Mbi 55% e votave të rinumëruara, kjo është renditja e partive

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i rinumërimit të fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për rinumërim.

Sipas të dhënave të përditësuara nga KQZ, deri më tani janë rinumëruar mbi 55.65 për qind e fletëvotimeve.

Rezultatet e deritanishme tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje prin me 46.81% të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.05%.

Në vendin e tretë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 10.48% ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 5.92% të votave.

Njëherësh, KQZ ka bërë të ditur dje se deri më tani procesi i rinumërimit është përmbyllur plotësisht në 21 komuna.

 

Hasani i bindur se “300-400 milionët e dhënë’’ e rritën votën e VV-së

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka hedhur dyshime mbi rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke e lidhur rritjen e votës për disa subjekte politike me shpërndarjen e parave “nën dorë”.

Sipas Hasanit, rezultati zgjedhor nuk mund të shpjegohet në mënyrë racionale përmes zhvillimeve shoqërore apo politike, pasi, siç tha ai, nga shkurti deri në dhjetor nuk ka pasur asnjë ndryshim thelbësor që do ta justifikonte një rritje kaq të madhe të votës.

“Rezultati i fundit zgjedhor, po të ishte racional siç e interpretojnë atëherë votuesi do të ishte i përndritur dhe shumë racion dhe unë jam i bindur që përmbi 300-400 milionë që janë dhënë, është faktori kryesor që ka bë diferencën në rritjen e votës, sepse nuk ka pasur nga shkurti në dhjetor asnjë zhvillim tjetër shoqëror”, deklaroi Hasani në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Ai shtoi se rritja prej rreth 10 për qind, apo edhe më shumë në shifra absolute, është e pashpjegueshme pa përfshirjen e mjeteve financiare, duke përmendur se përveç shumave publike, ka pasur edhe para të shpërndara në mënyrë të fshehtë.

Hasani tha se për raste të tilla ka dëgjuar edhe nga të afërmit e tij, veçanërisht në Mitrovicë, duke theksuar se hetimi i këtyre pretendimeve u takon organeve kompetente.

“Në Mitrovicë janë gjithnjë, dhe këtë më kanë thënë njerëzit akraba e familjarë, por që për këtë çështje është punë e organeve që mua s’më intereson, por e besoj atë, sepse ka qenë edhe në të kaluarën. Dallimi është që ne gjithmonë e kemi thënë që e po e besojmë me dorë të pastra”, tha ai.

Ish-kryetari i Kushtetueses hodhi poshtë edhe narrativat se rezultati zgjedhor lidhet me heqjen e sanksioneve apo zhvillimet në dialogun strategjik, duke i cilësuar këto si çështje elitare që nuk ndikojnë drejtpërdrejt në sjelljen e votuesve.

“Po të thuash që vota është fituar se janë hequr sanksionet, ju e dini që këtu nuk ka pasur asnjë ndjeshmëri për sanksione, as prej pushtetit e as prej votuesit në asnjë mënyrë e fazë, s’ka ndikuar as dialogu strategjik këto janë probleme elitike, që elita i debaton e i analizon e te to ndikon – nuk janë probleme që kanë çu peshë për votë as këtu, as në Shqipëri, as askund”, deklaroi Hasani.

Rreth 80 mijë vota rezultojnë të manipuluara pas rinumërimit, prin PDK-ja

Eugen Cakolli nga KDI ka theksuar se mundësia që qytetarët të votojnë deri në 10 kandidatë e bën procesin zgjedhor më të cenueshëm ndaj gabimeve dhe abuzimeve.

“Rritja e numrit të votave preferenciale deri në 10 kandidatë, së bashku me centralizimin e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit, e ka bërë procesin shumë më të cenueshëm ndaj abuzimeve. Kur të dhënat përpunohen nga një numër i vogël personash – që në disa raste rezultojnë të jenë familjarë apo të afërt të kandidatëve – ndërhyrjet mund të prodhojnë devijime të mëdha në rezultate”, tha Cakolli.

