Aksident i rëndë në Kanada, humb jetën mjeku shqiptar

Një mjek shqiptar në Kanada ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti me makinë.

Lajmin e ka konfirmuar vetë Ambasada e Shqipërisë në Kanada, teksa ambasadorja Artemis Kosta Malo, ka ngushëlluar familjarët e të ndjerit.

Agron Alija shërbeu si mjek dhe Profesor i Asociuar në Shkollën e Mjekësisë dhe Stomatologjisë “Schulich” në London, në provincën e Ontarios, njofton tch.

Me dhimbje të thellë mësuam lajmin tronditës për ndarjen e parakohshme nga jeta të Dr. Agron Alija. Në emër të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kanada dhe në emrin tim personal, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Dr. Agron Alija për këtë humbje të pazëvendësueshme.

Dr. Agron Alija ishte një figurë emblemë e komunitetit shqiptar në Kanada, një profesionist i përkushtuar në fushën e mjekësisë dhe një njeri me shpirt fisnik që kontribuoi me dashuri, përkushtim dhe integritet në shërbim të njerëzve dhe komunitetit veçanërisht në Hamilton dhe London, aty ku edhe shërbeu si mjek dhe Profesor i Asociuar në Shkollën e Mjekësisë dhe Stomatologjisë “Schulich” në London, në provincën e Ontarios.

Humbja e tij la një boshllëk të madh jo vetëm për familjen e tij, por edhe për gjithë ata që patën fatin ta njihnin e ta vlerësonin. Në këto momente të vështira, shpreh gjithë mbështetjen time dhe uroj forcë dhe durim familjes së Dr. Alija për të përballuar këtë humbje. U prehsh në paqe, Dr. Alija. Kujtimi për ty do të qëndrojë përgjithmonë në zemrat dhe mendjet tona, me respekt, mirënjohje dhe mall të thellë për njeriun fisnik, mjekun e përkushtuar dhe mikun e dashur që ishe”, shkruan ambasadorja shqiptare.

Ky deputet konfirmon votën për Qeverinë e re: Kam arritur dakordancë me Kurtin

Procesi për formimin e qeverisë së Kosovës ka hyrë në ditët finale, ndërsa mandatari për kryeministër, Albin Kurti, ka në dispozicion deri më 26 tetor për të prezantuar kabinetin dhe për të siguruar shumicën parlamentare prej 61 deputetësh.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, mandati për formim i është dhënë Kurtit më 11 tetor nga Vjosa Osmani.

Nga ai moment ka filluar afati 15-ditor, që përfundon më 26 tetor.

Megjithatë, deri më tani nuk është raportuar ndonjë marrëveshje konkrete me parti të tjera për koalicion.

Lëvizja Vetëvendosje, me 48 ulëse në Kuvend, ka nevojë për të paktën edhe 13 vota për të siguruar shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh.

Deputeti i pavarur nga komuniteti ashkali, Artan Asllani, në një prononcim për FrontOnline ka bërë të ditur se do ta votojë qeverinë e Kurtit.

“Normalisht që do ta votoj qeverinë Kurti”, tha Asllani

Ai ka thënë se ka zhvilluar takime të vazhdueshme me Kurtin, ku janë diskutuar çështje të ndryshme që lidhen me bashkëqeverisjen.

Sipas tij, gjatë këtyre takimeve është krijuar një dakordancë për bashkëpunim dhe se ai është i vendosur ta mbështes formimin e qeverisë Kurti.

“Kemi pasur takime të vazhdueshme me z.Kurtin , kemi diskutuar çështje të ndryshme, kemi diskutuar për bashkëqeverisje, kemi biseduar se si mund të japim kontributin në ekzekutiv dhe e kemi krijuar një lloj dakordance”, deklaroi ai

Nagavci thirrje LDK-së: Votojeni formimin e Qeverisë Kurti

Ministrja e Arsimit në detyrë, Arbërie Nagavci, i ka bërë thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës që të votojë formimin e Qeverisë Kurti, duke theksuar se kjo do të ishte në interes të vendit dhe për të shmangur dy palë zgjedhje.

“Duhet me prit që LDK-ja për interes të vendit, me votu qeverinë Kurti, me bë koalicionin edhe mos me dërgu vendin në dy palë zgjedhje, të bëj edhe marrëveshje,” ka deklaruar Nagavci.

E pyetur nëse kjo është një ftesë e re për LDK-në, ajo ka theksuar se partia duhet të reflektojë dhe të tregojë përgjegjësi institucionale.

