Vdes një grua në Gjakovë

Një grua ka vdekur në Gjakovë mëngjesin e djeshëm.

Ndërsa një burrë me të cilin ajo kishte bashkëjetuar ka raportuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

Trupi i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

“Rr. Dëshmorët e Lirisë, Gjakovë 28.11.2025-09:20.  Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se ka ndërruar jetë viktima femër kosovare me të cilën ka bashkëjetuar, i njëjti dyshon se ka pasur trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”.

Nuk u pa as në Prekaz e as në Shqipëri, ky është urimi i Kurtit për 28 Nëntorin

Kryeministri në detyrë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përveç një postimi në profilin e tij në “Facebook” ku e ka uruar festën e 28 nëntorit, nuk është parë në asnjë aktivitet tjetër përgjatë ditës.

Kurti s’është parë as në homazhet që janë zhvilluar në Prekaz tek kompleksi i Jasharajve. Aty nderimet e zhvilluara i ka udhëhequr kreu i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, i cili ka qenë nën shoqërinë e Besnik Bislimit, Mimoza Kusari Lilës e Liza Gashit.

Kreu i LVV-së nuk ka marrë pjesë as në organizimet që janë zhvilluar në Shqipëri, ku ka marrë pjesë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, derisa nga atje janë lajmëruar edhe Donika Gërvalla, Xhelal Sveçla e Albulena Haxhiu.

Ndërkohë nga zyra e tij s’ka pasur ndonjë njoftim zyrtar për agjendën e sotme të kryeministrit në detyrë dhe s’dihet se ku e ka kaluar Kurti festën e 28 nëntorit

‘Arrestim i menjëhershëm’: Kujdes nga këto e-maile, Policia paralajmëron qytetarët

Policia e Kosovës ka dal me njoftim lidhur me qarkullimin e emailave të rrem, transmeton Demos.

“Këto informacione të dërguara nga kinse zyrtarë të lartë të PK-së, të emërtuara si “THIRRJE GJYQËSORE”, me numër referues të dosjeve të lëshuara kinse siç potencohen në e-maile nga stafi i lartë menaxhues i PK-së, Agjencia e Sigurisë Kibernetike në Kosovës, Byroja Federale e Hetimeve, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale etj., NUK janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-mail-e/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara.”, thuhet në njoftim.

Njotimi i plotë nga Policia:

Njoftim zyrtar lidhur me qarkullimin e e-mailave të rreme/false

Prishtinë, më 28 nëntor 2025

Policia e Kosovës (PK), njofton opinionin publik lidhur me qarkullimin dhe shpërndarjen nëpër e-maile të ndryshme, të disa informacioneve jozyrtare (false/rreme), që kinse i përkasin Policisë së Kosovës dhe organizatave të ndryshme, informacione këto kinse janë lëshuar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovs, andaj sqaron se:

Këto informacione të dërguara nga kinse zyrtarë të lartë të PK-së, të emërtuara si “THIRRJE GJYQËSORE”, me numër referues të dosjeve të lëshuara kinse siç potencohen në e-maile nga stafi i lartë menaxhues i PK-së, Agjencia e Sigurisë Kibernetike në Kosovës, Byroja Federale e Hetimeve, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale etj., NUK janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-mail-e/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara.

Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth përsëritjes së qarkullimit të e-mail-eve të tilla, po kryen hetime intensive, duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale.

Policia e Kosovës njofton dhe njëherit fton qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave/mashtrimeve të tilla dhe kushdo që mund të pranojë ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së info@kosovopolice.com për trajtim dhe kompetencë të mëtejme.

LDK emëron dy koordinatorë në Vushtrri pas dorëheqjes së Xhafer Tahirit

Pas dorëheqjes së Xhafer Tahirit nga pozita e kryetarit të Degës së LDK-së në Vushtrri, strukturat qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë caktuar dy koordinatorë të rinj për drejtimin e përkohshëm të degës.