Ai shpjegoi se në Kosovë ka pasur rreth 900 mijë vota të vlefshme për subjektet politike, ndërsa për shkak të votës preferenciale deri në 10 kandidatë, janë regjistruar 6.8 milion vota për kandidatët. “Kjo do të thotë se mesatarisht çdo votues ka shënuar rreth 7 kandidatë në fletëvotim”, shtoi ai.

Nga rinumërimi i mbi 50% të vendvotimeve në QNR, deri më tani, rreth 80 mijë vota të kandidatëve kanë rezultuar të pasakta dhe të numëruara gabimisht në Qendrat Komunale të Numërimit.

Prej tyre, pas rinumërimit, 47,619 vota u janë hequr kandidatëve sepse u ishin shtuar gjatë numërimit fillestar, ndërsa 32,018 vota u janë shtuar kandidatëve pas rinumërimit, pasi u ishin hequr gabimisht më herët.

Brenda këtyre rreth 80 mijë votave të afektuara, rreth 40 mijë i takojnë kandidatëve të PDK-së, rreth 15 mijë LVV-së, rreth 11 mijë LDK-së dhe rreth 4 mijë AAK-së.

Sipas komunave, mbi 80% e këtyre votave vijnë vetëm nga komuna e Prizrenit. Tutje renditen Malisheva dhe Podujeva, e rinumëruar deri më tani vetëm 10%.

Cakolli përfundoi duke vënë në dukje se procesi i ri i votës preferenciale dhe centralizimi e kanë bërë numërimin më të ndjeshëm ndaj gabimeve dhe devijimeve.

“Kur një numër i vogël personash ka qasje në të dhëna dhe janë të lidhur me kandidatët, mund të ketë devijime të konsiderueshme në rezultatet përfundimtare”, shkroi ai në ‘Facebook’.

A po shkon vendi përsëri në zgjedhje të reja?

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka paralajmëruar për një skenar ekstrem në rast të vonesave në trajtimin e ankesave nga PZAP, duke theksuar se vendi mund të përballet me krizë kushtetuese, shkruan Gazeta Infokus.

Në një deklaratë për Infokus, Cakolli tha se nëse ka vonesa në vendimmarrje, ekziston rreziku real Kuvendi të mos konstituohet dhe të mos kemi as qeveri të zgjedhur deri me 5 mars e që është afati i fundit për ta zgjedhur presidenten, e që sipas tij i bie që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Sipas tij, një situatë e tillë do të krijonte paqartësi serioze institucionale dhe do ta fuste vendin në një ngërç të thellë kushtetues.

”Nëse do të kenë vonesa me ankesat apo vendimmarrjet e PZAP-ës ekziston rreziku real që është absolutisht skenari më ekstrem që të mos kemi Kuvend të konstituar as qeveri të zgjedhur deri me 5 mars që është afati i fundit për ta zgjedhur presidenten dhe që i bie paradoksalisht të shkojmë në zgjedhje të reja pa përbyllur plotësisht një cikël zgjedhor në veçse ndodhemi, e kjo do të ishte krizë kushtetuese se nuk do të dihej kush mund të ishte ushtrues detyre presidenti si pikë e parë meqenëse kushtetuesja e përcakton që vetëm kryetari i Kuvendit e që ne nuk e kemi një të tillë sepse z.Basha i takon një legjislature tjetër dhe nuk mund të jetë ushtrues detyre të presidentit”, ka deklaruar Cakolli në Infokus.

Çka po ndodhë me vizat gjermane, këto janë të rejat e fundit

Gjermania ka vendosur që të anulojë të gjitha aplikimet për viza pune që janë bërë në vitin 2025, përjashtimisht bën muaji dhjetor.

Profesori, Afrim Kololli nga DACH Kosova ka treguar për Diaspora24 të rejat e fundit. Sipas informacioneve që ai posedon edhe këte vit do të ndahen nga 850 termine në muaj.