“Unë besoj që LDK duhet me reflektu. Prej momentit të parë kur Kurti iu ka dërgu ftesën, ka qenë e mundur që të ulet dhe të diskutohet. LDK nuk është herë e parë që ka bërë marrëveshje në emër të krijimit të institucioneve për të mirën e vendit. Votimi i Qeverisë Kurti është vetëm vazhdimësi e punëve të mira,” ka shtuar ajo në Debat Plus.

Viktima që ndërroi jetë në Aeroportin e Prishtinës është shtetas zviceran, kishte ardhur mysafir në Kosovë

Një shtetas zviceran, rreth 70-vjeçar, ka ndërruar jetë sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Sipas burimeve të Insajderit, viktima ka ndërruar jetë papritur teksa po kryente procedurat e check-in-it për fluturim.

Ai kishte qenë mysafir në Kosovë.

Insajderi është ende në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga Policia e Kosovës lidhur me rastin.

Zhvillime dramatike/ Kurti në bisedime me LDK-në për formimin e Qeverisë së re

Ilir Deda beson se prapa skenës po zhvillohen bisedime mes partive politike për formimin e qeverisë së re.

Në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, ai tha se sinjalet për këto diskutime kanë ardhur nga vetë institucionet shtetërore – konkretisht nga Presidenca dhe Kuvendi, përmes deklaratave të Vjosa Osmanit dhe Dimal Bashës.

“Neve na kanë paralajmëruar Vjosa Osmani dhe Dimal Basha, apo prej institucioneve që këta i udhëheqin, që diskutime ka. Diskutime mundet me pas çfarëdo, dhe parimisht s’ka problem nëse ka bisedime mes partive politike, por nuk duhet të bëhet sikur më 2014 e cila ka qenë dramë shumë e madhe politike, dhe e pat helmuar skenën politike”, ka deklaruar Deda.

Sipas tij, më së miri do të ishte që partitë të dalin publikisht dhe të tregojnë për këtë çështje.

“Mendoj që është më së miri me dalë para opinionit publik dhe të tregohet që ndoshta kjo kishte me qenë fillim i një periudhe të uljes së tensioneve dhe gjuhës së keqe politike që e kemi parë që një kohë, dhe te shohim rezultatin këtë të diele se çka do të thotë kjo në realitet”.

Afati për formimin e Qeverisë së re, zyrtari i VV-së konfirmon bisedime intenzive…

Zëvendësministri i Drejtësisë në detyrë, Vigan Qorrolli, ka thënë se ekzistojnë mundësi reale që qeveria e re të formohet këtë të diel.

Ai ka theksuar gjithashtu se në mungesë të formimit të qeverisë, alternativa e dytë janë zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Ne besojmë që gjasat janë reale për tu bërë qeveria të dielën, ndërkohë që në mungesë të qeverisë, plan B janë zgjedhjet e jashtëzakonshme… Kurti ka qenë i gatshëm për kompromis dhe sonte është i gatshëm gjithashtu për ta bërë një qeveri stabile, sepse 20 milionë euro në dy palë zgjedhjet do t’i kushtojnë jashtëzakonisht shumë buxhetit të Kosovës dhe qytetarëve,” ka deklaruar ai në emisionin Debat Plus.

Qorrolli ka shtuar se procesi i formimit të qeverisë ka kërkesa të qarta dhe bisedime intensive.

“Unë nuk mund të ndaj informacion, por bisedimet janë intensive. Janë bërë kërkesa konkrete për LDK-në, oferta konkrete, refuzimi kategorik i LDK-së e ka sjellë LDK-në në këtë gjendje, sic është, për t’u bërë pikë e pesë,” ka thënë ai.

Ai ka shpjeguar gjithashtu se nëse pas së dielës nuk arrihet shumica, zgjedhjet e ardhshme do të kenë pasoja të ndërlikuara për procesin e zgjedhjes së presidentit dhe për funksionimin e Kuvendit.

Vdes një person në Aeroportin e Prishtinës gjatë procesit të check-in

Një person ka ndërruar jetë sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Sipas burimeve të Insajderit viktima ka ndërruar jetë papritur teksa po kryente procedurat e check-in-it për fluturim.

Insajderi është në pritje edhe të një përgjigje zyrtare nga Policia e Kosovës./Insajderi.org

Përfundon numërimi i votave të personave me nevoja të veçanta

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se gjatë ditës së sotme (e mërkurë, 22 tetor 2025, në ora 20:30) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i realizuar në ditën e zgjedhjeve jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Gjithashtu, KQZ ka dhënë detaje edhe për rinumërimin e votave nga disa vendvotime në disa komuna.

