div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-317 category-paged-317 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Abdixhiku: Kjo nuk është Kosova ime, nuk mund të qeveris me dikë që e shkel Kushtetutën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk mund të bashkëpunojmë më një parti që denigron çdo institucion të Kosovës.

Ai ka folur në Debat Plus për akuzat e Vetëvendosjes së LDK “është me Serbinë” sa i përket certifikimit të Listës Serbe.

“PZAP ka vendosur me obligim që të certifikohet Lista Serbe. Ministria e Punëve të Brendshme ka çu letër ka thënë në rregull është me Listën Serbe, Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka dërgu asnjë dokument dhe PZAP ka certifikuar. Por ky vazhdon me këtë narracion. Nuk jemi me Serbinë, por je duke e denigruar Kushtetutën. E denigron Gjykatën Supreme, Kuvendin dhe për këtë ne duhet të dalim kundër sepse kjo nuk është Kosova ime”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas Abdixhiku, VV në vazhdimësi ka denigruar Gjykatën Kushtetuese dhe Supreme.

“Ka vendim të Gjykatës Supreme që thotë s’mundesh me qenë edhe ministër edhe deputet dhe vazhdon me i pas 10-15 ministra që janë edhe ministra edhe deputetë. S’ta bon hesap kurrkush Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

“Ata i kanë pasur partnerë të koalicionit. A po harrojnë që Slavko Simiçi është votuar prej Vetëvendosjes para 4 viteve”, ka thënë Abdixhiku.

Gjeniu i LDK’së: Kujtim Shala me 2001 e kreu magjistraurën e me 2002 doktoraturën

Nënkryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Kujtim Shala, është shembulli më i mirë se si koha, hapësira dhe ligjësitë e zakonshme të arsimit nuk vlejnë për disa njerëz të veçantë. Sipas biografisë së publikuar në faqen zyrtare të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku ai sot është akademik i rregullt, Shala arriti diçka që në botën normale do të konsiderohej e pamundur: e përfundoi magjistraturën në vitin 2001 dhe vetëm një vit më vonë, në vitin 2002, mbrojti edhe doktoraturën. Po, e lexuat drejt – vetëm një vit nga një gradë në tjetrën. Në një vend ku studentët shpesh presin me vite të tëra për të dhënë një provim të vetëm, ai përfundoi një doktoratë në kohën sa dikush tjetër mezi do të shkruante hyrjen e tezës.


Nëse do të vendosnim ta krahasonim me standardet ndërkombëtare, Shala del të jetë përfaqësues i një rruge krejt të re akademike. Në universitetet amerikane, mesatarisht një doktoratë në shkencat shoqërore zgjat 5-6 vite. Në Evropë, studentët shpresojnë të mbarojnë për 4-5 vite, por shpesh përfundojnë duke kaluar dekadën e tyre më të bukur duke bredhur arkivave, bibliotekave dhe duke luftuar me profesorët e komisionet. Por për Shalën, e gjithë kjo është luks i panevojshëm. Ai e përshpejtoi procesin aq shumë sa duket se as Einsteini nuk do ta kishte mbajtur hapin. Nëse në Harvard një doktorant për 5 vite lodhet duke analizuar një temë të vetme, Shala në një vit jo vetëm që i analizoi, por i mbylli kapitujt, i vuri pikën mbi “i” dhe mori titullin e madh “doktor shkencash”.

Kjo ngritje marramendëse shkencore nuk është e vetmja mrekulli në biografinë e tij. Kujtim Shala, përveç që është profesor në Universitetin e Prishtinës dhe deputet për disa mandate, mban edhe postin e nënkryetarit të LDK-së, dhe që prej vitesh është akademik i rregullt në ASHAK. Një listë e tillë angazhimesh do ta linte çdo njeri normal pa frymë, por jo Shalën. Ai, përveç të gjitha këtyre detyrimeve politike, partiake dhe akademike, arriti të gjejë kohë edhe për “punën kolosale shkencore” që e ngriti në nivelin më të lartë. Duket se për të, dita ka 48 orë e java 14 ditë. Shkencëtarë të mëdhenj në botë, të cilët gjithë jetën e tyre ia përkushtojnë një fushe të vetme, do të turpëroheshin duke parë ritmin e Shalës.

