Dy policë suspendohen pasi dyshohen se e rrahën një qytetar serb
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduaar suspendimin e dy zyrtarëve policorë pas dyshimeve për ushtrimin e forcës ndaj një qytetari të nacionalitetit serb.
Përmes një komunikate për media, IPK ka bërë të ditur se disa ditë më herët ka filluar sipas detyrës zyrtare një hetim paraprak me qëllim të verifikimit të pretendimeve dhe sqarimit të të gjitha fakteve dhe rrethanave relevante që lidhen me rastin rreth veprimeve policore gjatë një operacioni policor të zhvilluar në Dren të Zubin Potokut.
Në kuadër të këtij hetimi, pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, IPK i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut me dyshimin se të njëjtit janë të përfshirë si të dyshuar në këtë rast për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” .
Policia e Kosovës kishte njoftuar se gjatë këtij operacioni në Dren ishte gjetur armatim në afërsi të pronave të Rashkoviqit.
E Lista Serbe vazhdon të qëndrojë prapa versionit se Rashkoviqi është rrahur nga policia.
Në një konferencë kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, i cili është edhe drejtor i Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut, kishte pretenduar se ai ishte dërguar në një zonë malore, ishte lidhur për një pemë dhe ishte goditur me një zorrë uji, në mënyrë që të pranonte përgjegjësi për krime lufte ndaj shqiptarëve.
Kjo parti kishte publikuar edhe fotografi në të cilat, sipas tyre, shihen mavijosje në shpinën e Rashkoviqit.
Pretendime të ngjashme ka bërë edhe zyrtari tjetër i kësaj partie, Igor Simiq.
Ai ka thënë se gjatë dy javëve të fundit janë keqtrajtuar edhe pjesëtarë të tjerë të komunitetit serb dhe u ka bërë thirrje atyre që t’i bëjnë publike rastet e tyre.
E vetë Rashkoviqi, për mediat në gjuhën serbe, kishte dhënë një version që dallonte në disa detaje nga ai i paraqitur nga Lista Serbe.
Ai tha se, pasi ishte lidhur në pyll, policët e kishin liruar dhe se më pas ishte kthyer vetë në shtëpi. Sipas tij, në vendngjarje kishin qenë tre policë, por vetëm njëri prej tyre e kishte rrahur.
E pasditen e 12 gushtit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pati vizituar Rashkoviqin në spital në Beograd dhe tha se Policia “e Kurtit, pa asnjë arsye e ka rrahur gati për vdekje” atë.
Ditëve të fundit, në Zubin-Potok janë kryer kontrolle dhe arrestime të personave të dyshuar për krime lufte, pasi në këtë komunë janë identifikuar disa lokacione ku dyshohet se mund të ndodhen varreza masive nga lufta e viteve 1998-’99 në Kosovë.
Prona e Rashkoviqit ndodhet pranë dy lokacioneve ku së fundmi janë gjetur mbetje mortore, të cilat dyshohet se kanë lidhje me krimet e luftës në Kalludër të Vogël dhe Jabukë.
