div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Raportimi nga Irani: Kemi goditur zyrën e kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanyahu

Garda Revolucionare e Iranit deklaroi se sulmi i tyre i fundit me raketa goditi zyrën e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe selinë e komandantit të Forcat Ajrore Izraelite.

Nuk dihet nëse Netanyahu ishte në zyrë gjatë sulmit.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim, zyra e kryeministrit dhe selia e komandantit u sulmuan dhe u dëmtuan rëndë nga raketat Khyber në valën e dhjetë të sulmeve.

Rriten çmimet e naftës në Kosovë për shkak të zhvillimeve në Lindjen e Mesme

Kryetari i Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani ka njoftuar se si pasojë e zhvillimeve në Lindje të Mesme, janë rritur edhe çmimet e naftës në Kosovë.

Përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, Berjani tha se situata gjeopolitike në Lindje të Mesme po ndikon drejtpërdrejt tregjet e naftës.

“Rritja e tensioneve dhe rreziku për ndërprerje në prodhim apo transport po shtojnë pasigurinë në furnizimin global, duke shtyrë çmimet e naftës më lart. Vëmendja është veçanërisht te Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të kalimit të naftës në botë. Çdo problem në atë korridor reflektohet menjëherë në tregje dhe zakonisht përkthehet në kosto më të larta të karburantit për konsumatorët”, tha ai.

Aktualisht çmimet aktuale në Kosovë janë:
Diesel : 1.18€ deri 1.25 €
Benzin : 1.17 € deri 1.24€.

Çmimet e naftës rriten ndjeshëm

Çmimet globale të naftës janë rritur ndjeshëm ndërsa sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, si dhe sulmet hakmarrëse ndaj bazave ushtarake amerikane dhe izraelite në Lindjen e Mesme, kanë shqetësuar zinxhirin global të furnizimit me energji.

Nafta Brent, standardi ndërkombëtar, po tregtohej në 79.41 dollarë për fuçi të hënën në mëngjes, një rritje prej 9% krahasuar me 72.87 dollarët të premten, duke arritur nivelin më të lartë në shtatë muaj.

Ndërkohë, nafta West Texas Intermediate, prodhim amerikan, po tregtohej në 72.79 dollarë për fuçi, rritje 8.6% nga 67 dollarë të premten.

Tregtarët presin që furnizimi me naftë nga Irani dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme mund të ngadalësohet ose të ndalet përkohësisht, ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se sulmet do të vazhdojnë derisa të arrihen objektivat e SHBA-së.

Të gjithë sytë janë tek Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e tregtisë botërore me naftë detare.

Tankerët që kalojnë aty transportojnë naftë dhe gaz nga Arabia Saudite, Kuvajti, Iraku, Katari, Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Irani. Edhe pse ngushtica nuk është bllokuar ende, monitorimet tregojnë tankerë të grumbulluar nga të dyja anët, të shqetësuar për sulme ose pa mundësi sigurimi për udhëtim. Të dielën, dy anije u sulmuan në këtë zonë.

Jorge Leon, ekspert për analizën gjeopolitike në Rystad Energy, tha për Reuters se “ndalesa efektive e trafikut përmes Ngushticës së Hormuzit po ndalon 15 milion fuçi nafte në ditë të arrijnë tregjet, dhe nëse nuk ka shenja de-eskalimi, pritet rritje e ndjeshme e çmimeve të naftës”.

Rritja e çmimeve të energjisë do të ndikojë drejtpërdrejt tek konsumatorët, duke rritur kostot për karburant dhe ushqime, në një periudhë ku inflacioni është i lartë.

Përpara përshkallëzimit të konfliktit, Irani kishte mbyllur përkohësisht pjesë të Ngushticës së Hormuzit për stërvitje ushtarake në mes të shkurtit, duke shkaktuar rritje prej 6% të çmimeve të naftës.

Në këtë kontekst, tetë vende anëtare të OPEC+ njoftuan të dielën se do të rrisin prodhimin me 206,000 fuçi në ditë në prill, përfshirë Arabinë Saudite, Rusinë, Irakun, Emiratet, Kuvajtin, Kazakistanin, Algjerinë dhe Omanin.

