Mblidhet Qeveria në detyrë, miraton tetë vendime

Qeveria në detyrë e vendit ka mbajtur sot një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar tetë vendime.

Në këtë mbledhje, siç ka njoftuar ZKM,  janë aprovuar këto vendime.

“Miratuar Raportin Tremujor të Buxhetit për vitin 2026.

Miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave për plotësimin dhe ndryshimin e Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 04/09, të datës 10.04.2026, për bartjen e shpenzimeve buxhetore nga ministritë amë në ministritë e reja të krijuara.

Ndarë mjete buxhetore në vlerë prej 45,000.00€ (dyzet e pesë mijë euro) për Forumin Ekonomik të Vjenës, me qëllim të promovimit të Republikës së Kosovës.

Miratuar vendimin për emërimin e Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.

Miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e pesëdhjetë e dy (52) specializantëve lehona nga kategoria ekonomike subvencione dhe transfere nënprogramin “Aftësimi Specialistik” dhe EVM, në vlerë prej 475,051.50 euro, nga data 01.11.2025 deri më datën 31.12.2026.

Miratuar vendimin për emërimin e Grupit Koordinues për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore.

Miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 17/47 të datës 10.12.2021, i plotësuar dhe ndryshuar me Vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 09/24, të datës 11.08.2021 si dhe Vendimin e Qeverisë Nr.12/191 të datës 05.03.2024. Me këtë vendim i vazhdohet mandati Sekretarisë së Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politik në afat kohor dy vjeçar.

Miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 09/24 të datës 11 gusht 2021, i plotësuari dhe ndryshuar me Vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 09/24, të datës 11.08.2021, Vendimin e Qeverisë Nr. 06/73 të datës 30.04.2022 si dhe Vendimin e Qeverisë Nr. 11/191 të datës 05.03.2024, përmes të cilit i vazhdohet mandati Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politikë në afat kohor dy vjeçar”, thuhet në njoftim.

Arrestohet një grua në Prishtinë

Një rast i dhunës në familje ka alarmuar autoritetet, pasi një mosmarrëveshje mes dy personave ka eskaluar në përleshje fizike.

Sipas informacioneve, në Prishtinë dy persona, një mashkull dhe një femër kosovarë, janë përfshirë në një konflikt që ka kaluar në dhunë fizike mes tyre.

Pas ndërhyrjes së policisë, të dyshuarit janë arrestuar dhe më pas janë intervistuar lidhur me rastin. Ata kanë refuzuar të marrin tretman mjekësor, pavarësisht përfshirjes në përleshje.

Me vendim të prokurorit, pas procedurave fillestare, të dy janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti mbetet në trajtim nga organet kompetente.

Abdixhiku deklarohet pas takimit me Osmanin, jep sinjalin…

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është deklaruar pas takimit me ish-presidenten Vjosa Osmani.

Ai është shprehur se ishte një darkë miqësore, derisa u shpreh se shumë shpejt do të vijnë me lajme të mira.

Abdixhiku gjithashtu tha se kjo është një pjesë substanciale e kthimit të madh të LDK-së.

“Shumë shpejt do të vijmë me lajme shumë të mira. Është pjesë substanciale e kthimit të madh të LDK-së, por shumë shpejt do të vijmë me lajme shumë të mira”.

“Ishte një darkë miqësore mes miqsh dhe më lejoni edhe njëherë të them se do të vijmë me lajme shumë, shumë të mira”, tha ai

“Tani Bedrisë, Lumirit, Ramushit i shtohet edhe Vjosa — të gjithë kundër Albin Kurtit”

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka reaguar përmes një postimi ku ka komentuar zhvillimet e fundit në skenën politike dhe qëndrimet e aktorëve kryesorë politikë ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Sipas Abrashit, një numër figurash të rëndësishme politike janë pozicionuar kundër Kurtit, duke përmendur emra si Bedri, Lumir, Ramush dhe Vjosa, të cilët, sipas tij, po veprojnë të bashkuar në qëndrimin e tyre kritik.

“Tani Bedrisë, Lumirit, Ramushit i shtohet edhe Vjosa — të gjithë kundër Albin Kurtit. Por kur bëhen bashkë kundër një njeriu, në fakt po tregojnë sa i madh është ai,” ka shkruar Abrashi.

Ai ka shtuar se muaji qershor do të jetë vendimtar për zhvillimet politike në vend, duke theksuar:

Postim i plotë:

Tani Bedrisë, Lumirit, Ramushit i shtohet edhe Vjosa — të gjithë kundër Albin Kurtit.

Por kur bëhen bashkë kundër një njeriu, në fakt po tregojnë sa i madh është ai.

Qershori është muaji kur shkruajmë histori.

Maliqi: Nuk ka prova që Kurti është “njeri i Serbisë”, por qëndrimet e tij ngjallin dyshime

Analisti Shkëlzen Maliqi ka komentuar zhvillimet politike në vend, duke u ndalur te roli dhe qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti në raport me dialogun dhe situatën politike.

