Zhvillime në LDK: Kjo degë kërkon zgjedhje të brendshme në gjithë strukturën e partisë
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Rahovec ka kërkuar hapjen e një procesi të ri zgjedhor brenda partisë në të gjitha nivelet organizative, pas vlerësimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 7 qershor 2026.
Kjo kërkesë u bë gjatë një mbledhjeje të Kryesisë së degës, të zhvilluar të premten, më 26 qershor, ku u analizua performanca zgjedhore e LDK-së si në nivel lokal në Rahovec, ashtu edhe në nivel vendi.
Në komunikatën e lëshuar pas mbledhjes, thuhet se anëtarët e pranishëm njëzëri kanë vlerësuar se partia duhet të hyjë në një proces të plotë reformimi përmes zgjedhjeve të brendshme, duke marrë përgjegjësinë për rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit.
“Duke pasur parasysh pritjet e larta dhe rezultatin e dobët të LDK-së në këto zgjedhje, si në Rahovec ashtu edhe në nivel republike, vlerësojmë se është e domosdoshme që të organizohen zgjedhje në të gjitha strukturat e partisë”, thuhet në deklaratë.
Dega e LDK-së në Rahovec thekson se një proces i tillë është i nevojshëm për forcimin dhe riorganizimin e subjektit politik në të ardhmen.