Indeksat kryesore të aksioneve në Azi dhe Evropë kanë pësuar rënie për shkak të tensioneve, ndërsa dollarit i është përfituar si monedhë sigurie, raporton Al Jazeera.

Eksportet ditore të Iranit janë rreth 1.6 milion fuçi, kryesisht për Kinën, e cila mund të kërkojë furnizime alternative nëse eksportet iraniane ndalen, duke ndikuar më tej çmimet e energjisë. Sidoqoftë, Kina ka rezerva strategjike të mjaftueshme dhe mund të rrisë importet nga Rusia.

Vdes e sapolindura e familjes Azemi në Mitrovicë

Sot ka ndërruar jetë vogëlushja e sapolindur e familjes Azemi.

Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale të ndërlikuar për një problem serioz në zemër, e cila fillimisht konsiderohej e suksesshme, ajo nuk arriti të mbijetojë për shkak të gjakderdhjes së brendshme.

Varrimi i vogëlushes do të mbahet më 3 mars 2026, në varrezat e Shipolit në Mitrovicë, pasdite.

Sipas familjes, vajza kishte një çrregullim serioz në arterien kryesore të zemrës, gjendje kjo që kërkonte trajtim urgjent jashtë vendit.

Cakolli saktëson afatin e fundit për zgjedhjen e presidentit, nuk është 4 marsi

Eugen Cakolli ka thënë se 5 marsi është dita e fundit kur deputetët e Kuvendit të Kosovës mund të zgjedhin presidentin.

Pas kësaj date, vendi shkon automatikisht në zgjedhje, ka bërë të ditur komentatori i zhvillimeve politike dhe pjesëtari i shoqërisë civile.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook të hënën, Cakolli deklaroi se krizën e çështjes së presidentit nuk mund ta zgjidhë Gjykata Kushtetuese.

“Kalimi i afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit – që është 5 e jo 4 marsi – e çon vendin në situatë të mospërmbushjes së një obligimi kushtetues”, tha ai.

“Një gjendje e tillë praktikisht mund të adresohet vetëm përmes zgjedhjeve të reja të parakohshme. Sepse, nëse afatet varen nga vullneti për të nisur procedurat, atëherë ato humbin çdo kuptim. Kjo, sa për analogji, do të ishte njësoj sikur afati për konstituimin e Kuvendit të mos fillonte pa u thirrur mbledhja konstituive.”

Sipas Cakollit, “normat kushtetuese nuk mund të lexohen të izoluara dhe vetëm në mënyrë literale, sepse asnjë kushtetutë nuk mund të parashohë çdo situatë politike”.

“Aq më pak që dështimi eventual i këtij procesi nuk do të jetë rezultat i ndonjë paqartësie kushtetuese, por i vullnetit politik. Apo, më saktë, i mungesës së tij për të gjetur zgjidhje”.

Pak para takimit Kurti-Abdixhiku, zyrtari i LDK-së del me këtë kërkesë

As brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk presin shumë nga takimi i planifikuar mes liderit të saj Lumir Abdixhikut me Albin Kurtin, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ky pesimizëm nënkuptohet kur lexon deklaratën e sotme të Bajram Gecajt, këshilltarit politik të Përparim Ramës dhe anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

Ish-zëvendësministri dhe dikur këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa tha sot se çdo përpjekje për dialog politik me Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje është e dështuar.

“Mashtrohen rëndë ata që besojnë se ‘ujku e ka ndërruar zanatin.’ Arroganca e numrave, e shfaqur hapur edhe kur LVV kishte 42%, nuk ka pushuar as sot, vetëm se disa ende refuzojnë ta lexojnë realitetin”, shkroi Gecaj në një postim në Facebook të hënën.

