Pagat, Murati jep njoftimin e rëndësishëm

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se paga mesatare në Kosovë është rritur për 53 për qind gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, duke iu referuar të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Sipas tij, paga mesatare bruto në vend për vitin 2025 ka arritur në 713 euro, që paraqet një rritje prej 247 eurosh krahasuar me nivelin e vitit 2020, kur Qeveria Kurti mori mandatin.

Murati ka theksuar se gjatë periudhës 2014-2019 paga mesatare ishte rritur për 74 euro, apo 18 për qind, duke shtuar se rritja gjatë qeverisjes së tanishme ka qenë tri herë më e madhe sesa gjatë qeverive të udhëhequra nga Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj.

“Këtë e thonë të dhënat zyrtare të ASK-së”, ka shkruar Murati, duke u bërë thirrje mediave dhe analistëve që, kur flasin për rritjen e pagave, t’u referohen statistikave zyrtare për të siguruar informim sa më të saktë të qytetarëve./Zëri

E trishtë: Vdes i riu shqiptar me motoçikletë

Pas aksidentit me një veturë, derisa po lëvizte me motoçikletë, ndërroi jetë 20 vjeçari, transmeton Portalb.mk.

Aksidenti ndodhi në orë e mbrëmjes, ndërsa nga audio incizimet shihet se si aksidenti ndodhi në orën 22:22.

Aty u përfshi një veturë dhe dy motorë, ashtu qe njeri i mbijetoi aksidentit, ndërsa Muzafer Fetahi ndërroi jete.

E sulmoi nënën e tij, arrestohet i riu

Një rast i dhunës në familje është raportuar të premten në Vushtrri, ku një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga djali i saj.

E gjithë, sipas policisë, kjo erdhi si pasojë e një mosmarrëveshjes mes dy personave, transmeton Klankosova.tv.

I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“Je mirë, s’ke nevojë për psikiatër” – burri dyshohet se e tërhoqi zvarrë dhe e rrahu gruan

Një grua nga Fushë Kosova ka përfunduar viktimë e dhunës në familje, pasi dyshohet se u sulmua fizikisht nga bashkëshorti i saj vetëm pse kishte planifikuar të shkonte në një vizitë te psikiatri.

Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur pasditen e së premtes në rrugën e Uglarit, ku Policia është njoftuar për një incident brenda familjes.

Sipas deklarimit të viktimës R. M, ajo kishte pasur një termin të rregullt mjekësor te psikiatri, por bashkëshorti i saj, A. M, nuk e kishte lejuar të largohej nga banesa.

Madje, sipas dëshmisë së saj, ai e kishte tërhequr zvarrë dhe e kishte goditur me shuplaka, duke e kthyer me forcë brenda shtëpisë. Viktima ka deklaruar se gjatë incidentit i dyshuari i ishte drejtuar me fjalët: “Je mirë, nuk ke nevojë të shkosh te psikiatri”.

Pas denoncimit, Policia ka ndërmarrë veprimet hetimore dhe ka intervistuar palët e përfshira në rast.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar për Dhunë në Familje, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa A. M është dërguar në ndalim për 48 orë në Qendrën e Paraburgimit.

Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

Lajm i mirë për shoferët – bie për disa centë çmimi i naftës

Për tri ditë me radhë, nga sot, çmimet e derivateve në Kosovë do të shiten me çmime të njëjta.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, çmimi i naftës nga sot do të shitet për 1.52 euro për litër, benzina për 1.43 euro për litër dhe gazi 0.74 euro.

Në njoftim thuhet se këto çmime vlejnë edhe për të dielën dhe të hënën.

Të premten çmimi i naftës ishte 1.55 euro për litër, tre centë më shtrenjtë se sot. Benzina ishte 1.49 euro, gjashtë centë më shtrenjtë se sot.

Nafta u shtrenjtua prej kur më 28 shkurt Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nisën luftën me Iranin, shtet që menjëherë mbylli Ngushticën e Hormuzit, e cila shfrytëzohet si rrugë detare për 20 për qind të naftës në nivel botëror.

Ky është zyrtari i lartë që merrte pagë pa shkuar fare në punë – dyshohet se i shkaktoi mbi 39 mijë euro dëm buxhetit

Një zyrtar komunal në Komunën e Kllokotit ka përfunduar nën hetim për korrupsion, nën dyshimet se për vite me radhë ka përfituar pagë nga buxheti i shtetit pa u paraqitur fare në vendin e punës.

Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Strahinja Spasic, i cili ishte i sistemuar si zyrtar në Bibliotekën Komunale të Kllokotit.

Sipas hetimeve të zhvilluara nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, janë siguruar prova dhe dokumente zyrtare që dyshohet se dëshmojnë se Spasic nuk është paraqitur fare në vendin e tij të punës, ndërsa ka vazhduar të përfitojë pagën mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Hetimet kanë nxjerrë dyshime se gjatë periudhës 2019–2026, ai ka përfituar kundërligjshëm gjithsej 39 mijë e 232 euro e 21 cent, duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Kllokotit.

Për këto veprime, Spasic dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

I dyshuari është intervistuar dje në prani të avokatit të tij mbrojtës, ndërsa me vendim të Prokurorit të çështjes i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Rasti po hetohet nga organet kompetente.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Hajdar Beqa: Mjaft më me këtë qeverisje, Kosova është gati për ndryshim

Në Gjakovë është mbajtur një tubim i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ku kandidati për deputet Hajdar Beqa ka deklaruar se ky takim është dëshmi e qartë, sipas tij, se ndryshimi i madh po vjen më 7 qershor.

