Eskorta e Osmanit shihet duke kaluar kufirin në Morinë, për protestën në mbështetje të çlirimtarëve

Eskorta shoqëruese e Presidentes Vjosa Osmani është filmuar teksa kalon kufirin në Morinë, pikërisht sot kur në Tiranë do të mbahet protesta në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, shkruan Reporteri.net.

Pas eskortës së Osmanit, shihen vetura tjera me flamuj të UÇK’së teksa janë nisur drejt Tiranës.

Protesta mbahet sot në orën 15:00, në sheshin “Skënderbeu”.

Para dy ditësh, Osmani ka shprehur përkrahje të plotë për protestën që do të mbahet në Tiranë të premten, e me të cilët do të kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen qe pesë vite në paraburgim në Hagë.

Osmani ka thënë se ka qenë vetëm një agresor dhe ajo është Serbia. E para e shtetit tha se UÇK-ja ka mbrojtur me dinjitet qytetarët e Kosovës e Republikën tonë.

“E mbështes këtë protestë dhe kam mbështetur çdo protestë që thërret për drejtësi. Qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët gjithandej asnjëherë nuk kanë kërkuar asgjë tjetër, përveç drejtësisë drejtësi që respekton parimet më të larta të mbrojtjes dhe të drejtave të njeriut dhe siç e e dini Kosova dhe më konkretisht krerët në Hagë, pikërisht pse kanë pasur besim në drejtësi janë paraqitur përpara saj, tashmë po bëhen 5 vite pa asnjë dyshim në drejtësinë ndërkombëtare. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për liri, për ta mbrojtur popullin tonë, e për ta çliruar Kosovën nga okupimi. Për këto që e ka parë me sytë e vet se çfarë ka ndodhur në këtë luftë, dihet qartë se ka qenë vetëm një agresor, Serbia dhe vetëm një viktimë – Kosova. UÇK-ja ka mbrojtur me dinjitet qytetarët e Kosovës, republikën tonë dhe drejtësinë e kësaj lufte ne do ta mbrojmë deri në fund”, tha Osmani para mediave.

Ky organizim vjen pas atij në Hagë, ku me mijëra qytetarë kanë kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit – të cilët ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.

Mbi 90% të votave të verifikuara në Mitrovicë, Peci ngushton diferencën me Tahirin

90,48% e votave janë numëruar në procesin e verifikimit të votave që ka nisur në Mitrovicën e Jugut.

Aktualisht, kandidati i PDK-së për kryetar të kësaj komune, Arian Tahiri, po prin me 474 vota më shumë se kandidati i Vetëvendosjes, Faton Peci.

Tahiri aktualisht ka 48.68% apo 13,764 vota, ndërsa Peci 47.00% apo13,290 vota.

Rezultatet e përditësuara në Gjilan, LVV arrin mbi 50% deri më tani

Procesi i verifikimit dhe numërimit të votave në Komunën e Gjilanit është ende në zhvillim, ndërsa rezultatet paraprake tregojnë një epërsi të kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në faqen e saj zyrtare, deri në orët e paradites së sotme janë verifikuar 74.44% e votave në këtë komunë.

“Procesi i verifikimit është në vijim dhe do të vazhdojë deri në përfundimin e plotë të numërimit të të gjitha votave,” thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Bazuar në rezultatet e deritanishme:

  • Alban Hyseni (Lëvizja Vetëvendosje) ka marrë 50.16% të votave të numëruara, që përkthehet në 15,880 vota.
  • Arbër Ismajli (LDK) ka marrë 33.97%, apo 10,753 vota.

Përqindja e mbetur e votave pritet të verifikohet në orët dhe ditët në vijim, derisa KQZ të përfundojë tërësisht procesin e verifikimit dhe certifikimit të rezultateve përfundimtare.