“Populli thotë, ‘çka ka shpija, kallëzon fëmija,’ dhe këtë e dëshmon më së miri arroganca e zhveshur nga çdo maskë e Mefail Bajqinovcit, kur deklaron se “PDK duhet të tregojë nëse me 22 deputetë i ka këto 30 nënshkrime.’ Mesazhi është i qartë dhe alarmues. Ejani, përkuluni te baba dhe vetëm atëherë mund të flasim për zgjedhjen e presidentit”.

Sipas Gecajt, edhe nëse presidenti nuk vjen nga radhët e Vetëvendosjes, Kurti do të pranojë vetëm një figurë “të kontrollueshme, të nënshtrueshme, një president dekorativ”.

Në përfundim, Gecaj theksoi se s zgjedhjet e jashtëzakonshme janë alternativë e vetme.

Çështja e Presidentit, PDK-ja merr këtë vendim

Partia Demokratike e Kosovës do ta mbledh sot Kryesinë e partisë. Ky takim është paralajmëruar për në 13:00

Kjo mbledhje e Kryesisë së PDK-së vjen teksa në vend po ndodh diskutimi për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri dhe derisa në horizont s’ka ndonjë skenar konkret për atë se kush do të jetë shefi i ri i shtetit.

Partitë politike kanë kohë deri me datën 4 mars për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje dhe për të shmangur zgjedhjet e reja të cilat duhet të shpallen në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit të ri.

Presidentja aktuale Vjosa Osmani ka shprehur hapur dëshirën e saj edhe për një mandat, megjithatë duket që për emrin e saj s’ka pajtueshmëri as brenda partisë GUXO që dikur e kishte themeluar.

Nga LVV dhe GUXO kur janë pyetur për emrin e Osmanit kanë thënë se nuk i kanë votat dhe se për ta zgjedhur Osmanin s’bëhet fjalë për pak vota, por për së paku 15 të tilla.

Kurti ka theksuar se i duhet ndihma e opozitës për ta zgjedhur presidentin, gjë për të cilën ka zhvilluar edhe takime me Lumir Abdixhikun e Bedri Hamzën.

Vdes një punëtor i KEK-ut në vendin e punës, zbulohen detajet e para

Korporata Energjetike e Kosovës nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se si pasojë e një incidenti në Termocentralin “Kosova B”,  ka ndërruar jetë një punëtor.

Në njoftimin e kësaj ndërmarrjeje thuhet se tashmë i ndjeri kishte pësuar lëndime të rënda trupore, ku më pas në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet mjekësore  të cilët kanë konstatuar vdekjen e 55-vjeçarit.

Sipas KEK-ut, në incident është përfshirë edhe një kamion.

E konfirmon Gjykata Supreme: Dardan Krivaqa dënohet përfundimisht me burgim të përjetshëm

Gjykata Supreme e Kosovës i ka dhënë fund epilogut gjyqësor për një nga vrasjen më tronditëse në vend, duke konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm për Dardan Krivaqën.

Përmes një aktgjykimi të shkallës së tretë, Supremeja ka refuzuar ankesën e mbrojtjes dhe ka lënë në fuqi vendimet paraprake, duke e vulosur kështu dënimin kapital për vrasjen e Marigona Osmanit.

Në vendimin e saj, Gjykata ka konstatuar se vrasja është kryer në mënyrë tejet mizore, ku viktima ka përjetuar dhimbje të tmerrshme fizike si pasojë e goditjeve me mjet të fortë. Po ashtu, janë hedhur poshtë pretendimet për papërgjegjshmëri mendore, pasi ekspertizat vërtetuan se i akuzuari ishte i vetëdijshëm për veprimet e tij.

Me këtë vendim, Dardan Krivaqa do të mbetet prapa grilave për pjesën tjetër të jetës, pasi Supremeja vlerësoi se dënimi maksimal është në përputhje me rrethanat dhe natyrën e rëndë të krimit.

Njoftimi i plotë:

Në seancën e mbajtur më 22 dhjetor 2025, kolegji i shkallës së tretë, pas shqyrtimit të shkresave të çështjes, pretendimeve të paraqitura në ankesë, propozimit të Prokurorisë së Shtetit dhe përgjigjes së përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, me shumicë votash ka marrë aktgjykim me të cilin refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit, ndërsa vërtetohen aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit.

