E rëndë: Konflikti në trafik, ťheret me ťhikë disa herë një person

Një konflikt në komunikacion ka përfunduar me plagosje me thikë në Drenas, ndërsa rasti po trajtohet si “vrasje në tentativë”.

Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje në trafik, ku një person dyshohet se ka sulmuar me thikë një tjetër, duke i shkaktuar lëndime trupore.

I lënduari fillimisht ka marrë trajtim mjekësor në QKMF-në e Drenasit dhe më pas është dërguar në QKUK. Pas trajtimit, ai është liruar për në shtëpi.

Ndërkohë, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas incidentit. Policia ka kryer kontrolle në dy lokacione ku dyshohet se ai banon, por ende nuk ka arritur ta lokalizojë, ndërsa i është lënë ftesë për paraqitje në stacionin policor.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar si “Vrasje në tentativë”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe kapjen e të dyshuarit janë duke vazhduar.

Pas inspektimit në “Vita”, AUV dalin me sqarim

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) bëri të ditur se komisioni inspektues ka konstatuar se fabrika për përpunimin e qumështit “Vita” në Istog ka shkelur vendimin e Ministrisë së Bujqësisë, i cili ndalon përdorimin e qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në produktet e qumështit. Zyrtarët e AUV-së thanë se rezultatet përfundimtare priten pas analizave laboratorike, raporton Ekonomia Online.

Shefi i Inspektoratit Veterinar Kufitar në AUV, Eroll Shehu, tha se inspektimi në fabrikën “Vita” është kryer më 2 korrik, në bashkëpunim me njësitë e tjera inspektuese dhe në zbatim të vendimit të ministrit.

“Së pari, në bazë të kontrolleve gjatë datës 2 korrik në subjektin, ose fabrikën e përpunimit të qumështit ‘Vita’ në Istog, është bërë procesi i inspektimit të përbashkët me njësitë tjera inspektuese në subjekt. Inspektimi është bërë sipas kërkesës së vendimit të ministrit, i cili është zbatuar gjatë ditës, domethënë gjatë orarit. Sa i përket ciklit të inspektimit, inspektimi ka shkuar gjithmonë shumë transparent. Këtë herë të gjithë kohën i kemi pasur kamerat rreth vetes dhe tani jemi në proces të pritjes së rezultateve nga laboratori”, tha Shehu.

Udhëheqësi i Zyrës së AUV-së në Prizren, Durak Zyrapi, tha se komisioni, bazuar në gjetjet e inspektorëve në terren, ka konstatuar shkelje të vendimit të ministrit nga ana e subjektit

“Ne si komision kemi konstatuar, në bazë të gjetjeve të inspektorëve që kanë qenë në terren, se subjekti në fjalë ka thyer vendimin e ministrit, ku ndalohet përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe gjërave të tjera në fabrikat e përpunimit të qumështit. Ky ka qenë konstatimi fillestar i komisionit”, tha Zyrapi.

Ai mohoi raportimet se të gjithë anëtarët e komisionit kanë marrë pjesë në inspektim, duke sqaruar se një pjesë e zyrtarëve nuk kanë qenë të pranishëm brenda objektit gjatë kontrollit.

“Sa i përket korrektësisë së opinionit dhe disa portaleve që po shkruajnë se kemi qenë të gjithë prezent në inspektim, kjo nuk është e vërtetë. Unë personalisht, edhe pse jam kryesues i komisionit të monitorimit, nuk kam qenë në inspektim faktikisht brenda, kam qenë jashtë zyrave. Edhe pesë zyrtarë të tjerë të ministrisë nuk kanë qenë pjesë e këtij zhvillimi. Të tjerët që kanë qenë kompetentë dhe që vijnë nga fushat përkatëse kanë kryer inspektimin dhe na kanë paraqitur konstatimet e tyre”, tha Zyrapi.