Mund ta krahasonim, bie fjala, me Isaac Newton-in, i cili për dekada punoi mbi ligjet e tij të famshme të mekanikës. Apo me Charles Darwin-in, që pas udhëtimit me “Beagle” i kushtoi më shumë se 20 vite kërkimeve para se të publikonte “Origjinën e Specieve”. Por kujt i duhen kaq vite? Shala, me një vit të vetëm, duket sikur e përmblodhi gjithë “evolucionin” shkencor të një jete të tërë në një periudhë të shkurtër kohore. Kjo është arsyeja pse ai meriton të quhet jo thjesht akademik, por edhe fenomen shkencor – një lloj Usain Bolt-i i arsimit, që thyen rekorde me shpejtësi të pabesueshme.

Por le ta pranojmë: në Kosovë gjërat funksionojnë ndryshe. Aty ku bota i respekton rregullat e lojës, ne shpesh i shpikim rregullat tona. Në këtë rast, Shala i tregoi botës se nuk ka pse të humbasësh vite të tëra në kërkime, nëse e ke mundësinë t’i përfundosh punët me një të rënë të lapsit. Në fund të fundit, kush tha që shkenca është e ngadaltë? Ndoshta është vetëm çështje e talentit të lindur – dhe Shala, sipas biografisë së tij, është shembulli më i gjallë i këtij “talenti”.

Pra, nënkryetari i Kuvendit, deputeti, nënkryetari i partisë, profesori dhe akademiku, arriti të bëjë për një vit atë që bota e qytetëruar e bën për gati një dekadë. Një rast i tillë meriton të hyjë në librat e Guinness-it, ose të paktën në tekstet universitare si shembull i një “supernjeriu” të arsimit. Sepse, me të drejtë, përballë këtij karrierizmi të rrufeshëm, mbetet vetëm një pyetje: a jemi ne të tjerët shumë të ngadalshëm, apo është Shala thjesht shumë, shumë i shpejtë?

Berberi i VIP-ave kapet në shkelje të rëndë: Riza gjobitet me 5 mijë euro nga shteti për ‘mjekë’ të rremë që mbjellnin flokë

Hulumtimi i Insajderit ka zbuluar se “frizeri më i shtrenjtë në rajon”, Rizah Bajrami – i njohur ndryshe si Rizza – është kapur në shkelje të rëndë ligjore. Në nëntor të vitit 2024, Inspektorati Shëndetësor i Kosovës zbuloi se në klinikën “Rizza Hair Clinic” po punonin tre persona të pa licencuar nga Ministria e Shëndetësisë, të cilët ofronin shërbime për mbjellje flokësh dhe estetike pa asnjë leje pune. Për këtë shkelje të rëndë të Ligjit për Shëndetësi, klinika u gjobit me 5 mijë euro.

Inspektorati Shëndetësor i Kosovës, pas konstatimit të shkeljeve serioze ligjore gjatë një inspektimi të zhvilluar më 19 nëntor 2024 në Fushë Kosovë, e ka gjobitur me 5 mijë euro klinikën për mbjellje të flokëve dhe ndërhyrje estetike “Rizza Hair Clinic L.L.C”, me themelues Rizah Bajramin, ndërsa pronare figuron emri i Igballe Bunjakut.

Sipas vendimit të siguruar nga Insajderi, përmes kërkesës për qasje në dokumente zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë, klinika është kapur duke ofruar shërbime shëndetësore pa licencën e nevojshme për tre mjekë që ishin duke ushtruar aktivitetin.

Në raportin e inspektimit janë hasur tre persona që nuk kishin autorizim për të ushtruar aktivitetin shëndetësor. Ndërkohë, specialistja e regjistruar nga klinika në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila kishte edhe licencë valide, nuk është gjetur në klinikë. Sipas raportit, siç është cituar nga menaxherja, ajo nuk ofron shërbime prej më shumë se një muaji.

Për më tepër, në hapësirat e klinikës janë gjetur produkte të ekspozuara për shitje pa përshkrim mjekësor, çka përbën një tjetër shkelje të rregullave në fuqi për institucionet shëndetësore.

Drejtori i Klinikës, Rizah Bajrami ka thënë për Insajderin se nuk është në dijeni për ndonjë gjobë duke mohuar se ka staf pa licencë në klinikën e tij.

“Na qëndrojna me staf me krejt në rregull që shumë vite. Na këna dal që jena në rregull. Nuk kemi informacion që kemi marr gjobë sepse unë jam drejtor i klinikës nuk jam pronar. Duhet me bisedu me staf të brendshëm”, ka thënë berberi Riza.

