Kandidoi për asamblist në listën e Ramiz Lladrovcit, kaq vota ka marrë deri tash “Fc Latta”

Aktori Arjanit Hoti, i cili njihet për rolet e tij në disa seriale komike, ka qenë kandidat për Kuvendin Komunal të Drenasit në zgjedhjet e 12 tetorit.

Hoti ka qenë pjesë e listës së partisë së Ramiz Lladrovcit. Në Drenas deri tash janë numëruar rreth 65 përqind e votave, e nga rezultatet e publikuara del se Hoti ka marrë 240 vota.

Me renditje në listën e kandidatëve më të votuar nga numërimi i deritashëm, ai renditet i 13’ti.

Nga kjo listë, më e votuara është Laureta Thaçi si bartëse e listës me 6 mijë e 385 vota, pasuar nga Ekrem Elshani, Selman Qallapeku, Naim Gjeli, Valdet Curri dhe Anjeza Kurtaj.

PDK paralajmëron: Nëse dështon Kurti, ne do të marrim iniciativën për të formuar Qeverinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka afat deri më 26 tetor për të siguruar shumicën në Kuvend dhe për të propozuar përbërjen e Qeverisë së re. Por nëse nuk arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme, Partia Demokratike e Kosovës po paralajmëron se do të marrë vetë iniciativën për të ndërtuar një shumicë të re parlamentare.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, tha se po presin që Vetëvendosje të marrë përgjegjësinë e formimit të Qeverisë si fituese e zgjedhjeve, por nëse dështon, PDK është e gatshme të veprojë.

“Jemi duke pritur që partia e cila ka marrë më së shumti ulëse në Parlamentin e Kosovës, dhe meqenëse tanimë zyrtarisht është mandatur deputeti Albin Kurti, si mandatar për formimn e qeverisë, jemi duke pritur që ata të krijojnë shumicën parlamentare dhe të kenë qeveri, dhe nëse jo normalisht që PDK pastaj do të marrë iniciativën të krijojë shumicën dhe të krijojë qeverinë.”, ka thënë Qalaj për IndeksOnline.

Ai theksoi se PDK nuk është e interesuar për asnjë bashkëqeverisje me Vetëvendosjen, duke përjashtuar mundësinë e një koalicioni të përbashkët.

“Nuk kemi asnjë interes të shkojmë në bashkëqeverisje me LVV-në e Albin Kurtit. Në asnjë variant nuk do të jem pjesë e një qeverie apo ministrie ku udhëheq LVV,” theksoi ai.

“PDK ka numrin e dytë më të madhë në parlamenitn e Kosovës, si e tillë do të bëjë përpjekje për formimin e qeverisë.”, ka vlerësuar tutje Qalaj.

Sipas Kushtetutës, nëse kandidati i parë për kryeministër nuk merr votat e mjaftueshme, presidentja e vendit ka 10 ditë për të mandatuar një kandidat tjetër. E nëse dështon edhe tentimi i dytë, vendi shkon në zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga shpallja.

Përballë këtij afati kushtetues, mbetet të shihet nëse Kurti do të arrijë të sigurojë koalicionin e nevojshëm, apo nëse PDK do ta marrë nismën për krijimin e një qeverie të re pa Vetëvendosjen.

Lista Serbe sfidon Kuvendin dhe rrezikon formimin e Qeverisë së re

Më pak se një javë pasi Kuvendi i Kosovës u konstituua plotësisht, me kryetarin dhe pesë nënkryetarët, kushtetutshmëria e këtij procesi u vu në pikëpyetje nga Lista Serbe.

Kjo parti, më e madhja e serbëve në Kosovë, dorëzoi një ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër zgjedhjes së nënkryetarit serb, Nenad Rashiq, duke pretenduar se janë bërë shkelje kushtetuese dhe të rregulloreve.

Në ankesën e saj, Lista Serbe kërkoi që gjykata të vendosë një masë të përkohshme, për të ndaluar, siç tha, “veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme”.

