Nga rinumërimi, një kandidat për deputetet pothuajse humbet mandatin

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar rinumërimi i 158 vendvotimeve nga 914 vendvotimeve në total. Ky proces që ka filluar qe katër ditë, ka filluar të shpërfaq mospërputhjet e votave të kandidatëve për deputetë të subjekteve të ndryshme politik

Një diferencë prej 231 votash, u regjistrua për Filiz Mustafën, kandidat për deputet nga radhët e Vetëvendosjes, pas rinumërimit të fletëvotimeve në komunën e Dragashit.

231 vota më pak se numërimi fillestar, Mustafës mund t’i kushtojë me humbjen e mandatit të deputetit.

Kjo komunë ishte në mesin e komunave të cilat iu nënshtruan 100% procesit të rinumërimit të fletëvotimeve, pas dyshimeve për manipulim të rezultateve.

Edhe në komunën e Kaçanikut, të gjitha fletëvotimet iu nënshtruan po ashtu rinumërimit të votave.

Dallim në vota u shënua edhe në këtë komunë, ku kandidatit për deputet, Jeton Raka, pas rinumërimit iu zvogëluan votat për gati 100 sosh.

Mirëpo, ky rinumërim nuk ia rrezikon atij postin e deputetit.

Jo vetëm Dragashit dhe Kaçanikut, po iu numërohen për herë të dytë votat.

Edhe disa komuna të tjera po i nënshtrohen këtij procesi në Qendrën për Numërim dhe Rezultate. Procesimi i rinumërimit të tyre nuk ka përfunduar ende.

Sipas të dhënave të KQZ-së të orës 16:00, nga e hëna janë rinumëruar 158 vendvotime nga 914 në total.

Këto u takojnë komunave të Dragashit (57), Deçanit (5), Kaçanikut (44), Gjilanit (13) , Gjakovës (15), Drenasit (7), Istogut (6), Klinës (5) Mitrovicës sw Jugut (3) dhe Fushë Kosovës (3).

Me vendim të KQZ-së, pas dyshimeve për mospërputhje të votave mes kandidatëve për deputetë të subjekteve të ndryshme politike, po rinumërohen 100% e vendvotimeve në 10 komuna, dhe në 28 komuna 10% e vendvotimeve të tyre.

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj S.R., i cili u arrestua një ditë më parë nën dyshimet për sulm ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe të Policisë së Kosovës më 2023.

Gjykata tha se vendimi për paraburgim ishte masë adekuate për shkak të rrezikut se nëse i pandehuri do të lihej në liri, ai do të mund të arratisej, pasi që ka edhe nënshtetësi të Serbisë dhe “në këtë mënyrë do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë”. Po ashtu, duke argumentuar masën e paraburgimit, Gjykata tha se nëse S.R. do të lihej në liri ai do të mund të asgjësojë apo ndryshojë provat dhe të pengojë hetimet.

Sipas njoftimit, S.R. dyshohet se më 29 maj të vitit 2023, nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin e Komunës së Zveçanit, në koordinim me të dyshuar tjerë serbë nga Kosova dhe Serbia, përmes dhunës kanë tentuar që të “pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit” dhe përkundër urdhrave të KFOR-it për shpërndarjen e qetë të turmës, ai dhe të tjerët kanë ushtruar dhunë ndaj tyre.

Sipas Gjykatës Themelore, i pandehuri dhe serbët e tjerë kanë përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri, “nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, tre nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovë, si dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe”.

S.R. ka të drejtë që të ankohet për këtë vendim në Gjykatën e Apelit.

Ai u arrestua të mërkurën gjatë një aksioni të prokurorëve dhe hetuesve policorë nga Drejtoria për Krime të Rënda dhe Krim të Organizuar.

“Në vendbanimin e të dyshuarit është zbatuar urdhër kontrolli, ku janë gjetur prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës penale”, u tha në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës të publikuar më 14 janar.

Ai dyshohet për disa vepra penale, sikurse bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, si dhe sulm ndaj personit zyrtar.

Më shumë se 90 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë në maj të vitit 2023 në Zveçan. Të lënduar kishte edhe në anën e protestuesve.

Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët lokalë.

Për ngjarjet në Zveçan, janë arrestuar dhe akuzuar dhjetëra persona, dhe disa janë dënuar me burgim pas marrëveshjeve me prokurorinë për pranimin e fajësisë.

