Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani ka thënë se kanë pranuar agjendën legjislative nga qeveria e Kosovës.
Rrahmani ka publikuar disa prioritete të qeverisë Kurti 3 për vitin 2026.
Sipas kësaj agjende projekt Kodi Civil i Republikës së Kosovës, ku parashihet martesa burrë me burrë dhe grua me grua, pritet të vijë në Kuvend për votim më 30.10.2026.
“Projektligji për Gjendjen Civile, ku parashihet ndryshimi i gjinisë çdo 10 vjet – pra 10 vjet bëhesh grua, 10 vjet bëhesh burrë dhe kështu me radhë – pritet të vijë në Kuvend për votim më 30.06.2026”, shkruan Rrahmani.
Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka folur për zhvillimet e fundit politike që lidhen me mundësinë e një kandidature për president nga familja Jashari, duke theksuar se qëndrimi i partisë do të bëhet i ditur vetëm pasi një emër konkret të procedohet zyrtarisht në Kuvendin e Kosovës.
Hamza u shpreh se nuk dëshiron të paragjykojë apo të komentojë situata hipotetike pa u formalizuar procesi, duke nënvizuar respektin e veçantë që gëzon familja Jashari.
Sipas tij, deri në momentin kur një kandidaturë eventuale të dorëzohet zyrtarisht në Kuvend, me nënshkrimet e nevojshme, çdo diskutim mbetet në nivel hipotetik.
“Nuk dëshiroj, nuk kom fol as atëherë as sot, me fol pa ndodh ngjarja. Është familje me shumë kontribute. Të gjithë e dijmë. Flasim me respektin më të madh. Çkado që bëjmë nuk është ekuivalente me atë se çka kanë dhënë për vendin. Dhe gjithmonë për familjen Jashari flas me kujdes dhe nuk flas para kohe. Për shkak se kam respekt, e ruaj vlerësimin më të lartë, e ruaj dinjitetin e familjes, të gjitha çështjet që lidhen me familjen dhe është rast tjetër në raport me të gjitha rastet tjera.
Por, derisa të vjen zyrtarisht në Kuvend, me nënshkrime, çfarëdo kandidati apo kandidate na flasim në mënyrë hipotetike. Deri sot nuk kom pas ndonjë bised drejtpërdrejt dhe nuk di dhe nuk jam në informacion të saktë se cili është pozicioni i tyre në raport me këtë çështje”, deklaroi ai në “Debat Plus”.
I pyetur nëse PDK ka ndonjë preferencë për një emër të caktuar nga familja Jashari, kreu i PDK-së refuzoi të përfshihet në çështje që i konsideron të brendshme familjare, duke theksuar se respekton secilin anëtar të saj.
“Nuk hy në mes familjes, aty ka njerëz me vlera, i respektoj të gjithë, i njoh të gjithë personalisht dhe nuk lëshohem në emra të përveçëm. Nuk mundem une me thanë a do të jetë Bashkimi a Murati a Bekimi”, përfundoi Hamza.
Policia serbe, në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit (BIA), arrestoi mbrëmë dy burra nga Kraljeva, D.R. dhe M.R. nën dyshimin se po përgatitnin një ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues.
Siç ka mësuar Nova, këta janë dy veteranë të Brigadës së 63-të të Parashutistëve, të cilët kanë shoqëruar studentët gjatë të gjitha protestave dhe bllokadave gjatë vitit të kaluar.
“Ata dyshohet se, në periudhën nga dhjetori 2025 deri në shkurt 2026, kanë organizuar një ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues të Republikës së Serbisë dhe përmbysjen e organeve më të larta shtetërore. Për këtë qëllim, ata organizuan blerjen e armëve dhe një sulm ndaj jetës dhe trupit të Presidentit të Republikës së Serbisë, gruas dhe fëmijëve të tij me qëllim privimin e tyre nga jeta, si dhe një sulm ndaj anëtarëve të Ministrisë së Brendshme të Republikës së Serbisë me qëllim që t’u shkaktojnë dëmtime trupore”, tha Ministria e Brendshme në një deklaratë mbrëmë./Indeksonline/
Arlind Manxhuka është emëruar zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, në vend të Përparim Kryeziut, i cili dje është emëruar zv/ministër i Arsimit.