Nënkryetari nga komuniteti serb u zgjodh më 10 tetor, dhe ky post iu besua Nenad Rashiqit – i vetmi deputet i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Emri i tij u votua pasi asnjë nga kandidatët e Listës Serbe – e cila ka shumicën e vendeve të rezervuara për komunitetin serb në Kuvend – nuk arriti t’i siguronte votat e nevojshme.

Me Kushtetutën e Kosovës, nënkryetari duhet të jetë nga “radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara të komunitetit serb”.

Ndërsa, sipas Rregullores, “kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb”.

Gjithashtu, Rashiq u votua veçmas nga nënkryetari tjetër që përfaqëson komunitetet joshumicë – ndryshe nga praktikat e mëparshme, por me miratimin e Gjykatës Kushtetuese.

Nenad Rashiq dhe sfida për Kushtetutën

Bazuar në këto, Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, vlerëson se zgjedhja e Nenad Rashiqit mund të mos ketë qenë në përputhje me Kushtetutën.

“Mund të them se Rashiq nuk e ka marrë nominimin nga së paku gjashtë deputetë serbë në Kuvendin e Kosovës. Nga kjo premisë, mund të konkludohet se ka pasur shkelje kushtetuese në procesin e zgjedhjes së tij si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës”,thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Ai përmend edhe rastin e Emilija Rexhepit, e cila u zgjodh nënkryetare nga komunitetet joserbe jashtë pakos me kandidatin serb – ndryshe nga praktikat e mëparshme.

Megjithëse situata, sipas tij, duket e qartë, Miftaraj zgjedh të jetë i kujdesshëm në parashikime.

“Gjykata Kushtetuese ka ditur të na befasojë, ka ditur t’i ndërrojë standardet, t’i ndërrojë praktikat. Prandaj, në këtë fazë, është problem të kesh një qëndrim se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, thotë ai.

Ankesën e Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese e sheh si të drejtë legjitime edhe profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu.

Megjithatë, ai e konsideron këtë veprim si të dëmshëm për procesin demokratik në Kosovë, pasi, siç thotë, mund të çojë në pezullimin e punës së Kuvendit.

“Tani varet nga Gjykata Kushtetuese. Jam i bindur se do ta shqiptojë masën mbrojtëse, të përkohshme… dhe pezullohet puna e Kuvendit. Më pas, do të shohim se çka do të ndodhë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Baraliu nuk e konsideron të drejtë vendimin e Kushtetueses për zgjedhjen ndaras të nënkryetarëve nga komunitetet pakicë, prandaj thotë se aktgjykimi për ankesën e fundit të Listës Serbe është vështirë i parashikueshëm.

“Nga kjo që po bën Gjykata Kushtetuese, mishmash me vendimet e veta, gjithçka është e pritshme”,thotë ai.

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës u zvarrit për gati gjashtë muaj për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

Gjatë këtij procesi, Gjykata Kushtetuese nxori tri aktgjykime bazuar në ankesat e partive, të cilat përcaktuan kushtet dhe afatet për konstituimin e Kuvendit.

Pasojat e mundshme për Qeverinë e re

Sipas Miftarajt, nëse Kushtetuesja vendos në favor të Listës Serbe, situata në Kuvend mund të rikthehet në rrethanat që ishin pas aktgjykimit të 8 tetorit.

“Kjo do të thotë që Kuvendi nuk konsiderohet ende i konstituar. Do ta detyrojë Kuvendin të votojë sërish, në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, për një nënkryetar nga komuniteti serb, i propozuar nga shumica e deputetëve të këtij komuniteti”, thekson Miftaraj.

Ai shton se një vendim i tillë mund të ndikojë edhe në formimin e Qeverisë së re.

“Me të do të binte poshtë nominimi dhe mandatimi i Lëvizjes Vetëvendosje nga presidentja për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës”, vlerëson Miftaraj.

Një ditë pas konstituimit të Kuvendit, presidentja Vjosa Osmani mandatoi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryeministër në detyrë, për formimin e Qeverisë së re.

