Votat e diasporës, VV-ja i ‘merr’ AAK-së edhë një komunë

Numërimi i votave të diasporës, përveçse ka ndikuar në shpërndarjen e mandateve mes subjekteve politike, ka sjellë ndryshime edhe në renditjen e partive në disa komuna të Kosovës.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje kishte dalë forcë e parë në pjesën dërrmuese të komunave, por në disa komuna të Rrafshit të Dukagjinit epërsinë e mbanin subjekte të tjera politike.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kishte dalë e para në Istog, ndërsa Aleanca printe në Junik.

Megjithatë, votat e ardhura nga diaspora kanë ndryshuar këtë panoramë.

Në Istog, Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka kaluar në vendin e parë. Edhe pse kanë mbetur pa u numëruar edhe tri kuti të votave nga diaspora që i përkasin kësaj komune, LVV-ja kryeson ndaj LDK-së me 109 vota, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e treta.

Ndërkohë, në Junik, ku ka mbetur për t’u numëruar edhe një kuti e diasporës, LVV-ja ka kaluar AAK-në dhe aktualisht kryeson me 40 vota diferencë.

Në vendin e tretë renditet LDK-ja, vetëm pesë vota pas Aleancës.

Me këto ndryshime, LDK-ja nuk mban më pozitën e forcës së parë në asnjë komunë të Kosovës, ndërsa AAK-ja vazhdon të ruajë primatin në Deçan.

Edhe pas përfshirjes së votave të diasporës, PDK-ja mbetet forca kryesore në Skenderaj, Drenas dhe Malishevë

E dhimbshme: Ky është i riu që humbi jetën në detin e Ksamilit

Personi që shihni në foto është i riu Albiano Kreçi, i cili humbi jetën tragjikisht pasditen e sotme në Gjirin e Ksamilit, pas një përplasjeje të rëndë mes mjetit lundrues që drejtonte dhe një skafi të Policisë Kufitare të Sarandës.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:30 dhe tronditi banorët e zonës, si edhe pushuesit që ndodheshin në bregdet në ato momente. Sipas të dhënave paraprake, i riu po lundronte me një mjet tip “jet car”, një mjet argëtues që ngjan me automjet, por lëviz mbi ujë.

Nga informacionet e bëra publike deri tani, dyshohet se përplasja ka ndodhur me skafin e Policisë Kufitare, i cili ndodhej rreth 400 metra larg vijës bregdetare në kuadër të monitorimit të hapësirës detare.

Menjëherë pas aksidentit, efektivët e Policisë Kufitare dhe persona të tjerë që ndodheshin me mjete lundruese pranë zonës kanë ndërhyrë për t’i ardhur në ndihmë të riut. Albiano Kreçi u nxor nga uji dhe u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Sarandës, por fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

E rëndë në Rrugën e Kombit: Vdes këmbësori nga Kosova

Një aksident tragjik ka ndodhur paraditen e së hënës në “Rrugën e Kombit”, në segmentin Rrëshen–Reps, ku një shtetas nga Kosova ka humbur jetën pasi është goditur nga një automjet.

Viktima, Kujtim Aliu, dyshohet se sapo kishte zbritur nga autobusi dhe po tentonte të kalonte në anën tjetër të autostradës kur është përplasur nga një veturë.

Sipas Policisë së Shqipërisë, drejtuesja e automjetit, shtetasja kosovare N. R., është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.

“Rreth orës 08:45, në Rrugën e Kombit, automjeti me drejtuese shtetasen kosovare N. R. ka përplasur këmbësorin K. A., i cili ka humbur jetën gjatë transportimit në spital”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.

A do të jetë pjesë e Kuvendit Adelina Thaçi?

Adelina Thaqi Meta nuk arriti të bëhej deputete edhe pse mori mbi 14 mijë vota.

Vajza e aktorit të ndjerë Rasim Thaçi Cima ishte pjesë e Kuvendit legjislaturën e kaluar.

 

I akuzoi për humbjen e jetëve në autostradë, Mihaili me gjuhë të rëndë ndaj Ramës: Narkotikun si e merr

Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, i ka reaguar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke përdorur gjuhë të rëndë.

Në reagimin e saj, Mihali e akuzoi Ramën se po e përdor një tragjedi, pasi Rama akuzoi qeverinë në detyrë Kurti për humbjen e jetëve në autostradë.

Postimi i plotë:

Paske përdorur një tragjedi për të zhgarravitur prapë me chatgpt.

Përparim Rama, ti narkotikun si e merr? Me kontratë njëburimore apo me ofertën me çmimin më të lirë, nga tre ofertat?

Hera-herës kur përfundon emergjencave duket se me çmimin më të lirë.

Ps. Minjtë vijojnë nëpër lagjet e kryeqytetit, bashkë me plehrat. Kryetari jo, po Përpamiu.

 

Diaspora përmbys rezultatin edhe në këtë komun, VV-ja del e para

Votat e diasporës kanë përmbysur rezultatin në Istog, që ishte e vetmja komunë ku sipas rezultateve preliminare LDK kishte dalë parti e parë.