Sipas raportimeve, Adnan Lahu dhe Fisnik Basholli janë autorizuar të bashkëmenaxhojnë Degën e LDK-së në Vushtrri deri në mbajtjen e procesit të ardhshëm zgjedhor. Me këtë autorizim, të dy koordinatorët marrin përsipër:

Organizimin dhe menaxhimin e përditshëm të degës,Koordinimin e strukturave partiake,Menaxhimin e aseteve dhe rrjeteve sociale të degës,Si dhe zbatimin e të gjitha detyrimeve statutare të parapara për organet drejtuese. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe mbetet aktiv deri në zhvillimin e zgjedhjeve të brendshme për Degën e LDK-së në Vushtrri, proces i cili pritet të përcaktohet me vendim të veçantë nga nivelet qendrore të partisë./VushtrriaOnline

Nis për të festuar Pavarësinë, përfundon nën të shtëna tmerri në Graçanicë

Me flamur kombëtar e plis u nis për të festuar pavarësinë e Shqipërisë, në Gjilan.

Por pikërisht këto simbole besohet se ishin arsyeja pse vetura më të cilën po udhëtonte Nehat Sollova, nga Obiliqi, u sulmua në Gracanicë, të premten në buzëmbrëmje.

Ai pretendon se drejt tij u qëllua me armë zjarri.

Nga policia thanë se nga hetimet e para që u bënë, nuk rezulton që makina të jetë sulmuar me plumba pasi nuk ka shenja të predhave.

Për detaje, ndiqeni kronikën e përgatitur nga Klan Kosova:

Serbët djegin flamurin shqiptar

Faqja nacionaliste Bunker në llogarinë e saj në rrjetin social Telegram, ka publikuar dy video të shkurtra të cilat duket se ndodhen në Mitrovicë, ku mund të shihet flamuri shqiptar duke marrë flakë

Kjo vjen në ditën kur shqiptarët shënojnë Ditën e Flamurit Kombëtar të Shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor nga Ismail Qemali në Vlorë.

Po ashtu, 28 Nëntori shënon edhe festa të tjera si ajo e daljes së parë publike të UÇK-së, datëlindjes së komandantit legjendar Adem Jashari dhe ngritjes së flamurit nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu më 28 nëntor 1443 në Krujë.

Thaçi goditet nga një vendim i ri i Speciale, refuzohet dëshmia e këtij personi

Bislim Zyrapi, ish-komandanti i UÇK-së nuk do të shkojë për të dëshmuar sërish në Hagë.

Trupi gjykues ia ka refuzuar kërkesën mbrojtjes së Hashim Thaçit.

Në një parashtresë të cilën e ka parë Nacionale, thuhet se mbrojtja e Thaçit nuk ka shpjeguar pse priti deri tash për ta parashtruar këtë kërkesë.

Megjithatë, Gjykata vendosi sipas kërkesës së Prokurorisë, duke i pranuar provat e deklaratave të Zyrapit, vetëm për t’ia vlerësuar besueshmërinë.

“Pesë Deklaratat janë deklarata sipas kuptimit të Rregullave 153-155 dhe, për këtë arsye, pranimi i tyre i nënshtrohet kërkesave specifike të përcaktuara nga ato rregulla. Për më tepër, Pesë Deklaratat përmbajnë informacione që shërbejnë si provë e veprimeve dhe sjelljes së të Akuzuarit siç akuzohet në Aktakuzë dhe kanë të bëjnë me çështje qendrore në rastin e Prokurorisë. Prandaj, Paneli konstaton se Pesë Deklaratat janë të papranueshme sipas Rregullës Si pasojë, Paneli gjithashtu konstaton se nuk ka nevojë të adresojë kërkesën për të shtuar W04752 në Listën e Dëshmitarëve të Mbrojtjes Thaçi”, thuhet në vendim.

Vendimi thekson se pesë deklaratat e Zyrapit do të përdoren për ta parë besueshmërinë e tij si dëshmitar.