Afati 15-ditor për këtë proces nisi atë ditë dhe përfundon më 26 tetor.

E, dyshime mbi zgjedhjen e Rashiqit shprehën më herët edhe ekspertë të tjerë, ashtu si edhe përfaqësues të partive ish-opozitare.

“Ne, praktikisht, po hyjmë në një fazë të shkeljes së vazhdueshme të Kushtetutës”, tha kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në ditën kur Rashiq u zgjodh nënkryetar i Kuvendit.

Mefail Bajqinovci: Po shtrenjtohen biletat nga Evropa në Kosovë, sepse po vijnë mërgimtarët për 9 nëntor

Kosova më 9 nëntor do të mbajë balotazhin për zgjedhje lokale, ditë në të cilën përveç votuesve në vend, pritet të ushtrojnë këtë të drejtë edhe votuesit jashtë vendit.

E, për këta të fundit, Mefail Bajqinovci nga VV ka reaguar duke treguar se po ka fluks të tyre për të marr pjesë në balotazhin e 9 nëntorit.

Me çrast thotë se po ka edhe shtrenjtim të biletave.

“Sërish rritje e çmimeve të biletave ajrore për Kosovë! Për datën 9 nëntor, kompanitë ajrore kanë shtrenjtuar biletat nga Suedia dhe nga e gjithë Evropa. Kjo ndodh pothuajse çdo herë kur rritet fluksi i udhëtarëve drejt vendlindjes”, tha ai.

Protesta për ish-krerët e UÇK-së nesër në Tiranë – A do të merr pjesë edhe Kurti?

Kryetari OVL-UÇK-së, Hysni Gucati i ka bërë thirrje kryeministrin në detyrë të marrë pjesë të premten në protestën që do të mbahet në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Ai ka thënë se nëse deklarimi i LVV-së që mbështet protestën është i vërtetët, Kurti duhet të jetë nesër në Tiranë.

“Nëse Lëvizja Vetëvendosje na përkrahë me shpirt e zemër, atëherë nesër i ka hije Kurtit me ardh në sheshin “Skënderbeu” të bashkëngjitet me gjithë shqiptarët. Jo të shkruaj në rrjete sociale. Reagimi i tij është i vakët. Nëse Kurti e mbështet UÇK-në, nesër të vjen në protestë dhe është i mirëseardhur”, ka thënë Gucati për Tëvë1.

Të premten nga ora 17:00 do të mbahet protestë në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Lëvizja Vetëvendosje ka leshur një deklaratë ku mbështetë protestim, deklaratë kjo që nxiti polemika mes kësaj partie dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

LVV akuzoi Ramën se kishte ardhur me helikopterë për të ndikuar që Gjykata Speciale të votohet në Kuvend. Rama akuzoi Vetëvendosjen duke thënë se kjo parti, para 10 vjetësh s’e njihte as himnin e Kosovës le më pafajësinë e Thaçit.

Syla pas hyrjes “gabimisht” të ushtrisë: Ushtarët s’janë lodra zgjedhore!

Gazetari Valon Syla ka reaguar pas raportimeve se njësi të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë futur “gabimisht” në veri të vendit.

Në një postim në Facebook, Syla ka vënë në dyshim versionin zyrtar të ngjarjes, duke thënë se “nuk luhet me ushtri kështu”, teksa ka kritikuar mundësinë që veprimi të ketë qenë i motivuar politikisht.

“Nuk e di a kanë hy ‘gabimisht’ a kanë dashtë me bo filma për zgjedhje në Veri… por nuk luhet me ushtri kështu. Ushtarët nuk janë lodra zgjedhore.

A bash për zgjedhje gabuat, kur asnjëherë më parë nuk u raportua një gabim i tillë?”, ka shkruar Syla.

Reagimi i gazetarit vjen pas deklaratave të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila njoftoi se hyrja e disa pjesëtarëve të FSK-së në veri ishte rezultat i një “keqkuptimi operacional” dhe jo një veprim i planifikuar.