Shkrimi për UÇK-në, Kryekuvendari Basha: Kam shkruar veç kapitullin tre për islamin fundamentalist

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reaguar në lidhje me pamfletin anti-UÇK të botuar në vitin 2012 ku ai është bashkautor.

Ai ka thënë se ai e ka shkruar vetëm kapitullin e tretë që ka të bëjë me depërtimin e siç thotë ai Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore.

Basha ka thënë se ai çmon luftën e UÇK-së dhe nuk ka shkruar asnjëherë kundër saj.

Në këtë formë ai ka provuar të distancohet nga autorësia e një pamfleti me akuza ndaj UÇK-së.

Postimi i plotë i Bashës:

Të dashur qytetarë,

Nuk është hera e parë që sulmohem me të pavërteta nga qarqe të caktuara, mirëpo para gjithë qytetarëve kam përgjegjësinë dhe obligimin t’ju jap llogari dhe sqarim për akuzat e ngritura sot.

Punimi që po qarkullon në media është i vitit 2012, në kohën kur unë kam qenë student. Autorësia ime në këtë artikull i përket vetëm Kapitullit 3, i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën. Këtu përfundon përgjegjësia ime lidhur me punimin në fjalë.

Në lidhje me këtë çështje, tashmë është sqaruar për media edhe vet autorja Jana Arsovska, e cila ka dërguar një email demantues, dhe e ka bërë të qartë që unë kam dorëzuar për publikim vetëm Kapitullin 3 dhe mbaj përgjegjësi vetëm për përmbajtjen në atë kapitull.

Unë, Dimal Basha, e çmoj lart luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e popullit tonë për liri. Nga goja ime dhe nga duart e mia nuk është shkruar dhe nuk do të mund të gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë të shenjtë të popullit tonë.

I kërkoj falje qytetarëve që janë shqetësuar nga ky raportim i rremë, dhe prandaj lus mediat që të raportojnë drejtë dhe saktë, e në veçanti për tema kaq të ndjeshme, që nuk lidhen vetëm me mua personalisht, por me tërë popullin e Republikës së Kosovës.

Gazetari që nxori në publik artikullin skandaloz të Bashës kundër UÇK-së: Dimali po rrenë

Gazetari Besnik Krasniqi, që nxori në publik shkrimin skandaloz të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar ndaj pretendimit të këtij të fundit se është autor vetëm i pjesës ku flitet për islamin fundamentalist. 

“Dimal, rrena nuk kalon! Dimal Basha ia paska mësy me e gjetë formulën e distancimit nga pamfleti me gjuhën më bizare që kam lexu ndonjëherë, në raport me UÇK-në. Bashkëautorja Jana Arsovska e lëshoi një “sqarim”, me të cilin po e “pastron” Dimalin nga akuzat dhe po thotë që pjesën për UÇK-në e ka shkru ajo. Jana, na fal. S’jemi krejt Dimala. Dhe, s’i marrim të mirëqena pallavrat e mashtrimet si këto në “sqarim”. Dimali është hisedar në gjithë “studimin”, në secilën fjali, fjalë e shkronjë me të cilat akuzohet UÇK-ja si krijesë e kriminelëve, bandave e trafikantëve të drogës. Dimal, rrena nuk kalon!”, ka shkruar gazetari Krasniqi.

Sipas tij kryetari i ri i Kuvednit nesër nuk do të duhej të dilte në zyrë.

Haradinaj: Basha është në sinkron me qëndrimet e Kurtit, kemi një luftë kundër UÇK-së – ja pafshi hajrin

Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka reaguar pas një shkrimi të kryetarit të kuvendit, Dimal Bashës, që më 2012 e portretizonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë të lidhur me botën e krimit.

Haradinaj në një prononcim për Periskopin tha se Basha është në sinkron me qëndrimet e liderit të VV-së, Albin Kurti në ludhje me luftën e UÇK-së.

“Mendoj që Basha është në sinkron me partinë e tij dhe liderin e vet. Po të mos ishte në sinkron, vet fakti që partia këto e qet me i përfaqësu, do të thotë këta e pranojnë që është njeri ma adekuat për përfaqësimin e tyre. Nëse e kqyrim edhe të tjerët kanë qenë në sinkron kundër vlerave të ushtrisë dhe vetë lirisë, prandaj Basha nuk simbolizon asgjë tjetër vetëm mendimin e tij politik dhe të partisë së tij”, u shpreh ai.