Manxhuka, i cili njëkohësisht është edhe këshilltar politik në zyrën e kryeministrit, do të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë që parashihen me Ligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe detyra shtesë të caktuara nga kryeministri.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 94 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke u bazuar në nenin 9 (1.3), nenin 13 (2 dhe 5) dhe nenin 17 (2) të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe nenin 24 (1) të Rregullores (QRK) Nr.04/2026 për Fushat e përgjegjësisë administrative të ministrive, nxjerr: Z. Arlind Manxhuka emërohet zëdhënës i qeverisë, i cili njëkohësisht është këshilltar politik i kryeministrit”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka zyrtarizuar listën e bashkëpagesave për shërbime shëndetësirë të nivelit tretësor, ku ndër pikat që po ngjall më së shumti reagime është ajo për persona shoqërues të pacientëve, shkruan Insajderi.
Sipas një vendimi, saktësisht pika 5 e shtojcës 4 – përcaktohet se dita e qëndrimit në spital për personin shoqërues të pacientit më të vjetër se 15 vjec kushton 3 euro
Kjo tarifë aplikohet për tërë kohën e qëndrimin në spital, pa ndonjë kufizim kohor.
Besnik Bislimi, dikur zëvendëskryeministër me përgjegjësi për integrim evropian dhe zhvillim ekonomik, degradohet në udhëheqës të Zyrës për Ekspertizë, Zbatim dhe Mbikëqyrje Strategike, sipas vendimit të fundit të Kurtit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur të ndryshojë rolin e njërit nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Besnik Bislimi, duke e autorizuar për një pozitë më administrative në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Sipas dokumentit zyrtar të siguruar nga Demokracia.com, Bislimi do të udhëheqë Zyrën për Ekspertizë, Zbatim dhe Mbikëqyrje Strategike, një strukturë që funksionon nën drejtimin e Kryeministrit.
Në vendim thuhet se mandati i tij në këtë pozitë do të zgjasë për aq kohë sa zgjat mandati i Kryeministrit, ndërsa Bislimi obligohet të deklarojë pasurinë sipas legjislacionit në fuqi.
“Autorizohet z. Besnik Bislimi, të udhëheqë me Zyrën për Ekspertizë, Zbatim dhe Mbikëqyrje Strategjike. Mandati i të autorizuarit nga pika 1 e këtij Vendimi, zgjat për aq sa zgjatë mandati i Kryeministrit. I autorizuari nga pika 1 e këtij Vendimi, obligohet të deklarojë pasurinë sipas legjislacionit në fuqi. Obligohen Zyra e Kryeministrit për zbatimin e këtij Vendimi. Ky Vendim hyn në fuqi ditën e nënshkrimit”, thuhet në këtë vendim.
Dokumenti, i nënshkruar nga Kurti më 20 shkurt 2026, detyron gjithashtu Zyrën e Kryeministrit të zbatojë këtë vendim, i cili hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit.
Vendimi është dërguar edhe te vetë Bislimi, Sekretari i Përgjithshëm i ZKM-së dhe Arkivi i Qeverisë.
Bislimi ka shërbyer si Ministër i Financave dhe Transfereve gjatë qeverisë së parë të Albin Kurtit në vitin 2020, ku mbikëqyri buxhetin, financat publike dhe politikat fiskale të vendit.
Nga 2021 deri më tani, Bislimi ka qenë Zëvendëskryeministër i Kosovës, përgjegjës për integrimin evropian, zhvillimin ekonomik dhe koordinimin e dialogut me Serbinë. Ai ka udhëhequr gjithashtu projekte strategjike qeveritare dhe ka përfaqësuar Kosovën në takime ndërkombëtare për çështje ekonomike dhe politike.