div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-3 category-paged-3 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Mbi 405 mijë fëmijë përfituan shtesa në prill 2026

Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për skemat e mirëqenies sociale për muajin prill 2026, ku rezulton se numri më i madh i përfituesve ishte nga skema e shtesave për fëmijë, shkruan Indeksonline.

Sipas të dhënave, nga kjo skemë kanë përfituar gjithsej 405 mijë e 722 fëmijë, ndërsa vlera e mjeteve të shpërndara ka arritur në mbi 14.7 milionë euro.

Në kategorinë e pensioneve bazike të moshës janë regjistruar 164 mijë e 187 përfitues, me pagesa që kapin shumën prej mbi 25.9 milionë euro. Ndërkaq, pensionet kontributpaguese të moshës kanë përfshirë 48 mijë e 76 përfitues, me mbi 11.7 milionë euro të paguara.

Sipas të dhënave të muajit prill 2026, struktura e përfituesve nga skemat e mirëqenies sociale vazhdon të ketë fokus mbështetjen e të moshuarve, kategorive të dala nga lufta dhe familjeve në nevojë sociale.

Po ashtu, nga skema e veteranëve kanë përfituar mbi 39 mijë persona, ndërsa nga skema e ndihmës sociale mbi 15 mijë familje. Raporti përfshin edhe kategori të tjera si pensionet familjare, pensionet paraplegjike dhe tetraplegjike, pensionet për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, si dhe skemat për personat me aftësi të kufizuara.

Tahiri: Gjatë kësaj qeverie, është bërë tregti rryme mbi 1 miliard euro

Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri është shprehur se duhet të bëhen investime të cilat e bëjnë Kosovën superfuqi energjetike.

Ai për emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova u shpreh se qëndrueshmëria energjetike në Kosovë është jetike.

“Duhet të bëhen investime të cilat do ta bëjnë Kosovën superfuqi energjetike. Investime shumë të sakta të cilat ndërlidhen drejtpërdrejtë edhe me pastërtinë, po njëkohësisht edhe me energjinë e pastër, në anën tjetër projekti i dytë shumë i madh është projekti i gazit amerikan, ndërlidhja me gypa dhe pastaj ndalja në Ferizaj për të bërë atë centralin e gazit”, tha ai.

Tahiri gjithashtu u shpreh se gjatë kësaj qeverie, është bërë tregti rryme mbi 1 miliard euro.

“Qëndrueshmëria energjetike e Kosovës është jetike, nuk është vetëm siguri që do të kemi rrymë, por është siguri e një vendi mos me qenë në dorë të tregtarëve të cilët për gjatë kësaj qeverie, diku kanë blerë rrymë, apo është bërë tregti rryme mbi 1 miliard euro, me 1 miliard euro i kishim kryer të dyjat”, u shpreh ai.

Sot ekzekutohen këto pagesa

Sot pritet të ekzekutohen pagesat e shtesave për fëmijët për mijëra familje në Kosovë.

Qytetarët që janë përfitues të kësaj skeme do t’i kenë mjetet të transferuara në llogaritë e tyre bankare gjatë ditës.

Shtesat për fëmijë vazhdojnë të mbeten një nga mbështetjet sociale më të rëndësishme për familjet në vend, ndërsa pagesat realizohen çdo muaj nga institucionet përgjegjëse.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës gjatë viteve të fundit ka bërë ndryshime në skemën e shtesave për fëmijë, duke rritur përfitimet për familjet me më shumë fëmijë.

BIK njofton: Kurban Bajrami më 27 maj 2026, ja orari i faljes në Kosovë

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka njoftuar besimtarët myslimanë dhe opinion e gjerë se dita e parë e festës së Kurban Bajramit, është ditën e mërkurë, më 27 maj 2026.

Në njoftim bëhet e ditur se manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë

BIK ka njoftuar se manifestimi fillon në orën 4:25, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste, të cilën do ta mbajë Arbnor ef. Sinani – kryeimam i Këshillit të Bashkësisë Islame në Skenderaj.

Ndërsa, namazi i Kurban Bajramit falet në orën 5:40, të cilit do t’i prijë Mustafë ef. Dallku, ndërsa hytben – mesazhin e Kurban Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava.

“Me rastin e festës së Kurban Bajramit, ditën e parë, më 27 maj 2026, Kryesia e BIK-ut, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë ua uron festën e Kurban Bajramit, duke e lutur Zotin që të na pranoj haxhin, kurbanin, lutjet dhe ibadetet tona. Me fat festa e Kurban – Bajramit!”, thuhet në njoftim.

Valdete Daka ngre dilemën: A duhet kandidatët me aktakuza të kërkojnë votën?

