Abdixhiku konfirmohet kryetar, një zyrtar i LDK-së jep dorëheqje

Kreu i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqjen nga pozita e Sekretarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai theksoi se ky vendim është marrë si shenjë e marrjes së përgjegjësisë për dështimin e partisë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“Nuk besoj që duhet të vazhdoj me çështjen e sekretarit sepse besoj se duhet të marrim përgjegjësi”, tha ai.

Pasi nuk iu dha mundesia të bëhet kryetar i LDK-së, Hoti me një veprim të papritur

Në Kuvendin e Punës të LDK-së, shumica e delegatëve vendosën t’i besojnë Lumir Abdixhikut vazhdimin e mandatit si kryetar.

Pas përfundimit të votimit, delegatët dolën nga salla për një pauzë.

Mes tyre ishte edhe kundërkandidati i Abdixhikut, Avdullah Hoti, i cili u përball me pyetjet e gazetarëve, por reagimi i tij ishte i shkurtër: “Faleminderit, faleminderit, faleminderit”.

Nga 300 delegatët e pranishëm në sallë, 164 votuan kundër dorëheqjes së Abdixhikut, dhe 136 pro.

Qebe e qirinj si “dhuratë” për Kurtin, rinia e PDK-së me aksion simbolik për rrymën para Qeverisë

Anëtarë të Rinisë Demokratike të Kosovës kanë mbajtur sonte një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës, në shenjë proteste kundër mungesës së energjisë elektrike dhe paralajmërimit për rritjen e radhës së çmimit të saj.

Gjatë këtij aksioni, Rinia Demokratike e Kosovës ka vendosur para ndërtesës së Qeverisë një batanije dhe disa qirinj, si simbol i pakënaqësisë ndaj deklaratave provokuese dhe të papërgjegjshme të kryeministrit në detyrë, i cili ka fajësuar qytetarët për krizën energjetike, duke pretenduar se “po ngrohen më shumë sesa që duhet”.

Në deklaratën e tij për media, sekretari i RDK-së, Altin Gjata, theksoi se ky aksion nuk ka të bëjë me statistika apo propagandë, por me realitetin e përditshëm të qytetarëve të Kosovës.

Ai theksoi se kriza energjetike dhe faturat gjithnjë e më të papërballueshme po i detyrojnë familjet kosovare të zgjedhin mes ngrohjes dhe ushqimit, ndërsa studentët detyrohen të mësojnë në terr. Sipas tij, pyetja që sot shtrohet nga qytetarët është e thjeshtë dhe e drejtë: edhe sa do të rritet çmimi i energjisë elektrike?

Gjata kritikoi ashpër Qeverinë për bllokimin e qindra milionë eurove investime në energji të pastër dhe për dështimin në sigurimin e prodhimit vendor të mjaftueshëm, duke theksuar se kjo nuk është krizë dimri, por krizë menaxhimi dhe papërgjegjësie.

Ai shtoi se, ndonëse u premtua modernizim historik i KEK-ut, sot ky institucion prodhon më pak, importet janë rritur dhe përfitimet po shkojnë tek të preferuarit e pushtetit.

“Faturën e kësaj krize po e paguajnë familjet tona dhe çdo qytetar i Kosovës”, u shpreh Gjata, duke shtuar se batanija dhe qirinjtë e vendosur para Qeverisë janë një “dhuratë” simbolike për kryeministrin në detyrë, i cili nuk e ndien barrën e faturave mujore dhe të ngrohjes së familjes.

Në fund, Rinia Demokratike e Kosovës theksoi se energjia elektrike është shërbim bazë dhe jo biznes për të lidhurit me pushtetin. Ata shtuan se qytetarët meritojnë dritë, ngrohje e siguri dhe se nuk do të heshtin përballë kësaj gjendjeje.

“Edhe sa, Albin? Edhe sa përqind do të rritet rryma?”, ishte mesazhi përmbyllës i këtij aksioni simbolik.

Hykmete Bajrami deklarohet pasi Abdixhiku u konfirmua kryetar i LDK-së

Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të jetë në krye të LDK-së, shkruan gazeta online Reporteri.net. Ai i mbijetoi votëbesimit në Kuvendin disaorësh të LDK-së.

Delegatët tashmë kanë filluar të largohen, mes tyre edhe Avdullah Hoti, i cili nuk e tha asnjë fjalë gjatë largimit.