Me aktgjykimin e shkallës së parë, i akuzuari D.K. ishte shpallur fajtor për veprën penale vrasje e rëndë dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Aktgjykimi ishte vërtetuar edhe nga gjykata e shkallës së dytë.

Duke shqyrtuar pretendimet e paraqitura nga mbrojtja e të akuzuarit, Kolegji i Gjykatës Supreme konstaton se aktgjykimet e gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë, nuk përmbajnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se janë dhënë arsye të qarta për vendimmarrjen.

Kolegji gjyqësor vlerëson se gjykatat më të ulëta kanë analizuar në mënyrë të detajuar të gjitha provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, përfshirë dëshmitë, raportet e ekspertizave dhe provat materiale, duke përfshirë edhe video-incizimet e administruara nga banesa ku kanë qëndruar i akuzuari dhe viktima. Nga këto prova është konstatuar se viktima, M.O., ka qenë në gjendje të rënduar fizike gjatë periudhës kritike dhe se lëndimet e saj janë shkaktuar si rezultat i veprimeve të dhunshme të të akuzuarit.

Po ashtu, Kolegji Gjyqësor i Gjykatës Supreme ka vlerësuar raportin e autopsisë dhe deklarimet e ekspertëve mjeko-ligjorë, sipas të cilëve vdekja e viktimës ka ardhur si pasojë e lëndimeve të shumëfishta trupore (politraumë) të shkaktuara nga goditje me mjet të fortë. Ndaj, është konstatuar se viktima ka përjetuar dhimbje të rënda fizike gjatë kohës kur janë shkaktuar lëndimet, gjë që mbështetë kualifikimin juridik të veprës si vrasje e kryer në mënyrë mizore.

Kolegji gjyqësor ka shqyrtuar gjithashtu pretendimet e mbrojtjes lidhur me procedurën e rigjykimit, ekspertizën psikiatrike të të akuzuarit dhe pretendimet për ndikim të substancave narkotike, duke konstatuar se këto pretendime nuk janë mbështetur me prova që do ta vinin në dyshim ligjshmërinë e vendimeve të gjykatave më të ulëta. Nga raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike është konstatuar se tek i akuzuari nuk është gjetur ndonjë çrregullim mendor i karakterit psikotik dhe se ai ka qenë i aftë të kuptojë veprimet e tij.

Kolegji gjyqësor i Gjykatës Supreme konstaton se dënimi me burgim të përjetshëm i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë dhe i vërtetuar nga gjykata e shkallës së dytë është në përputhje me ligjin dhe me rrethanat e çështjes, duke marrë parasysh natyrën e rëndë të veprës penale, shkallën e përgjegjësisë penale dhe pasojat e saj.

Ish-ministri i PDK-së shpall kandidaturën për President

Akademiku Arsim Bajrami u ka bërë thirrje për unitet politik liderëve të partive politike në zgjedhjen e presidentit të vendit.

Ai përmes një thirrje publike, drejtuar kryetarit i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt, ka thënë se në këtë moment të rëndësishëm për stabilitetin institucional dhe funksionimin kushtetues të Republikës së Kosovës, përtej dallimeve politike dhe interesave partiake, të ndërtohet një unitet politik konsensual për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, me qëllim të shmangies së krizave të panevojshme institucionale, rrezikut të shpërndarjes së Kuvendit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Bajrami ka thënë se në këtë kohë shpreh gatishmërinë e tij për të vënë veten në dispozicion të institucioneve dhe të spektrit politik dhe të qytetarëve të vendit si njëri prej kandidatëve konsensual për president të Republikës së Kosovës, siç ka thënë ai, me përkushtim të plotë ndaj unitetit kombëtar, forcimit të rendit kushtetues, stabilitetit institucional dhe përmbylljes të procesit të shtetndërtimit, në shërbim të qytetarëve dhe të perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës.

