Rama pyet Kurtin: Si arriti Kosova në pikën më të ulët të raporteve me ShBA-në?

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar përmes një postimi në Facebook për raportet e fundit mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.

Rama ka thënë se derisa ShBA ka nisur Dialogun Strategjik me Serbinë, i cili përfshin bashkëpunim në fusha si energjia, siguria, infrastruktura, teknologjia dhe mbrojtja, dialogu strategjik me Kosovën mbetet i pezulluar.

“Brenda pak ditësh, Shtetet e Bashkuara artikuluan qartë prioritetet e tyre në raport me Serbinë dhe Kosovën.

Me Serbinë nisi Dialogu Strategjik, niveli më i lartë i bashkëpunimit dypalësh. Në tavolinë janë marrëveshje për energjinë dhe sigurinë energjetike, investime në infrastrukturë, zhvillimin e rrjetit 5G, bashkëpunimin në mbrojtje dhe industrinë ushtarake, arsimin, shkencën, teknologjinë dhe projekte të përbashkëta afatgjata. Ndërkohë, mesazhi për Kosovën ishte krejt i kundërt”, shkroi ai.

Rama  ka përmendur edhe deklaratat e ish-ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier për dëmtimin e reputacionit të Kosovës në Uashington, duke kërkuar përgjigje nga kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti,  për situatën e krijuar.

“Si ka mundësi që marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara kanë arritur në pikën ku partneriteti strategjik është i pezulluar dhe besimi është vënë në pikëpyetje?”, ka shkruar mes tjerash Rama, duke e cilësuar këtë si një ndër momentet më të vështira në raportet Kosovë-ShBA./Klankosova.tv

Rusia goďet me raketa anijen turke me grurë në Detin e Zi, pesë marinarë të vr’arë

Një anije tregtare turke është goditur të dielën nga tre raketa ruse, duke shkaktuar vdekjen e pesë anëtarëve të ekuipazhit, njoftoi Marina e Ukrainës. Ndërkohë, fati i pesë marinarëve të tjerë mbetet ende i panjohur.

Anija transportuese, e cila ishte e ngarkuar me grurë, u godit nga raketat e lundrimit ndërsa po largohej nga zona e konfliktit, sipas autoriteteve ukrainase.

Tetë persona u shpëtuan dhe u evakuuan drejt një spitali në Odesa, në brigjet e Detit të Zi.

Kievi e ka dënuar sulmin, duke e cilësuar si një goditje të qëllimshme ndaj një anijeje civile të paarmatosur me flamur të huaj.

“Ky është një sulm i ri dhe i qëllimshëm nga Rusia kundër një anijeje civile të paarmatosur me flamur të huaj, e cila nuk përbënte absolutisht asnjë kërcënim. Ky sulm është një akt terrorist kundër lundrimit paqësor dhe një shkelje serioze e ligjit ndërkombëtar humanitar”, deklaroi pala ukrainase.

Sipas ministrit të Jashtëm në detyrë të Ukrainës, Andriy Sibikha, ekuipazhi përbëhej kryesisht nga shtetas sirianë dhe indianë, ndërsa mes viktimave ishte edhe kapiteni ukrainas i anijes.

“Ndërsa bota vazhdon të reagojë ndaj sulmit brutal të Rusisë gjatë natës në Kiev, Moska vazhdon fushatën e saj të terrorit gjatë gjithë ditës”, u shpreh Sibikha.

Sulmi ndaj anijes vjen pas një vale të re përshkallëzimi në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Gjatë natës së së shtunës dhe të dielës, ushtria ruse lëshoi rreth 20 raketa balistike drejt Kievit, duke shkaktuar një viktimë dhe 16 të plagosur. Ndërkohë, forcat ruse vijojnë sulmet ndaj porteve ukrainase, veçanërisht në rajonin e Odesës.

E konfirmon MPB-ja në Shkup: Tre shtetas të Kosovës gjenden të pajetë pas një aksidenti

Tre shtetas të Kosovës, të cilët ishin raportuar si të zhdukur, janë gjetur të pajetë në një veturë të aksidentuar në rrugën që lidh Pikëkalimin Kufitar Bllacë me Shkupin. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut.

Sipas autoriteteve maqedonase, ngjarja është evidentuar mbrëmjen e 19 korrikut 2026, rreth orës 22:35, pasi policia në Shkup mori njoftim për një automjet të tipit “Mercedes”, me targa gjermane, i cili ishte përmbysur përgjatë këtij aksi rrugor.

Ekipet policore që dolën menjëherë në vendin e ngjarjes zbuluan se brenda automjetit ndodheshin tre persona pa shenja jete – një burrë dhe dy gra. Mjeku i ekipit të urgjencës, i cili mbërriti në vendngjarje, konstatoi vdekjen e tyre.

