Deri tash, Diaspora ia shtoi tri ulëse Vetëvendosjes

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vijuar me publikimin e rezultateve të votimit me postë. 

Sipas përditësimit të fundit të KQZ-së në ora 22:41, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar ulësen e 51-të. AAK ndërkohë ka humbur një ulëse dhe ka rënë në 7-të.

Deri më tani janë numëruar 19,23% të votave me postë. LVV-ja ka marrë 7,402 vota; Lidhja Demokratike e Kosovës 1,808; Partia Demokratike e Kosovës 722 vota kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 501 vota

Rasti “Reçaku II”, Policia e Kosovës arreston pesë persona

Në kuadër të hetimeve për krime lufte, Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka realizuar një operacion policor që ka rezultuar me arrestimin e pesë personave.

Sipas njoftimit në Facebook, operacioni lidhet me rastin e njohur si “Reçaku II”.

Gjatë aksionit, PSRK thotë se janë ekzekutuar urdhër-kontrolle në disa lokacione të ndryshme.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës do të mbajnë një konferencë për media, gjatë së cilës do të ofrohen informacione shtesë lidhur me këtë operacion”, thuhet në njoftim.

Vetëvendosje i merr një ulëse AAK-së, ky deputet mbetet jashtë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vijuar numërimin e votave të ardhura me postë, proces që po sjell ndryshime në përbërjen e Kuvendit.

Sipas të dhënave të fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar ulësen e 51-të, duke fituar një mandat shtesë në dëm të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka zbritur në 7 ulëse.

Deri më tani janë numëruar rreth 23 për qind e votave me postë, ku LVV prin bindshëm me 9,119 vota, e ndjekur nga LDK me 2,210 vota, PDK me 876 vota dhe AAK me 570 vota.

Si pasojë e këtij rezultati, nga radhët e AAK-së jashtë përbërjes së Kuvendit mbetet kandidati Bekë Berisha, i cili nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për mandat.

Procesi i numërimit të votave me postë pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, çka mund të sjellë ndryshime të tjera në ndarjen përfundimtare të ulëseve.

“Çka don ky njeri nga Kosova”, Haradinaj për Kurtin: Ia hapi tregun Serbisë dhe refuzoi gazin amerikan

Kandidati për deputet i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti lidhur me heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe, anulimin e projektit energjetik me ContourGlobal dhe refuzimin e projektit amerikan të gazit.

Sipas Haradinajt, këto vendime kanë ndikuar në rritjen e importit të mallrave nga Serbia dhe të energjisë elektrike në Kosovë, ndërsa ka përmendur raportimet për kamionë me mallra serbe që presin të hyjnë në vend.

Ai ka ngritur pyetje nëse Kurti është kundër projektit amerikan të gazit, duke e akuzuar se me politikat e tij po i garanton Serbisë tregun e mallrave dhe atë energjetik në Kosovë

Postimi:

Më 21 nëntor 2018, si Kryeministër i Qeverisë Haradinaj, vendosa taksën 100% ndaj mallrave të Serbisë.

Më 1 prill 2020, Albin Kurti e hoqi taksën dhe e hapi tregun për mallrat serbe.

Më 20 dhjetor 2017, nënshkrova projektin me ContourGlobal për ta bërë Kosovën të pavarur energjetikisht nga Serbia.

Në vitin 2020, Albin Kurti e anuloi këtë projekt, duke i hapur derën importit të rrymës nga mafia energjetike e kontrolluar nga Serbia.

Në vitet 2021–2022, Kurti refuzoi edhe projektin amerikan të gazit.

Më 14 qershor 2026, mediat raportojnë për dhjetëra kamionë me mallra nga Serbia që presin të hyjnë në Kosovë. Ndërkohë, vetëm gjatë vitit të kaluar, Kosova importoi energji elektrike në vlerë prej rreth 259 milionë euro.

Tash, kur është riaktualizuar çështja e gazit, njerëzit e tij po përgatiten për protesta kundër gazit amerikan.

Kush është ky njeri? A është me të vërtetë kundër gazit apo kundër Amerikës? Tregun e mallrave ia dha Serbisë, ndërsa tregun energjetik po ia garanton

Çka don ky njeri nga Kosova?

