div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-14 category-paged-14 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Skandaloze: Mërgimtari e krahason Daut Haradinajn me Radoiçiqin, e kërcënon publikisht me “kanun”

Mërgimtari Naser Xhylani, militant i Lëvizjes Vetëvendosje, ka lëshuar deklarata të rënda dhe kërcënuese në drejtim të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Daut Haradinaj.

Në një video të publikuar në Facebook, Xhylani e ka krahasuar Haradinajn me kryeterroristin Milan Radoiçiqin, i cili është përgjegjës për sulmin në Banjskë, duke iu referuar me mbiemrin e tij, “Daut Radoiçiq”.

“Na paska folur Dauti, Daut Radoiçiqi. Unë desha t’i them nja dy fjalë Dautit. O Daut, populli të njeh mirë, këtë kërcënim që e bën ti ndaj popullit, nuk vlen. …keni luftuar për një periudhë të shkurtër gjatë luftës, dhe e dimë krejt atë rezultatin që e keni pasur. Por ju njohim mirë edhe pas luftës, për ma shumë se 20 vjet pas luftës”, ka deklaruar ai në Facebook.

Me tone të ashpra, gjuhë fyese e akuza të rënda, Xhylani nuk ka hezituar t’i quajë krerët e UÇK-së,“palaço komandira”, ku e përmend në formë përqeshëse edhe vëllain e Dautit, Ramush Haradinajn.

“O Daut Haradinaj, çka po të dukemi na ty si popull? A? Mos po menon naj parti e juaja, apo e atij Ramuçit apo naj komandiri tjetër, si palaço komandira që jeni, pa pikë nderi pa pikë morali. Pra ne nuk e paskemi të drejtën me ju sha?”, thotë ai.

Në fund të videos, ai ka përdorur edhe gjuhë të drejtpërdrejtë kërcënuese, duke përmendur “kanunin” dhe persona që, sipas tij, janë “të gatshëm për sakrificë”.

“O Daut të kesh kujdes, se gjërat kanë ndryshuar, e po ta jep një besë të zotit se janë disa djem të përgatitur shumë fort që janë të gatshëm për sakrificë. Kështu që leje popullin në vuajtjet e veta…. ki mu përgjigj me kanun”, thotë ai.

Xhylani s’është i vetmi. Ka dhjetëra si ai, që kanë komentuar e vazhdojnë të reagojnë me epitete nga më të ulëtat në drejtim të atyre që luftuan për lirinë e Kosovës.

Në profilin e tij, duke nisur nga fotografia e llogarisë në Facebook, del se është mbështetës i Albin Kurtit dhe partisë së tij, VV-së.

Ish-togeri policor pranon fajësinë për spiunazh

Bojan Jevtiq, i akuzuar për veprat penale të spiunazhit dhe armëmbajtjes pa leje, është sjellë në Gjykatë në seancën fillestare pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Ish-togeri policor ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë Speciale, ndërsa gjatë kësaj seance pritet të shqyrtohet marrëveshja e arritur ndërmjet palëve.

Rasti lidhet me akuzat për spiunazh dhe posedim të paautorizuar të armëve, për të cilat autoritetet kanë zhvilluar hetime paraprake.

Jevtiq, i cili është suspenduar nga Policia, në bazë të aktakuzës i ka dërguar Serbisë dokumente konfidenciale e sekrete, duke i dorëzuar nëpërmjet platformave të komunikimit me internet, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Në të shkruhet se i akuzuari ia ka dërguar ato Agjencisë për Siguri dhe Inteligjencë të Serbisë (BIA) dhe se me këtë veprim është rrezikuar rëndë siguria e Kosovës, për çka prokuroria ka kërkuar që dënimi ndaj tij të jetë konform paragrafit 6 të nenit 124 të Kodit Penal, që parasheh dënim nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm.

“Nga një periudhë kohore e pacaktuar e deri më datë 17.07.2025, respektivisht deri në momentin e arrestimit të tij, i pandehuri [e redaktuar], në cilësinë e zyrtarit policor me gradën toger dhe në detyrën e Shefit të Sektorit të Operativës në Stacionin Policor Kufitar [e redaktuar], me dashje dhe në mënyrë të vazhdueshme, ka mbledhur, siguruar dhe transmetuar informacione dhe dokumente zyrtare të klasifikuara si ‘Konfidencial’ dhe ‘Sekret’, që ndërlidhen me sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzën për Bojan Jevtiqin.