Duke iu drejtuar qytetarëve, përfaqësuesve të besimeve fetare, mbështetësve, aktivistëve dhe simpatizantëve të PDK-së, Beqa ka thënë se Kosovës i duhet zhvillim ekonomik, qeverisje e përgjegjshme dhe një drejtim i ri që sjell shpresë, punë dhe mirëqenie për qytetarët.

“Të gjithë së bashku, ta themi fuqishëm: mjaft më me këtë qeverisje!”, është shprehur ai.

Ai ka bërë thirrje për mbështetje të kandidatit të PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, duke theksuar se Kosova, sipas tij, meriton më shumë, meriton ndryshim dhe fitore.

“PDK është gati. Gjakova është gati. Kosova është gati për ndryshim”, ka deklaruar Beqa.

 

LDK pa vija të kuqe, Bunjaku: Kurti do të shkojë në opozitë

Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, gjatë debatit zgjedhor ka folur për programin me të cilin LDK po garon në zgjedhjet e 7 qershorit.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve, studentëve dhe lehonave që t’i marrin përfitimet financiare që po ndahen nga qeveria, duke theksuar se ato janë para të qytetarëve, por kërkoi që të mos bien pre e manipulimeve politike.

“Qytetarët, studentët dhe lehonat le t’i marrin paratë që po i shpërndan Kurti, sepse ato janë paratë tona, por mos t’i mashtrojnë për blerjen e votave”, deklaroi Bunjaku-Rexhepi.

Ajo shtoi se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka “vija të kuqe” ndaj partive të tjera politike, duke theksuar nevojën për bashkëpunim institucional.

“LDK nuk ka vija të kuqe për askënd, sepse jemi shqiptarë dhe për president duhet me bashkëpunu me secilin”, tha ajo.

Sipas Bunjaku-Rexhepit, pas zgjedhjeve aktuale, Lëvizja Vetëvendosje do të përfundojë në opozitë.

“Besoj që qeveria Kurti ka me kaluar në opozitë”, deklaroi ajo.

Në fund, ajo theksoi se LDK po garon me një program që, sipas saj, ofron zgjidhje konkrete për qytetarët dhe zhvillimin e vendit.

Serbët në Veri largojnë nga puna shqiptarët me arsyetimin se nuk i plotësojnë kriteret

Janë bërë 5 muaj prej kur Lista Serbe e rimori udhëheqjen e komunës në Mitrovicë të Veriut.

Me të marrë detyrën, kjo parti nisi edhe vendimet për largim nga puna të shqiptarëve që punojnë në institucione atje.

Disa shqiptarë u detyruan të largohen nga puna që kryenin në zyrën e komuniteteve, në sallën e sporteve e nëpër institucione shëndetësore.

“Arsyetimi sipas tyre gjithmonë është se nuk e kanë kryer detyrën e tyre si duhet, ose nuk i plotësojnë kriteret. Unë jam shqiptar, 90 për qind janë serb aty, unë s’e di serbishten, ata nuk e dinë shqipen, a është kusht apo problem, nuk e kanë kusht me ditë gjuhën serbe”, deklaroi asamblisti nga Partia Demokratike e Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Emin Azemi.

Azemi apelon që secili që ndihet i kërcënuar duhet të procedojë me ndjekje penale.

“Nëse ata e ndjejnë veten se janë të kërcënuar, në njëfarë forme iu është bërë e padrejtë, mund ta procedojnë penalisht secilin, i cili e merr guximin të ushtrojë çdo lloj presioni që ai/ajo të largohet nga puna”.

Sipas zëvendëskryesueses së Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Aida Ferati-Doli, ka pasur raste që shqiptarët janë rikthyer në vendet e tyre të punës.

“Kemi një motër medicinale në Kodër të Minatorëve, që është larguar nga puna si i ka bërë gjashtë muaj, për shkak të performancës, po fatmirësisht që Këshilli po i kthen këta punëtorë, secili që po bën ankesë sepse po shkelen ligjet, duke i larguar”, u shpreh Ferati-Doli për Dukagjinin.

Largimet e tilla nga puna, sipas ish-zëvendëskryesuesit të Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Skënder Sadiku, mund të ndodhin edhe për shkak të fushatës zgjedhore.

“Është kohë fushate, janë duke u keqpërdorur edhe këto, mirëpo bëj apel tek partitë politike që të mos preket dinjiteti i qytetarit, të ruhen vendet e punës, të ruhet qytetari, ndërsa këta që kanë probleme duhet të drejtohen tek ata që e mbrojnë ligjin”, deklaroi Sadiku.

Largime nga puna të shqiptarëve në veri pas rikthimit në pushtet të Listës Serbe u raportuan edhe në janar të këtij viti, saktësisht në komunën e Zveçanit.

200 euro për të porsalindurit për një vit

Kandidati për Kryeministër, Lumir Abdixhiku nga tubimi në Kaçanik ka deklaruar se LDK do ta bëjë shtetin krah të familjes, me ministrinë e Familjes.

Ai u zotua se të porsalindurit do të kenë 200 euro në muaj për plot 12 muaj.

‘’Ne do ta bëjmë shtetin krah të familjes. Me Ministrinë e Familjes. Me 200 euro në muaj për secilin të porsalindur, për plot 12 muaj – 2400 euro mbështetje për fillimin e jetës së secilit fëmijë në Republikën tonë’’, tha Abdixhiku.

Tutje ai shtoi se ‘’do të ketë mbështetje mujore për secilin fëmijë deri në moshën 16-vjeçare, sepse familja nuk duhet ta ndiejë shtetin vetëm në prag zgjedhjesh, por në përditshmërinë e saj’’.