Paralajmërim për vërshime, rrezikohen këto rajone në Kosovë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka lëshuar një Njoftim Hidrometeorologjik, duke paralajmëruar rrezik të mundshëm për vërshime në ditët në vijim.

Niveli i alarmit është caktuar si “i verdhë”, transmeton Zeri.info.

Njoftimi, i lëshuar sot më 22 Nëntor 2025, sinjalizon se situata e paqëndrueshme hidrometeorologjike do të vazhdojë, duke sjellë reshje shiu dhe bore nga sot prej orës 18:00.

“Duke pasur parasysh, situatën e përgjithshme të paqëndrueshme hidrometeorologjike gjatë këtyre ditëve, e cila do të përcillet me reshje, duke shkaktuar rrjedha vërshime në disa zona të vendit. Aktualisht lumenjtë në tërë vendin janë në rënie të ngadaltë, por reshjet e shiut të cilat parashikohet të bien gjatë orëve në vazhdim, sidomos në pjesën lindore (Pellgun e Moravës së Binçës), do të ndikojnë në ngritjen e niveleve sidomos atyre malorë dhe rrjedhshmërisë edhe lumit Morava e Binçës me degën kryesore Kriva Reka, të cilat mund të shkaktojnë vërshime. Situata e tillë do të dominojnë edhe në pjesë tjera të vendit, sidomos pjesa veri-lindore, (Pellgu i Llapit), qendrore (Sitnica) dhe jugore (Pellgu i Lepencit”.

“Moti është potencialisht i rrezikshëm. Fenomenet e motit që janë parashikuar nuk janë të pazakonta, por kërkohet kujdes nëse keni ndërmend të praktikoni aktivitetet e ekspozuara ndaj rreziqeve meteorologjike. Qëndroni të informuar rreth kushteve të pritshme meteorologjike dhe merrni masa për parandalimin e rreziqeve të shmangshme”, thuhet në njoftim.

IHMK sqaron se “moti është potencialisht i rrezikshëm”. Edhe pse fenomenet nuk janë të pazakonta, kërkohet kujdes dhe ndërmarrje e masave parandaluese.

Instituti apelon tek qytetarët që të jenë të vëmendshëm dhe të ndjekin këshillat e mëposhtme:

Informohuni: Qëndroni të informuar rreth kushteve të pritshme meteorologjike.

Kujdesi: Shmangni apo praktikoni me kujdes aktivitetet që ju ekspozojnë ndaj rreziqeve meteorologjike.

Parandalimi: Merrni masat e nevojshme për të minimizuar rreziqet e mundshme të vërshimeve. /Zëri

Bora mbulon këtë vend

Reshjet e borës përfshiu pjesën më të madhe të Kroacisë gjatë natës, duke krijuar kushte të vështira udhëtimi dhe duke nxitur paralajmërime nga meteorologët dhe autoritetet rrugore.

Bora që mbuloi pjesë të Kroacisë sot ka krijuar gjithashtu probleme të mëdha, raporton Index.hr.

Autostrada A1 është e mbyllur për të gjithë trafikun midis kryqëzimeve të Sveti Rok dhe Posedarje.

Përveç rrugëve që janë mbyllur, edhe një alarm i kuq për motin është lëshuar për rajonin e Rijekës.

Otocac
Otocac

 

 

Borë në Kroaci, veturat bllokohen në trafik

Dëbora që po bie sot në të gjithë Kroacinë po shkakton probleme serioze në trafikun rrugor, duke bllokuar disa akse dhe duke e bërë lëvizjen e automjeteve të vështirë.

Faqja meteorologjike Crometeo ka publikuar një video nga zonat pranë Splitit dhe Klisit, ku shihet se disa vetura kanë ngecur në dëborë, duke krijuar situata të vështira për drejtuesit e makinave dhe duke shkaktuar vonesa të konsiderueshme në rrugë.

“Takimi vjetor i adhuruesve të gomave verore pranë Splitit,” shkruan faqja pranë videos së publikuar, duke ironizuar mbi faktin se shumë drejtues nuk e kanë marrë seriozisht nevojën për goma dimërore, pavarësisht kushteve të motit.

 

Edhe pse Dalmacia zakonisht nuk përfshihet në zonat ku pajisjet dimërore të veturave janë të detyrueshme nga 15 nëntori deri më 15 prill, kjo detyrë bëhet e detyrueshme sapo shpallen kushtet dimërore.

 

Kjo ndodh kur ka prezencë të dëborës ose akullit në rrugë, duke rritur ndjeshëm rrezikun e aksidenteve në qarkullim, raporton index.hr.

Me pajisje dimërore nënkuptohen goma dimërore të tipit M+S ose katër goma verore me të paktën 4 mm profil, si dhe zinxhirë dëbore që duhet të jenë gjithmonë të gatshëm për t’u vendosur në rrotat e makinerisë që lëviz.