Ndërkaq Hykmete Bajrami tha shkurt se do ta respektojë vendimin e delegatëve

Rrahje në ambientet shkollore – Përleshja u zhvillua gjatë pushimit, një profesor u rrëzua

Dy mësimdhënës të gjimnazit “Shaban Hashani” në Ferizaj përfshihen në një përleshje fizike

Dy mësimdhënës të gjimnazit “Shaban Hashani” në Ferizaj janë përfshirë në një përleshje fizike të enjten, më 29.01.2026, gjatë pushimit të gjatë në sy të nxënësve dhe drejtoreshës së shkollës.Për rastin e përleshjes së mësimdhënësve, një nxënës e kishte njoftuar Policinë Rajonale të Ferizajt.“Më datë 29.01.2026, rreth orës 11:15, policia ka pranuar një informacion se në një shkollë të mesme në Ferizaj, dy mësimdhënës janë përfshirë në një përleshje fizike”- ka konfirmuar më 30.01.2026 për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:25 në korridorin pranë sallës së mësimdhënësve, ku janë përfshirë dy profesorë. Situata është qetësuar menjëherë nga drejtoria e shkollës”- ka shtuar ai.Rastin e ka konfirmuar nëpërmjet telefonit edhe drejtoresha e gjimnazit “Shaban Hashani”, Hajrije Nebihu, e cila ishte e pranishme në momentin e përleshjes fizike të mësimdhënësve të shkollës.Nebihu e ka përshkruar vetëm si “shtyrje” përleshjen, megjithëse e ka pranuar se njëri prej mësimdhënësve ka rënë përtokë.“Nuk ka ndodhur rrahje, incident ka pasë, nuk mundem me mohu, e ka rrëzu, e ka shty, e ka rrëzu njoni tjetrin”- ka thënë Nebihu.

Unë kam qëllu aty, edhe u çu i njëjti profesor e ka kapë me e çu. Nuk ka pasë kështu grushte mes vete, por e ka shtyrë mbrapa në shpinë t’u dalë, me qëllim, jo pahiri”, ka shtuar ajo.Nebihu ka thënë se menjëherë u ka kërkuar mësimdhënësve që të shkojnë në shtëpi dhe se ka informuar edhe Drejtorinë Komunale të Arsimit të Komunës së Ferizajt.Drejtori i DKA-së së Ferizajt, Afrim Llabjani, ka konfirmuar për KALLXO.com se është njoftuar nga drejtoresha Nebihu për rastin dhe se e ka udhëzuar që së pari t’i marrë të gjitha masat në përputhje me rregulloret e shkollës për disiplinë.“Ne i kemi sugjeru t’i ndjekë hapat që janë me rregullore dhe pastaj nëse është e nevojshme do ta shqyrtojmë si rast edhe ne dhe do t’i marrim masat e nevojshme”- ka thënë Llabjani, duke thënë se do ta çojë rastin edhe në Inspektoratin e Arsimit nëse është e nevojshme.

Zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Ferizajt, Kanun Veseli ka thënë se të dyja palët janë paraqitur në stacion policor dhe janë intervistuar nga Njësia e Hetimeve.“Me urdhër të prokurorit, rasti është përpiluar ‘shënim zyrtar’”- ka përfunduar Veseli.

E dhimbshme: Blendi dhe Roberti ndërrojnë jetë në aksident

Një aksident i rëndë rrugor i ndodhur në Itali i ka marrë jetën dy të rinjve shqiptarë, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur. Viktimat janë identifikuar si Blendi Syla, 20 vjeç, dhe Robert Daçi.

Sipas informacioneve paraprake, automjeti me të cilin udhëtonin të rinjtë është përplasur me një kamion. Përplasja ka qenë fatale për dy pasagjerët shqiptarë, të cilët janë nxjerrë pa shenja jete nga mjeti. Ndërkohë, në kamion ndodheshin një burrë dhe një grua, të cilët kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.

Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në përplasjen tragjike.

Pas ngjarjes, familjarë dhe të afërm të viktimave kanë shprehur dhimbjen e tyre përmes rrjeteve sociale. Një reagim publik ka ardhur nga familjarë të Blendi Sylës, të cilët kanë njoftuar se ceremonia mortore ende nuk është planifikuar, pasi pritet kthimi i trupit në Shqipëri.

Familja ka falënderuar miqtë dhe të njohurit për ngushëllimet dhe mbështetjen, duke theksuar se informacionet për varrimin do të bëhen publike në vijim.

Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, duke rikthyer vëmendjen te aksidentet rrugore dhe pasojat tragjike që ato vazhdojnë të sjellin./ NOA

Numri i delegatëve që kanë votuar pro dhe kundër dorëheqjes së Abdixhikut

Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të jetë në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Në votim kanë marrë pjesë 300 delegatë, të cilët kanë votuar me “po” ose “jo” për pranimin e dorëheqjes së Abdixhikut.