Ndryshe, dite me pare Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Bojan Jevtic për veprat penale “Spiunazhi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.

Sipas Prokurorisë Speciale, Jevtiqi i ka dërguar BIA-s informata si shkak i të cilave janë rrezikuar jetët e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë së Kosovës e edhe qytetarëve.

Në aktakuzë theksohet se aplikacionet e mesazheve WhatsApp dhe Telegram janë përdorur për t’i transmetuar sekretet shtetërore të zyrtari i BIA-s, me nofkën “Qira”, e me të cilin është takuar edhe fizikisht në disa raste në Beograd.

“Me këto veprime, i pandehuri edhe pse në dijeni për natyrën e klasifikuar të dokumenteve dhe pasojat e mundshme, ka cenuar rëndë sigurinë kombëtare, rendin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe ka rrezikuar drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë dhe qytetarëve të saj”, thuhet në aktakuzë.

Për spiunazh në Kosovë është dënuar ish-polici i Kosovës, Aleksandar Vlajiq me pranim fajësie vitin e kaluar. Sivjet në shkallë të parë është dënuar edhe zyrtarja e OSBE-së, Jelena Gjukanoviq. Ajo është dënuar me gjashtë vjet burgim.

E gjykimi i Muharrem Qerimit dhe Bedri Shabanit e as ai i Hysri Selimit.

Në paraburgim nën dyshimet për spiunazh është edhe Fatmir Sheholli, që ishte pjesë e Sigurimit Shtetëror të Serbisë në vitet e 90-a.

Ganimete Musliu reagon për themelimin e xhandarmërisë, e quan strukturë paralele

Ish-deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka reaguar pas nisjes së procedurave për themelimin e xhandarmerisë së Republikës së Kosovës.

Për këtë nismë, ka njoftuar sot ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por që Musliu ka hedhur kritika.

“Pas katër vitesh qeverisjeje me shumë zhurmë e pak rezultate, sot po na shitet edhe “Xhandarmëria” si sukses i madh. Kosova ka nevojë për shtet funksional, polici profesionale dhe institucione efikase, jo për iniciativa të nxituara që duken më shumë si spektakël politik para zgjedhjeve.”, ka thënë ajo.

Kandidatja për deputete edhe për një mandat ka thënë se siguria nuk ndërtohet me konferenca e postime në Facebook, por me strategji serioze, koordinim institucional dhe mbështetje për Policinë e Kosovës, e jo sipas saj, me krijim strukturash paralele për konsum ditor politik.

“Qytetarët sot kanë nevojë për vende pune, ulje të çmimeve, zhvillim ekonomik dhe siguri reale, jo për propagandë të re, nocione të reja dhe mashtrime të sofistikuara. Na duhen uniforma të reja për policët, këpucë të papërshkueshme nga uji, sigurime shëndetësore dhe jetësore për policë e ushtarë, si dhe paga të dinjitetshme, që policët e ushtarët të mos punojnë ditën policë, e natën kamarierë apo taksistë.”, ka deklaruar ajo.

Operacion si në filma, kapet “tregtari” i automatikëve

Policia e Tiranës ka arrestuar një 25-vjeçar të cilit iu gjetën në makinë dy automatikë.

Sipas autoriteteve, dyshohet që ai do t’i shiste armët, raporton A2 CNN.

Në videon e publikuar nga policia shqiptare shihet se si ata e ndjekin të riun në rrugë, duke e vëzhguar edhe me dron, transmeton Klankosova.tv.


Në një moment që duket si skenë filmi aksion, nga makina dalin efektivët e policisë dhe e arrestojnë në flagrancë 25-vjeçarin, në rrugën “Myslym Keta” në kryeqytet.

Aksion i Policisë, arrestohen gjashtë persona

Policia e Kosovës, ka njoftuar se në Gjilan ka arrestuar gjashtë persona, të cilët dyshohen për vjedhje të rëndë.

Sipas policisë, janë siguruar prova që dyshohet se të njëjtit në bashkëveprim kanë qenë të përfshirë të paktën në një rast të veprës penale ‘’Vjedhje të rëndë’’, ndërsa ekzistojnë dyshime se të njëjtit janë të përfshirë edhe në disa raste të tjera të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda.