Detaje nga aksidenti me fatalitet: Vįkťimat janë dy 17-vjeçarë

Një aksident i rëndë trafiku ka tronditur mbrëmjen e së premtes fshatin Babinoc të Obiliqit, ku dy të mitur kanë humbur jetën, ndërsa një 19-vjeçar ka mbetur i lënduar, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 23:15, kur një motoçikletë Honda, pa targa, është përfshirë në një aksident me një këmbësor.

Si pasojë e përplasjes, kanë humbur jetën P.D., rreth 17-vjeçar, i cili dyshohet se drejtonte motoçikletën, dhe pasagjeri V.M., rrreth 17-vjeçar. Të dy janë nga fshati Babinoc.

Në këtë aksident ka mbetur i lënduar edhe këmbësori F.P, rreth 19-vjeçar, i cili është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, ai është liruar për në shtëpi.

Vdekjen e dy të rinjve e ka konstatuar mjeku kujdestar në Repartin e Kirurgjisë të Spitalit të Mitrovicës së Veriut.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e trafikut rrugor, hetuesit e aksidenteve, forenzika rajonale, Drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor të Policisë së Kosovës, Komandanti i Njësisë Rajonale të Trafikut, si dhe Prokurorja kujdestare.

Me urdhër të Prokurorisë, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rrethanat e aksidentit po hetohen.

Krasniqi zbulon mesazhin e Kurtit për mikun e tij: Nipi yt që po del në listën e PDK-së e meriton me vra

Ish-kandidati i AAK-së për deputet, Dardan Krasniqi ka zbuluar një bisedë me një të afërm të tij, i cili i kishe përmendur një tjetër bisedë që ai kishte bërë me Albin Kurtin, kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Krasniqi ka thënë se i njohuri i tij, deputet i VV-së në një takim i kishte thënë Kurti se “nipi yt që po del si kandidat i PDK-së duhet me vra, veç s’ka kush me vra”.

“Ka qenë një deputet i lëvizjes Vetëvendosje që e kam shumë mik që unë e kam mbajt në familjen teme sa ishte deputet i VV-së dhe në një takim që kishte pasur me Kurtin kishte thënë se nipi yt që po del si kandidat i PDK-së duhet me vra veç s’ka kush me vra. Edhe ai e kishte marrë këtë si sfidë të veten. Tërë ditën e kam mbajt pesë ditë jam marr me të mos me lan nipin me vra veç pse kishte dal në listën e PDK-së. Ai sot bredh rrugëve të Gjermanisë që ka sakrifiku ma së shumti për Vetëvendosjen, nipi i tij është deputet e ministër edhe tanat. Unë e mbajta në shtëpi nipin e tij, ai kishte revole, unë mbaj përgjegjësi për fjalën, jam unë janë argumente. Një ditë ia dërgova një komunikim me zë”, ka thënë Krasniqi për TV Arbëria.

Endrit Thaçi me urim të veçantë për Edi Ramën në ditëlindje

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, ia ka uruar ditëlindjen kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Këtë ai e ka bërë përmes Instagramit, duke i uruar Ramës edhe shumë vite të tjera.

“Urime ditëlindjen, kryeministër Edi Rama! Edhe shumë vite të tjera të mira për ty dhe Shqipërinë”, shkroi ai.

Dy të vď’ekur dhe një i ľënduar në Obiliq

Dy persona kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ndodhi mbrëmjen e së premtes në Obiliq.

Sipas informacioneve, viktimat dhe personi i lënduar janë të tre të nacionalitetit serb.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili bëri të ditur se rasti është raportuar rreth orës 23:00.

“Mbrëmë reth orës 23:00, Policia ka pranuar informatën se në Obiliq ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në aksident ka qenë e përfshirë një motoçikletë dhe një këmbësorë. Si pasojë e lëndimeve të marra, shoferi dhe pasagjeri i motoçikletës kanë humbur jetën, kurse këmbësori ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor.”, ka deklaruar Pllana.

Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet që çuan në këtë aksident me pasoja fatale.