Gjatë debatit për kredibilitetin e listave të kandidatëve të partive politike për zgjedhjet e 07.06.2026, ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se përgjegjësia morale e kandidatëve ndaj qytetarëve mbetet e rëndësishme.

Daka potencoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte zbatuar për herë të parë në vitin 2021 dispozitat ligjore që ndalonin kandidimin e personave të dënuar në tri vitet e fundit.

“KQZ-ja për herë të parë në vitin 2021 me sa më kujtohet e ka zbatu ligjin i cili në atë kohë ka thënë që çdo person i cili është i dënuar në tre vitet e fundit nuk mundet me qenë pjesë e listave të cilitdo subjekt politik.”– tha Daka.

Sipas saj, kjo pati sjellë reagime të shumta, sidomos te subjektet që kishin zyrtarë me dënime të plotfuqishme.

“Kjo ka ngritur në atë kohë debat të mëdha, po edhe moskënaqësi, sidomos nga partia e cila është prek atëherë shumë, sepse krerët e asaj partie kanë qenë të gjithë me dënime të plotfuqishme dhe nuk kanë mundur me marrë pjesë në zgjedhjet e vitit 2021. Megjithatë, ajo shtoi se kandidimi i personave me aktakuza ngre dilema etike.” – shtoi tutje ajo.

Daka shtoi se më vonë kishte pasur edhe pengesa juridike për zbatimin e këtyre dispozitave, duke përmendur në debat një aktgjykim të Gjykatës Supreme të Kosovës.

“KQZ-ja në fakt e ka pasur obligim ligjor gjithmonë që ta zbatojë këtë dhe ka tentu edhe një herë me e zbatu, mirëpo ka qenë atëherë, nëse ju kujtohet një aktgjykim i Gjykatës Supreme, i cili ka qenë për mua aktgjykim fatkeq, i cili na ka ndalu këtë dhe pastaj KQZ-ja nuk e ka zbatuar ligjin në atë drejtim. Këtu po flas për aktgjykime të formës së prerë. Ajo sqaroi se ndalimi ligjor vlen për personat e dënuar me aktgjykime të formës së prerë, ndërsa për rastet me aktakuza vlen parimi kushtetues i prezumimit të pafajësisë.” – potencoi Daka.

Megjithatë, ajo tha se përtej aspektit penal ekziston edhe përgjegjësia morale e kandidatëve ndaj qytetarëve që kërkojnë t’i përfaqësojnë.

“Kur flasim te listat zgjedhore besoj që kemi një lloj përgjegjësie morale më tepër se atë penale sepse për penale tashmë e dimë që nuk munden me qenë pjesë e listave po është edhe përgjegjësi morale ndaj atyre të cilët do të dalin të votojnë.” – u shpreh Daka.

Tutje, sipas Dakës, kandidatët që përballen me aktakuza duhet të reflektojnë kur kërkojnë votën e qytetarëve të Kosovës.

“Nëse unë pretendoj të bëhem deputet në parlament dhe ta përfaqësoj popullin, ndërsa në ndërkohë përplasem me aktakuza për vepra penale, sa është e moralshme që unë ta kërkoj votën e qytetarëve?” – deklaroi Valdete Daka.

Ajo foli edhe për “dëshirën” për kapjen e prokurorisë.

“Nuk e di nëse qytetarët e kuptojnë sa e frikshme është dëshira për kapjen e prokurorisë. Nuk janë të vetëdijshëm që, kur kapet prokuroria e një shteti, praktikisht e ke kapur shtetin”- ka thënë ajo.

Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 07.06.2026, pasi që Kuvendi dështoi ta zgjedh Presidentin e vendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Lista e Votuesve përbëhet nga 2 milionë e 92 mijë e 174 votues derisa në këtë listë janë 15 mijë e 884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur më 28.12.2025.

Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, prej të cilave 911 qendra me 2,498 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

Gjithashtu, KQZ njofton për procesin zgjedhor jashtë vendit se përveç votimit me postë, ai do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime. Votimi fizik në këto përfaqësi do të zhvillohet më 06.06.2026.

Gjithashtu sipas KQZ-së bëhet e ditur se kanë vënë në funksion kuti postare në 22 shtete të botës siç janë: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mali të Zi, Maqedoni e Veriut, Mbretëri e Bashkuar, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër. Po ashtu, është funksionale edhe kutia e përhershme postare KQZ-së në Kosovë.

Hysni Gucati reagon ashpër ndaj deklaratës së Fitore Pacollit: Askush s’mund ta njollosë luftën çlirimtare

Hysni Gucati ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Fitore Pacollit, duke i cilësuar ato si fyese dhe të papranueshme për historinë e luftës çlirimtare.