Haradinaj tha se hulumtimi i Bashës nuk është arsye për ta shkarkuar nga pozita e kryetarit të Kuvendit, pasi analiza e tij nuk është risi për opinionin.

‘’Për mua nuk është kurgjo e re, Basha ka treguar cka është… mos të bëhen njerëzit që s’po e dijnë cka është kjo.. njerëzit e kanë ditë ekzakt që Basha është qaj, edhe këta që e kanë votu edhe këta që e kanë qit. Basha i ka marr votat, tash kadal dal i injoron këta tjerët. Vlera e Kosovës është Basha. Ky popull ka parlamentar atë që e meriton, do të thotë këta jemi ne….Por ja që zërat e drejtë, ata shuhen. Thjeshtë kemi një luftë kundër UÇK-së, një luftë kundër pavarësisë së Kosovës dhe kjo është në krye, ja pafshin hajrin”, u shpreh ai.

Haradinaj nuk la pa i lënë në faj edhe partitë që votuan pro zgjedhjes së Bashës për kryetar të parlamentit.

“Njëjtë, edhe këta që e votuan. Sepse parlamenti do të duhej të votohej por jo në këtë formë dhe të tallen me popullin dhe votuesit. Nuk është hera e parë që i thejnë amanetet për interesat e tyre”, u shpreh ai për Periskopin.

Ndryshe, Organizata e Veteranëve të UÇK-së e ka quajtur të pafalshme zgjedhjen e Dimal Bashës si Kryekuvendar marrë parasysh deklaratat e tij mbi UÇK-në.

“OVL e UÇK-së shpreh indinjatën e thellë për zgjedhjen e Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate

LAJM I FUNDIT: Vdes veterani i UÇK-së, dhe i burgosuri politik

Ka vdekur i burgosur politik dhe veteran i UÇK-së,Ilmi Ramadani.

lajmi u bë i njohur nga të afërmit e të ndjerit.

“Ilmi Ramadani, i burgosur politik, luftëtar lirie, hero i heshtur i shtetit të Kosovës, na ka lënë sot. Ngushëllime familjes, bashkëluftëtarëve të tij dhe gjithë atyre që e kanë njohur këtë njeri të veçantë.

Baca Ilmi, na e bëre me hile. Kafen që na e premtove para disa ditësh mua e Rilindit, na e mbete borxh.

I lutem Zotit me tërë qenien time që të mëshirojë. Je hero i madh; kur të rriten fëmijët e mi, do t’u tregoj se të kam njohur.

Pusho në altarin e heronjve, emrat e të cilëve do të mbesin gjithmonë në themelet e lirisë sonë!”, thuhet në njoftim.

Asambleisti i VV-së denoncon sulmin ndaj një vajze në Prishtinë: Të rinjtë e sulmuan me ujë, policia s’bën asgjë

Një incident i pazakontë ka ndodhur mbrëmë pranë Xhamisë së Llapit në Prishtinë, aty ku qytetarët presin taksi. Një grup të rinjsh që gjendeshin në një veturë, hapën dritaren dhe hodhën ujë me një lodër drejt një vajze që po priste në radhë.

Rasti është denoncuar nga asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Xhevdet Maloku, i cili përmes një postimi publik tha se reagimi i policisë ka qenë i papranueshëm.

“Sapo u njoftua policia, por përgjigja e tyre ishte e habitshme – ‘shpërndaje ku të duash, portal apo ku të duash, por ne nuk mund të bëjmë asgjë’,” ka shkruar Maloku në facebook.

Ai shton se pamjet e kamerave të sigurisë së zonës ekzistojnë dhe se ky është një shembull i qartë i mungesës së reagimit institucional ndaj rasteve që cenojnë qytetarët.

Përmes një reagimi në facebook, asambleisti Maloku kërkoi dhe mendimin e qytetarëve.

Screenshot

 

Piloti kroat i KFOR-it dhe e dashura e tij nga Kosova arrestohen nën dyshimin për spiunazh te Lista Serbe

Një serbe e Mitrovicës dhe partneri i saj, anëtar i Forcave Ajrore kroate, janë arrestuar në Vis të Kroacisë nën dyshimin se kanë spiunuar për Serbinë.

Përveç policisë kroate, në hetimin ndaj tyre është përfshirë edhe Europoli. Dyshimet janë që piloti kroat i ka dhënë sekrete të dashurës së tij, e ajo ia ka përcjellë Listës Serbe.

