Rinumërimi i deritanishëm nga lista e LDK-së, Abdixhiku “i pafat”, i ndodh edhe kjo

Ndryshime pas rinumërimit po pëson edhe lista për deputetë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në kutitë e rinumëruara deri tani, në listën e partisë që drejton Lumir Abdixhiku janë minusuar 276 vota, derisa janë shtuar vetëm 103.

Listës së kandidatëve që u janë minusuar vota më së shumti në LDK i prinë kryetari i kësaj partie me minus 20 vota, Xhafer Gashi e Zeni Krasniqi me nga 17 vota më pak, Anton Quni me 16, Rrezarta Krasniqi me -11, Serbeze Muçaj me -11 dhe Arben Gashi me -10.

Paris Gurit ndërkohë i janë shtuar 10 vota, Esra Myrtezanit 6, Fetah Rudit 6, Ermal Sadikut 5 dhe Kimete Hasallarit 5.

Procesi i rinumërimit po vazhdon dhe do të realizohet për mbi 900 vendvotimet. Deri tani janë rinumëruar 217 vendvotime.

Hyn në fuqi vendimi i Qeverisë për pagën minimale

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për rritjen e pagës minimale, duke përcaktuar dy faza të reja të rritjes gjatë vitit 2026.

Sipas vendimit zyrtar me numër 10/273, të datës 31 tetor 2025, i nënshkruar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, paga minimale do të jetë: 425 euro bruto duke filluar nga 1 janari 2026, për një punë të rregullt me orar të plotë dhe  500 euro bruto duke filluar nga 1 korriku 2026, po ashtu për punë të rregullt me orar të plotë.

Me këtë vendim: Obligohen Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Inspektorati i Punës për zbatimin e tij.

Ky vendim hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Rinumërimi i votave, kujt iu hoqën më së shumti vota në Vetëvendosje dhe cilëve kandidatë iu shtuan

Në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë duke u evidentuar edhe ndryshimet e votave në mes të kandidatëve për deputetë brenda partive politike, shkruan Gazeta Express.

Në votat e rinumëruara deri tani e që janë 217 vendvotimet, në Lëvizjen Vetëvendosje një numri të madh të kandidatëve u janë minusuar në total 976 vota.

Derisa disa prej kandidatëve u janë shtuar në total 345 vota.

Prej kandidatëve për deputetë që u janë minusuar më së shumti vota, prin Filiz Mustafa me 230 vota, Albin Kurti me 85, Jeton Raka me 71 vota, Glauk Konjufca me 54, Valon Hoti 48, Ali Dula me 42, Aferdita Hajrizi me 36, Agim Bahtiri me 35.

Ndërsa prej kandidatëve që u janë shtuar vota pas rinumërimit, prin Shqipe Selimi me 36 vota plus, Ejup Maqedonci me 29, Alban Bajrami me 24, Labinotë Demi me 19, Fatos Geci me 18, Zef Morina me 13 vota plus, Ilir Kërçeli me 12 vota, Diana Qarkaxhija me 12 vota plus, Mimoza Kusari me 10 vota plus.

Procesi i rinumërimit do të vazhdojë në të gjitha qendrat ku KQZ ka vendosur për rinumërim, e që janë 914 vendvotime./GazetaExpress/

Gjenden të vdekur dy burra, Policia jep detajet

Policia e Kosovës ka nisur hetime lidhur me dy vdekje në Prizren, ku dy burra janë gjetur të vdekur në 24 orët e fundit.

Njëri person është gjetur i vdekur në rrugën “Hajdar Shala”, në orët e para të mëngjesit të djeshëm.

“Rr. Hajdar Shala, Prizren  15.01.2026 – 01:00. Raportohet se në rrugë është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

Tjetri person është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij, pasditen e djeshme.

“Rr. Hafiz Ismajl Haki  15.01.2026 – 14:27. Raportohet se në shtëpinë e tij është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar.  Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

Paralajmërohet aktakuzë për masakrën e familjes Jashari

Për krimin në Reçak tashmë është ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 21 serbëve.

E njëjtë pritet të veprohet shumë shpejt edhe për masakrën në Prekaz ndaj familjes Jashari.