Për dhunën në Zveçan, Kosova e ka fajësuar Serbinë, duke thënë se pas dhunës qëndruan “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, Beogradi e ka hedhur poshtë këtë akuzë, duke thënë se Qeveria e Kosovës po synonte që të shtynte serbët “drejt një konflikti të ri me NATO-n”.

NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës.

Policia me aksion në veri, arrestohen 3 persona

Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion në tri lokale në Zubin Potok, të cilat dyshohen se ishin përdorur për organizimin e lojërave të fatit.

Detaje për aksionin ka dhënë për Sinjalin zëvendësdrejtori i Policisë për veriun, Veton Elshani.

Ai ka treguar se tre nga pesë të dyshuarit po intervistohen nga policia, ndërsa janë marrë në pyetje edhe pesë dëshmitarë.

“Me datën 15.01.2026 njësia e hetimeve e stacionit policor në Zubin Potok, në kuadër të DRP Mitrovicë Veri, ka pranuar një informatë nga rrugët operative se në tri lokale në qytetin e Zubin Potokut po zhvilloheshin veprimtari të kundërligjshme, konkretisht organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. Njësia e hetimeve e stacionit policor Zubin Potok, me asistimin e njësive relevante të DRP Mitrovicë Veri, ka kryer bastisjen në të tri lokalet”, deklaroi Elshani.

Ai shtoi se gjatë kontrollit janë gjetur pajisje teknologjike që mundësojnë zhvillimin e lojërave të fatit

“Janë të dyshuar pesë persona, ku tre prej tyre janë duke u intervistuar, ndërsa dy të tjerët nuk janë hasur aty, por janë të njohur për policinë. Po ashtu janë intervistuar edhe pesë dëshmitarë. Është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që të iniciohen tri raste për ‘Organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’, të sanksionuara me nenin 294 të KPRK-së”, përfundoi Elshani.

Walker: Thaçi më tha se kritikat e mia nuk e zemëronin, që atëherë u bëmë miq edhe më të mirë

Ish-ambasadori William Walker ka rrëfyer se ish-presidenti Hashim Thaçi i kishte thënë se “asnjëherë nuk ishte zemëruar me kritikat që ky i fundit ia bënte”.

Walker thotë në një emision të televizonit7 se që prej atëherë “u trash miqësia mes tij dhe Thaçit”.

“Deri vonë isha kritik me Hashim Thaçin dhe qeverinë e tij. Dëgjoja storie korrupsioni jo kundër tij, por ndaj disa ministrave, dhe isha kritik. Mendoja se po bëheshin shumë lëshime ndaj kërkesave të SHBA-së dhe BE-së. Kur erdha këtu rreth 10 vite më parë, ai më shpjegoi se nuk ishte i zemëruar me mua dhe kritikat e mia ndaj qeverisë së tij sepse e kuptonte që unë po e bëja për të mirën e Kosovës. Më pas, ne u bëmë miq më të mirë nga atëherë”, tha ish-ambasadori.

Imami i njohur nga Ferizaji habitet kur sheh faturën e rrymës: Do të jepni llogari para Zotit

Ankesat për çmime të fryra të faturave të energjisë janë shpeshtuar, sidomos në sezonin e dimrit.

Një ankesë të tillë e ka pasur edhe imami Ardian Sejdiu, i cili është imam i xhamisë “Koha” në Gaçkë të Ferizajt, i cili ka publikuar faturën e fundit të xhamisë e cila ka ardhur rreth 700 euro, transmeton Zeri.info.

Imam Sejdiu ka hedhur dyshime për keqpërdorim para fryrje të faturave.

“Wow! Me qindra ndërprerje gjatë muajit, e dobët dhe jo stabile, megjithatë rryma në Xhaminë “KOHA” vjen me kosto të madhe – 677.54 €. ! Dikush për këtë keqpërdorim dhe fryrje të çmimit, një ditë ka me dhënë llogari para të Madhit Zot!”, ka shkruar ai. /Zëri

Caktohen datat për deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Specialja del me njoftim

Nga 9 deri me 13 shkurt dhe nga 16 deri me 18 shkurt janë datat kur në Gjykatën Speciale do të paraqiten deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Këto seanca, gjatë këtyre ditëve pritet që të mbahen nga ora 09:00 deri në orën 16:30.

Specialja në komunikatën për media, ka njoftuar edhe se në rendin e ditës parashikohet të jenë deklaratat përmbyllëse të prokurorisë.

Ndërsa pas kësaj, do të jenë deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes së Thaçit, asaj të Veselit, të Selimit e Krasniqi.

