div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive date custom-background wp-custom-logo wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Kërkohet shkarkimi i policit që shqiptoi 60 euro gjobë për djemtë e dy heronjve të Kosovës

Dega e OVL-UÇK-së në Viti ka reaguar ashpër ndaj veprimit të Policisë së Kosovës për të dënuar djemtë e heronjve të Kosovës për vendosjen e simbolit të UÇK në tabelat e veturës.

Kryetari i kësaj, Idriz Quni, ka vlerësuar se gjobitja me 60 euro djalit të heroit Nijazi Azemi dhe djalit të heroit Rexhep Bislimi për vendosjen e simbolit të UÇK-së është e papranueshme.

Përmes një reagimi, ai ka kërkua shkarkimin e policit që ka dënuar ata.

“Simbolet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk përfaqësojnë shkelje apo provokim, por sakrificën, gjakun dhe luftën për lirinë e vendit tonë. Është e papranueshme dhe shqetësuese që në Kosovën e lirë të ndëshkohen qytetarët për respektin dhe krenarinë ndaj UÇK-së. Kërkojmë përgjegjësi institucionale dhe shkarkimin e menjëhershëm të policit në fjalë, pasi veprime të tilla dëmtojnë besimin qytetar dhe cenojnë vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë. Njëkohësisht, shprehim respektin tonë për Policinë e Kosovës dhe për të gjithë ata zyrtarë policorë që me nder e profesionalizëm i shërbejnë vendit, duke respektuar sakrificën e dëshmorëve dhe historinë e shtetformimit të Kosovës. Por raste të tilla nuk guxojnë të tolerohen në asnjë formë”, ka shkruar ai.

Nga viti 2019 nuk u paraqit në punë, por mori pagë, ndalohet zyrtari i lartë

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ndaluar të dyshuarin S.S, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në njoftim thuhet se sipas dyshimit të bazuar, i pandehuri S.S, nga viti 2019 e deri me datë 02.03.2026 i punësuar në Komunën e Kllokotit, në cilësinë e zyrtarit për kulturë, rini, sport dhe si menaxher i bibliotekës së Kllokotit, me dashje ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke mos i përmbushur të njëjtat, dhe ka përfituar pagën mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës, përkundër se i njëjti nuk është paraqitur në punë dhe nuk ka ushtruar asnjë aktivitet të punës, konform detyrave që ia parasheh kontrata, duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerën prej 39.231.21 euro.

Prokuroria Themelore në Gjilan, ndaj të pandehurit ka filluar hetimet si dhe brenda afateve kohore do të paraqitë masën për sigurimin e të pandehurit pranë Gjykatës Themelore në Gjilan.

Merret vendimi për të dyshuarin që vrau 37-vjeçarin

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj A.S i cili dyshohet për vrasjen e E.I.

“Gjykata Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, përmes gjyqtarit të procedurës paraprake Xhemajl Jusufi ka marrë aktvendim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një të pandehurit A.S., lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale: Vrasja e rëndë nga neni 173 par.1 nën par.1.8, Vrasja në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28, Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par. 1 të KPRK-së. Sipas aktvendimit, të pandehurit Arben Spasolli i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet në njoftim.

Gjykata bëri të ditur se koha e paraburgimit do t’i llogaritet nga data 27 maj 2026 deri më 26 qershor 2026.

Ja kur dalin 100 eurot për punëtorët e sektorit privat

Dje është hapur zyrtarisht aplikimi për përfitimin e 100 eurove për punëtorët e sektorit privat në Kosovë, në kuadër të Pakos për përballje me inflacionin 2.0 të Qeverisë së Kosovës. Aplikimi po bëhet online përmes formularit zyrtar të Administratës Tatimore të Kosovës.

Sipas informacioneve, pas aplikimit fillimisht do të bëhet verifikimi i të dhënave të secilit aplikues, përfshirë saktësinë e informatave personale dhe llogarisë bankare. Vetëm pas përfundimit të këtij procesi pritet të nisë ekzekutimi i mjeteve prej 100 euro për përfituesit.