Autoritetet këshillojnë drejtuesit e makinave që të përgatiten paraprakisht dhe të mos nisen në udhëtime të gjata pa kontrolluar gjendjen e rrugëve dhe pajisjet dimërore, për të shmangur situata të rrezikshme në rrugë. /Telegrafi/

‘Po barazojnë shkakun me pasojën!’ – Lladrovci i drejtohet Hamzës me kritika të forta

Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, ka reaguar edhe sot në lidhje me zhvillimet në PDK.

Lladrovci ka thënë se përkundër deklarimeve të tij të qarta, gjendja në Drenas po promovohet normale dhe disfata po paraqitet si fitore, transmeton Zeri.info.

Shkrimi i plotë i Lladrovcit:

Uniteti është kusht i fitores për ta ndryshuar gjendjen e Kosovës

Përkundër deklarimeve të mija, të qarta si rrezja e diellit, mjegulla rreth Drenasit nuk po hiqet. Për fat të keq, nga disa eksponentë, gjendja po promovohet normale dhe disfata po paraqitet fitore.

Mësimi nga Drenasi, siç shihet, nuk pati efekt. Reflektimet në opinion nga ndonjë eksponent i lodhtë me ligjërata koti, apo nga z. Hamza që synon të barazoj shkakun dhe pasojën. Kjo nuk është rrugë për ta fuqizuar partinë as degën.

Uniteti është zotim i përkushtimit për qëllime më të larta se fati i një dege apo individi. Uniteti është kusht i fitores për ta ndryshuar gjendjen e Kosovës, e cila qëndron mbi çdo sakrificë tonën.

Situata në PDK kërkon ridefinim të qasjes dhe metodave të veprimit politik dhe organizativ. Kjo mund të bëhet duke u shërbyer me gjuhën e fitimtarëve me vizion, pa kushte dhe pa hile.

Shkurtpamësinë politike do larguar nga partia e krijuar nga heronjtë tanë të luftës dhe paqes, duke përfaqësuar breza të tërë me përkushtim atdhetar, për Kosovën shtet me vlera euro-atlantike. Ndryshe, keqbërësit e bedelët politikë do të mbesin shenjë dalluese e partisë shteformuese dhe shtetndërtuese.

Maqedonci: Unë s’komunikoj s’i Agim Bahtiri, nuk mendoj që Gruda e ka pyetur Listën Serbe për të ardhur në seancë

Seanca që LVV e kishte thirrur para asaj ku Konjufca pritej të votohej si mandatar për kryeministër, ishte shoqëruar me një përplasje në mes të deputetit Agim Bahtiri dhe Përparim Grudës së PDK-së.

Bahtiri nga vendi me zë të lartë i kishte thënë Grudës “a e ke pyet Listën Serbe që ke ardhë këtu”, gjë që kishte nxitur reagimin e deputetit të PDK-së.

Lidhur me këtë përplasje dhe gjuhë të Bahtirit drejtuar Grudës, ka folur ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Në një intervistë në Kallxo.com, Maqedonci e ka cilësuar si qëndrim personal gjuhën e Bahtirit dhe ka thënë se personalisht mendon se Përparim Gruda nuk e ka pyetur Listën Serbe.

“Personalisht mendoj që Përparim Gruda nuk e ka pyetur Listën Serbe që të jetë apo mos të jetë në Kuvend”, ka deklaruar Maqedonci.

“Unë si profesionist, e as në karakterin tim, s’e kam të theksuar aspektin e këtij lloj komunikimi. Është qasje individuale”, ka thënë Maqedonci.

Arrestohen tri serbe në veri

Policia e Kosovës të premten në fshatin Qirikoviq të Leposaviqit, ka arrestuar tri femra, shtetase të Serbisë.

Ato dyshohet se kishin kaluar ilegalisht kufirin, transmeton Zeri.info.

“Me vendim të prokurorit njëra nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa dy të tjerat janë liruar”, thuhet në raportin e Policisë.

Haga jep afatin e fundit për Thaçin dhe Krasniqin, ja për çka bëhet fjalë
Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë lëshoi një numër të afateve dhe urdhrave në lidhje me përmbylljen e paraqitjes së argumenteve prej Mbrojtjes dhe fazat e mbetura të procesit.

Krahas aspekteve të tjera, Trupi Gjykues udhëzoi ekipet e Mbrojtjes së Thaçit dhe Krasniqit që të përmbyllin zyrtarisht paraqitjen e argumenteve prej tyre deri më 2 dhjetor 2025, ose në ditën e parë të punës pas lëshimit të vendimit të fundit prej Trupit Gjykues mbi kërkesat e mbetura për pranimin e provave, cilado data jetë më e hershme.

Sipas njoftimit të lëshuar nga DhSK, sa i përket dosjeve gjyqësore përfundimtare dhe deklaratës për pasojat e krimeve të pretenduara në viktimat pjesëmarrëse, “Trupi Gjykues miratoi pjesërisht kërkesën e palëve për zgjatje afati dhe urdhëroi që këto parashtrime të dorëzohen deri më 19 janar 2026, vijuar nga deklaratat përmbyllëse, që janë planifikuar për t’u paraqitur nga 9 deri 13 shkurt 2026”.