“Aktualisht në QNR, në proces është rinumërimi i 16 kutive të votimit që i takojnë 12 vendvotimeve të ndryshme nga komunat Deçan, Gllogoc, Gjilan, Lipjan, Prishtinë, Prizren, Shtime dhe Suharekë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve pas pranimit të konfirmimit nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme se nuk kanë ndonjë çështje duke e trajtuar”, thuhet mes tjerash në njoftim.

A do të kemi Qeveri Kurti 3? Ja çka thotë Armend Muja

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja në “Politiko” komentoi formimin e Qeverisë së re dhe zgjedhjet e reja nëse janë të mundshme apo jo.

Muja tha të dielën përfundon afati i mandatarit dhe pas konstituimit të Kuvendit, Kurti është propozuar si mandatar nga Lëvizja Vetëvendosje, më pas është konfirmuar nga Presidentja Osmani dhe menjëherë kanë filluar përpjekjet për formimin e Qeverisë, shkruan Gazeta 10.

“Përpjekjet po vazhdojnë, por ne duhet të presim deri të dielën për të ditur versionin dhe verdiktin final sa i perket eksekutivit. Besoj që ne mund të kemi Qeveri Kurti 3 deri të dielën”, shtoi tutje Muja.

Ai gjithashtu theksoi se deri në fundjavë mund të ketë ndonjë senacë të kuvendit, e cila duhet që patjetër të ndodhë deri në fundjavë.

Muja  e konsideroi si të rëndësishme edhe faktin që e gjithë përpjekja etyre ka qenë që fillimisht të bëhet konstituimi i kuvendit e më pas formimi i ekzekutivit, shkruan Gazeta 10.

Ai tha se këto çështje duhet të ndahen dhe se ndarja e tyre është pjesë e maturisë demokratike sepse kuvendi duhet të ekzistojë gjuthmonë, pamarrë parasysh dinamikat e krijimit të ekzekutivit./Gazeta 10

A i ka Kurti numrat për qeveri? -Ja se çka thotë Basha

‘‘Duhet me lanë deri të dielën me pa’’, se a i ka Albin Kurti me Lëvizjen Vetëvendosje, numrat e mjaftueshëm për krijimin e qeverisë së re, ka thënë kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha. Vetë Basha, i cili u zgjodh kryeparlamentar pas muajsh bllokade, ka thënë se numrat për qeverinë varen prej mandatarit e që është kryeministri në detyrë, Kurti, shkruan Gazeta Express.

Basha ka thënë se duhet të pritet e diela për të parë se si do të procedohet tutje,

‘’A i kanë numrat? Kjo varet prej mandatarit që është kryeministri në detyrë, zoti Albin Kurti, dhe afati është deri të dielën, kështu që duhet me lanë deri të dielën për me pa kur thirret seanca dhe se si do të procedojmë’’, ka thënë kryekuvendari në një intervistë të djeshme dhënë për RTK.

Tutje, Basha vlerësoi se, ‘’herët apo vonë’’, partitë shqiptare do të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, pasi siç tha kryetari i Kuvendit, ato ‘’s’kanë ku e çojnë njëra-tjetrën’’.

‘’Unë vazhdojë me besu që partitë shqiptare duhet ta gjejnë vullnetin që bashkëpunojnë mes vete. Herët apo vonë, sot apo nesër këto parti shqiptare do të bashkëpunojnë me njëra tjetrën, se s’kanë ku e çojnë njëra tjetrën’’, ka shtuar ai.

Më tej, Basha ka deklaruar edhe se ‘’populli e ka bo punën e vetë’’ në zgjedhje duke votuar e treguar ‘’maturi demokratike’’, dhe se tash, i takon partive që të gjejnë vullnet për bashkëpunim.

Ai e vlerësoi edhe si ‘’pak të ngutshme’’, atë që ai e quajti ‘’betejë’’ që filloi në seancën solemne të konstituimit të Kuvendit.

‘’Unë mendoj se ka pas zgjedhje të lira demokratike, si ato parlamentare edhe këto lokale, e që po besoj është treguar një maturi e jashtëzakonshme, mendoj kështu, politike dhe demokratike nga ana e popullit tonë që tani po e kalon testin çdo katër vite. Meqenëse populli ka bo punën vetë, unë mendoj që tashti edhe partitë politike duhet ta gjejnë vullnetin që të bashkëpunojnë mes vete për ta krijuar një qeveri, për shkak se kanë kalu një kohë e gjatë, thash ndoshta jo gjithmonë me fajin e deputetëve, për me kanë shumë fer, për shkak se katër muaj e gjysmë i ka marrë gjykata Kushtetuese. Mendoj që beteja që është fillu në seancën solemne për konstituimin e Kuvendit ka qenë pak e ngutshme’’, ka thënë ai.