Ai tha se është “e tmerrshme” të dëgjosh pretendime se Kosova është mbrojtur nga figura si Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj, derisa sipas tij, deklarata të tilla vijnë nga njerëz që “nuk kanë dhënë asnjë kontribut për Kosovën”.

Sipas Gucatit, Kosova nuk është “mall tregtie” dhe as pronë e askujt për t’u përvetësuar politikisht.

Postimi i tij;

Të thuash se e kemi mbrojtur Kosovën nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj është e tmerrshme kjo të dëgjosh nga një ministre që ska dhënë asnjë kontribut për Kosovën.

Kosova nuk është mall tregtie që mund të shitet, as pronë ekskluzive e askujt për t’u përvetësuar. Ajo është projektuar me gjakun e dëshmorëve, është ngritur mbi sakrificën e brezave të tërë dhe është mbrojtur nga bijtë e bijat më të mirë të këtij populli në ditët tona më të rënda.

​Përpjekja për të ndërtuar të ardhmen duke përdhosur apo dënuar në bllok ata që i dolën zot atdheut atëherë kur mbijetesa ishte në fije të peut, nuk i shërben as të vërtetës e as përparimit. Historiografia nuk shkruhet me fraza elektorale dhe as liria nuk matet me urrejtje partiake.

​Gabimet politike dhe llogaridhënia e pasluftës janë legjitime në një demokraci, por gjuha që kriminalizon luftën çlirimtare dhe bartësit e saj vetëm për poena politikë, cenon themelet e shtetësisë sonë. Kosova mbrohet duke ndërtuar institucione të forta, drejtësi dhe unitet, e jo duke mbjellë përçarje e duke mohuar sakrificën e atyre që shkruan historinë me gjak.

Ndryshon emri i AAK’së, ky do të jetë emri i ri

Pas zgjedhjes së Ardian Gjinit si kryetar i partisë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvendin e X-të Zgjedhor ka marrë edhe disa vendime të tjera.

Në këtë kuvend, udhëheqësi i deritashëm i subjektit politik, Ramush Haradinaj është zgjedhur si kryetar nderi.

Kurse, nga sot, AAK-ja ka ndryshuar edhe emrin e partisë, ku tash e tutje do të quhet vetëm “Aleanca”.

Gjashtë serbë arrestohen afër manastirit në Prizren, Policia me detaje

Gjashtë serbë janë arrestuar sot në Prizren afër Manastirit “Shën Arangjeli”.

Detaje për arrestimin e tyre ka dhënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Ai ka njoftuar se gjatë kontrollimit të një grupi dyshohet se në posedim të njërit prej tyre është gjetur një flamur serb në një qese dore.

“Pas përfundimit të manifestimit, gjashtë qytetarë janë hasur në afërsi të manastirit, duke u ngjitur në kodër në drejtim të një kështjelle të vjetër të njohur si “Kalaja e Çikës”. Gjatë kontrollit, dyshohet se në një qese dore është gjetur një flamur”, ka thënë Bytyqi.

Rasti është trajtuar nga organet kompetente, ndërsa nuk raportohet për incidente të tjera gjatë ditës në atë zonë.

Ikballe Huduti: Për mua Albin Kurti është si Imam Aliu

Igballe Huduti në emisionin “Adresa” ka folur edhe rreth qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti.

Aj e ka krahasuar qeverisjen e Kurtit me udhëheqjen e Imam Aliut”, transmeton Kosova Post.

“Për mua Albin Kurti është si Imam Aliu, sepse kur ka ardh Imam Aliu në Kalifate ka thënë se unë po e marr këtë pushtet sepse jemi në shkatërrim, dhe do të kem 0 tolerancë në të korruptuarit, 0 tolerancë në grabitje dhe do ta krijojë institucionin e konfiskimit dhe këto kritere i ka edhe Albin Kurti””, tha ajo në Kanal10.

Vuçiq paralajmëron dorëheqjen nga posti i presidentit pas tensioneve në Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të dielën se mund të japë dorëheqje së shpejti, duke kontestuar njëkohësisht pretendimet për madhësinë e protestës së mbajtur një natë më parë në sheshin “Slavija” në Beograd.

Duke folur para gazetarëve në Pekin, në nisje të vizitës së tij në Kinë, Vuçiq tha se mandati i tij po i afrohet fundit dhe se nuk do ta shkurtojë atë në mënyrën siç kishte bërë ish-presidenti serb, Boris Tadiq, sipas N1, përcjell Insajderi.

Është e mundur që së shpejti ta paraqes dorëheqjen time”, tha Vuçiq.

Vuçiq akuzoi organizatorët për incidentet që ndodhën pas përfundimit të protestës.