 

Mësohet sa vota doli minus Lushtaku pas rinumërimit në Skenderaj

Për shkak të parregullësive në zgjedhjet e 28 dhjetorit, në QNR po rinumërohen edhe një herë të gjitha kutitë e votimit.

Në 72 vendvotimet e komunës së Skenderajt është kryer procesi i rinumërimit 100%, raporton Insajderi.

Kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtakut, Bedri Hamzës, Sala Jasharit, Shahin Dervishajt e disa të tjerave iu janë hequr votat.

Më poshtë e gjeni listën e plotë të kandidatëve që tanimë kanë vota minus:

Bedri Hamza -29

Sala Jashari -36

Arian Tahiri -10

Mërgim Lushtaku -94

Jakup Nura -32

Xhevahir Geci -14

Ganimete Musliu -20

Ilir Murtezaj -25

Vlora Çitaku -9

Shahin Dervishaj -42

Ariana Musliu Shoshi -30

Uran Ismaili -11

Artan Behrami -5

Isak Neziri -9

Gëzim Qerimi -8

Besa Kabashi Ramas -2

Enver Hoxhaj -22

Musli Gucati -1

Fadil Demaku -3

Hajdar Beqa -3

Rrahman Rama -4

Nait Hasani -4

Xhavit Haliti -16

Idriz Vehapi -5

Elmi Reçica -5

Selver Xhelili -2

Djali i Nait Hasanit është ndaluar nga Policia, avokati i tij tregon se për çka po dyshohet

Ditën e sotme, prokuroria Themelore në Prizren ka kryer një aksion për dyshimet për manipulim të votave, i cili ka rezultuat me 109 persona të ndaluar që kryesisht kanë shërbyer si komisionerë në numërimin e votave.

Lidhur me këtë, është deklaruar avokati Anton Çupërjani, avokat i Art Hasanit, i cili është djali i Nait Hasanit.

Avokati ka bërë të ditur, se djali i Nait Hasanit

‘’Është ndaluar sot me vendim të prokurorit, vendim të cilin ne si avokat ende nuk e kemi pranuar, përkundër intersimit tim për ta marr një vendim të tillë, ku edhe parashihet këshilla juridike për paraqitjen e ankesës por një gjë e tillë neve na u është mohuar, e që për neve kjo është sfidë dhe shqetësim i madh. Arsyeja është ndaluar për veprën penale të falsifikimit të votave. I njëjti është ftuar në cilësinë e të dyshuarit’’, ka thënë ai.

E dhimbshme: Vdes ish-zëvendëskomandanti i Brigadës 164 të UÇK-së, Menduh Brava

Ka ndërruar jetë ish-zëvendëskomandanti i batalionit në Brigadën 164 të UÇK-së, Menduh Brava.

Lajmin për vdekjen e tij e bëri të ditur kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ngushëlloi familjen Brava për humbjen e më të dashurit të tyre.

Haradinaj kujtoi përkushtimin e palëkundur të Bravës gjatë rrugëtimit për liri dhe shtet.

“Me dhimbje mora lajmin për ndarjen nga jeta të Menduh Bravës. I ndjeri, gjatë luftës për liri, i shërbeu me nder atdheut si zëvendëskomandant i batalionit në Brigadën 164 të UÇK-së, ndërsa pas luftës ishte kryetar i OVL-UÇK-së në Han të Elezit. Kisha nderin të rrugëtojmë bashkë edhe politikisht, në zgjedhjet e fundit lokale ishte kandidat për asamble nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Brava, miqve dhe gjithë aktivistëve tanë në Han të Elezit. U prehsh në paqe, Menduh!”, shkroi Haradinaj.

Kryeprokurori Kryeziu: Kushdo që guxoi t’i fus duart në votat e qytetarëve do ballafaqohet me ligjin

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu është deklaruar para mediave për aksionin e sotëm të zhvilluar në Prizren në lidhje me keqpërdorimet që dyshohet se u bën në kuadër të zgjedhjeve të 28 dhjetorit më saktësisht në votat për kandidatët për deputetë.