Këtë e paralajmëroi në një intervistë për Klan Kosova, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

“Kemi me ngrit aktakuzë shumë shpejt për atë çka i ndodhi familjes Jashari, dhe them shumë shpejt”, tha ai

Derisa për këtë masakër përgatitjet për aktakuzë po shkojnë drejt fundit, për Masakrën e Reçakut ai tregoi se tashmë është ngritur aktakuza në mungesë për 21 serbë në mungesë, që vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë më 15 janar të 99-ës.

Isufaj thotë se ka urdhërarrest për të gjithë personat që janë në këtë aktakuzë.

Madje ai tha se kanë kërkuar bashkëpunim edhe me shtetin e Serbisë, edhe pse thotë se “e kemi ditë që s’do pranojnë”.

“E dimë që krejt këta persona janë atje dhe kemi ngritur gjykim në mungesë. Në këtë masakër ka marrë pjesë edhe Goran Radosavleviq, i njohur me nofkën ‘Guri’, i cili është edhe përgjegjësi kryesor për këtë operacion, ka marrë pjesë edhe vetë në kryerjen e masakrës”, u shpreh Isufaj.

Hetimet për të po vazhdojnë e atyre do iu nënshtrohet edhe ish-gjyqtarja e Qarkut të Prishtinës, Danica Marinkoviq.

Veçse, deri te ngritja e aktakuzës, kryeprokurori thotë se u përballen me shumë sfida.

Atë çka e ka pa me sytë e tij e ka dëshmuar kohë më parë amerikani, Wiliam Walker, por përveç tij, do të thirren edhe emra të tjerë ndërkombëtarë.

Prekëse: Prezantuesja e RTK-së shpërthen në lot teksa jepte lajmin për përkujtimin e masakrës ku ia vranë babain

Një moment i prekshëm u shënua sot gjatë transmetimit të lajmeve në RTK, kur prezantuesja Vlora Fetoshi nuk arriti të mbante lotët ndërsa raportonte për hapjen e Muzeut të Masakrës në Krushë të Madhe të Rahovecit.

Krusha e Madhe mbetet një nga vendet më të prekura nga masakrat e luftës së Kosovës, ku Fetoshi ka humbur babain e saj në atë masakër, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Ndërsa jepte lajmin live, emocionet e saj dolën në sipërfaqe, duke treguar dhimbjen e thellë personale dhe rëndësinë e ngjarjes historike që po mbahej përkujtimore për viktimat.

 

 

Berisha: Po bën Albin Kurti me qenë deputet edhe kryeministër, e unë s’po bën kryetar klubi

Bekë Berisha ka reaguar ndaj qëndrimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit lidhur me zgjedhjen e tij në krye të KB Sigal Prishtina, duke e cilësuar reagimin e ministrisë si tendencioz dhe jo të bazuar në praktikën institucionale të deritanishme. Ai ka theksuar se raste të ngjashme kanë ekzistuar edhe më parë në Kosovë, pa u kontestuar.

Në një prononcim për KosovaPress përmes telefonit, Berisha ka deklaruar:

“Vallahi, po bën me qenë deputet e kryeministër, e nuk po bënë me qenë kryetar klubi… Po shihet që tendencioze prej ministrisë. Domethënë, mbasi bën Albin Kurti me qenë deputet edhe kryeministër… Edhe ka domethënë shembuj. Bylbyl Sokoli ka qenë deputet edhe trajner i KF Drenicës… Tani unë e bëj një kërkesë aty në antikorrupsion edhe besoj ma kthejnë një përgjigje”.

Berisha ka bërë të ditur se për këtë çështje do t’i drejtohet Agjencisë Kundër Korrupsionit, nga e cila pret një sqarim zyrtar lidhur me ligjshmërinë e ushtrimit të njëkohshëm të funksionit të tij politik dhe atij sportiv në krye të klubit të basketbollit nga Prishtina.

Në reagimin e saj, MKRS ka bërë të ditur se do t’i drejtohet edhe Federatës së Basketbollit të Kosovës për ta parë rregulloren e tyre në lidhje me këtë çështje.