Ndërron jetë studentja e Fakultetit Teknik

Ka ndërruar jetë Habibe Arapi.

Lajmi u publikua dje nga Fakulteti Teknik.

Më poshtë postimi:

NJOFTIM

Me dhimbje të madhe njoftojmë ndarjen nga jeta të studentes sonë në degën Inxhinieri Elektrike, Habibe Arapi. Largimi i saj i parakohshëm ka prekur thellë gjithë komunitetin universitar. Mendimet dhe ngushëllimet tona janë me familjen, miqtë dhe shokët e saj.

Ceremonia e përcjelljes behet sot më 14.01.2026 në orën 14:00 në Biçakaj, Lushnje.

U prehtë në paqe. 🕊️

Ankesa e PDK-së për votat me postë, Supremja shpall vendimin

Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

PDK kishte kërkuar nga Supreme të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të anulojë të gjitha fletëvotimet e pranuara me postë, pas datës 29.12.2026, ora 16:00 dhe të përjashtojë nga numërimi të gjitha fletëvotimet me postë të pranuara pas këtij afati, përfshirë ato të pranuar më 02.01.2026 dhe 05.01.2026, si dhe të bëjë rishikimin e rezultatit zgjedhor, pa përfshirjen e këtyre fletëvotimeve, shkruan Reporteri.net.

Ankesa e PDK’së është rrëzuar si e pasafatshme.

“Gjykata Supreme e Kosovës e vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, dhe pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjeti se ankesa është e pathemeltë. Gjykata Supreme, nisur nga gjendja faktike dhe ligjore e çështjes, e pranon në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së, me të cilin e ka hedhë poshtë si të pas-afatshme ankesën e subjekti politik: Partia Demokratike e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas Supremes, afatet ligjore janë garanci për palën ankuese dhe detyrim për organet përgjegjëse për shqyrtimin e ankesave brenda afatit kohor, “ndërsa veçanërisht afatshmëria e ankesave në procesin zgjedhor është jetike për t’u përmbyllur si i tillë dhe të mos ketë prolongime kohore”.

Suedia nis trupa për në Grenlandë

Oficerë të armatosur suedezë u nisën të mërkurën drejt Grenlandës me kërkesë të Danimarkës, njoftoi kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson.

Nuk është e qartë se sa oficerë do të dërgojë Stokholmi, por kryeministri suedez tha se ata janë pjesë e një grupi që përbëhet nga pjesëtarë të forcave të vendeve aleate, raporton televizioni BBC.

“Së bashku, ata do të përgatiten për elementet në ardhje brenda kornizës së ushtrimit danez, Operacioni Qëndresa Arktike” – tha Kristerssoni në një deklaratë të publikuar në internet.

Ditëve të fundit, Suedia i ka dalë në mbrojtje vendit fqinj, Danimarkës, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i përtëriu planet për ta marrë nën kontroll Grenlandën, territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës.

Në një deklaratë të re, Danimarka tha se forcat e saj të armatosura “do ta zgjerojnë praninë e tyre” në Grenlandë dhe se një gjë e tillë do të bëhet “në bashkëpunim të ngushtë me aleatët”.

Ministri i Mbrojtjes i Danimarkës, Troels Lund Poulsen, tha se “siguria në Arktik është me rëndësi jetike” për vendin e tij dhe se, së bashku me aleatët evropianë dhe të Arktikut, Danimarka “do të eksplorojë në javët në vijim se si prania e shtuar dhe aktiviteti me ushtrime në Arktik mund të zbatohet në praktikë”.

Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë tha se do të dërgojë 13 trupa në një mision zbulimi me vende të tjera evropiane. Misioni do të realizohet nga e enjtja deri të shtunën, me kërkesë të Danimarkës.

Peci e nis ditën me tri vendime e “kërcënime”

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Faton Peci, ka nisur sot ditën me tri vendime. Peci ka bërë të ditur se objektet e ndërtuara pa leje do të rrënohen. Ndërkaq lejet ndërtimore të dhëna kundërligjshëm gjatë fushatës, por edhe të tjera, do të revokohen.
Peci po ashtu ka thënë se do të lirohen dhe pronat komunale të uzurpuara.

“Objektet e ndërtuara pa leje do të rrënohen. Lejet ndërtimore të dhëna kundërligjshëm gjatë fushatës, po edhe të tjera, do të revokohen. Pronat komunale të uzurpuara do të lirohen”, ka thënë Peci.