Vdes veprimtari i çështjes kombëtare, Hafiz Gagica

Ka vdekur veprimtari i çështjes kombëtare, Hafiz Gagica.

Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur miqtë e familjarët e të ndjerit.

Detajet e ceremonisë mortore ende nuk janë bërë të ditur, teksa Gagica tash e disa kohë po luftonte me një sëmundje të rëndë.

Gagica, dha kontribut të madh gjatë viteve të ’90-ta në organizimin politik të diasporës shqiptare si dhe në mbështetjen e institucioneve të pavarura të Kosovës.

Ai u angazhua në mbrojtjen dhe çlirimin e Kosovës në ngritjen dhe fortësimin e sistemit paralel gjatë represionit të ushtruar nga Serbia, me çrast ishte bartës kryesor i organizimit të mërgatës në Gjermani e në Europë, duke marrë rol kyç në lidhjet mes Kosovës dhe shteteve të Europës, përmes një zyre që ai kishte në Shtuttgart.

Gagica pati rol vendimtar në organizimin dhe financimin në sistemin paralel të Kosovës në arsim, shëndetësi e furnizimit ushqimor duke qenë edhe nismëtar i demonstrateve të shqiptarëve në Gjermani.

Hafiz Gagica ishte kryetar i LDK-së për diasporë dhe një nga bashkëpunëtorët e afërt të ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

Arrestohen 3 djemtë e familjes Halili, dyshohen për vrasjen e 20-vjeçarit

Tre persona janë arrestuar në Suedi, pas vrasjes së 20-vjeçarit Elion Veseli, i cili vdiq nga një përleshje mes disa shqiptarëve të tjerë në qendër të Kristianstad, gjatë këtij muaji.

Të arrestuarit janë tre persona të dyshuar për përfshirje në këtë rast tragjik dhe dyshimet e para lidhen me një konflikt mes familjeve të viktimës (Familja Veseli me prejardhje nga Mitrovica) dhe njërit prej të dyshuarve (Familja Halili me prejardhje nga Drenica).

Konflikti mes dy familjeve daton nga viti 2011, ndërsa për rastin ku  20 vjeçari (Elion Veseli) vdiq nga plagët e rënda të pësuara nga sulmi me thikë, ishin të arrestuar pesë persona, ndërsa sipas mediave suedeze, dy prej tyre janë liruar menjëherë, ndërsa tre të tjerët, janë mbajt në paraburgim.

KlanKosova.tv ka arritur ekskluzivisht të sigurojë aktvendimet, ku edhe bëhen të ditur emrat e tre personave të dyshuar, që tashmë ngarkohen për kryerjen e veprës “Vrasje”.

Emrat e personave janë: Besnik Halili (28-vjeçar), Aron Halili (25-vjeçar) dhe Nazmi Halili (29-vjeçar), të cilët janë vëllezër, ndërsa sot, (26.05.2026), Nazmi Halili kishte kërkuar seancë dëgjimore, ku me vendim të gjykatës, ai përsëri është dërguar në paraburgim.]

Pamje nga seanca dëgjimore e Nazmi Halilit
Sipas dokumenteve të dorëzuara nga prokuroria në gjykatë, pritet të duhen të paktën edhe gjashtë javë derisa NFC, Qendra Forenzike e Policisë, të përfundojë analizat e saj lidhur me provat e mbledhura, përfshirë edhe ekzaminimet e gjurmëve të ADN-së.

Ndërkohë, policia ka zhvilluar disa intervista dhe marrje në pyetje që nga dita kur vëllezërit u arrestuan më 12 maj, ndërsa pritet të zhvillohen edhe shumë intervista të tjera gjatë javëve në vazhdim.

Klankosova.tv poashtu ka mësuar se tre vëllezërit janë dërguar në burgje të ndryshme, në mënyrë që të shmangin kontaktin ndërmjet vete, ndërsa nuk ju lejohet kontakti me asnjë njëri tjetër përveç avokatëve të tyre mbrojtës.

Frotografi të tre të dyshuarave për vrasjen e Elion veselit
Po ashtu, në kuadër të hetimeve janë sekuestruar edhe telefonat mobilë, të cilët pritet t’i nënshtrohen analizimit dhe kontrollimit të përmbajtjes së tyre, proces që njihet si “zbrazje” e telefonave, për të siguruar prova shtesë për rastin.