Ky zhvillim ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik, sidomos në prag të formimit të Qeverisë së re dhe zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në disa komuna, që kanë shkuar në balotazh.

Verifikohen 74% të vendvotimeve në Mitrovicë: Tahiri 50.04%, Peci 45.76%

Në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë janë verifikuar 74.29 për qind të vendvotimeve.

Nga 74.29% të vendvotimeve të procesuara në garën për kryetar të Komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) prin me 50.04 për qind të votave të fituara.

Kundërkandidati i tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Faton Peci numëron 45.75 për qind, tregojnë rezultatet e votave të verifikuara në QKN në Mitrovicë.

Gëzim Plakolli i Lidhjes Demokratike Kosovës (LDK) numëron 3.41 për qind të votave.

Në garën për Kuvendin Komunal, pas procesimit të 74 për qind të votave, PDK-ja kryeson me 41 për qind të votave, e pasuar nga Vetëvendosje me 22 për qind./Indeksonline/

“VV nuk zhagit” – Qeveria Kurti III po vjen, ja dita vendimtare

Qeveria Kurti III bëhet “javën e ardhshme, besoj”, tha Mefail Bajqinovci i Vetëvendosjes në një intervistë për Gazetën Blic.

Bajqinovci tha se “VV nuk zhagit” dhe se do ta bëjë qeveri “me Nismën dhe disa deputetë të caktuar”.

“Nuk dihet s’kemi konfirmim por shumë shpejt, java e ardhshme besoj se s’kemi kur tjetër, deri në të dielën e ardhshme e kemi afatin, mbetet në diskrecion të kryeministrit se kur do të na tregojë t’i bëjmë përgatitjet për seancën solemne”, shton Bajqinovci.

“Është në diskrecion të mandatarit Albin Kurti, i cili do të vazhdojë bisedimet. Opozita dhe deputetët të mos e çojnë vendin në zgjedhje për teke dhe të vazhdohet me qeverisje”, ka theksuar ai

Përfundon numërimi në Obiliq, këta janë kandidatët më të votuar për asamble

Në Obiliq ka përfunduar numërimi i votave të kandidatëve për Kuvendin Komunal. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar tashmë rezultatet.

LDK renditet si parti e parë me 43.08 përqind, pasuar nga VV me 42.13 dhe Lista Serbe me 9.68 përqind, shkruan Reporteri.net.

Bajram Hasani, si bartës liste i LDK’së ka marrë 5 mijë e 73 vota. Pas tij renditen Fidan Ahmeti me 519 vota, Fitore Hashani me 519 vota, Muhamet Preniqi me 439 vota dhe Enver Gashi me 338.

Si bartës liste i VV’së, Halil Thaçi ka marrë 4 mijë e 961 vota, i ndjekur nga Bardhyl Mjekiqi me 455, Bashkim Gashi me 446, Mervete Shala me 397 dhe Rinor Kurteshi me 392.

Nga Lista Serbe, Goran Dancetoviq si bartës liste ka marrë 1 mijë e 1140 vota. Pas tij renditen Biljana Spasiq me 586, Stana Jakovljeviq 201, Slavisha Spasiq me 90 dhe Dragan Danqetovic me 63./Reporteri.net

Komandanti i FSK’së: Do të marrim masa ndaj ekipit që hyri gabimisht në veri

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ka deklaruar për Albanian Post se kanë kontaktuar me ekipin e FSK-së që ka hyrë “gabimisht” në veri dhe se për këtë janë duke përgatitur disa masa të brendshme.

“Po, kemi kontaktuar, pasi janë pjesëtarët tanë që kanë ngatërruar rrugën. Do të sqarojmë të gjithë rastin se si ka ndodhur. Sa i përket masave, këto janë procedura të brendshme, sigurisht që ne jemi angazhuar për to dhe besoj se do të arrijmë tek pikat e duhura”, deklaroi Jashari për AP.

Disa automjete të Forcës së Sigurisë së Kosovës të enjten hynë gabimisht në territorin e Mitrovicës së Veriut gjatë së enjtes.

Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.

Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe tani, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.