30 ditë paraburgim për kosovarin e arrestuar në Serbi nën dyshime për kr’įme lu’fte

Gjykata e Lartë në Serbi ia ka caktuar 30 ditë paraburgim shtetasit të Kosovës, Osman Selmani, i arrestuar më 1 korrik nga policia e Serbisë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se Selmani u arrestua në pikëkalimin kufitar në Mutivodë, nën dyshime për krime lufte.

“Ekzistojnë dyshime të bazuara se më 14.06.1999, në vendin Sofali, Prishtinë, në bashkëkryerje me disa pjesëtarë të UÇK-së, me armë të ftohta dhe armë zjarri, në mënyrë mizore dhe tinëzare, ua ka marrë jetën civilëve të nacionalitetit serb, çiftit bashkëshortor Vlladimir dhe Persa Stanisavljeviq”, thuhet në njoftimin e MPB-së të Serbisë.

Familja e Osman Selmanit i ka cilësuar si të pabazuara dhe të pavërteta akuzat e Prokurorisë së Serbisë.

“Ne besojmë në pafajësinë e tij dhe do të qëndrojmë pranë tij deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës. Kemi besim se drejtësia do të mbizotërojë dhe e vërteta do të dalë në pah. Ju falënderojmë nga zemra për çdo mbështetje, lutje dhe fjalë inkurajuese në këto momente të vështira për familjen tonë”, thuhet në njoftimin e familjarëve të tij.

E rëndë: 29-vjeçarja shqiptare mb’ytet në plazhin e Porto Novos në Vlorë

Një ngjarje tragjike është shënuar pasditen e kësaj të premteje në bregdetin e Vlorës.

Një 29-vjeçare shqiptare  ka humbur jetën pasi dyshohet se u mbyt në det, në zonën e plazhit të Porto Novos.

Sipas informacioneve paraprake, viktima është përballur me rrymat e forta detare që karakterizojnë këtë zonë, të konsideruar prej vitesh si një nga pikat më të rrezikshme të bregdetit, raporton TCH.

Pas nxjerrjes nga uji, trupi i pajetë është duke u transportuar me gomone drejt Triportit dhe më pas në morgun e Spitalin Rajonal të Vlorës.

Dy kandidatët e PDK-së i drejtohen sërish Supremes, kërkojnë rinumërim të votave

Dy deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës i janë drejtuar Gjykatës Supreme me ankesë kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar rinumërimin e votave.

Kandidatët për deputetë nga PDK-ja, Bekim Haxhiu dhe Qëndrin Kryeziu, thanë se ankesa bazohet në fakte të reja, të cilat sipas tyre dëshmojnë parregullsi të konsiderueshme në procesin e numërimit të votave.

Haxhiu tha se ankesa mbështetet në raportin e Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për procedurën e rinumërimit, i cili, sipas tij, evidenton gabime të shumta në numërimin fillestar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

“Siç kemi paralajmëruar, kemi dorëzuar ankesën në Gjykatën Supreme. Kjo ankesë bazohet në faktet e reja të cilat i kemi siguruar, e të cilat KQZ nuk i ka bërë publike. Është fjala për raportin e Sekretariatit të KQZ-së për procedurën e rinumërimit, në të cilin janë të evidentuara fakte të shumta për gabimet në procesin e numërimit fillestar në QNR (Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve). Nuk janë gabime të vogla, sepse ato gabime prej 6% deri në 25% janë të evidentuara në komuna të caktuara. Ndërsa në total, si mesatare tek votat e Partisë Demokratike, ky gabim është 3.7% — një margjinë e madhe e gabimit. Ndonëse KQZ-ja është munduar që ta minimizojë këtë si gabim, duke e vlerësuar se tek votat preferenciale të kandidatëve është 1.4%, por nëse llogaritet atëherë në të gjitha votat preferenciale të Partisë Demokratike — që i bie në 147,594 vota të PDK-së të numëruara në Qendrën Kombëtare të Numërimit, herë 10 vota preferenciale, pra janë mbi 1 milion e 470 mijë vota preferenciale — me një margjinë gabimi prej 1.4%, i bie që mbi 20,600 vota preferenciale janë potencialisht të regjistruara gabimisht në Qendrën Kombëtare. Prandaj, rezultati zgjedhor nuk mund të certifikohet i pasaktë. Ligji është në këtë çështje i qartë dhe kërkon që të kemi një certifikim të rezultatit zgjedhor të saktë. Askund në ligj nuk shkruan që mund të certifikohet një rezultat zgjedhor me 1.4% gabime, e as me 25%, mirëpo ai duhet të jetë ashtu siç e ka dhënë votën qytetari”, tha Haxhiu.