Klankosova.tv ka mësuar pashtu se në vitin 2020 Besnik Halili (vëllau i mesëm), ishte dënuar edhe më herët së bashku me tre persona të tjerë për grabitjen e një  dyqani në Suedi, ngjarje  e ndodhur në shkurt të vitit 2017.

Nazmi Halili, Besnik Halili dhe Aron Halili gjatë seancës janë deklaruar të pafajshëm, mirëpo me vendim të gjykatës pas kërkesës së prokurorisë, tre personat janë dërguar në paraburgim, me arsyetimin se të njëjtit mund të zhdukin prova, ose në një mënyrë tjetër të ndërhyjnë në procesin hetimor.

Klankosova.tv ka kontaktuar Policinë Suedeze në këtë rajon ditë më parë, për të marrë informacione të reja, por zyrtari për komunikim nuk e ka dhënë asnjë detaj, meqë hetimi ende vazhdon.

Osmani: Deputetët e LVV-së që kanë shpifur ndaj meje do t’i ballafaqoj në gjykatë

Ish-presidentja e Kosovës dhe kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, ka deklaruar se do t’i ndjekë në rrugë ligjore deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët sipas saj kanë shpifur dhe kanë bërë denigrime ndaj saj.Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Osmani tha se fushata e sulmeve dhe shpifjeve ndaj saj po zhvillohet edhe përmes profileve të rreme në rrjetet sociale, por sipas saj, burimi i tyre dihet.

“Tash ata fshihen prapa profileve të rreme, por dihet se ku e kanë burimin, sepse e kanë pasur gjithmonë në të njëjtin vend. Ne jemi duke i adresuar ato në polici dhe në organet e rendit, por siç kam paralajmëruar, do t’i adresoj edhe në gjykatat e vendit tonë”, ka deklaruar Osmani.Ajo shtoi se këtë ballafaqim do ta vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

“Këtë ballafaqim do ta vazhdoj gjatë tërë jetës sime. Nëse ata dëshirojnë të fyejnë, të ofendojnë, të godasin ulët dhe të shpifin deri në ato përmasa që nuk i ka bërë asnjë politikan më herët, atëherë kjo është një betejë jetësore. Nuk ka të bëjë vetëm me politikë, por me mbrojtjen e vlerave njerëzore”, u shpreh ajo.Osmani theksoi se nuk do të tërhiqet nga paditë ndaj deputetëve të LVV-së për deklaratat që i konsideron shpifëse.

“Deputetë të VV-së kanë publikuar një sërë shpifjesh ndaj meje dhe për secilën prej tyre, kurdo që gjykatat tona të gjejnë kohë të merren me to, unë do të ballafaqohem në gjykatë. Fatkeqësisht procedurat po zgjasin shumë, por për çdo shpifje dhe tentim denigrimi do të përballem në gjykatë”, tha Osmani.Ajo shtoi se nuk do të lejojë që puna dhe angazhimi i saj për shtetin të njollosen.

“Nuk e kam ndërmend që punën, dinjitetin dhe jetën e ndershme që ia kam kushtuar këtij vendi ta lejoj të njolloset”, përfundoi Osmani.

Gruda i PDK-së: Prokuroria të nisë hetimet, buxheti i shtetit po përdoret për blerje votash

Vendimi i fundit i Qeverisë në detyrë për ndarjen e dy milionë eurove për linjat e fluturimit “për destinacionet që i shërbejnë mërgatës”, ka nxitur reagime të shumta nga eksponentë të partive politike, si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

Ndaj këtij vendimi, ka reaguar ashpër edhe kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Përparim Gruda.

Ai ka thënë se vetëm 12 ditë para zgjedhjeve, Qeveria po ndan dy milionë euro nga buxheti i shtetit për të blerë vota.

Gruda ka thënë se ekzekutivi në detyrë po keqpërdor buxhetin e shtetit për fushatë, me ç’rast ai ka ftuar prokurorinë që të nisë hetimet.

“Në foto shihet vendimi i Qeverisë së Kosovës, i datës 26 maj 2026, për ndarjen e mjeteve në kuadër të masës ‘Mbështetja e Mërgatës’, për subvencionimin e linjave ajrore. Ky është keqpërdorim i pastër i parasë publike për interesa partiake. Kur pushteti përdor buxhetin e Kosovës për fushatë, zgjedhjet nuk janë më as të lira dhe as të ndershme. Prokuroria e Shtetit duhet të nisë menjëherë hetime për këtë skandal dhe për përgjegjësit e këtij vendimi. Heshtja në këtë rast do të ishte bashkëfajësi”, ka shkruar Gruda.