Tronditëse: Burri ther me thikë bashkëshorten dhe vajzën, gjendja e tyre e rëndë

Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, njofton se sot me datë 17.10.2025 rreth orës 00:20min pas mesnatës në rrugën “Rexhep Kabashi” në Prizren, policia ka pranuar informatën për një rast të dhunës në familje.

Patrulla policore iu është përgjigjur menjëherë thirrjes dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, ka hasur një person të gjinisë femërore (bashkëshortja e të pandehurit) e cila ndodhej në rrugë me lëndime trupore dhe gjakderdhje të shkaktuara me mjet të mprehtë – thikë. Viktimës i është ofruar ndihma e parë nga zyrtarët policorë deri në ardhjen e ekipit të emergjencës mjekësore.

Po ashtu, në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe viktima e dytë, vajza e mitur. Ajo po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje. Viktimës së mitur i është ofruar ndihma e parë dhe më pas, bashkë me nënën e saj, janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë.

Policia dhe njësia e teknikës kriminalistike kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, në koordinim me Prokurorin kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda.

Gjatë intervenimit, në hyrje të banesës është identifikuar dhe arrestuar i pandehuri i cili është shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejme.

Prokurori kujdestar ka lëshuar aktvendim për ndalimin e të pandehurit në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Brenda afatit ligjor, për të njëjtin prokuroria do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Prokuroria Themelore në Prizren, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

“U gjet pa shenja jete në veturë”, Policia jep detaje të reja për vdekjen misterioze

Një person është gjetur pa shenja jete në mëngjesin e sotëm në Pejë.

Policia ka njoftuar për Indeksonline se qytetari është gjetur i vdekur në veturën e tij.

“Sot në orën 9:10 policia është njoftuar se në rrugën “Papa Klementi” në Pejë një person në veturë është parë pa shenja jete. Është njoftuar ekipi mjeksor ku është konstatur vdekja e tij. Ekipet relevante janë duke u marrë me rastin për shkaqet e vdekjes” ka thënë Fadil Gashi përIndeksonline.

Burri i Haxhiut: Liri për çlirimtarët që po gjykohen në Hagë nga gjykata që e themeloi Thaçi me Listën Serbe

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi, që është edhe bashkëshorti i nënkryetares së Kuvendit të Kosovës të enjten në mbrëmje ka shkruar lidhur me protestën që mbahet të premten në Tiranë.

Ai “kërkon” drejtësi për çlirimatarët që po gjykohen në Hagë e sulmon ish-presidentin Hashim Thaçin, edhe pse ky i fundit po ashtu ka aktakuzë nga Gjykata Speciale.

“Liri për çlirimtarët që po gjykohen padrejtësisht në Hagë nga Gjykata antishqiptare e themeluar nga Hashim Thaçi dhe PDK-ja, e ndihmuar nga Lista Serbe. Rroftë UÇK-ja dhe komandanti i saj Adem Jashari!”, ka shkruar Krasniqi.

 

Lajmi i hidhur: Vdes afaristi i njohur

Ka vdekur afaristi i njohur nga Komuna e Skenderajt, Sabit Hoxha, raporton portali rajoni.org.

Sabiti ndryshe në qytetin e Skenderajt njihet edhe si biznismen e humanist,

Lajmi për vdekjen e tij u bë i ditur nga familja i tij, përmes një postimi në Facebook.

Postimi i plotë i familjes:

Njoftim Mortor

Me dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të babait, axhës dhe familjarit tonë të dashur SABIT ABIT HOXHA i cili, pas një ballafaqimi të gjatë me sëmundjen, ndërroi jetë në moshën 66-vjeçare.

Varrimi do të bëhet sot, më 17.10.2025, në orën 17:30, në varrezat e fshatit Rezallë.

Familja Hoxha falënderon nga zemra ekipin e urgjencës së QKUK-së për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar deri në momentet e fundit.

Zoti i shpërbleftë me të mira e ua shtoftë begatinë në punë e jetë.

Allahu e mëshiroftë të ndjerin, ia faltë mëkatet dhe e shpërbleftë me xhenet.

“Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen, e vetëm tek Ne do të ktheheni.” (Kur’an, El-Ankebut, 29:57)

Gara për Asamblenë e Pejës, numërohen mbi 70 % të votave – këta janë kandidatët që po prijnë nga LDK, VV dhe partitë e tjera

Në Komunën e Pejës, procesi i numërimit të votave për zgjedhjet lokale është ende duke vazhduar ndërsa sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, janë procesuar 101 nga gjithsej 140 vendvotime, që përfaqësojnë 72,14 % të tërësisë së votave.

Bazuar në rezultatet e përditësuara të KQZ-së, në garën për kryetar të Pejës, i pari radhitet Gazmend Muhaxheri i LDK-së me 45,79%, e i cili pasohet nga Taulant Kelmendi i VV-së, me 28.51% të votave të grumbulluara.

Nga vendvotimet e proceduara të QKN-së në Pejë, Lidhja Demokratike e Kosovës, prin edhe në garën për Kuvendin Komunal.

Pesë më të votuarit e LDK-së në garën për asamblenë komunale janë: Gazmend Muhaxheri me 11,349 Vota, Rexhep Kurtbogaj me 915 Vota, Agron Nikçi me 607 Vota, Petrit Loci me 603 vota dhe Naser Gega me 577 vota.

Nga VV-ja listën me vota e kryeson bartësi i saj, Berat Ganiqi me 6,209 Vota, Mubera Belegu me 367 vota, Besnik Zeqiraj me 343 vota, Bujar Agusholli me 337 vota dhe Valbona Taraku me 319 vota.

Në listën e AAK-së më i votuari është bartësi i saj Arbër Grabovci me 5,919 Vota, pasuar nga Naim Bytyqi, Shaban Ramaj, Labinot Panxha dhe Hidajete Krasniqi.

Nga PDK-ja më i votuari është Arta Nallbani me 2,955 vota, pasuar nga Edonjeta Berisha, Leotrim Murtezaj, Fatime Shala dhe Bashkim Podrimqaku.

Këta janë pesë kandidatët me të votuar për asamble nga VV, LDK dhe PDK në Fushë Kosovë

Ka përfunduar numërimi i të gjitha votave për Asamble Komunale të Fushë Kosovë.

Bazuar në këto rezultate preliminare, është bërë edhe renditja e 5 kandidatëve me të votuar për Asamblenë Komunale nga tri subjektet kryesore politike në këtë komunë: Lëvizja Vetëvendosje, LDK dhe PDK, raporton IndeksOnline.

Lëvizja Vetëvendosje: Shpend Beqiri me 6 mijë e 719 vota, i ndjekur nga Festim Pllana me 535 vota, Durim Hajra me 527 vota Daut Krasniqi me 453 vota dhe Kushtrim Mirena me 412 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës: Mirlind Krasniqi me 5 miëj e 755 vota, i ndekur nga Afrim Dumani me 549 vta, Laurat Gojnovci me 495 vota, Jetmir Berisha 306 votad he Burim Berisha me 289 vota.

Partia Demokratike e Kosovës: Rrahim Tërnava me 3 mijë e 957 vota, Valon Murseli me 425 vota, Ermal Dumani me 297 vota, Aida Alimi 290 vota dhe Dardane Sogojeva Shala 241 vota. /IndeksOnline/

Verifikimi i votave në Mitrovicë të Jugut: Procesohen mbi 88%, ky është rezultati deri tash

Procesi i verifikimit të votave në Komunën e Mitrovicës së Jugut është ende në zhvillim.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri më tani janë verifikuar 88,57 për qind e votave.

Bazuar në rezultatet e deritashme, Arian Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kryeson me 49.32% të votave të numëruara, apo 13,506 Vota, ndërsa Faton Peci nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) ndodhet pas tij me 46.43%, apo 12,715 Vota.

Procesi i verifikimit pritet të vazhdojë deri në përfundimin e plotë të numërimit të të gjitha votave.