të mbetej forca e parë politike, por me një rënie prej shtatë deputetësh krahasuar me rezultatin historik të fundvitit 2025. Nga ana tjetër, fituesja më e madhe relative sipas këtij projeksioni do të ishte LDK-ja e Lumir Abdixhiku, e cila do të shtonte tre ulëse në Kuvend.
PDK-ja e Bedri Hamza do të kishte një rritje të lehtë me një deputet më shumë, ndërsa AAK-ja do të ruante pothuajse të njëjtin pozicion parlamentar.