MPB-ja bëri të ditur gjithashtu se disa orë më herët, rreth orës 13:40 të së njëjtës ditë, një qytetar nga Kosova kishte paraqitur në Stacionin Policor Bit Pazar një raportim për zhdukjen e tre personave. Sipas deklarimit të tij, komunikimi i fundit me ta ishte zhvilluar më 18 korrik, rreth orës 22:15, kur ata ndodheshin në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.

Shteti nis hetimet pasi dyshohet që mijëra fëmijë mga diaspora marrin shtesa në Kosovë çdo muaj

Shteti rrit kontrollin mbi paratë publike. Pas rritjes së shtesave për fëmijë në tridhjetë euro, Ministria e Financave ka nisur një proces të gjerë verifikimi për t`i pastruar listat e përfituesve. Alarmi vjen pas largimit të mbi 37 mijë qytetarëve nga Kosova vetëm brenda një viti, duke ngritur dyshime se mijëra fëmijë që jetojnë në mërgim, vazhdojnë të paguhen nga buxheti i shtetit.

Rreth 400 e 6 mijë fëmijë në Kosovë marrin çdo muaj shtesat e rritura nga qeveria, por jo të gjithë ata jetojnë realisht këtu. Shifrat alarmante të emigrimit që i jep Agjencia e Statistikave, kanë detyruar Ministrinë e Financave të nisë një aksion të rreptë verifikimi. Qëllimi është i qartë: zbulimi i familjeve që kanë braktisur vendin për bashkim familjar, por që po vazhdojnë të përfitojnë jashtë ligjit nga skemat sociale të Kosovës.

“Ka një numër të atyre që kanë përfituar dhe që nuk kanë qenë banorë të Kosovës. Është një numër i konsiderueshëm i tyre që i janë nënshtruar kontrollit. Meqenëse procesi vazhdon, nuk e kam shifrën e saktë se sa prej tyre janë larguar nga skema e përfitimit për shtesa për fëmijë”, tha Liridon Llozani, këshilltar për media në MPFVLÇ.

Sistemi aktual i shpërndarjes së parave publike po përballet me kritika të ashpra nga ekspertët. Mungesa e kritereve të qarta dhe mosndërlidhja e sistemeve elektronike mes institucioneve po shihet si një mundësi e hapur për keqpërdorimin e fondeve shtetërore.

 

“Unë e shoh problemin e shtesave si ndihma të parregulluara me ligj, që janë të menjëhershme, pa kritere të qarta dhe që shpërndahen pa një ndërlidhje të sistemeve që e regjistrojnë popullatën, për të parë edhe papunësinë e popullsisë. Tek ne konsiderohen të papunë vetëm ata persona që regjistrohen në zyrat e punësimit, ndërsa të gjithë e dimë që një pjesë e madhe e popullsisë nuk regjistrohet aty”, tha Bardha Qirezi, hulumtuese dhe njohëse e çështjeve sociale dhe arsimore.

Alarmi vjen pas largimit të mbi tridhjetë e shtatë mijë qytetarëve nga Kosova vetëm brenda një viti, duke ngritur dyshime se mijëra fëmijë që jetojnë në mërgim vazhdojnë të paguhen nga buxheti i shtetit. Ndaj, për t’i mënjanuar keqpërdorimet e mundshme dhe hapësirat për dyshim, Ministria e Financave ka nisur një aksion të gjerë të krahasimit të të dhënave, duke paralajmëruar gjithashtu një bazë të re ligjore që do ta rregullojë këtë sektor.

“Çështja e shtesave për fëmijë, sikurse edhe disa skema të tjera sociale, do të rregullohet me ligj. Aty do të përcaktohen të gjitha kriteret dhe format e përfitimit. Procesi i verifikimit po bëhet përmes platformës e-Kosova, por edhe përmes Departamentit të Skemave Sociale, duke i krahasuar të dhënat tona me të dhënat që posedojnë institucionet e tjera”. Tha Llozani.

Rritja e shtesave për fëmijë, dukshëm ka rritur edhe numrin e përfituesve të këtyre shtesave. Ndaj, sfida kryesore për institucionet mbetet garantimi që këta miliona euro të taksapaguesve të shkojnë vetëm për familjet që jetojnë dhe kontribuojnë brenda kufijve të Kosovës. Derisa ligji i ri të jetë gati, platformat digjitale do të jenë filtri kryesor që do të vendosë se kush do të mbetet në listat e përfituesve dhe kush do të largohet nga skema./RTK

Tre persona të zhdukur, familjarët kërkojnë ndihmë për gjetjen e tyre

Familjarët kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen e tre personave, për të cilët thonë se janë zhdukur dhe nuk kanë më asnjë kontakt me ta.