‘’Në kuadër të procedurave ligjore dhe me autorizim nga gjykata kompetente, janë realizuar kontrolle në disa lokacione në Gjilan, Prishtinë e Fushë Kosovë. Gjatë këtyre kontrolleve janë sekuestruar dëshmi materiale, përfshirë edhe tri automjete që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprave penale si dhe telefona celularë’’, thuhet në njoftim.

Komunikata e plotë:

Arrestohen gjashtë persona të dyshuar për vjedhje të rëndë

Gjilan, 19 maj 2026

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përkatësisht hetues nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan në koordinim dhe me autorizim nga Prokuroria Themelore në Gjilan, si rezultat i një hetimi disa mujor dhe veprimeve intensive hetimore me qëllim të sigurimit të provave dhe dëshmive relevante, përfshirë edhe zbatimin e masave të fshehta teknike të hetimit, sot me datën 19.05.2026 kanë arritur që të identifikojnë dhe arrestojë gjashtë persona të dyshuar meshkuj kosovarë.

Gjatë zhvillimit të hetimeve janë siguruar prova që dyshohet se të njëjtit në bashkëveprim kanë qenë të përfshirë të paktën në një rast të veprës penale ‘’Vjedhje të rëndë’’, ndërsa ekzistojnë dyshime se të njëjtit janë të përfshirë edhe në disa raste të tjera të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda për të cilat hetuesit policorë janë duke vazhduar punën intensive në sigurimin e provave dhe ndriçimin e plotë të rasteve.

Në kuadër të procedurave ligjore dhe me autorizim nga gjykata kompetente, janë realizuar kontrolle në disa lokacione në Gjilan, Prishtinë e Fushë Kosovë. Gjatë këtyre kontrolleve janë sekuestruar dëshmi materiale, përfshirë edhe tri automjete që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprave penale si dhe telefona celularë.

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, gjersa me vendim të Prokurorit të Shtetit që të gjashtë të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Hetimet lidhur me këto rast janë duke vazhduar.

E bëri babanë për spital dhe u zhduk – Policia në kërkim të të riut

Një ngjarje e rëndë familjare ka tronditur mbrëmjen e djeshme fshatin Pagarushë të Malishevës, ku një djalë dyshohet se ka sulmuar brutalisht babanë e tij, duke e lënë të lënduar në kokë dhe më pas është arratisur, raporton Gazeta Sinjali.

Burime të afërta me rastin bëjnë të ditur se Policia është alarmuar rreth orës 20:00 për një rast dhune në familje, ndërsa patrulla që ka dalë në vendin e ngjarjes ka hasur viktimën me lëndime të dukshme në pjesën e kokës.

Bëhet fjalë për N. K., i cili sipas dyshimeve fillestare është goditur nga djali i tij, Q. K., pas një konflikti familjar që eskaloi në dhunë fizike.

Për shkak të plagëve të marra, viktima është dërguar me urgjencë për trajtim në QMF-Malishevë, ndërsa i dyshuari është zhdukur menjëherë pas incidentit.

Policia ka nisur kërkimet për arrestimin e tij, ndërsa rasti po trajtohet si “Dhunë në familje”.

Autoritetet kanë paralajmëruar se detaje shtesë do të bëhen publike pas zhvillimeve të mëtejshme hetimore.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lajm i dhimbshëm: Ndërron jetë në moshën 38-vjeçare Enis Venhari

Ka ndërruar jetë në moshën 38-vjeçare i riu nga Vushtrria, Enis Venhari.

Sipas informacioneve të para, dyshohet se vdekja e tij ka ardhur si pasojë e një infarkti.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është bërë i ditur nga familjarët përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

I ndjeri thuhet se ka lënë pas bashkëshorten dhe një djalë të vogël.

Në njoftimin mortor të familjes thuhet: “Me pikëllim të thellë njoftojmë miqtë, shokët dhe dashamirët se u nda nga jeta vëllai ynë, Enisi”.

Ceremonia e varrimit do të mbahet sot, në ora 16:30, në varrezat e Dragodanit në Prishtinë.

Rrogat rriten, por çmimet shtrenjtohen më shumë

Rritja e pagave po zhvlerësohet nga inflacioni i lartë tregojnë të dhënat e INSTAT. Edhe pse paga nominale mesatare ka kapërcyer kufirin e 86,000 lekëve në tremujorin e fundit 2025 vlera reale e saj ka mbetur shumë pas, për arsye se paga reale për të njëjtën periudhe ishte vetëm 72,225 lekë, 14,759 lekë më e ulët ose 17 % më pak se nominalja.