Ndryshe, Berisha mori drejtimin e KB Prishtinës duke pasuar ish-kryetarin Blerand Stavileci.

Hoti kërkon dorëheqjen e Abdixhikut: Nëse nuk ka përgjegjësi, jap dorëheqje nga Kryesia e LDK-së

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar zyrtarisht nga kryetari aktual i partisë, Lumir Abdixhiku, që të respektojë statutin dhe të marrë përgjegjësi për rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, shkruan Insajderi.

Hoti ka paralajmëruar se nëse lidershipi aktual nuk hap rrugë për reformim, ai do të largohet nga organet drejtuese të partisë.

Përmes një reagimi publik, ish-kryeministri Hoti ka kujtuar se standardi i dorëheqjes pas një rezultati të dobët zgjedhor është vendosur në vitin 2021, një parim ky që sipas tij ishte promovuar me këmbëngulje nga vetë z. Abdixhiku.

Sipas Hotit, rezultati i fundit zgjedhor ka dëmtuar besimin e qytetarëve te LDK-ja dhe kjo situatë nuk mund të tejkalohet pa një proces transparent të reformimit.

Ai theksoi se partia ka potencial të madh, por ai duhet të vihet në shërbim të shtetit përmes një riorganizimi të thellë në të gjitha nivelet.

Hoti ka bërë të ditur se ky nuk është një akt emocional, por një qëndrim parimor në mbrojtje të identitetit politik të partisë.

Reagimi i plotë:

Në këtë moment të ndjeshëm për Lidhjen Demokratike të Kosovës, angazhimi im dhe thirrja ime është për unitet dhe reflektim të përbashkët për rrugën përpara. Secili prej nesh që mban përgjegjësi politike ka detyrimin të mos qëndrojë anash proceseve vendimtare për të ardhmen e LDK-së. Vetëm me qetësi, pjekuri politike dhe gjithëpërfshirje mund ta rikthejmë besimin e qytetarëve dhe ta kthejmë LDK-në në shërbim të Kosovës.

Statuti i LDK-së është i qartë. Në rast dorëheqjeje të Kryetarit të LDK-së, Kuvendi i LDK-së thirret për t’u njoftuar zyrtarisht për këtë dorëheqje. Pas këtij akti të njoftimit, Kuvendi e zgjedh Kryetarin e ri të LDK-së. Kaq. Kështu ka ndodhur në vitin 2021. Çdo devijim nga kjo procedurë statutare është tendencë për ta shtyrë, relativizuar ose deformuar përgjegjësinë politike të lidershipit të LDK-së.

Standardi i dorëheqjes pas rezultatit të dobët zgjedhor është vendosur në vitin 2021. Ky standard është përqafuar dhe promovuar me këmbëngulje nga vetë z. Abdixhiku. Prandaj, çdo përpjekje për ta shmangur sot këtë standard është në kundërshtim të hapur me parimet që vetë lidershipi aktual i ka shpallur si vlera udhëheqëse.

Pas rezultatit tejet të dobët të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, askush nuk mund ta mohojë se LDK-së i nevojitet lidership i ri dhe, më pas, riorganizim në të gjitha nivelet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës. Besimi i qytetarëve në LDK është dëmtuar dhe ai nuk mund të rikthehet pa një akt të qartë përgjegjësie dhe pa një proces të sinqertë reformimi.

LDK-ja ka potencial të jashtëzakonshëm politik, njerëzor dhe programor. Ky potencial duhet të vihet në shërbim të interesave të shtetit dhe të qytetarëve përmes një reformimi të thellë, gjithëpërfshirës, transparent dhe statutar.

Për këtë arsye, në takimin konsultativ të para dy ditëve kam paralajmëruar qartë se, nëse lidershipi i LDK-së nuk merr përgjegjësinë që i takon dhe nuk hapet rruga për një reformim të tillë, do të pasojë dorëheqja ime nga organet drejtuese të LDK-së. Ky nuk është akt emocional, por një qëndrim politik parimor në mbrojtje të statutit, standardeve dhe identitetit politik të LDK-së.