Postimi i tij i plotë:

Thirrje për unitet politik për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës

I nderuar Z. Albin Kurti, Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje,
I nderuar Z. Bedri Hamza, Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës,
I nderuar Z. Lumir Abdixhiku, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës,
I nderuar Z. Ramush Haradinaj, Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,
Në këtë moment të rëndësishëm për stabilitetin institucional dhe funksionimin kushtetues të Republikës së Kosovës, ju drejtohem me thirrjen që, përtej dallimeve politike dhe interesave partiake, të ndërtohet një unitet politik konsensual për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, me qëllim të shmangies së krizave të panevojshme institucionale, rrezikut të shpërndarjes së Kuvendit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.
Duke pasur parasysh sfidat komplekse gjeopolitike dhe të sigurisë me të cilat përballet Republika e Kosovës, të cilat kërkojnë maturi shtetërore, unitet politik dhe përgjegjësi të lartë institucionale;
Duke marrë në konsideratë nevojën imperative për përmbylljen e qëndrueshme të procesit të shtetndërtimit, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, parimin e sovranitetit shtetëror dhe orientimin euroatlantik të vendit;
Duke çmuar rolin kushtetues të Presidentit të Republikës si figurë unifikuese, mbi-partiake dhe përfaqësuese e unitetit politik dhe qytetar të popullit të Kosovës;
Duke u bazuar në përvojën time shumëvjeçare në të gjitha fazat kyçe të shtetndërtimit të Kosovës që nga viti 1990, përfshirë rezistencën institucionale, ndërtimin e rendit kushtetues dhe proceset vendimtare të tranzicionit politik;
Duke qenë njëri ndër hartuesit e të gjitha akteve themelore kushtetuese të Kosovës, si dhe duke dhënë kontributin tim politik, juridik dhe institucional gjatë luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në funksion të realizimit të së drejtës së popullit të Kosovës për liri, vetëvendosje dhe shtet të pavarur;
Duke pasur përvojë të drejtpërdrejtë në negociatat ndërkombëtare për lirinë e Kosovës në Rambuje dhe për pavarësinë e saj në procesin e bisedimeve të Vjenës;
Duke njohur në mënyrë të thelluar sistemin kushtetues, juridik dhe institucional të Republikës së Kosovës, si dhe mekanizmat e funksionimit të institucioneve në plan vendor dhe ndërkombëtar;
Duke ndërtuar ndër vite bashkëpunim institucional korrekt, dialog politik konstruktiv dhe respekt reciprok me të gjitha subjektet politike;
Me bindje se i plotësoj kushtet profesionale, politike dhe morale për një kandidaturë konsensuale në funksion të unitetit politik dhe funksionimit kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Shpreh gatishmërinë time për të vënë veten në dispozicion të institucioneve dhe të spektrit politik dhe të qytetarëve të vendit si njëri prej kandidatëve konsensual për President të Republikës së Kosovës, me përkushtim të plotë ndaj unitetit kombëtar, forcimit të rendit kushtetues, stabilitetit institucional dhe përmbylljes të procesit të shtetndërtimit, në shërbim të qytetarëve dhe të perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës.
Njëkohësisht, vlerësoj lartë qëndrimin dinjitoz, parimor dhe shtetformues të kolegut dhe mikut tim të fakultetit,Prof.dr.Murat Jashari dhe të familjes Jashari, të cilët, në frymën e përgjegjësisë kombëtare dhe respektit për sakrificën historike të familjes heroike dëshmuan edhe njëherë vigjilencen e lartë kombëtare.
Ju, shpreh gatishmërinë time për angazhim të vazhdueshëm institucional, akademik dhe publik në mbrojtje të karakterit çlirimtar dhe të drejtë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe, kundër çdo përpjekjeje për demonizimin e saj apo për rishikimin selektiv e diskriminues të historisë nga Dhomat e Specializuara, në kundërshtim me parimet themelore të drejtësisë dhe të së vërtetës historike.
Me respekt të veçantë institucional,
Prof. Dr. Arsim Bajrami
Anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës
Anëtar i rregullt i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave
Anëtar i rregullt i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve