Nait Hasani për ekspozitën e ish-këshilltarit të Kurtit: Aty paraqiten rrena serbe, kërkoj dënim për autorin

Nait Hasani, ish i burgosur politik, ka reaguar ndaj ekspozitës së hapur në sheshin e Prishtinës për krimet e luftës.

Ai tha se ekspozita është e mbushur me mashtrime lidhur me Masakrën në Burgun e Dubravës.

Hasani kujtoi se sot bëhen 24 vite nga dalja e tij nga burgjet serbe, përfshirë edhe Burgun e Dubravës.

“24 vite kujtese e dhembje nga ai krim që u bë mbi të burgosurit shqiptarë në këtë burg nga gardianët, nga serbët e burgosur, nga policët serbë, nga ushtarët serbë, pra nga institucionet e shtetit të Serbisë. Dhe po sot në sheshin e Prishtinës ekspozita për krimet e luftës dhe fotoja Masakra në Burgun e Dubravës më tmerron me këto mashtrime, gënjeshtra dhe të pavërteta për këtë krim e gjenocid të shtetit të Serbisë kundër të burgosurve shqiptarë”.

Sipas tij, ekspozita e vendosur në kryeqytet nuk pasqyron realitetin e asaj që ndodhi në Dubravë gjatë luftës.

Ai shtoi se në atë burg nuk kishte të burgosur të armatosur apo civilë, por vetëm shqiptarë të burgosur, prej të cilëve 118 u vranë dhe mbi 400 të tjerë u plagosën.

“Aty nuk tregohet e vërteta, aty tregohen rrenat e mashtrimet serbe dhe të agjentëve të Serbisë. Aty nuk ka pasur të burgosur të armatosur, aty nuk ka pasur civilë shqiptarë, aty ka pasur të burgosur shqiptarë dhe si shqiptarë janë vrarë 118 të burgosur dhe janë plagosur mbi 400 të tjerë. Aty janë vrarë pleq mbi 60 vjeç dhe fëmijë nën 18 vjeç nga shteti serb”.

Hasani kritikoi gjithashtu faktin që ekspozita është financuar nga Kuvendi i Kosovës.

“Dhe kjo ekspozitë e financuar nga Kuvendi i Kosovës me këso të pavërteta e mashtrime, ku në këtë Kuvend të Kosovës kemi mbajtur fjalime e nxjerrë rezolutë për Masakrën në Burgun e Dubravës, e të lejohet e financohet në emër të Kuvendit kjo ekspozitë, është krim duke vrarë bashkë me autorin edhe njëherë të burgosurit e burgut të Dubravës dhe duke shkelur gjakun e të vrarëve në këtë burg nga institucionet e shtetit të Serbisë. Për këtë krim të qëllimshëm nga autori i këtij shkrimi e ekspozite, kërkoj nga institucionet e drejtësisë gjykim e dënim për këtë krim monstruoz”, ka shkruar Hasani në një postim në “Facebook”.

“Po e sulmojnë me i bë dëm Kurtit”, Gjinovci akuzon familjarët e viktimave për ekspozitën: Për pensione i deklaruan të vrarët si ushtarë

Ekspozita e organizuar në sheshin e Prishtinës nga “Admovere” dhe “Integra” me të dhëna të pasakta për masakrat që janë kryer në Kosovë ka nxitur reagime të shumta. Kreu i Prishtinës ka revokuar lejen për këtë ekspozitë, derisa qytetarë në shenj proteste kanë mbuluar banerët e ekspozitës të vendosur në shesh.

Lidhur me këtë ka reaguar bashkëpunëtori i Shkëlzen Gashit, Rron Gjinovci, duke arsyetuar gabimet në ekspozitë me mungesën e të dhënave zyrtare nga shteti i Kosovës.

Gjinovci ka shkruar se të dhënat janë nga libri i Natasha Kandiq. Gjinovci ka përmendur specifikisht edhe Masakrën e Dubravës, për të cilën ka pasur reagime, duke thënë se sipas librit të Natasha Kandiq, një numër i personave të vrarë figurojnë si njerëz të armatosur apo ushtarë.