Ai shprehu pritjen që Gjykata Supreme ta shqyrtojë ankesën në mënyrë të pavarur dhe të urdhërojë rinumërimin.

“Prandaj shpresojmë shumë në profesionalizmin e Gjykatës Supreme, e cila në shumë raste ka ditur të jetë e pavarur dhe të rrëzojë vendimet e PZAP-ës, dhe të urdhërojë rinumërimin. Sepse nuk mund të bëhesh deputet me votat e numëruesve, por duhet të bëhesh me votat e qytetarëve, ashtu siç i ka hedhur ditën e votimit”, tha ai.

Edhe kandidati tjetër për deputet nga PDK-ja, Qëndrin Kryeziu, tha se ankesa është plotësuar me prova shtesë, të cilat, sipas tij, nuk janë marrë parasysh nga PZAP-ja.

“Ne presim sepse kemi sjellë fakte shtesë. Edhe nuk e di pse PZAP-ja e ka rrëzuar kur i ka pasur tërë këto prova, të cilat i kemi sjellë sot për juve. Sepse nga 6.5% që është Mitrovica e Jugut, kemi deri në 25% ndryshim të votës. Dhe 25%, edhe marzhi 1.4% në qoftë se shkojmë në total të 725,000 votuesve, janë në pyetje 101,000 vota gabim. Vetëm për Partinë Demokratike diku janë rreth 22-23 mijë vota që është ndryshimi. Dhe 22-23 mijë vota nuk janë dy vota që po bëjmë hajgare. Kjo nuk është hajgare, me shku deputet me votat e numëruesve. Kështu që unë besoj shumë në drejtësinë e Kosovës, besoj shumë në institucionet e vendit tonë dhe besoj shumë që do të ketë rinumërim dhe do të ketë rezultat real për të gjithë kandidatët”, tha Kryeziu.

Dërguti bën thirrje për proťesta masive para 16 shtatorit

Ish-kandidatja për deputete nga PDK-ja, Aida Dërguti, ka thënë që qytetarët e Kosovës duhet të organizohen në protesta masive dhe të bëjnë presion që të mos merret një vendim i padrejtë në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më tej, ajo tha se nuk mund të merret një vendim i padrejtë në emër të Kosovës.

“Prej sot duhet të ketë mobilizm mbarëkombëtar të të gjithë shqiptarëve pavarësisht bindjeve ideologjike që duhet të angazhohen dhe madje edhe të dalin në sheshe e me protesta për marrjen e vendimit të drejtë”, ka thënë Dërguti në Kosova Today të Klan Kosovës.

“Pra, duhet të bëhet presion”.

“Unë mendoj që duhet të ketë protesta para 16 shtatorit që t’u tregohet se këtu njerëzit nuk e pranojnë një vendim të padrejtë”.

Dërguti shtoi se populli nuk duhet të lejojë gjykatën që në emër të tyre, UCK-ja të quhet ndërmarrje e përbashkët kriminale.

“Ndërmarrje e përbashkët kriminale nuk mund të quhet kurrën e kurrës dhe duhet të jetë e papranueshme prej qytetarëve të këtij vendi, prej shqiptarëve”.

“Populli duhet t’i thotë: Në emër të popullit ju nuk e quani Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ndërmarrje e përbashkët kriminale. Pikë”.