Ai thekson se nuk mund të thuhet se Kurti është “njeri i Serbisë”, pasi për një pretendim të tillë nevojiten prova të forta. Megjithatë, sipas tij, ekzistojnë elemente që ngrenë dyshime, duke përmendur përputhjen e qëndrimeve të Kurtit ndër vite me liderë serbë si Vojislav Koštunica dhe Aleksandar Vučić, veçanërisht në raport me kundërshtimin e Planit të Ahtisaarit dhe qasjen ndaj dialogut.

“S’mund të them se Kurti është njeri i Serbisë, sepse për këtë duhet të kihen provat e forta. Por ka diçka pse qëndrimet e tija ndër vite janë gati gjithnjë të përputhshme me ato të liderëve serbë, me Vojislav Koštunica – kundër planit të Ahtisarit, me Aleksandar Vučić – rreth opstrukcionit të dialogut dhe blerjes së kohës, ku duket se njëri tjetrit po i ndihmojnë…”, shprehet ai.

Maliqi vlerëson se këto qëndrime karakterizohen nga jofleksibiliteti, kundërshtimi i kompromiseve dhe prirja për të prodhuar kriza të vazhdueshme politike, duke i parë ato si mekanizma për ruajtjen e pushtetit. Sipas tij, kjo krijon perceptimin e një lloj koordinimi të heshtur që ndikon negativisht në zhvillimin demokratik dhe progresin e vendit.

Shkrimi i plotë:

S’mund të them se Kurti është njeri i Serbisë, sepse për këtë duhet të kihen provat e forta. Por ka diçka pse qëndrimet e tija ndër vite janë gati gjithnjë të përputhshme me ato të liderëve serbë, me Koshtunicën – kundër planit të Ahtisarit, me Vuçiqin – rreth opstrukcionit të dialogut dhe blerjes së kohës, ku duket se njëri tjetrit po i ndihmojnë… Çështja është se, dhe kjo lehtë dëshmohet, se ata janë joflaksibil dhe kundër kompromiseve, shkelës të rregullave dhe kushtetutave për shkak të ambicjeve autokratike në sistemet respektive të shteteve të tyre dhe karburantin për mbajtjen e pushtetit e kanë prodhimin e vazhdueshëm të krizave, prandaj duken sikur kanë marrëveshje mes tyre. Kuptohet, kjo nuk i amniston nga përgjegjësia për prodhimet populliste të krizave dhe kontributin në mbajtjen e drejtpeshimit që u jep shtytje proceseve antidemokratike dhe vendnumërimit ose, edhe më keq, regresit në zhvillimin e vendit.

Çelësi për largimin e Kurtit nga pushteti është trashja e provave se qeveria e tij dhe ai vetë janë pjesë e aferave koruptive, lidhjeve të çuditshme në promovimin dhe delegimin e pushtetit dhe kontrollin e institucioneve shtetërore dhe të sigurisë personave të paautorizuara, si Dejona Mihali… Po kështu duhet të kërkohet hetimi urgjent i pohimit të Florim Krasniqit, ish përkrahës i VV-së që kishte premtuar investime prej 50 milion dolarësh, dhe që së fundi ka pranuar publikisht se ai ka investuar për blerjen e pajisjeve kompjuterike për njësitin e laboratorit me argatët qenefa të LVV që prej vitesh helmojnë rrjetet sociale me fake news, shpfje dhe gjuhë të urrejtjes kundër të gjithë atyre që e kanë kritikuar VV-në ose që janë konsideruar rival të rezikshëm të sektit VV! Këto janë krime për të cilat mund të gjenden provat dhe që janë të dënueshme dhe prokuroria duhet, edhe pa denoncime, me i hetua dhe ndjek sepse ekziston prononcimi dhe kërkimfalja publike e “investitorit” të veprës penale.

Konfirmohet takimi Abdixhiku-Osmani, zbulohen detaje nga takimi

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka konfirmuar se kryetari i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku, është duke mbajtur një takim me ish-presidenten Vjosa Osmani. Ai ka konfirmuar në “Konfront” të KTV-së të enjten se Abdixhiku e Osmani veçse janë dakorduar për bashkim në zgjedhjet e ardhshme.

“Edhe sonte në kuadër të arritjes së një qëllimi të përbashkët, për modalitetin dhe formën dhe për mënyrën se si do të arrihet një pajtim i ndërtimit të së djathtës dhe në listën e LDK-së, për këtë është çështje që vetë ata do ta bëjnë të ditur… Mund të konstatoj se pajtueshmëria për një garë ekziston tashmë, për modalitetin dhe formën do të bëhet me dije pasi të arrihet pajtueshmëri e plotë”, ka thënë Haziri.

Ai ka bërë të ditur se nuk është takimi i parë i Abdixhikut me Osmanin për këtë çështje.

Sipas tij, po bëhet fjalë për kthim në një garë të përbashkët, “në një front të përbashkët”. Ai ka refuzuar të konfirmojë nëse bëhet fjalë për kthim në parti pasi këto janë “çështje që po diskutohen”./koha.net

U nda nga jeta Astrit Dushi

U nda nga jeta në moshën 55-vjeçare Astrit Dushi, drejtor i “Paper Radio”, konfirmoi familja e tij.