Burime të ndryshme bëjnë të ditur se pagesat pritet të dalin menjëherë pas përfundimit të verifikimeve, ndërsa aplikuesit janë këshilluar që të plotësojnë me kujdes të gjitha të dhënat, pasi aplikimet me gabime mund të refuzohen.

Paga të larta, ulje të çmimeve e vende të reja pune: 113 zotimet e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar 113 zotimet e detajuara të programit qeverisës.

Një plan pune për një Kosovë që punon, zhvillohet dhe e bën jetën e qytetarit më të lehtë, e ka quajtur LDK këtë program.

“Ky është plani ynë për shtet që punon, për familje që mbështeten, për të rinj që ndërtojnë jetë këtu, për ekonomi që zhvillohet dhe për Kosovë me dinjitet në botë. Bashkohu!”.

Ndërsa ka renditur 10 premtimet kryesore:

  1. Paga më të larta, menjëherë,

Koeficienti 150 dhe dyfishimi i pensioneve.

  1. Punë për çdo të ri të diplomuar,

Punësim i garantuar dhe trajnim për 40 mijë të rinj.

  1. Ulje e çmimeve,

Moratorium i çmimeve të energjisë dhe ulje e çmimeve të produkteve bazike.

  1. Aleancë e pathyeshme me Perëndimin,

Kosova në NATO e BE, përfaqësim dinjitoz, partneritet strategjik, siguri kombëtare dhe besueshmëri ndërkombëtare.

  1. Pavarësi energjetike për Kosovën,

Central i ri me gaz amerikan.

  1. Kosova e lidhur përmes infrastrukturës rrugore,

Përfundimi i autostradave dhe magjistraleve brenda mandatit.

  1. Dhjetëra-mijëra vende të reja pune,

Investitor strategjik në ICT dhe ekonomi digjitale.

  1. Mbështetje për familjen, me ligj,

Shtesa të garantuara për fëmijë, lehona, gra kujdestare dhe pensionistë.

  1. Spital i ri i Kosovës,

Kujdes shëndetësor modern e dinjitoz.

  1. Mësim tërëditor për fëmijët tanë,

Në secilën komunë të Kosovës.

KQZ pezullon një parti politike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar 29 organizata për vëzhgimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 7 qershor 2026.

Ndërsa, dy organizatave iu refuzua ky akreditim, me arsyetimin se njëra nuk zhvillon veprimtari që ndërlidhen me procesin zgjedhor ose me mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Rrjedhimisht, u rekomandua refuzimi i akreditimit dhe u mor vendimi për refuzim.

Po ashtu, edhe për organizatën “Odbor za kontrolu i opservaciju” u tha se në dokumentet e statutit të saj i referohet Kosovës me termin “Kosovo i Metohije”, formulim ky që bie ndesh me rendin kushtetues dhe juridik të Kosovës. Prandaj, u refuzua akreditimi i kësaj organizate me 9 vota pro dhe një abstenim.

Pas kësaj, mbledhja vazhdoi me rekomandimin për pezullimin e partisë politike të regjistruar “Eko-Levizja e Gjelbër” me akronim ELGJ. U tha se ky subjekt politik është dashur të mbajë kuvendin e tij zgjedhor më 25 maj 2026, por zyra nuk ka pranuar asnjë njoftim për mbajtjen e këtij kuvendi.

Zyra i rekomandoi KQZ-së që të pezullojë këtë subjekt politik, në mënyrë që ai të aplikojë dhe brenda 45 ditëve ta mbajë kuvendin zgjedhor. Përveç kësaj, u rekomandua që në rast të mosmbajtjes së kuvendit brenda afatit prej 45 ditësh, partia politike të çregjistrohet.

Me asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, KQZ-ja mori vendim për pezullimin e kësaj partie politike.

Largohet nga RTK redaktorja që intervistoi Fitore Pacollin

Redaktorja e Radio Televizionit të Kosovës, Blerta Foniqi-Kabashi, ishte degraduar në pozitë pas intervistës që zhvilloi në muajin korrik të vitit të kaluar deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli e cila ishte ashpërsuar gjatë intervistës, pasi Kabashi e kishte pyetur se burri dhe familjarët e saj kishin përfituar mijëra euro nga buxheti i shtetit.