Lajm i trishtë: Vdiq mësimdhënësja e njohur mitrovicase

Ka vdekur veteranja mitrovicase e arsimit, Shaha Salihu, shkruan Mitrovica SOT

Për shumë vite dha kontribut të çmuar në arsim dhe gëzonte respekt të madh në mesin e kolektivit.

Lajmin e dha djali i saj, njëherësh drejtori i Zyrës për Punësim, Besmir Salihu.

Varrimi i të ndjerës bëhet sot nga ora 13:00 në varrezën e qytetit në Shipol.

Postimi:

إِنَّا لِلَّهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ

“Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi”.
Me dhimbje të thellë i njoftojmë familjarët, miqtë dhe dashamirët se sot na la më e shtrenjta jonë, Nana ime Shaha Salihu.

Lusim Allahun e Madhërishëm ta mëshirojë me mëshirën e Tij, e ta shpërblejë me Xhenetet e Tij, shpirtin e bardhë të saj!

Varrimi i Nanës bëhet sot në ora 13:00 (me drekë), datë 14.06.2026, në varrezat e qytetit në Shipol – Mitrovicë.

Nanë, prej sot për ne ditët e as jeta nuk e ka më të njejtin kuptim! Nanë, më le boshllëk që ka me m’shoqëru deri në frymën e fundit të jetës tem. Atëhere, kur përsëri bëhemi bashkë e pres me të përqafu e me ta ni erën edhe njëher, Nanë, Ti drita e shpirtit tem e udhërrëfyesja e secilës ditë të jetës tem🫂! T’du përjetshëm e përmallshëm, oj Nanë😭💔.

Marrëveshja pritet të firmoset sot, Irani del fitues nga pakti me Shtetet e Bashkuara

Kushtet e një memorandumi të propozuar për t’i dhënë fund luftës në Gjirin Persik, të përcaktuara nga burime perëndimore, pakistaneze dhe iraniane të premten, duket se e favorizojnë fuqimisht Iranin, duke marrë kritika nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili i quajti raportet të pasakta.

Versionet dhe rrëfimet e memorandumit iu dhanë Reuters nga burime perëndimore, burime nga Pakistani ndërmjetës dhe burime të larta iraniane. Ato u botuan gjithashtu në mediat iraniane.

Të gjitha burimet theksuan se teksti nuk ishte ende përfundimtar, me një burim perëndimor, një burim iranian dhe një burim nga Gjiri Persik që thanë se një çështje kyçe që ende nuk është zgjidhur ishte gjuha mbi ndërprerjen e armiqësive në Liban. Irani ka kërkuar që Izraeli të përfundojë një fushatë kundër aleatëve të Iranit, milicisë Hezbollah.

Ndërsa kishte dallime të vogla në reagime, të gjitha versionet duket se pranonin kushtet kryesore të propozuara nga Teherani dy muaj më parë gjatë negociatave fillestare ballë për ballë, të cilat më parë ishin refuzuar vazhdimisht nga Uashingtoni. Në një postim në rrjetet sociale, Trump nuk tha se çfarë ishte e pasaktë në raportimet mbi marrëveshjen e propozuar, por tha: “Kushtet që Irani i zbuloi lajmeve të rreme NUK kanë të bëjnë ASNJË me kushtet për të cilat u ra dakord, me shkrim.” “Njerëz shumë të pandershëm për t’u marrë me ta,” tha ai për iranianët.

Sipas kushteve të përshkruara nga burimet për Reuters, Shtetet e Bashkuara do t’i siguronin menjëherë Iranit miliarda dollarë në asete të pangrira dhe do të hiqnin dorë nga sanksionet mbi eksportet e naftës, në këmbim të heqjes së bllokadës së Ngushticës së Hormuzit nga Irani, e cila është kryesisht e mbyllur që nga fillimi i luftës.

Çdo diskutim mbi kërkesat kryesore të SHBA-së në lidhje me programin bërthamor të Iranit do të lihej mënjanë për më vonë gjatë një periudhe 60-ditore bisedimesh mbi një zgjidhje përfundimtare. E vetmja referencë e qartë për politikën bërthamore për momentin do të ishte një rideklarim i angazhimit të Iranit prej dekadash për të mos kërkuar armë bërthamore, i bërë për herë të parë kur ratifikoi Traktatin e OKB-së për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore në vitin 1970.