Bëhet fjalë për:

* Ejup Ternava
* Cennet Ternava
* Fatmire Shabani

Sipas njoftimit të familjarëve, ata janë parë për herë të fundit mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:00 në Shkup. Dyshohet se ishin nisur nga aeroporti në drejtim të Kosovës, por që nga ajo kohë nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tyre.

Ata po udhëtonin me një veturë Mercedes GLC me ngjyrë blu, me targa MR-DT 2025.

Familjarët u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që, nëse kanë parë personat ose automjetin, apo posedojnë çfarëdo informacioni që mund të ndihmojë në gjetjen e tyre, të kontaktojnë menjëherë familjarët ose Policinë.

Çdo informacion mund të jetë i rëndësishëm për gjetjen e tyre. Gjithashtu, kërkohet që ky njoftim të shpërndahet sa më shumë për të ndihmuar në lokalizimin e tyre.

Ju lutemi shpërndajeni sa më shumë këtë njoftim.

Kontakt:

‪+49 1573 8465566‬

+49 178 3900599

+49 176 62983674

+383 49 195277

Publicisti e propozon Donikë Gërvallën për presidente të Kosovës

Publicisti Idriz Zeqiraj vlerëson se zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donikë Gërvalla, do të ishte një zgjedhje e denjë për postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Sipas tij, përvoja e gjatë politike, angazhimi shumëvjeçar për çështjen e Kosovës dhe integriteti personal e bëjnë atë një figurë të përshtatshme për këtë funksion të lartë shtetëror.

“Për një çerek-shekulli kam punuar me zonjën Gërvalla dhe pretendoj se e njoh mirë”, deklaron Zeqiraj, duke kujtuar se ajo u përball me tragjedinë familjare që në moshën 10-vjeçare, kur iu vra politikisht babai i saj, Jusuf Gërvalla.

Ai rikujton se Gërvalla ishte pjesë e lëvizjeve studentore në Shqipëri për rrëzimin e simboleve të regjimit komunist, ndërsa më pas vazhdoi studimet edhe në Gjermani, ku u angazhua në veprimtarinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Ajo vepronte në të gjithë Evropën për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për sigurimin e fondeve për mbijetesën dhe mbrojtjen e vendit”, shprehet ai.

Zeqiraj thekson se gjatë luftës në Kosovë, Donikë Gërvalla ishte e pranishme në debate televizive ndërkombëtare, ku, sipas tij, përballonte me argumente përfaqësuesit serbë dhe mbronte kauzën e Kosovës.

“Sipas analistëve evropianë dhe botërorë, Donikë Gërvalla ishte fituese në këto debate, falë njohjes së shkëlqyer të rrethanave dhe argumenteve për represionin serb në Kosovë”, thotë ai.

Duke komentuar kritikat që i janë bërë Gërvallës ndër vite, Zeqiraj thotë se ato lidhen me denoncimin që ajo ka bërë ndaj individëve të caktuar për krime dhe veprime të dëmshme gjatë dhe pas luftës.

“Donikë Gërvalla pati guximin qytetar dhe intelektual t’i quante kriminelë dhe sabotatorë ata që, sipas saj, dëmtuan luftën dhe stabilitetin e pasluftës”, deklaron ai.

Sipas Zeqirajt, Gërvalla shquhet për ndershmëri, vendosmëri dhe mosgatishmëri për kompromise që cenojnë parimet.

“Ajo, me pastërtinë morale dhe trashëgiminë e dëshmuar familjare, e përmbush mrekullisht mirë pozitën kulmore të Presidentes së Republikës së Kosovës”, vlerëson publicisti.

Megjithatë, ai shpreh rezervën se largimi i saj nga detyra aktuale mund të ndikojë në ecurinë e disa reformave të rëndësishme në drejtësi.

“Për opinionin shqiptar do të ishte lëndues largimi i saj nga posti ministror, për shkak të proceseve si Vettingu dhe Byroja për Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të cilat vazhdojnë të sabotohen prej vitesh”, përfundon Zeqiraj.

Çitaku: Kosova po mbetet në periferi, Serbia po e thellon bashkëpunimin me SHBA-në

Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e ka kritikuar qeverisjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke thënë se Kosova vazhdon të jetë e izoluar dhe me marrëdhënie të dëmtuara me aleatët strategjikë, ndërsa Serbia po avancon bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Çitaku shkroi në Facebook se, “përderisa tash e gjashtë vjet Kosova vazhdon të jetë e izoluar, nën masa ndëshkuese dhe me marrëdhënie të lënduara me aleatët tanë strategjikë, Serbia po e thellon bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Marrëveshja e re për Dialogun Strategjik SHBA–Serbi përfshin fusha kyçe të së ardhmes: inteligjencën artificiale, energjinë, gazin e lëngshëm amerikan (LNG), të cilin Albin Kurti e refuzoi me kryeneçësi, si dhe bashkëpunimin në hulumtimet hapësinore”, shkroi ajo.