Kryeprokurori Petrit Kryeziu tha se deri më tani janë gjithsej 109 persona të ndaluar, nën dyshimin për falsifikim të votave, dhënie e marrje ryshfeti.

“Deri tani kemi 109 të ndaluar për vepra penale të falsifikimit të rezultateve zgjedhore, për presion e kanosje e për dhënie e marrje ryshfeti.Kemi pasur situate ku kemi fituar dëshmitarë bashkëpunuese, e na kanë treguar si kanë ardhur presionet e situate ku kanë treguar kush ka marrë e nga kush ka marrë ryshfet”,deklaroi Kryeziu.

Ai tha se se ditë më parë kanë paralajmërua se manipulim i votës dhe rezultateve zgjedhore është krim dhe duhet ndëshkuar, sot secili prej atyre që ka guxuar t’i fus duart në votat dhe vullnetin e qytetarëve është ballafaquar me ligjin.

“Dua ta bëj të qartë se këtu s’bëhet fjalë për numërimin e votave për subjektet politike, kur kemi qenë të angazhuar të gjithë por bëhet fjalë për manipulime brenda llojit- aty ku katër subjektet më të mëdha politike i kanë dërguar të preferuarit e tyre e kanë menduar se larg syrit të institucioneve mund të manipulojnë. Mund të mos kuptoheshin gabime të vogla, por këtu s’bëhet as për dhjetëra as për qindra por mijëra vota të manipuluara e të falsifikuara.Pra ka kandidatë që vetëm për kandidatë ka mbi 6 mijë vota të falsifikuara për një kandidat. Pra bëhet fjalë se vetëm në një vendvotim pra ka ndodhur në Qendrën e Numërimit, vetëm në një qendër mbi 2 mijë e 444 vota. Pra vetëm në një klasë. E në regjionin tonë ato që janë numëruar nga subjekte politike është vetëm një klasë që ka dalur e pa keqpërdorur pra që është zero.E mos të flasim për Komunën e Prizrenit ku janë shtuar mbi 4 mijë vota. Pra diferenca totale e keqpërdorimeve është 68 mijë e 17 vota. Pra po flasim për një organizim e dashje direkte për të përmbytur vullnetin e qytetarëve”, deklaroi Kryeprokurori.

Ai tha se do të ishte e pamundur të ndryshoheshin gjithë këto vota po të mos kishte kompromis të komisionerëve të deleguar nga 4 partitë më të mëdha politike të Kosovës.

“Pra sistemi i tillë pasi komisionarët janë mekanizëm kontrollues e procesverbalin e nënshkruajnë të gjithë për ta legjitimuar.Secili komisioner s’do të duhej as të numëronte as të regjistronte vota por sipas hetimeve rezulton se ka ndodhur e kundërta.Ky hetim ka qenë mirë i koordinuar me prokuroren Laura Pula dhe Agron Qalajn, si u.d i Kryeprokurorit të Shtetit.Qëllimi ynë për ta shtrirë ligjmërinë është preventive gjenerale .Duhet ta dinë se kushdo që guxon t’i fus duart me vullnetin e qytetarëve do ballafaqohen me forcën e ligjit sikurse sot po përballen një pjesë e madhe pasi s’mbaron me këtë numër”, shtoi ai.

Këta janë tre kandidatët e LDK-së që iu shtuan votat më së shumti

Edhe sot po vazhdon rinumërimi në Qendrën e Numërimit të rezultateve.

Nga  2 mijë e 557 vendvotime deri më tani janë numëruar 1 mijë e 289, apo 50,41 për qind.

Nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës disa kandidatëve iu kanë shtuar votat, raporton Insajderi.

I dëmtuari më i madh i kësaj partie deri më tani duket se është Paris Guri.

Atij i janë shtuar 378 vota. Pas tij vjen, Ukë Rugova me + 205 vota si dhe Armend Zemaj me +127.

Për Paris Gurin ditë më parë reagoi edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili aludoi se votat ia kanë tjetërsuar ‘të vjetërit’ e kësaj partie