Kundër dorëheqjes së Lumir Abdixhikut janë dekaruar 164 delegatë.

Ndërsa, pro dorëheqjes janë deklaruar 136 delegatë./Periskopi

LDK-ja vazhdon me Abdixhikun kryetar

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që Lumir Abdixhiku të vazhdojë si kryetar i partisë, pavarësisht dështimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Abdixhiku ia ofroi dorëheqjen Kuvendit të partisë të shtunën. Megjithatë, në votimin e fshehtë nga delegatët u vendos që Abdixhiku të vazhdojë ende si kryetar i partisë. 

Siç ka mësuar KOHA, në votim 164 delegatë votuan kundër dorëheqjes së Abdixhikut, ndërsa 136 pro.

Siç ka raportuar KosovaPress, Abdixhiku në fjalimin pas votimit ka kërkuar “bashkim për ta ringritur partinë”.

“Në këtë mes nuk ka as humbës e as fitues”, ka thënë ai.

Pas dështimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku LDK-ja siguroi vetëm 15 ulëse në Kuvend, Abdixhiku pati njoftuar se do ta ofrojë dorëheqjen në Kuvend e se më pas kuvendarët do të vendosin nëse do ta pranojnë apo jo. Por dorëheqjen si akt të kryer e pati cilësuar anëtari i Kryesisë, Avdullah Hoti, i cili ka shpallur kandidaturën për kryetar. 

Për shkak se Kuvendi u mbajt i mbyllur për mediat, nuk dihen detajet tjera lidhur me këtë proces.

Me Abdixhikun në krye, LDK-ja në zgjedhjet e 28 dhjetorit mori vetëm 13 për qind.

Abdixhiku është kryetar i LDK-së që nga 14 marsi i vitit 2021. Më 19 nëntor 2023, ai u rizgjodh si kryetar i partisë. Abdixhiku është pjesë e LDK-së që nga viti 2017.

Merret vendimi për personin që dhunoi 13 vjeçaren në motel

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit Tomë Prekaj, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda.

Masa e paraburgimit është vendosur për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “Dhunimi”.

“Paraburgimi i është caktuar nga data 29.01.2026, ora 14:30, dhe do të zgjasë deri më 28.02.2026, ora 16:00”, thuhet në njoftim.
Gjykata ka shpallur sot vendimin ndaj personit të akuzuar për dhunimin e një vajze 13-vjeçare në ambientet e një moteli. Sipas njoftimit zyrtar, trupi gjykues e ka shpallur fajtor të pandehurin për veprën penale të abuzimit seksual ndaj të miturës.

Ngjarja kishte ndodhur disa muaj më parë dhe kishte shkaktuar reagime të forta në opinionin publik. Procesi gjyqësor u zhvillua me dyer të mbyllura, për shkak të ndjeshmërisë së çështjes dhe mbrojtjes së të miturës.

Autoritetet theksuan se mbrojtja e fëmijëve dhe ndëshkimi i çdo forme dhune ndaj tyre mbetet prioritet, ndërsa institucionet ligjzbatuese kanë bërë thirrje për raportimin e rasteve të ngjashme.

Identiteti i viktimës nuk bëhet publik, në përputhje me ligjin.

Qeveria merr një vendim të rëndësishëm për ligjin për automjete

Qeveria e Kosovës ka mbledhur një grup zyrtarësh nga institucionet shtetërore, në të cilin bëjnë pjesë ekspertë ligjorë dhe të tjerë, me qëllim të adresimit të çështjeve që dalin nga zbatimi i Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjete, konfirmoi zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Roli dhe përgjegjësia e këtij grupi është të qartësojë kërkesat që parashohin ligjet, por në të njëjtën kohë edhe angazhimin e shtetit në raport me subjektet që preken nga ligjet, me qëllim lehtësimin e zbatimit të plotë të tyre”, tha ai, por nuk saktësoi se kush bën pjesë në këtë grup pune.

Kryeziu theksoi se përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë veçse janë njoftuar me këtë grup dhe “kanë zhvilluar takime fillestare”.

Më herët, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, ka bërë të ditur se për këto çështje ka zhvilluar dhjetëra takime me përfaqësues ndërkombëtarë, duke thënë se ndërkombëtarët kanë vendosur që të “formojnë edhe një ekip të veçantë ekspertësh që merret me zgjidhjen e këtij problemi”.