Sipas Çitakut, këto janë pasojë e një politike që, siç u shpreh ajo, “e ka zëvendësuar diplomacinë me propagandën, partneritetin me arrogancën dhe interesin shtetëror me kultin e liderit”.

“Sikur të mos mjaftonte kjo, vetëm pak ditë pas vizitës në Kosovë i këshilltarit të posaçm të Presidentit Trump, u publikua një raport tejet kritik, që dëmton imazhin e vendit tonë. Këto nuk janë rastësi. Janë pasojë e një politike që e ka zëvendësuar diplomacinë me propagandën, partneritetin me arrogancën dhe interesin shtetëror me kultin e liderit”, shkroi ajo.

“Dikur Kosova ishte në qendër të vëmendjes së botës demokratike. Sot, për fat të keq, po rrëshqet në periferi të interesimit të qendrave vendimmarrëse ndërkombëtare. E ardhmja e Kosovës ndërtohet me aleanca të forta, me besueshmëri dhe me koordinim me partnerët tanë strategjikë, jo me vetëkënaqësi e konfrontim. Me këtë mënyrë të qeverisjes, rrezikojmë të mbetemi në periferi. Dhe këtë çmim nuk e paguan një qeveri, por e paguajnë qytetarët dhe e ardhmja e Republikës sonë”, shtoi Çitaku.

Kajtazi: Kur Hoti ishte në pushtet edhe njerëzit ishin të qetë, kur ki n’kry dikënd të trentë, tranohen tani krejt

Gazetari dhe opinionisti Vehbi Kajtazi ka krahasuar periudhën e qeverisjes së mirë të LDK-së gjatë mandatit të Avdullah Hotit si kryeministër me pushtetin më shumë se gjashtëvjeçar të Vetëvendosjes së prirë nga Albin Kurti.

Kajtazi në emisionin “VV Show” me Visar Ymerin, ka thënë se gjatë qeverisjes së Hotit mbretëronte një qetësi që e karakterizonte edhe vetë kryeministrin.

“Kur LDK-ja ka qenë në pushtet me Avdullah Hotin kryeministër, nëntë muaj apo sa i zgjati, edhe njerëzit ishin të qetë, nuk kishte fyerje kërcënime, nuk kishte gjuhë të rëndë, duke e parë Hotin si kryeministër i qetë dhe i urtë edhe tensioni dhe gjakrat e qytetarëve të këtij vendi ishin më të ulur. Pra kishte një lloj urtësie të përgjithshme, por kur e ki në kry dikë të trentë, masandej tranohen krejt, çmenden krejt”, ka thënë Kajtazi.

Kajtazi ka thënë se nuk e kupton se si sillet një parti me plot agresivitet ani se është në pushtet.

“Ne po jetojmë në gjashtëvjeçar çmendurie, për mua është problematike se si mund të jenë kaq të çmendur derisa janë në pushtet, por pse duhesh me qenë agresiv në pushtet ndaj dikujt që është i urtë”, ka thënë Kajtazi.

Sot në Prishtinë do të protestohet në mbrojtje të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku

Sot organizohet protestë në mbrojtje të Lumir Abdixhikut pasi po synohet shkarkimi i tij.

Protesta do të organizohet në ora 17:00 nga “Lidhja për Popullin”.

Protesta do të organizohet te zyrat Qendrore të LDK-së në Prishtinë.

Kjo për shkak të zhvillimeve në LDK, ku një grup delegatësh po kërkojnë Kuvend të ri zgjedhor partiak dhe shkarkimin e Abdixhikut nga pozita e kryetarit.

Abdixhiku ka pranuar që të mbahet ky Kuvend, dhe delegatët të vendosin nëse ai duhet të vazhdojë të drejtojë LDK-në.

Gazetari shqiptar vďes në një aksiďent të rëndë me motor

Një aksident i rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Vlorë. Si pasojë e aksidentit raportohet se ka vdekur gazetari i “News24”, Enrik Mehmeti.

Enrik Mehmeti ka humbur jetën në moshën 40-vjeçare, pas aksidetit me motor, raportojnë mediat në Shqipëri.

Gazetari Mehmeti ka raportuar ngjarjet nga qarku i Vlorës. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.