Befason Vehbi Kajtazi: Prokurorët po shantazhohen nga VV-ja – urgjencë që Kurti të largohet nga pushteti

Analisti politik, Vehbi Kajtazi, thotë se Lëvizja Vetëvendosje, në krye me Albin Kurtin, po shantazhon institucionet e shtetit me video komprometuese, me qëllim që t’i kapë ato.

Në “Rubikon” të Klan Kosovës, gazetari tha se këtë akt e kanë kryer ndaj prokurorëve, transmeton Klankosova.tv.

“Tani këta kanë filluar që gradualisht me i kap edhe institucionet e tjera, përfshirë edhe Këshillin Prokurorial. Tashmë kanë arrit njerëzit e vet me i instalu aty, meqë iu është dashur gradualisht me i kap këto institucione, në mënyrë që Prokuroria të mos funksionojë më, madje edhe në forma tepër bizare, siç është shantazhi i prokurorëve të caktuar me video komprometuese”, u shpreh ai.

“Këtë që po e them, nuk po ia fus kot, po e them publikisht”, shtoi tutje ai.

Sipas Kajtazit, me këtë formë të shantazhimit, VV mundohet të kapë çdo institucion.

“Është urgjencë kombëtare, që ky njeri [Albin Kurti], të largohet nga pushteti”, tha analisti.

Lladrovci godet Krasniqin: Kryetari im, gaboi në shumë hapa, ngriti dorën ndaj meje

Ramiz Lladrovci në “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka thënë se kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka gabuar duke iu referuar zgjedhjeve lokale, përkatësisht Drenasit.

“Kryetari im, që akoma e kam kryetar, Memli Krasniqi, gaboi. Gaboi në shumë hapa, në shumë drejtime. Kur kemi folur për temën e Drenasit, i kam thënë: mos bëj gabime. Kur ka filluar, përveç gabimeve të veta, me zgjeruar rrjetin me njerëz të tjerë për të bërë gabime dhe për t’i shtyrë të tjerët të bëjnë gabime, ta zëmë anëtarët e kryesisë – 26 prej 43-ve – që kanë ngritur dorën kundër një kryetari që ka autoritet, që ka punuar mirë, që ka vlerësime kombëtare e ndërkombëtare”, ka thënë Lladrovci.

“Kjo ka qenë një gjë që ka bërë gabime dhe unë nuk kam qejf ta shoh Partinë Demokratike duke bërë gabime të tilla – një parti shtetndërtuese, shtetformuese, një parti e cila ia ka dhënë mandatin”, ka shtuar ai.

Ai tutje ka thënë se partia nuk duhet të keqpërdoret derisa ka thënë se Krasniqin e kishte mbështetur për të qenë kryetar i partisë.

Lladrovci tutje ka thënë se ishte akuzuar dy herë pse ishte mbetur në ballotazh, po se ‘thikat’ i vinin nga njerëzit të cilët e rrethonin, por që kur i vuri të gjithë ‘përballë’ fitoi pa ballotazh.

Rrëmbimi i qytetarit nga xhandarmëria serbe, reagon edhe Presidentja Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas plagosjes dhe rrëmbimit të qytetarit serb me shtetësi kosovare brenda territorit të Kosovës që ndodhi të shtunën.

Në një postim në ‘Facebook’, Osmani tha se “kjo është edhe një dëshmi shtesë e qasjes së saj hegjemoniste, ku çdo qytetar që guxon të flasë të vërtetën rreth regjimit autokratik të Vuçiqit, sulmohet dhe torturohet në mënyrën më barbare të mundshme.”

 

 

“Bota demokratike duhet të reagojë e të ndalë këto sulme të Serbisë që kanë për qëllim rrezikimin e paqes e stabilitetit në rajonin tonë. Ndërkaq skena politike në Kosovë duhet të veprojë e flasë në një zë në mbrojtjen e Kosovës nga tendenca të tilla.”, tha tutje ajo.

Vdes rapsodi i shquar

Ka vdekur rapsodi i shquar shqiptar, Albert Hasaj nga Kodralia.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari aktual i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Ai ka shprehur ngushëllime për familjene  të ndjerit.

Ramosja tha se Hasaj do të kujtohet gjithmonë për devotshmërinë ndaj artit popullor, për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe për shpirtin e tij fisnik.

“Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Hasaj, të afërmit, miqtë, bashkëfshatarët dhe të gjithë admiruesit e artit të tij. Kujtimi yt do të mbetet i paharruar”, ka shkruar Ramosaj.

Postimi i plotë:

Humb jetën në aksident një 62-vjeçar në Prrenjas

Një 62-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në rrugën Urakë-Katjel, në Prrenjas.