Rel iu drejtua Bashkimit Evropian dhe vendeve të QUINT-it me pyetje nëse kanë marrë pjesë në formimin e ekipit të ekspertëve, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Faza e parë e zbatimit të plotë të Ligjit për të huajt dhe atij për automjete ka nisur më 16 janar dhe do të zgjasë deri 15 mars. Gjatë kësaj periudhe parashihet një fushatë informuese për qytetarët lidhur me dy ligjet.

Zbatimi i këtyre rregullave që dalin nga këto ligje do të prekë pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, të cilët deri më tani kanë drejtuar me autorizim automjete me targa të ndonjë qyteti në Serbi ose që nuk posedojnë dokumente të Kosovës.

Një grup organizatash joqeveritare serbe njoftoi më 23 janar se, lidhur me paralajmërimin për zbatimin e plotë të Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet, ka biseduar me përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë dhe i ka ftuar ata për një angazhim më të madh për këtë çështje.

Nisma e Re Shoqërore, Qendra për Veprime Afirmative Shoqërore, Aktiv dhe Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial i kanë bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të insistojë në “konsultime të gjera dhe gjithëpërfshirëse me komunitetin serb, që do të përfshinin përfaqësues relevantë politikë, shoqërinë civile dhe komunitetin akademik, si parakusht për çfarëdo hapash të mëtejmë lidhur me këto korniza ligjore”.

Ndërkaq, udhëheqësi i partisë Për liri, drejtësi dhe mbijetesë, Nenad Rashiq, u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë në Kosovë, e veçanërisht Listës Serbe, që “të marrin përgjegjësi dhe të përfshihen në mënyrë aktive në hartimin e propozimeve juridiko-teknike”, me qëllim që të sigurohet tranzicioni në zbatimin e Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet.

Rashiq vlerësoi se është përgjegjësi e politikanëve të gjejnë forma se si “në mënyrë efikase dhe racionale të përshtatemi me zbatimin e tyre”.

Në anën tjetër, Lista Serbe përmes një reagimi tha se Rashiq “pa asnjë legjitimitet dhe mbështetje nga populli serb merr pjesë në pushtetin e Albin Kurtit dhe voton për të gjitha masat që janë të drejtuara kundër serbëve në Kosovë dhe Metohi”.

Rashiq ka qenë ministër në Qeverinë e Albin Kurtit pasi Lista Serbe në nëntor të vitit 2022 u largua nga institucionet e Kosovës. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Lista Serbe fitoi nëntë nga dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvend, ndërkaq Rashiq e fitoi një.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, më 16 janar deklaroi se, krahas zbatimit të Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet, është e domosdoshme integrimi i institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe, duke shtuar se procesi do të zbatohet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe se do të merren parasysh shqetësimet e komuniteteve joshumicë.

Institucionet arsimore dhe shëndetësore në komunitetet serbe në Kosovë funksionojnë brenda sistemit të Serbisë dhe janë pothuajse të vetmet që autoritetet e Kosovës nuk i kanë mbyllur gjatë dy vjetëve të fundit në kuadër të aksionit për mbylljen e institucioneve serbe, pasi Prishtina i konsideron ato si paralele dhe ilegale.

Punonjësit e këtyre institucioneve, veçanërisht profesorët dhe studentët në Universitetin e Mitrovicës së Veriut, mund të përballen me probleme kur të nisë zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt, sepse, sipas udhëzimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të publikuar më 16 janar, të gjithë ata që nuk kanë dokumente kosovare duhet të posedojnë leje pune ose licencë për punë, për të cilën kërkesa dorëzohet pranë Agjencisë Kosovare për Punësim.

Në praktikë, kjo do të thotë se institucionet arsimore dhe shëndetësore të sistemit serb duhet të kenë licencë nga institucionet kosovare.

Udhëzimi i MPB-së saktëson gjithashtu se për qëllime studimi, bashkimi i familjes, arsye humanitare, kërkime shkencore dhe rrethana të tjera të parashikuara me ligj, nevojitet posedimi i lejes për qëndrim të përkohshëm dhe plotësimi i kushteve të tjera të përcaktuar në ligj, në varësi të qëllimit të qëndrimit.

Gjithashtu, parashikohet që shtetasit e huaj në Kosovë mund të qëndrojnë deri në 90 ditë, ndërsa çdo qëndrim më i gjatë kërkon dorëzimin e kërkesës për leje qëndrim.

Nëse dikush shkel këto rregulla, organet kompetente mund të ndërmarrin masa të parashikuara me ligj, të cilat mund të përfshijnë heqjen e lejes së qëndrimit, gjobitje, dëbim ose ndalim të hyrjes në territorin e Kosovës.