Blerta Foniqi-Kabashi përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka njoftuar së nuk do të jetë pjesë e RTK’së pas 22 vite pune.

“Sot ka qenë dita ime e 8157-të në RTK. Për 22 vite me radhë, brenda këtij institucioni, kam kaluar sfida, jam rritur profesionalisht dhe kam krijuar kujtime të bukura.Dua që ky mesazh përshëndetës të mos jetë i rëndë, sepse shumë shpejt do të vijë një moment tjetër për ato që ende nuk janë thënë.Kam menduar se do të mërzitem shumë kur të vijë dita të largohem nga RTK. Por është krejt e kundërta. Po ndihem e çliruar. Megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, RTK do të mbetet gjithmonë ❤️ jeme”, ka shkruar ajo.

Foniqi-Kabashi është zotuar se gjatë këtyre viteve ka punuar pa hile dhe me dinjitet.

“Betohem se gjatë gjithë karrierës sime kam punuar profesionalisht, pa hile dhe me dinjitet. FAJI IM I VETËM ËSHTË SE E DUA RTK-NË VETËM SI TRANSMETUES TË PUBLIKUT. Andaj edhe në vazhdim do të punoj me përkushtim që një ditë RTK të jetë vërtet e publikut”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, “më vjen keq për kolegët që po i lë pas në atë ambient, por jam e bindur se së bashku do ta rindërtojmë RTK-në, sepse Radiotelevizioni i Kosovës është i të gjithëve”.

Postimi i plotë:

Arrestohet kandidati i PDK-së për deputet

Qëndrim Kryeziu, kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, është arrestuar mesditën e së premtes nga Policia e Kosovës.

Kryeziu është arrestuar pasi nuk i kishte përfillur urdhrat e Policisë së Kosovës, gjatë një aksioni për shkatërrimin e pompës së derivateve “Patroni”, përball objektit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

“Asnjë fjalë nuk po e du, a po ma liron vendin me dëshirën tënde, apo po i marrim ne veprimet tona”, dëgjohet duke iu drejtuar një zyrtare policore Kyreziut, pak para se ajo të jepte urdhrin për arrestimin e tij.

Ai është shoqëruar për në stacionin policor nga dy policë.

Alarmon analisti Paçarizi: Ligji për Shtetësinë e ndryshon demografinë, Lista Serbe mund të dalë partia e dytë

Opinionisti Rrahman Paçarizi ka komentuar nisjen e fushatës nga partitë politike për zgjedhjet e 7 qershorit.

Në Rubikon me Adriatik Kelmendin në Klan Kosova, Paçarizi ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje me premtimet e saj për këto zgjedhje, po e zhvendos vëmendjen nga tema të rëndësishme, për çka tash ka marrëveshje.

Ai ka përmendur njohjen e dokumenteve të lëshuara nga strukturat paralele serbe dhe Ligjin për Shtetësinë, si rreziqe që mund t’i vijnë Kosovës nga ndryshimi i demografisë.

“Ligji për Shtetësinë ka me na shkaktu probleme. Ky ligj ua njeh shtetësinë edhe atyre refugjatëve, kolonëve nga Kroacia, që kanë marrë pjesë në luftra, potencialisht kriminelë. Edhe ka me qenë më së keqi në listat votuese, me çka Lista Serbe ka gjasa shumë të mira me dalë partia e dytë në Kosovë.”, ka thënë Paçarizi.

E dhimbshme: Vdes futbollisti i ri shqiptar

Ka vdekur futbollisti 13-vjeçar Afgan Asani nga fshati Çerkez i Kumanovës.

Lajmin e dhimbshëm e ka bërë të ditur trajneri i tij, Ismet Zeqiri, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, transmeton Klankosova.tv.

Afgan Asani ishte pjesë e klubit KF Kumanova, ku konsiderohej si një talent i ri dhe i dashur nga bashkëlojtarët dhe trajnerët.

Në mesazhin e tij prekës, Zeqiri ka shprehur dhimbjen e madhe për humbjen e futbollistit të ri, duke i shprehur ngushëllime familjes Asani dhe të gjithë të afërmve.