Sipas burimeve të A2CNN, një veturë e tipit “Mercedes-Benz”, e drejtuar nga një 27-vjeçar, përplasi për vdekje 62-vjeçarin, Qani Malo, transmeton Klankosova.tv.

I dyshuari është ndaluar nga policia për veprime të mëtejshme procedurale.

Forcat e Policisë Rrugore të Prrenjasit, po kryejnë veprimet hetimore për të zbardhur rrethanat e aksidentit.

Plagosja dhe rrëmbimi i një qytetari nga xhandarmëria serbe, reagon ashpër Sveçla

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pasi xhandarmëria serbe ka plagosur duke tentuar ta vrasë dhe më pas e ka rrëmbyer një qytetar me inicialet M.V, shtetas i Republikës së Kosovës.

Sveçla ka thënë se Serbia po vazhdon me veprimet e saj destabilizuese ndaj Republikës së Kosovës, duke cënuar hapur integritetin territorial, kësah radhe në zonën -0- të kufirit mes nesh, e cila ka prani më të shtuar të KFOR-it.

“Ky është një akt i përsëritur dhe i pandëshkuar. Dy vite më parë pjesëtarë të njësive speciale hynë brenda territorit tonë dhe kidnapuan tre pjesëtarë të policisë sonë, pas kësaj, ndodhi sulmi terrorist në Banjskë. Në anën tjetër është e vazhdueshme politika e terrorit dhe dhunës që ajo ushtron në vazhdimësi me figurat që nuk pajtohen me politikat agresore të Aleksandër Vuçiqit”, ka shkruar ndër të tjera ai.

 

Aksident me fatalitet – humb jetën një person
Një aksident me fatalitet ka ndodhur sot rreth orës 17:35 në rrugën nacionale Pejë-Prishtinë, në fshatin Vragoli, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës, i cili tha se një këmbësor është goditur nga një motor.

“Rreth orës 17:35, në rrugën nacionale Pejë-Prishtinë, në Vragoli është shkaktuar një aksident trafiku me fatalitet. Sipas informatave fillestare, dyshohet se një këmbësor është goditur nga një motor. Në vendin e ngjarjes mjeku ka konstatuar vdekjen e një personi. Është njoftuar prokurori dhe mjekësia ligjore, ndërsa hetimet janë duke u kryer nga Policia për të sqaruar të gjitha rrethanat që kanë çuar deri te ky aksident tragjik. Policia apelon për kujdes në trafik, respektim të rregullave dhe përshtatje të shpejtësisë në rrugë, veçanërisht kur ka ndryshime atmosferike – reshje dhe dukshmëria është më e kufizuar”, ka thënë Hoxha.

Statovci-Hykmete Bajramit: Presidentes i kalon mandati edhe pak muaj, bëni kujdes, fare lehtë mund të ju kthej në 12%

Jeta Statovci deputete nga radhëte e partisë “GUXO”, ka reaguar pas deklaratave të Hykmete Bajramit të LDK-së, se Vjosa Osmani është fjatore pse LDK kishte rënë në 12% në vitin 2021.

Sipas Statovcit, pikërisht LDK ka qenë ajo që e ka përjashtuar nga ky subjekt Osmani dhe se kostoja elektorale e 12% ka qenë pasojë e shkeljes së demokracisë të brendshme në LDK, por edhe jashtë saj.

“Kostoja e paguar ka qenë dërgimi i vendit në zgjedhje në kohë pandemie, prishja e besimit me qytetarin dhe arroganca e gatishmëria për të nënshkruar marrëveshje të dëmshme për vendin dhe bashkëpunimi me një PDK komplet të pa reformuar”, ka shkruar ndër të tjera ajo.

 

Reagon sërish Hykmete Bajrami, i publikon bisedat e Kusari-Lilës me Radojiçiqin: Qe kush është me Listen Serbe
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar përsëri pas debatit publik që pasoi deklaratat e saj, ku tha se nuk ka pasur asnjë kontakt dhe asnjë raport me Listën Serbe.
Pas valës së reagimeve dhe kritikave në rrjete sociale, Bajrami iu kundërpërgjigj me një mesazh të qartë drejtuar Lëvizjes Vetëvendosje, duke iu kujtuar bisedat e ish-shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, me Milan Radojiçiqin.

“Qe kush është me Listën Serbe dhe kush po më tregon mua për Radojiçiqin! Lajmërohuni kur t’i kryeni pazaret dhe mandatin që e keni marrë me votë të Adem Hoxhës. Kaq!”, ka shkruar Bajrami.

