div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive date custom-background wp-custom-logo wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Osmani: Deputetët e LVV-së që kanë shpifur ndaj meje do t’i ballafaqoj në gjykatë

Ish-presidentja e Kosovës dhe kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, ka deklaruar se do t’i ndjekë në rrugë ligjore deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët sipas saj kanë shpifur dhe kanë bërë denigrime ndaj saj.Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Osmani tha se fushata e sulmeve dhe shpifjeve ndaj saj po zhvillohet edhe përmes profileve të rreme në rrjetet sociale, por sipas saj, burimi i tyre dihet.

“Tash ata fshihen prapa profileve të rreme, por dihet se ku e kanë burimin, sepse e kanë pasur gjithmonë në të njëjtin vend. Ne jemi duke i adresuar ato në polici dhe në organet e rendit, por siç kam paralajmëruar, do t’i adresoj edhe në gjykatat e vendit tonë”, ka deklaruar Osmani.Ajo shtoi se këtë ballafaqim do ta vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

“Këtë ballafaqim do ta vazhdoj gjatë tërë jetës sime. Nëse ata dëshirojnë të fyejnë, të ofendojnë, të godasin ulët dhe të shpifin deri në ato përmasa që nuk i ka bërë asnjë politikan më herët, atëherë kjo është një betejë jetësore. Nuk ka të bëjë vetëm me politikë, por me mbrojtjen e vlerave njerëzore”, u shpreh ajo.Osmani theksoi se nuk do të tërhiqet nga paditë ndaj deputetëve të LVV-së për deklaratat që i konsideron shpifëse.

“Deputetë të VV-së kanë publikuar një sërë shpifjesh ndaj meje dhe për secilën prej tyre, kurdo që gjykatat tona të gjejnë kohë të merren me to, unë do të ballafaqohem në gjykatë. Fatkeqësisht procedurat po zgjasin shumë, por për çdo shpifje dhe tentim denigrimi do të përballem në gjykatë”, tha Osmani.Ajo shtoi se nuk do të lejojë që puna dhe angazhimi i saj për shtetin të njollosen.

“Nuk e kam ndërmend që punën, dinjitetin dhe jetën e ndershme që ia kam kushtuar këtij vendi ta lejoj të njolloset”, përfundoi Osmani.

Gruda i PDK-së: Prokuroria të nisë hetimet, buxheti i shtetit po përdoret për blerje votash

Vendimi i fundit i Qeverisë në detyrë për ndarjen e dy milionë eurove për linjat e fluturimit “për destinacionet që i shërbejnë mërgatës”, ka nxitur reagime të shumta nga eksponentë të partive politike, si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

Ndaj këtij vendimi, ka reaguar ashpër edhe kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Përparim Gruda.

Ai ka thënë se vetëm 12 ditë para zgjedhjeve, Qeveria po ndan dy milionë euro nga buxheti i shtetit për të blerë vota.

Gruda ka thënë se ekzekutivi në detyrë po keqpërdor buxhetin e shtetit për fushatë, me ç’rast ai ka ftuar prokurorinë që të nisë hetimet.

“Në foto shihet vendimi i Qeverisë së Kosovës, i datës 26 maj 2026, për ndarjen e mjeteve në kuadër të masës ‘Mbështetja e Mërgatës’, për subvencionimin e linjave ajrore. Ky është keqpërdorim i pastër i parasë publike për interesa partiake. Kur pushteti përdor buxhetin e Kosovës për fushatë, zgjedhjet nuk janë më as të lira dhe as të ndershme. Prokuroria e Shtetit duhet të nisë menjëherë hetime për këtë skandal dhe për përgjegjësit e këtij vendimi. Heshtja në këtë rast do të ishte bashkëfajësi”, ka shkruar Gruda.