Sipas Gjinovcit, kjo ndodh edhe për shkak të synimit për ngritjen e vlerës së tyre apo edhe për pensionet që jep shteti për familjarët e të vrarëve si ushtarë, krahasuar me ata si civilë.

Aktivisti kosovar thotë gjithashtu se reagimet po nxiten nga kundërshtarët politik të Albin Kurtit, duke sulmuar ekspozitën e Shkëlzen Gashit “për ta dëmtuar Kurtin’.

Reagimi i plotë i Gjinovcit:

E vërteta për ekspozitën e masakrave

1. E vërteta është që zyrtarisht Kosova nuk ka numër të saktë të të vramve dhe statusit të tyne në momentin e vrasjes nga forcat serbe gjatë luftës.

2. Të vetmet të dhana me të cilat shërbehemi janë të dhanat e organizatës së Natasha Kandiqit, e cila për këtë kontribut në dokumentimin e vrasjeve në Kosovë, është dekoru nga një sërë komunash e institucionesh në Kosovë, përfshi Presidencën dhe Kryeministrinë.

3. Në Kosovë kanë ndodhë 105 masakra, dhe këtë e mroëm vesh 26 vjet mas luftës, në vitin 2025, sepse ma në fund Shkëlzen Gashi i mblodhi ato në një libër.

4. Shkëlzen Gashi krejt me iniciativë të veten për 4 vjet punoi në mbledhjen e artikujve të kohës, dëshmive të tjera rrethanore si dhe kontrolloi rreth 10 mijë viktima të regjistrave të Natasha Kandiqit lidhun me atë se ku janë vra ata njerëz, në çfarë rrethana dhe ma në fund arriti me thanë që në Kosovë janë kry 105 masakra.

5. Në libër shpjegohet që ka shumë raste të mospërputhjes së numrave që deklarohen në manifestime përkujtimore dhe numrave për të cilat ekzistojnë dëshmi të besushme.

6. Ky fenomen ndodh për shkak të arsyeve të ndryshme, por nji nga ma të shpeshtat është deklarimi i civilëve të vramë si ushtarë. Supozohet se kjo ndodh me qëllim të ngritjes së vlerës së tyne dhe/apo marrjes së nji pensioni ma të madh që e ndan shteti për familajrët e të vramve si ushtarë në krahasim me të vramët si civilë.

7. Masakra e Dubravës sikurse edhe disa të tjera përmban njerëz të vram të deklarum si ushtarë në regjistrat e Natasha Kandiqit sepse familajrët e tyne i kanë deklaru si të tillë. Kjo është e dhana e vetme zyrtare.

8. Në libër thuhet qartë që nji numër i caktum i të vramve në masakrën e Dubravës figurojnë si ushtarë.

Kjo histeri po nxitet nga kundërshtarët politik të Kurtit e të cilët po e sulmojnë Shkëlzenin dhe veprën e tij veç me i bo dam Kurtit, por në fakt po i bëjnë dam Kosovës. Po e sulmojnë nji përpjekje të jashtëzakonshme për të vërtetën e dhimbshme të civilëve të vramë në venin tonë.

Ndërkohë shoqnia kosovare duhet me i nderu të gjithë martirët, pa dallime dhe pa hierarki. Jetët e humbuna për Kosovën janë baza e shtetit tonë, baza e lirisë sonë, kushtit të domosdoshëm për tu quejtë njerëz.

Skandali me ekspozitën në shesh, të mbijetuarit e masakrës së Dubravës i reagojnë ashpër Shkelzen Gashit

Në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë është vendosur e ashtuquajtura ekspozita “masakrat në Kosovë 1998-1999”. Kjo ekspozitë është paraparë të mbahet nga data 24 mars deri më 7 prill, 2026. Komplet ekspozita bazohet në librin e Shkëlzen Gashit “Masakrat në Kosovë 1998-1999”. Vet autori, ditën e enjte, lajmëroi për hapjen e saj. Por, ky aktivitet, që qëndron ende i hapur, ka tmerruar për së dyti, ata që e panë tmerrin e masakrës së Dubravës me sy të tyre. Përveç pasaktësive të mëdha, në këtë ekspozitë ajo që bie në sy, e që u evidentua nga vet të mbijetuarit e masakrës, ishte ekspozimi i propagandës serbe, e cila flet për shqiptarë të armatosur në burgun e Dubravës. Ky ekspozim po ndodh në shesh të Prishtinës.