Reagimi i saj vjen pas deklaratave në një debat televiziv, ku deputetja theksoi se nuk ka pasur asnjëherë asnjë kontakt me përfaqësues të Listës Serbe, dhe se ajo “nuk ka asnjë problem me listën Serbe”./Gazeta Infokus

Detaje të reja: Grupi i Milan Radoiçiqit plagosi dhe rrëmbeu serbin në Leposaviq
Policia e Kosovës tha se më 1 nëntor ka pranuar informacion se në zonën e Leposaviqit, një shtetas i Kosovës, i nacionalitetit serb, dyshohet se është plagosur dhe është rrëmbyer brenda territorit të Kosovës, nga xhandarmëria serbe.
“Vendi i ngjarjes ku raportohet se ka ndodhur rasti dyshohet se gjendet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pra brenda hapësirës [siç quhet pika zero -0-], në afërsi të zonës së Leposaviqit, në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku për këtë Policia e Kosovës ka njoftuar dhe ka bashkëpunuar me KFOR-in, si përgjegjëse për zonën/brezin kufitar”, tha Policia e Kosovës përmes një njoftimi më 3 nëntor.

Sipas burimeve të Arbresh.info, personi i cili u rrëmbye dhe u plagos nga xhandarmëria serbe është Milan Vukašinoviq i cili është i punësuar në pikën kufitare Jarinjë, si punëtor i një shoqërie kosovare të sigurimeve.

Ai po ashtu është anëtar i  iniciativës qytetare ‘Fytyrë e re – Drejtësia Popullore’.

“Më datë 01.11, rreth orës 12:00, Milan Vukašinoviq ndodhej me automjetin e tij Lada Niva, me targa NP 025 UI, ngjyrë bordo, në fshatin Jelakce, në vendin e quajtur Lokvicë, e cila gjendet në territorin e Kosovës, afër kufirit me Serbinë.”, deklaron një qytetar nga Leposaviqi i cili mbetet anonim.

I njëjti deklaron se Milan shpeshherë blinte mjaltë nga Daki Antiq nga Kurshumlia, i cili është i punësuar në Ushtrinë e Serbisë. Edhe atë ditë kishte shkuar për të marrë mjaltë, si zakonisht. Sipas zakonit, Daki Antiq hynte rreth 200 metra në territorin e Kosovës dhe pastaj kthehej në Serbi. Milan zakonisht blinte deri në 5 kilogramë mjaltë.

“Gjatë mbërritjes në vendin e takimit, nga pylli dolën disa persona të armatosur, të veshur me uniforma të zeza dhe të gjelbra, me maska në fytyrë. Milan nuk u ndal, por vazhdoi të ngiste makinën. Radoiçiq, i njohur si “frikacak”, siç thuhet në dëshminë, gjithmonë qëllon nga pas — dhe ashtu kishte vepruar edhe këtë herë.”, thekson ai.

Ai bën të ditur se pas ngjarjes tragjike, grupi terrorist e kishte transportuar Milanin në Spitalin e Prokupljes, me duar të lidhura. Nga autoambulanca, Milan kishte arritur të telefononte nënën e tij dhe t’i tregonte se ishte sulmuar në Kosovë, se ishte plagosur dhe po e dërgonin në Spitalin e Nishit.

Ndërkaq, më 02.11, burimi thotë se përmes miqve nga Nishi, u mësua se Milani ndodhej në gjendje të rëndë, me një veshkë të hequr, me dëmtime në cipën e zemrës, dhe me plumb në shtyllë kurrizore.

“Gjithashtu, sipas burimeve të tjera, Radoiçiq ishte parë në Kosovë bashkë me pjesëtarë të Agjencisë së Sigurisë Ushtarake të Serbisë, mes tyre edhe një oficer me emrin Sedlar. Ata kishin qenë me tre xhipa pa targa. Në Prokuplje, askush nga policia nuk kishte guxuar të pyeste se çfarë po ndodhte.”, u shpreh ai.

“Milan Vukašinoviq më pas ishte dërguar në Spitalin e Nishit, ku e kishte pritur drejtori i Qendrës Klinike të Nishit, Zoran Perishiq.”, u shpreh ai.

Sipas burimeve, Perishiqi kishte ndaluar personelin mjekësor të jepte informacione për gjendjen shëndetësore të Milanit, i cili ishte plagosur dhe rrëmbyer.

“Dëshmitari që rrëfen rastin pohon me përgjegjësi se ka qenë me Milanin në vendin e quajtur Jelakce, por se asnjeri prej tyre nuk kishte hyrë në territorin e Serbisë.”, deklaron ai.

Të njëjta burime bëjnë të ditur se Milan Vukašinoviq është i punësuar në pikën kufitare Jarinjë, si punëtor i një shoqërie kosovare të sigurimeve. Ai nuk është larguar nga institucionet e Kosovës që nga viti 2022 dhe nuk ka shkuar në Serbi që nga ajo kohë.

Tutje burimet theksojnë se në vitin 2024, Radoiçiq kishte tentuar të vriste Milanin, duke i vendosur eksploziv nën automjet./Arbresh.info