“Duke thënë këtë, Paneli vëren se ZPS-ja dhe Mbrojtja Thaçi bien dakord që Pesë Deklaratat mund të pranohen sipas Rregullës 138 për qëllimin e kufizuar të vlerësimit të konsistencës së rrëfimit të Ë04752 dhe kështu besueshmërisë së këtij dëshmitari. Në përputhje me gjetjet e tij të mëparshme, duke vënë në dukje marrëveshjen e ZPS-së dhe Mbrojtjes së Thaçit mbi këtë pikë, dhe në mungesë të ndonjë arsyeje mbizotëruese për të refuzuar pranimin, Paneli është i përgatitur të pranojë Pesë Deklaratat si prova materiale në përputhje me Rregullën 138(1) për qëllimin e vetëm dhe të kufizuar të vlerësimit të qëndrueshmërisë së rrëfimit të Ë04752 si pjesë e vlerësimit të Panelit për besueshmërinë e tij si dëshmitar”, thuhet më tutje.

Në fakt, vendimi është kryekëput siç ka kërkuar Prokuroria.

Në përgjigjen e avokatit të Thaçit, Luka Misetiq, thuhet se pranimi i deklaratave të Zyrapit dhe shtimi i tij si dëshmitar i mbrojtjes, paraqet interes për procesin.

“Trupi Gjykues tregoi shprehimisht se kur provat e propozuara kualifikohen si deklaratë, ato duhet të ofrohen sipas Rregullës 153-155 në mënyrë që të sigurohet “që palës kundërshtare të mos i shkaktohet asnjë dëm i padrejtë” dhe në mungesë të marrëveshjes së ZPS-së me një pranim sipas Rregullës 138, ajo e ftoi Mbrojtjen të kërkonte pranim sipas Rregullës përkatëse “si pjesë e çështjes së saj”. Prandaj, meqenëse ZPS-ja nuk mund të kualifikohet si palë që bën pyetje të kryqëzuara në lidhje me Ë04752 përveç nëse Ë04752 është në Listën e Dëshmitarëve të Mbrojtjes, dhe meqenëse Trupi Gjykues i udhëzoi Mbrojtjes të paraqiste Pesë Deklaratat “si pjesë e çështjes së saj”, Mbrojtja e kupton se çdo paraqitje përmes Rregullës 153 (ose Rregullës 154) kërkon që dëshmitari të përfshihet në listën e dëshmitarëve të palës që ofron. Prandaj, kërkesa e Mbrojtjes për të shtuar Ë04752 në Listën e Dëshmitarëve me qëllim që të pranojë Pesë Deklaratat e saj nëpërmjet Rregullës 153 është e bazuar”, thuhet në këtë parashtresë, raporton Nacionale.

Sipas Prokurorisë, njëra prej këtyre pesë dëshmive i ishte dhënë dëshmitarit gjatë marrjes në pyetje, por mbrojtja po kundërshton.

“Mbrojtja përsërit shqetësimet e shprehura në Kërkesën e saj në lidhje me peshën që u është dhënë këtyre pjesëve të diskutuara, por të papranuara, dhe thekson se pranimi i Pesë Deklaratave në tërësi është i detyrueshëm sepse ZPS-ja ka fshehur, deri më tani, argumentet që synon të paraqesë në përfundim mbi besueshmërinë e Ë04752. Konkretisht, parashtrimet e ZPS-së nënkuptojnë se Ë04752 mund ta ketë ndryshuar dëshminë e tij si rezultat i një “klime frikësimi”, ose të paktën se besueshmëria e tij mund të preket, por ZPS-ja nuk ka arritur të identifikojë se cilat pjesë të provave të tij dyshohet se janë ndikuar nga “klima e frikësimit”. Për shkak të dështimit të PSP-së për të paraqitur argumentet e saj ndaj Ë04752 gjatë dëshmisë së tij, Mbrojtjes i duhen Pesë Deklaratat si prova për të qenë në gjendje të kundërshtojë çdo sfidë ndaj besueshmërisë së Ë04752 në Dorëshkrimin Përfundimtar të PSP-së që do të dalë së shpejti dhe për të demonstruar nëse Ë04752 ka qenë i qëndrueshëm në të kaluarën”, thuhet më tutje në parashtrim.