Sipas burimeve të medias kroate “Index”, të dy të dyshuarit janë intervistuar të mërkurën dhe tash pritet vendimi ndaj tyre.

Sipas informacioneve, piloti kroat ishte i angazhuar edhe në KFOR në Kosovë dhe ai dyshohet se i ka dhënë të dashurës së tij serbe informacione konfidenciale për t’ia përcjellë më pas pjesëtarëve të Listës Serbe. Sipas “Indexit”, i dyshuari i dha informacione partneres së tij mbi lëvizjet e serbëve në veri të Kosovës që nga fundi i vitit 2022 deri këtë vit, ashtu si edhe për lëvizjet e trupave të KFOR-it.

Mes tjerash, hetuesit dyshojnë se ai i zbuloi asaj informacione të rëndësishme lidhur me Zubin-Potokun, një prej komunave problematike mes serbëve e shqiptarëve të Kosovës në veri.

Zubin-Potoku ka qenë vend bllokadash, protestash e konflikti mes serbëve lokalë dhe autoriteteve të Kosovës, ashtu si edhe forcave ndërkombëtare, KFOR e EULEX.

Të dy po ashtu akuzohen për shkëmbim informacionesh lidhur me transportin e serbit të arrestuar Dejan Pantiq, ish-polic i Kosovës, i cili akuzohet për pjesëmarrje në sulmet ndaj  zyrave të KQZ-së në Mitrovicën e Veriut.

Arrestimi i tij në dhjetor 2022 pati nxitur tensione nga serbët e Kosovës në komunat veriore  – me barrikada të vendosura në Jarinje e Bërnjak që zgjatën për gati tri javë, me kërkesën e vetme: lirimin ose transferimin e Pantiqit nga burgu.

Meqë Kosova nuk ka helikopterë, Ministria e Brendshme kërkoi ndihmën e KFOR-it për transferimin e Pantiqit nga baza policore afër Jarinjës në një burg tjetër. Pas gati 19 ditësh, gjykata pati vendosur ta çonte në arrest shtëpiak. Dejan Pantiq është dënuar me dy vjet burgim për huliganizëm, por masa e tij e sigurisë është dorëzania prej 30.000 eurosh.

Sipas medias kroate, serbja e dyshuar ka punuar për një kompani të huaj në Serbi dhe në gazetari njihej si reportere nga Mitrovica.

Ata janë arrestuar më 25 korrik këtë vit. Piloti kroat është dërguar në paraburgim, kurse ndaj të dyshuarës ishte marrë vendimi për dëbim nga Kroacia dhe ishte vendosur në qendrën për të huaj në Trilje. “Index” raportoi se hetuesit kanë gjetur komunikime në telefonat e tyre përmes të cilave konkluduan se ishin pjesë të aktiviteteve të spiunazhit.

Edhe disa ditë shtrenjtohet rruga për deti, 5 euro pagesë një drejtim në tunel

Më herët u njoftua se qarkullimi në këtë vepër infrastrukturore do të ishte pa tarifë deri në fund të sezonit turistik. Parashikimet janë deri në datën 15 shtator, më pas do të nisë aplikimin tarifa 10 euro vajtje-ardhje për makinë.

Tuneli i Llogarasë ka një gjatësi prej 5.9 kilometra dhe rruga nga Dukati drejt Palasës përshkohet për 7 minuta, nga 45 që nevojitej nga Qafa e Llogarasë.

Projekti ka dy tunele, ku njëri prej tyre është i emergjencës. Parashikimet janë që në rast të rritjes së fluksit të turistëve, të dy tunelet do të vihen në funksion të qarkullimit.

Menaxhimi i vetëpagesave për këtë vepër publike do të bëhet nga shoqëria aksionere e krijuar për këtë qëllim që njihet me emrin Enti Kombëtar i Operimit Rrugorë, shkruan Syrinet, transmeton Klankosova.tv

Kompania është me kapital shtetëror dhe përfaqësohet nga ministria Infrastrukturës dhe Energjisë. Sipas të dhënave kjo shoqëri do të ofrojë shërbimin e operimit, mirëmbajtjes së portave automatike, sistemin e tarifimit, shpërndarjen e biletave si dhe aboneve mujore për përdoruesit.

Aktualisht tri janë segmentet rrugore që aplikojnë pagesë, rruga Milot-Morinë, Thumanë-Kashar, si dhe Dukat-Palasë.