Sadik Zeqiri i mbijetuar i masakrës në burgun e Dubravës, i ka reaguar ashpër kësaj ekspozite, duke e quajtu të turpshme.

“Turp! Po shtrembërohet e vërteta në sheshin e Prishtinës. Historia nuk është lodër që mund ta shtrembëroni me disa tabela të pasakta. A e keni parë çfarë keni shkruar për masakrën e Dubravës? Si është e mundur të pretendoni se 48 shqiptarë të armatosur dhe 58 civilë janë vrarë në Dubravë? Nga i keni marrë këto “fakte”? Në Serbi?

Tutje, ai është ndalur pikërisht tek fraza “shqiptarë të armatosur”.

Në Dubravë nuk ka pasur të burgosur të armatosur. Të gjithë kanë qenë duarthatë dhe të pambrojtur. E vërteta është kjo: 116 të burgosur shqiptarë janë vrarë, ndërsa ende figuron i zhdukur Ukshin Hoti. Mbi 400 të tjerë janë plagosur.Kjo nuk është thjesht gabim – është shtrembërim i rëndë i së vërtetës.Turp për këtë. Edhe një kërkim-falje nuk mjafton.” – shkroi ai.

Edhe i mbijetuari tjetër i kësaj masakre Enver Dugolli, është skandalizuar nga ajo që ka parë në sheshin e Prishtinës. Sipas tij, përveç pasaktësive, aty përforcohet narracioni i Serbisë.

“Të dhënat e paraqitura për këtë masakër janë krejtësisht të pasakta. Përveç numrit të viktimave, i cili nuk korrespondon me të vërtetën (ku figurojnë 106 të vrarë, ndërsa deri më tani janë të konfirmuar 116 të masakruar dhe 1 i zhdukur) aty paraqitet edhe një pasaktësi tjetër e madhe dhe e dëmshme.

Nuk e di nëse kjo është bërë me qëllim apo jo, por pretendimi se 48 prej të vrarëve kanë qenë persona të armatosur shqiptarë, ndërsa 58 civilë, është plotësisht i pavërtetë. Në atë masakër gjenocidale nuk ka pasur asnjë shqiptar të vrarë në cilësinë e personit të armatosur. Të gjithë kemi qenë duarthatë dhe të pambrojtur.”

Sipas Dugollit, “një material i tillë, në formën aktuale, nuk i shërben të vërtetës; përkundrazi, mund të përdoret për të përforcuar narrativën e rreme të Serbisë”.

Tragjedi që rrëqeth shpirtin në Vushtrri – babai i merr jetën aksidentalisht djalit 4-vjeçar në oborrin e shtëpisë

Një ngjarje e rëndë, që ka tronditur thellë një familje, ka ndodhur në fshatin Maxhunaj të Vushtrrisë, ku një fëmijë i mitur ka humbur jetën në mënyrë tragjike brenda oborrit të shtëpisë së tij.

Siç mëson Sinjali, rreth orës 15:00 të datës 27 mars 2026, në rrethana që tashmë po trajtohen si pakujdesi, babai i viktimës, K.B, teksa po lëvizte me kamionetë në oborr, ka goditur aksidentalisht djalin e tij katërvjeçar.

Përpjekjet për ta shpëtuar kanë qenë të menjëhershme, fëmija është dërguar me urgjencë në spital, por plagët e marra rezultuan fatale. Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij, duke shuar çdo shpresë për mbijetesë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipet relevante hetimore, ndërsa Instituti i Mjekësisë Ligjore ka marrë trupin e pajetë për obduksion.