Ndër koncesionet kryesore të SHBA-së të përfshira në drafte do të ishte diskutimi i qindra miliarda dollarëve në dëmshpërblime të mundshme lufte për Teheranin dhe heqja dorë nga kërkesat e hershme për frenimin e programit të raketave të Iranit. Një burim perëndimor tha se nëse mund të arrihet një marrëveshje për gjuhën, memorandumi mund të nënshkruhet që të dielën nga zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance dhe kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammed Baqer Qalibaf, me Gjenevën që shihet për momentin si vendi më i mundshëm.

Gjykata Speciale merr vendim të ri për Hashim Thaçin

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim në Hagë, pasi Gjykata Speciale ka vendosur t’ia zgjasë masën e ndalimit.

Vendimi është marrë më 10 qershor, ndërsa sipas dokumenteve të publikuara nga gjykata, mbrojtja e Thaçit nuk ka paraqitur kundërshtime lidhur me vazhdimin e paraburgimit.

Prokuroria e Specializuar ka argumentuar se ende ekziston rreziku që Thaçi të arratiset, duke theksuar se ai është i vetëdijshëm për akuzat me të cilat përballet. Po ashtu, prokuroria ka përmendur edhe pretendimet për ndërhyrje në proceset gjyqësore.

Në vendimin e tij, gjyqtari Charles Smith rikujtoi gjithashtu se afati për shpalljen e aktgjykimit në këtë rast është shtyrë deri më 20 korrik.

Hashim Thaçi u arrestua në nëntor të vitit 2020 dhe që nga ajo kohë po mbahet në paraburgim në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Nga LVV në PDK, ja sa vota arriti të sigurojë Aida Dërguti deri tani

Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti, ka arritur të sigurojë 5,310 vota në zgjedhjet parlamentare si kandidate e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Dërguti, e cila vite më parë ishte një nga figurat më të njohura të Vetëvendosjes dhe mbajti mandat deputeteje në Kuvendin e Kosovës, kësaj radhe vendosi të garojë nën siglën e PDK-së, duke shënuar rikthimin e saj në një garë zgjedhore pas një periudhe të gjatë angazhimi kryesisht në debatet publike dhe analizat politike.

Sipas rezultateve preliminare të deritanishme, ajo ka grumbulluar 5,310 vota, rezultat ky që aktualisht duket relativisht i ulët për të siguruar një ulëse në Kuvend nga lista e PDK-së.

Megjithëse një vlerësim përfundimtar mund të bëhet vetëm pasi të publikohen rezultatet e plota dhe renditja e kandidatëve brenda PDK-së.

Rezultat interesant në Burojë, sa vota mori Albin Kurti në fshatin e Hashim Thaçit?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuarvotat aktuale të kandidatëve për deputetë.

Në këtë mënyrë, janë publikuar edhe votat që kryeministri Albin Kurti ka marrë në Burojë, fshatin e ish-presidentit Hashim Thaçi.

Sipas këtyre rezultateve, Kurti në këtë fshat ka marrë 28 vota.

VV-ja arrin në 51 deputetë, tashmë më e madhe se e gjithë opozita bashkë

Numërimi i votave nga diaspora po vazhdon t’i ndryshojë raportet e forcave në Kuvendin e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar tashmë 51 ulëse parlamentare, duke fituar edhe një mandat shtesë nga votat me postë.

Mandati i fundit i fituar nga partia e Albin Kurtit ka ardhur në kurriz të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka humbur një deputet dhe ka zbritur në shtatë ulëse, shkruan Gazeta Imazhi.

Me këtë rezultat, Vetëvendosje jo vetëm që forcon pozitën si partia më e madhe në vend, por tashmë ka më shumë deputetë se të gjitha partitë opozitare shqiptare së bashku. Ky është një zhvillim i rëndësishëm politik, që dëshmon ndikimin e madh të votës së diasporës në rezultatin përfundimtar zgjedhor.

Trendi aktual i numërimit mbetet në favor të VV-së. Nëse përqindja e mbështetjes nga votat e mbetura vazhdon në ritmin e deritanishëm, ekziston mundësia që partia e Kurtit të fitojë edhe një ose dy mandate të tjera, duke e rritur më tej epërsinë në Kuvend.

Megjithatë, gjithçka do të varet nga votat që ende nuk janë numëruar, por një gjë tashmë duket e qartë: diaspora po rezulton vendimtare në forcimin e pozitës parlamentare të Vetëvendosjes.