Paga reale mesatare mujore bruto është indeksuar me inflacionin (2020=100) nga INSTAT. Kjo do të thotë se me rreth 86 mijë lekë, një shqiptar blen sot të njëjtat mallra që në vitin 2020 i blinte me rreth 72 mijë lekë.

Ndonëse pagat e qytetarëve janë rritur në vlerë monetare, fuqia e tyre blerëse po bie me hapa të shpejtë. Në tremujorin e fundit të 2025 hendeku ndërmjet pagës reale dhe asaj nominale ishte -17% dhe ka pësuar zgjerim vitin e kaluar. Në fillim të vitit 2023 kjo diferencë ishte më e ulët, me vetëm 12 %. Duke qenë se baza e krahasimit është viti 2020 çdo tremujor reflekton inflacionin e akumuluar duke e rritur me tej hendekun ndërmjet pagës reale dhe asaj nominale.

Këto të dhëna tregojnë se standardi i jetesës po përballet me presion, pasi pagat më të larta nuk kanë arritur të neutralizojë shtrenjtimin e jetesës, duke e lënë konsumatorin me një fuqi blerëse dukshëm më të dobët se në fillim të dekadës.

Rritja e çmimeve po ecën me një hap shumë më të shpejtë sesa rritja e të ardhurave.

Një faktor tjetër është vonesa e reagimit të tregut të punës. Ndonëse punëdhënësit po rrisin pagat nominale për të mbajtur stafin, këto rritje shpesh janë nuk arrijnë të kompensojnë plotësisht shtrenjtimin e jetesës që ka ndodhur muajt e mëparshëm.

Gjithashtu, politikat fiskale luajnë një rol negativ përmes fenomenit ku rritja nominale e pagës e kalon individin në një fashë më të lartë tatimore, duke bërë që një pjesë e mirë e rritjes të shkojë për taksa, ndërkohë që fuqia blerëse reale vazhdon të tkurret.

Goditjet e njëpasnjëshme në zinxhirët e furnizimit dhe paqëndrueshmëria e monedhës kanë bërë që vlerësimi real i parasë të pësojë rënie.

Diferenca ndërmjet pagës reale dhe asaj nominale po thellohet edhe për shkak se rritja e tyre nuk erdhi nga produktiviteti në ekonomi, por nga presionet e fuqisë punëtore. Rritja e pagave me vendime e stimuloi edhe me shume rritjen e çmimeve duke e ulur në vërtetë vlerën reale të pagave./monitor

Vdes edhe një i ri nga aksidenti në rrugët e Kosovës

Një aksident i rëndë trafiku që kishte ndodhur para 11 ditësh në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë ka përfunduar tragjikisht, pasi shoferi i lënduar nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra, raporton Gazeta Sinjali.

Viktima është Kastriot Cimili, i cili ishte aksidentuar në orët e para të 7 majit në fshatin Smrekonicë të Vushtrrisë.

Sipas informacioneve nga hetimi, deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur pasi shoferi kishte humbur kontrollin mbi automjetin dhe ishte përplasur me mbrojtësen metalike anësore të rrugës.

Pas aksidentit, ai fillimisht ishte trajtuar në Spitalin e Vushtrrisë, por për shkak të gjendjes së rëndë ishte transferuar në QKUK në Prishtinë.

Megjithatë, pavarësisht trajtimit mjekësor, mbrëmjen e 18 majit QKUK ka njoftuar Policinë se 34-vjeçari kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra në aksident.

Trupi i pajetë i viktimës u është liruar familjarëve.

Kosova nis hapat për themelimin e Xhandarmërisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se është ndërmarrë hapi i parë drejt themelimit të Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës, përmes krijimit të një grupi punues që do të analizojë dhe propozojë modalitetet e funksionimit të këtij mekanizmi të ri të sigurisë.

Sveçla përmes një postimi në “Facebook” ka njoftuar se Xhandarmëria do të funksionojë si agjencion në kuadër të Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe do të ketë rol të rëndësishëm në forcimin e arkitekturës së sigurisë së shtetit.

“Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufijve, integritetit dhe sovranitetit territorial”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, është bërë e ditur se ky mekanizëm do të angazhohet në mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike të vendit.

Sveçla tha se Xhandarmëria e Republikës së Kosovës pritet të forcojë kapacitetet shtetërore për parandalimin, menaxhimin dhe neutralizimin e kërcënimeve që cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe integritetin territorial të Kosovës.