Dushi me profesion ishte gazetar dhe themelues i 18 radiove. Ka qenë pjesë e këtij sektorit qysh prej fundit të viteve ’80-të. Kishte qenë viti 1989 kur ai për herë të parë do të lidhej me radion. Prej atëherë, radios nuk iu nda më kurrë duke themeluar edhe kanale unike si ai për muzikë klasike.

Me profesion gazetar kishte thënë se pasion e kishte radion, televizionin dhe sidomos muzikën. Dushi ishte cilësuar si një nga DJ-të e parë në Kosovë.

Varrimi i tij bëhet më 1 maj 2026 në orën 12:00 në varrezat e Arbërisë në Prishtinë, ndërsa e pamja do të mbahet tri ditë deri më 4.05.2026 nga ora 10:00 deri 17:00 në Hotel Grand.

Osmani i bashkohet LDK-së, nis takimi me Abdixhikun

Ish-presidentja Vjosa Osmani sapo është takuar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Takimi është duke u zhvilluar në restorantin “Casa Rita” në lagjen Taukbashqe të Prishtinës.

Dy liderët politikë pritet të merren vesh për rrugëtimin e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme parlamentare, të cilët do të mbahen më 7 qershor.

Burime të Paparacit kanë thënë se ky është vetëm fillimi i asaj që është proklamuar si “bashkimi i madh i LDK-së”.

Ka disa javë prej se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka nisur një iniciativë politike për bashkimin e LDK-së, të cilin shpesheherë e ka thirrur si “bashkimi i të djathtës politike”.

Në thelb, nisma e Lumir Abdixhikut synon ribashkimin nën ombrellën e LDK-së të njerëzve të larguar nga partia gjatë viteve të fundit, me një pjesë të madhe që kishte kaluar në Lëvizjen Vetëvendosje.

Rreth dy javë më parë, në mesin e procesit politik të zgjedhjes së presidentit, Abdixhiku tha se fokusi kryesor i tij ishte përqendruar pikërisht te nisma rreth “bashkimit të së djathtës” nën një strehë politike.

Ish-presidentja Osmani është emri që peshon më së rëndi nga të larguarit nga LDK-ja.

Ajo pritet të rikthehet në Lidhjen Demokratike të Kosovës gati shtatë vjet pasi e braktisi partinë për shkak të mosmarrëveshjeve me lidershipin e asokohshëm.

Osmani mbetet gruaja më e votuar në histori të Kosovës në zgjedhje parlamentare, pasi në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2021 – si bartëse e listës së koalicionit LVV-Guxo – siguroi 300 mijë vota.

“Kurti si kryeministër 6 vjet nuk i realizoi premtimet, vjen para dëshmorëve”, flet mërgimtari që nuk ia dha dorën Kurtit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në disa fshatra të Drenicës.

Gjatë homazheve në Gllobar të Drenasit, nga përshëndetja me qytetar, njëri nga ta nuk pranoi t’ia zgjasë dorën Kurtit.

Ky mërgimtar, pas kësaj situate foli për Frontal në T7.

“Nuk kam ardhë për kryeministrin, kam ardhë për dhëndrin dhe vëllain e tij që kanë ra heronjë në Kosovë…Në atë moment erdhi Albin Kurti, njeriu i ka edhe emocionet e veta…Kur te mendon që erdhi një kryeministër që është që 6 vjet në premtime të shkon mendja a e meriton ai përshëndetjen tem…”, tha mërgimtari në emisionin Frontal, transmeton Express.

“Nuk e meritoi, 6 vjet kryeministër…. premtimet nuk janë bërë”, shtoi mërgimtari për arsyen e tij që s’i foli Kurtit.

Video:

 

 

Zjarrfikësi për Albin Kurtin: Mashtrues të doli fytyra, asgjë s’ke bërë për ne!

Arianit Hamzaj, me profesion zjarrfikës ka reaguar ndaj pamjeve ku një qytetar i cili po merrte pjesë në homazhet për 27-vjetorin e masakrës në fshatrat përreth Drenicës, nuk ia zgjati dorën kryeministrit në dorëheqje, Albin Kurtit.

Përmes një postimi në Facebook, zjarrfikësi ka shpërndarë fotografinë e këtij momenti, përmes së cilës Kurtin, e ka quajtur “mashtrues”.

Sipas tij, zjarrfikësit janë lënë në mëshirën e Zotit, pa uniforma e mjete, dhe për këtë, fajtore është qeveria.

“Mashtruesit i doli fytyra. Unë si zjarrfikës i Kosovës, jam ndier tepër i bullizuar nga ana e juaj e në veçanti në këto ditë të fundit dhe gjatë gjithë mandatit tuaj, mashtrues. Na ke përqesh në mënyrë absurde me thënien “president nga shoqata e zjarrfikësve” andaj me këtë foto të përshëndes. Na ke lënë në mëshirën e Zotit, as uniforma e as mjete, asgjë nuk ke bërë për ne”, ka shkruar zjarrfikësi.