“Trupi Gjykues shtyu për një fazë më të vonshme vendimin mbi modalitetet e procesit të mundshëm të zhdëmtimit. Ai gjithashtu hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes për procedurë të veçantë të përcaktimit të dënimit, duke konfirmuar se çdo përcaktim i dënimit, në rast se është i zbatueshëm, do të shqyrtohet me Aktgjykimin, dhe duke urdhëruar palët që të përfshijnë çdo parashtrim lidhur me përcaktimin e dënimit në dosjet gjyqësore përfundimtare të tyre”, u tha në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Bajrami: Një familje që në tetor 2019 ka paguar rrymë 54 euro, sot paguan 169 euro

Hykmete Bajrami nga LDK i ka reaguar kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe ministrit në detyrë Hekuran Murati, lidhur me subvencionimin e faturave të energjisë elektrike, duke thënë se po i subvencionojnë xhepat e tregtarëve të energjisë me të cilët kanë lidhje të ngushta.

Bajrami thotë se në tetor të vitit 2019 një familje mesatare në Kosovë që ka paguar 54 euro për rrymë, e njëjta familje në tetor të vitit 2025 ka pagu 169 euro për rrymë, shkruan Reporteri.net.

Postimi i saj:

”Subvencionimi i faturave të energjisë”

Energjia – korrupsioni dhe gënjeshtra më e madhe e kësaj Qeverie

Dje Albin Kurti përmes Hekuran Muratit na njoftoi se në këtë muaj ka nisur subvencionimi i faturave të energjisë elektrike.

Çfarë hipokrizie!

Derisa në tetor të vitit 2019 një familje mesatare në Kosovë ka paguar 54 Euro. A e dini sa ka paguar e njëjta familje në tetor të vitit 2025? Ka pagu 169 Euro. dmth. 300% më shumë, e tash kishin ”ne jemi për popull dhe po subvencionojmë faturat familjeve”.

Por, pos ngritjes së çmimit të energjisë elektrike për 300%, rreth 1300 biznese vendore, pjesa dërmuese prodhuese pas “liberalizimit të tregut” çmimin e MWh që tetorin e vitit të kaluar e kanë pagu 75 Euro tash e paguajnë 206 Euro.
Ndërsa të dhënat e Doganës së Kosovës konfirmojnë se derisa Kosova për vitet 2015-2020 ka importu 273 milionë Euro energji, importi i energjisë gjatë pesë viteve të qeverisë së Albin Kurtit 2021 – shtator 2025 ka arritur në 811 milionë Euro.

A po e shihni mashtrimin?

Ani “po ju subvencionojmë faturat”

Po i subvenciononi xhepat e tregtarëve të energjisë me të cilët keni lidhje të ngushta, me paratë e rinisë që ka ikë

 

Rrahen nënë e bijë, kjo e fundit merr tretman mjekësor

Dy të dyshuara, nënë e bijë, janë arrestuar në Podujevë, pasi të njëjtat pas një fjalosje janë përfshirë në konfrontim fizik.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh njofton se vajza që u konfrontua me nënën ishte e mitur, dhe e njëjta ka pranuar tretman mjekësor.

Të dyshuarat pas intervistimit janë liruar me procedurë të rregullt.

“Podujevë 21.11.2025 – 11:40. Janë arrestuar dy të dyshuarat femra kosovare (nëna dhe vajza e saj e mitur), pasi të njëjtat pas një fjalosje në mes veti janë përfshirë në konfrontim fizik në mes veti. E dyshuara e mitur ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas informimit dhe konsultimit me prokurorin, të dyshuarat pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”, njofton PK.

E dhimbshme: Ky është veterani i UÇK-së, Bashkim Nitaj që vdiq tragjikisht në Prishtinë pasi e zuri betoni teksa po punonte

Një ngjarje tragjike ka ndodhur dje rreth orës 17:00 në rrugën “Faruk Rama” në Prishtinë, pasi një person humbi jetën tragjikisht teksa një tjetër mbeti i lënduar, raporton GazetaDemos.

Lajmin e konfirmoi Policia e Kosovës, të cilët bënë me dije se viktima e këtij rasti vdiq si pasojë e lëndimeve të marra gjatë kohës që ishte duke punuar, teksa u raportua se gjatë momentit kritik mbi të njëjtin kishte rënë betoni.

GazetaDemos merr vesh nga burimet e veta se viktima e kësaj ngjarje është veterani i UÇK-së, Bashkim Nitaj nga Dranoci i Deçanit.

 

 

Derisa, personi tjetër që mbeti i lënduar është dërguar për tretman mjekësor.

“Rreth orës 17:00 kemi pranuar informatën se dy persona janë lënduar derisa ishin duke punuar, në rrugën Faruk Rama në Prishtinë. Si pasojë e lëndimeve, njëri nga personat ka ndërruar jetë. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi i mjekëve emergjent në vendin e ngjarjes, ndërkohë që personi tjetër i lënduar është dërguar për tretman mjekësor”, thuhet nga Policia