VV e nominon Albin Kurtin kandidat për kryeministër

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje e ka nominuar Albin Kurtin si kandidat për kryeministër për zgjedhjet e 7 qershorit.

Nominimi i Kurtit ka marrë mbështetjen e të gjithë anëtarëve gjatë mbledhjes së së shtunës.

Kryetarja e Forumit të Gruas në këtë parti, Albulena Haxhiu, ka pasur lëvdata për bashkëpartiakun teksa ka dhënë propozimin.

“E propozoj se e njoh nga afër. E them me bindje me plotë, ai nuk e ka kuptuar pozitën e kryeministrit as si rehati e as si privilegj. Për të, pozita ka qenë për t’i ndihmuar qytetarëve. Për Albin Kurtin, shteti matet aty ku prek jetën e qytetarit. Përtej qeverisjes më të suksesshme, me te shteti nuk është strehë për të fortët e as strehë për plaçkë. Është i pashantazueshëm në politikë”, ka thënë ndër të tjera Haxhiu.

Deklarata e Pavarësisë në tokë, reagon Basha: Jemi në proces të bartjes në objekt të ri, zyrtarët do ta varin në mur

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka dalë me sqarim pas reagimeve për lënien në tokë të Deklaratës së Pavarësisë në këtë Ministri.

Reagimet erdhën pasi ish-deputetja e Vetëvendosjes, Adelina Grainca, publikoi një fotografi me Bashëm e ku në sfond shihet Deklarata e Pavarësisë e lënë në tokë pas kauçit.

Por, Basha tha se janë në proces të bartjes e sistemimit në objekt të ri të Ministrisë dhe se aktualisht po funksionojnë me kushte të përkohshme.

“Sa i përket lajmit për vendndodhjen e Deklaratës së Pavarësisë, dua ta sqaroj për opinionin publik se aktualisht jemi në proces të bartjes, sistemimit dhe inventarizimit të hapësirave të punës në objektin e ri të Ministrisë. Me procesin e bartjes dhe organizimit të inventarit nuk merret Ministri, por janë zyrtarët e Logjistikës, sepse këto janë çështje teknike dhe operative të organizimit. Deri tani, ky ambient funksionon në kushte të përkohshme, me orenditë e bartura nga objekti i vjetër dhe me organizim të improvizuar”.

Basha tha se u raportua “padrejtësisht dhe me tendencë”.

“Pjesë e inventarit dhe e materialeve të bartura është edhe Deklarata e Pavarësisë, e cila “nuk është hudh”, siç është raportuar”, por Basha shtoi se ajo është sjellë në zyrë nga objekti i vjetër dhe po pret derisa zyrtarët e logjistikës ta varin në mur.

Për këtë kishte reaguar OVL-UÇK që tha se fotografia e lënë mbrapa divanit është ‘’rrëfim politik’’ dhe se Deklarata e Pavarësisë u përdhos.

Tahiri: Fituesit e 7 qershorit, binomi Osmani–Abdixhiku

Xhafer Tahiri nga LDK-ja, ka deklaruar se subjekti i tij politik synon bashkimin e spektrit të djathtë politik dhe patriotëve në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Sipas Tahirit, partia beson se ky bashkim do të sjellë fitore, duke theksuar se qytetarët do të shohin një alternativë të re politike të udhëhequr nga Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku.

Ai tha se ky binom, sipas tij, ofron një vizion më të qartë dhe më përbashkues për Kosovën, larg gjuhës së urrejtjes dhe ndasive politike.

Tahiri shtoi se bashkëpunimi politik që po ndërtohet nuk synon të jetë vetëm për zgjedhjet apo një mandat qeverisës, por, siç u shpreh ai, një projekt afatgjatë për të ardhmen politike të vendit.

“LDK-ja ka vendosur t’i bashkojmë të djathtët dhe patriotët. Më 7 qershor, ne shpresojmë që bashkimi i së djathtës do të sjellë fitore. Sepse, qytetarët e Kosovës do të shohin se binomi Vjosa Osmani – Lumir Abdixhiku, kanë një vizion më të mirë, më të qartë dhe kanë një vizion përbashkues për Kosovën, përtej gjuhës së urrejtjes. Ky bashkim do të zgjasë, jo vetëm në këtë cikël zgjedhor, jo vetëm në legjislaturën e re, por do të zgjasë përgjithmonë në Republikën e Kosovës”, tha ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.

Bie çmimi i naftës në Kosovë, nuk ndryshon i benzinës

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet e derivateve për të shtunën.

Sipas njoftimit, nafta është liruar për katër centë krahasuar me dje. Do të kushtojë 1.63 euro për litër.

Ndërkohë, çmimi i benzinës ka mbetur i njëjtë – 1.51 euro për litër.

E gazi ka rënë për një cent. Një litër gazë është 0.80 euro.

Nafta u shtrenjtua prej kur më 28 shkurt Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nisën luftën me Iranin, shtet që menjëherë mbylli Ngushticën e Hormuzit, e cila shfrytëzohet si rrugë detare për 20 për qind të naftës në nivel botëror

Gruaja goditet me veturë nga ish-bashkëshorti

Të premten në Podujevë një grua ka raportuar se ish-bashkëshorti e ka goditur me veturë.

Sipas Raportit të Policisë, viktima ka kërkuar urdhër mbrojtës teksa i dyshuari ëshë liruar në procedurë të rregullt.