Të gjithë ne që kemi përgjegjësi politike para elektoratit të LDK-së kemi për obligim të sigurojmë një proces gjithëpërfshirës, transparent dhe statutar të zgjedhjes së lidershipit të ri të LDK-së. Secili nga ne, përfshirë anëtarët e Kryesisë, të Këshillit të Përgjithshëm, kryetarët e degëve dhe delegatët e Kuvendit të LDK-së, kemi përgjegjësi për t’i dhënë LDK-së drejtimin e duhur.

E rëndë: 28-vjeçari nga Kosova humb jetën në një aksident në Slloveni

Një 28 vjeçar nga Kosova e ka humbur jetën në Slloveni si pasojë e një aksidenti të rëndë që ka ndodhur në Slloveni.

Bëhet fjalë për Leunit Kastratin, nga ky fshat i Malishevës.

“Lusim Zotin që në këto momente të vështira t’ua lehtësojë dhembjen familjarëve që u goditën nga kjo tragjedi e rëndë. Për kohën e varrimit do t’ju njoftojmë me kohë”, shkruan në postimin e fshati Turjakë

Lidhur me këtë ngjarje tragjike kanë raportuar edhe mediat në Slloveni.

Aksidenti ndodhi kur një autocisternë me karburant është përmbysur dhe është përfshirë nga flakët në autostradën A1, mes Lubjanës dhe Mariborit, pranë Slovenska Bistricës, në verilindje të vendit.

Pos viktimës, edhe dy persona të tjerë janë lënduar.

Sipas policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 08:00 të mëngjesit.

Shoferi i autocisternës, i cili po udhëtonte në drejtim të Mariborit, ka humbur kontrollin mbi mjetin, është përplasur me barrierën ndarëse të korsive dhe është përmbysur në kahun e kundërt të autostradës, ku më pas është përplasur edhe një furgon.

Shkaqet se pse drejtuesi i autocisternës humbi kontrollin e mjetit mbeten ende të paqarta.

Nga rinumërimi, një kandidat për deputetet pothuajse humbet mandatin

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar rinumërimi i 158 vendvotimeve nga 914 vendvotimeve në total. Ky proces që ka filluar qe katër ditë, ka filluar të shpërfaq mospërputhjet e votave të kandidatëve për deputetë të subjekteve të ndryshme politik

Një diferencë prej 231 votash, u regjistrua për Filiz Mustafën, kandidat për deputet nga radhët e Vetëvendosjes, pas rinumërimit të fletëvotimeve në komunën e Dragashit.

231 vota më pak se numërimi fillestar, Mustafës mund t’i kushtojë me humbjen e mandatit të deputetit.

Kjo komunë ishte në mesin e komunave të cilat iu nënshtruan 100% procesit të rinumërimit të fletëvotimeve, pas dyshimeve për manipulim të rezultateve.

Edhe në komunën e Kaçanikut, të gjitha fletëvotimet iu nënshtruan po ashtu rinumërimit të votave.

Dallim në vota u shënua edhe në këtë komunë, ku kandidatit për deputet, Jeton Raka, pas rinumërimit iu zvogëluan votat për gati 100 sosh.

Mirëpo, ky rinumërim nuk ia rrezikon atij postin e deputetit.

Jo vetëm Dragashit dhe Kaçanikut, po iu numërohen për herë të dytë votat.

Edhe disa komuna të tjera po i nënshtrohen këtij procesi në Qendrën për Numërim dhe Rezultate. Procesimi i rinumërimit të tyre nuk ka përfunduar ende.

Sipas të dhënave të KQZ-së të orës 16:00, nga e hëna janë rinumëruar 158 vendvotime nga 914 në total.

Këto u takojnë komunave të Dragashit (57), Deçanit (5), Kaçanikut (44), Gjilanit (13) , Gjakovës (15), Drenasit (7), Istogut (6), Klinës (5) Mitrovicës sw Jugut (3) dhe Fushë Kosovës (3).

Me vendim të KQZ-së, pas dyshimeve për mospërputhje të votave mes kandidatëve për deputetë të subjekteve të ndryshme politike, po rinumërohen 100% e vendvotimeve në 10 komuna, dhe në 28 komuna 10% e vendvotimeve të tyre.