Ngjarja ka lënë pasoja të rënda emocionale, ku prindërit e fëmijës kanë marrë trajtim mjekësor për shkak të gjendjes së rënduar psikike.

Rasti është iniciuar si “Vrasje nga pakujdesia”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie që ka lënë një familje të shkatërruar.

Ja kur pritet të ekzekutohet rroga e 13-të

Paga e 13-të pritet të ekzekutohet të martën për punëtorët e sektorit publik.

Kështu ka njoftuar deputeti i Vetëavendosjes Fatos Geci.

Postimi i plotë:

Njoftim për qytetarët

Rroga e 13-të do të shpërndahet të martën, më 31 mars, pasi që kohëve të fundit disa institucione dhe individë kanë shpërndarë informacione të pavërteta lidhur me këtë çështje. Urime!

Vuçiq: Kemi siguruar agjendën e Kurtit për takimin me Macronin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se posedon informacione për agjendën e kryeministrit Albin Kurti në takimin me presidentin francez Emmanuel Macron në Paris, duke pretenduar se këto i ka siguruar nga persona brenda rrethit të tij.

Vuçiq tha se Kurti pritet të paraqesë kërkesa që lidhen me sigurinë dhe rolin e NATO-s në veri, por shtoi se nuk beson që Macron do t’i mbështesë ato.

Kokalla rrëfen çfarë i tha Naim Murseli në natën kritike pas vrasjes së Liridona Ademajt

Gjatë seancës së sotme gjyqësore për rastin tragjik të vrasjes së Liridona Ademajt në Gjykatën Themelore në Prishtinë, njëri nga të akuzuarit, Kushtrim Kokalla, dha detaje për komunikimin me Naim Murselin në natën e ngjarjes.

Kokalla deklaroi se menjëherë pasi u kuptua për vrasjen, Naim Murseli i kishte thënë: “E kreva punën”.

Ai tregoi para trupit gjykues se ishte ndjerë i befasuar dhe i shqetësuar nga kjo deklaratë.

Kokalla shtoi se i kishte përgjigjur Naimit: “Mos më fol për kësi gjëra mua, as nuk më ka interesuar”.

Në këtë datë do të jepen fjalët përfundimtare për vrasjen e Liridona Ademajt

Më datë 17 prill do të jepen fjalët përfundimtare.

Sot, para trupit gjykues, ka dëshmuar Kushtrim Kokalla, ndërkaq dje mbrojtjen e tyre e kanë përfunduar të akuzuarit e tjerë, Granit Plava dhe Naim Murseli.

Kushtrim Kokalla: Të dyja familjet Ademaj dhe Murseli e kanë ditur që Liridona e Naimi…

Gjatë dëshmisë së tij para trupit gjykues, i akuzuari Kushtrim Kokalla, ka folur me zë të lartë, kur është pyetur për raportin e Naim Murselit me Liridona Ademaj.

Ai tha se të dyja familjet Ademaj dhe Murseli e kanë ditur që Liridona e Naimi kanë pasur probleme mes vete.

Ai e përmendi se njëra prej arsyeve të këtyre problemeve ka qenë xhelozia.

Qeveria mban premtimin, ndahen 500 mijë euro për…

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj që pritet të mbahet të hënën do të ndajë 500 mijë euro shpërblim për Kombëtaren e Kosovës.

Kjo pas fitores historike 4:3 ndaj Sllovakisë në ndeshjen e mbrëmshme. Kjo u bë e ditur nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

”Mirëmëngjesi fitues! Me kërkesë të kryeministrit, vendimin për ndarjen e shpërblimit prej 500k euro për fitoren e mbrëmshme të “dardanëve” do ta kemi gati për miratim të hënën në mbledhje të qeverisë”, ka shkruar Murati.

Pas fitores ndaj Sllovakisë, Kosova në finalen e “play-off”-it do të luajë kundër Turqisë.

Ndeshja zhvillohet të martën duke filluar nga ora 20:45