“Është raportuar se viktima femër kosovare, nga ish-bashkëshorti i saj me të cilin tani janë të ndarë, është goditur qëllimshëm me veturë  nga mbrapa”, thuhet në Raportin e Policisë së Kosovës.

“Palët janë intervistuar, viktima ka kërkuar urdhër mbrojtës, me vendim të prokurorit palët janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24orësh të policisë.

26 vjeçari e gjen babanë të varur në shkallët e shtëpisë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm Suharekën, ku një burrë është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.

Rasti ka ndodhur rreth orës 07:50 në rrugën “Skënderbeu” në Suharekë.

Sipas informatave, viktima R.K., rreth 52-vjeçar është dërguar pa shenja jete në Emergjencën e qytetit nga djali i tij, G.K., rreth 26-vjeçar.

Burimet bëjnë të ditur se djali ka deklaruar para Policisë se kur kishte hyrë në shtëpi e kishte gjetur babanë të varur me litar në shkallët e shtëpisë.

Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe ka siguruar lokacionin, ku është gjetur edhe litari me të cilin dyshohet se viktima kishte kryer vetëvarjen.

Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar hetuesit e Stacionit Policor në Suharekë, ndërsa më pas janë angazhuar edhe hetuesit rajonalë nga Prizreni.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Hetimet për rastin janë duke vazhduar.

Më shumë se 10 kandidatë nga Osmani në listën e LDK-së për deputet

Bardhyl Hasanpapaj ka bërë të ditur se lista e përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit do të përfshijë më shumë se dhjetë kandidatë.

Ai theksoi se ekipi është modest, por i përkushtuar, duke vënë theksin te cilësia dhe bashkimi politik.

“Ideja ka qenë një ekip modest, i përbashkuar dhe sidomos jashtëzakonisht i përkushtuar në këtë rrugëtim. Nuk ka rëndësi numri, në fakt numri do të jetë modest, jo shumë i madh, sepse kemi dashur ta respektojmë këtë momentum të bashkimit me LDK-në dhe jemi përkushtuar te cilësia dhe përkushtimi për të kontribuar në këtë moment… do të jenë më shumë se dhjetë”, deklaroi Hasanpapaj”, u shpreh Hasanpapaj, në KlanKosova.

Ndryshe,profesori Bardhyl Hasanpapaj i është bashkuar dje rrugëtimit politik të ish-presidentes Vjosa Osmani në kuadër të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Zbulohen disa nga emrat e listës së LDK-së, përfshihet ish-komandanti i UÇK-së

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Therandë ka bërë të ditur se, pas një procesi të gjerë konsultimesh me strukturat e partisë, ka vendosur të propozojë tre kandidatë për deputetë të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 7 qershor.

Blerim Kuqi pritet të jetë kandidat për deputet nga radhët e LDK-së në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Ish-komandanti i Brigadës 123 dhe një nga figurat më të njohura politike nga Suhareka rikthehet sërish në garë, në një moment të rëndësishëm për skenën politike në vend.

Sipas njoftimit të degës, kandidatët e propozuar janë Nexhat Ramadani, Selman Kolgeci dhe Blerim Kuqi.

“Dega e LDK-së në Therandë, pas një procesi të gjerë konsultimesh me strukturat e saj, ka vendosur të propozojë tre kandidatë për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit”, thuhet në njoftim.

Dega e LDK-së në Therandë ka shprehur optimizëm për garën zgjedhore.

“Të bashkuar dhe të vendosur për një rrugëtim të ri plot shpresë!”, thuhet në njoftimin e degës.

 

Mulla Osman Musliu reagon ashpër ndaj Florin Krasniqit: “Drenica nuk është plaçkë për lojëra politike”

Mulla Osman Musliu ka reaguar ndaj deklaratave të Florin Krasniqit lidhur me Drenicën dhe zhvillimet politike në vend, duke e akuzuar atë për nxitje të përçarjes dhe përdorim të historisë së Drenicës për interesa politike, përcjell Kosova Post.

Reagimi vjen pasi Krasniqi deklaroi se:
“Drenicën s’e kanë mposhtë krajla e sulltana, e po e mposhtin këta zhugana.”

Sipas Musliut, deklarata të tilla nuk përfaqësojnë dashuri për Drenicën, por përpjekje për ta kthyer atë kundër shtetit të Kosovës.

“Drenica nuk është pronë private e askujt dhe as bunker emocional ku politikanët e zhgënjyer ndezin mllef kundër qeverisë,” thuhet në reagimin e tij.

Ai theksoi se është e rrezikshme të krijohet narrativa se armiku i Drenicës është vetë shteti i Kosovës, duke e quajtur këtë “helm politik”.

Musliu nënvizoi se Drenica historikisht nuk ka luftuar kundër Kosovës, por gjithmonë për Kosovën dhe shqiptarët, duke kujtuar sakrificën e saj në rrugën drejt lirisë dhe shtetndërtimit.

LDK sot cakton kandidatin për kryeministër

Lidhja Demokratike e Kosovës mban sot nga ora 12:00 mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.

Gjatë kësaj mbledhjeje pritet të dalin emrat e Vjosa Osmanit për presidente dhe të Lumir Abdixhikut për kryeministër.

Ndërkohë, mbrëmë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook iu është drejtuar anëtarësisë së partisë, duke theksuar zotimin e tij për bashkimin e të gjitha grupeve brenda subjektit.

Ai ka deklaruar se synon t’i bashkojë ata që kanë qëndruar në parti, ata që janë larguar, ata që kanë heshtur dhe ata që ende besojnë në LDK.