Pas procesimit të votave me postë, Lëvizja Vetëvendosje tani renditet parti e parë, ndërsa LDK ka rënë në vendin e dytë, shkruan Reporteri.net.

VV nga 92.75% e votave, ka marrë 38.54%, ndërsa LDK 37.88%.

Nga ky rezultat, LDK nuk është më parti e parë në asnjë komunë.

Ndërkohë kanë mbetur edhe pesë vendvotime për t’u procesuar.

Vetëvendosje e merr sërish ulësen e 52’të, kjo parti bie

Lëvizja Vetëvendosje ia ka marrë sërish ulësen e 52’të PDK’së.

Drama për këtë mandat po vazhdon me votat me postë të diasporës, shkruan Reporteri.net.

PDK tani ka mbetur në 22 ulëse.

LDK ka 19, ndërsa AAK 7./Reporteri.net

A arriti mjeku i Hashim Thaçit të bëhet deputet?

Adriatik Berisha, “mjeku i ish-presidentit” të Kosovës, Hashim Thaçi, ka siguruar 18,677 vota në zgjedhjet parlamentare, një rezultat që në rrethana normale do t’i jepte mundësi reale për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Megjithatë, pavarësisht mbështetjes së madhe qytetare, Berisha pritet të mbetet jashtë Kuvendit për shkak të zbatimit të kuotës gjinore, e cila garanton përfaqësimin minimal të grave në legjislativ.

Sipas rezultateve, para Berishës renditet Eliza Hoxha me 19,019 vota, e cila siguron mandat deputeteje. Po ashtu, nga kuota gjinore përfiton edhe Ariana Musliu-Shoshi, e cila ka marrë 17,542 vota, më pak se Berisha.

Si pasojë e këtij mekanizmi, jo vetëm Adriatik Berisha mbetet pa mandat, por jashtë Kuvendit mund të mbesin edhe kandidatë të tjerë me më shumë vota se Ariana Musliu-Shoshi.

Kështu, edhe pse Berisha është një nga kandidatët më të votuar në pjesën e poshtme të listës së PDK-së, sistemi i ndarjes së mandateve dhe kuota gjinore bëjnë që ai të mos arrijë të sigurojë ulëse në Kuvend, ndërsa mandate fitojnë kandidatë që kanë më pak vota individuale.

Dramë zgjedhore: PDK-ja e kthen mandatin e 23-të, LVV kthehet në 51 deputetë

Partia Demokratike e Kosovës e ka kthyer mandatin e 23’të që ia mori Lëvizja Vetëvendosje më herët, shkruan Reporteri.net.

VV ka rënë sërish në 51 ulëse. Rezultati ndryshoi pas procesimit të një vendvotimi nga votat me postë.

LDK vazhdon t’i ketë 19 ulëse, ndërsa AAK 7 ulëse./Reporteri.net

“Autostrada ka qenë e pastruar”, Dimal Basha reagon pas aksidentit me fatalitet

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, është deklaruar pas reagimeve lidhur me aksidentin tragjik që ndodhi të dielen në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku humbi jetën një grua dhe një burrë mbeti i lënduar rëndë.

Basha tha se ministria ka nënshkruar kontrata për sanimin e plotë të skarpatave në tri segmente të autostradës, duke kundërshtuar pretendimet se bëhet fjalë vetëm për largim të dheut nga zona problematike.i

“Ministria sot ka njoftuar se ka nënshkruar kontrata për sanimin e plotë të skarpatave në autostradën ‘Ibrahim Rugova’. Pra nuk bëhet fjalë për ‘heqje dheu’, siç po manipulon Kryetari Rama dhe siç është raportuar në disa portale, por për projekte të sanimit të plotë të skarpatave në tri segmente të autostradës”, ka deklaruar Basha.

Ai ka reaguar edhe ndaj pretendimeve që lidhin aksidentin fatal me rrëshqitjen e dheut në atë pjesë të autostradës, duke thënë se autoritetet janë në pritje të raportit zyrtar të Policisë së Kosovës.

“Një ligësi tjetër është manipulimi me aksidentin që ndodhi gjatë vikendit. Siç është e njohur për publikun, autostrada ka qenë e pastruar nga dheu në momentin kur ka ndodhur aksidenti tragjik. Ne po presim raportin zyrtar të Policisë së Kosovës dhe refuzojmë të bëhemi pjesë e manipulimeve politike që tentojnë të përfitojnë nga tragjeditë njerëzore”, është shprehur ai.

Ushtruesi i detyrës së ministrit ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës, ndërsa ka akuzuar kundërshtarët politikë se po përpiqen të përfitojnë nga ngjarja tragjike.

“Familjes të së ndjerës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Na vjen keq që, përveç dhimbjes që ka shkaktuar ky aksident, Kryetari Rama dhe disa të tjerë po përpiqen të nxjerrin përfitime politike nga kjo tragjedi. Por nga mashtruesit dhe manipuluesit nuk pritet më shumë. Qytetarët i njohin mirë dhe këtë po e dëshmojnë me votë në çdo palë zgjedhje”, ka përfunduar Basha.