Mbrojtja e Thaçit ka shprehur keqardhje se si Prokuroria nuk kishte synuar një marrëveshje më herët, por e ka detyruar mbrojtjen të bëjë kërkesë që këto dokumente të pranohen.

Parashikimi i motit për nesër dhe ditët në vijim, ja kur pritet të bie borë

Reshje më të shumta bore po parashihet të kalojnë mbi vend të premtën mbrëma, e aty këtu mund të vazhdojnë natën me kalimin në ditën e shtunë.

Për të shtunën parashihet të mbretëroj ende mot i ftohtë, kryesisht i vranët. Lokalisht mund të ketë reshje bore, apo të përziera shiu e bore, derisa në pjesë më të ulëta vetëm shiu. Temperaturat luhaten ndërmjet -1C e 4C. Frynë erë e lehtë veriore 2-4m/s.

Nga dita e diel vransirat shpërndahen, e pjesëve të Dukagjinit do të ketë intervale me diell. Minimalet zbresin në -2C, ndërsa maksimalet shkojnë deri në 3C e 5C.

Ditëve të para të dhjetorit, stinës dimërore meteorologjike, po parashihet mot stabil, me intervale më të gjata me diell.

Të martën kalojnë vransira, kryesisht shtresore të nivelit të lartë. Përgjatë ultësirave formohen shtresa mjegulle, apo vransirash të ulëta, që mund të mbeten më gjatë edhe orëve të mesditës.

Temperaturat shënojnë një rritje deri në 7C e 8C, në pjesë ku mund të ketë më shumë kthjellime, derisa në pjesët e mbuluara me mjegull mund të jenë më të ulëta. Minimalet zbresin në -2C e 0C. Do të dominojnë qetësitë. Orëve të pasdites frynë erë e lehtë jugore 1-4m/s.

Rrustemi i VV-së: Qeveria po të mundte do ta shpallte terroriste Listën Serbe, por s’kemi kompetenca

“Qeveria po të mundte ta shpallte terroriste Listën Serbe, sot do ta bënte”, kështu u shpreh Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Rrustemi, i ftuar në ‘Five’, u shpreh se qeveria nuk ka kompetenca për ta bërë këtë gjë pasi Lista Serbe ka statusin e partisë politike të regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Nuk mundet qeveria me shpallë, Lista Serbe e ka statusin e partisë politikë e regjisturar në KQZ dhe këtë nuk mund ta bëjmë”.

“Qeveria po të mundte të shpallte terroriste Listën Serbe, sot do ta bënte, por nuk ka asnjë kompetencë. Kam qenë i përfshirë edhe në aspektin ligjor por këtë s’mund ta bëjë Qeveria, mund ta bëjnë vetëm Gjykatat dhe KQZ-ja”.

Jakup Krasniqit i lind nipi më 28 Nëntor, Altin Krasniqi: Mirë se erdhe bir, në një ditë që u përket të gjithë shqiptarëve

Djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, ka njoftuar se sot është bërë baba i një djali, të cilin e ka pagëzuar me emrin Gegë

Krasniqi ka uruar 28 Nëntorit, duke thënë edhe se lindja e djalit të tij në këtë datë, është një kujtim i bukur se jeta sjell gjithmonë shpresë dhe vazhdimësi.

Postimi:

28 Nëntorit, në familjen tonë iu shtua edhe një festë, lindja e djalit tonë, Gegës.

Lindja jote në këtë datë, Gegë, është një kujtim i bukur se jeta sjell gjithmonë shpresë dhe vazhdimësi.

Emri yt bart traditën dhe dialektin e veriut, ndërsa motra jote, Toska, atë të jugut dhe bashkë bëheni simbol i unitetit të shqiptarëve kudo që janë.

Mirë se erdhe, bir, në një ditë që u përket të gjithë shqiptarëve, e prej sot edhe ty.

Gëzuar Festat e Nëntorit të gjithë shqiptarëve kudo që janë!🇦🇱