Ky është 19-vjeçari nga Vitia që humbi jetën në aksidentin tragjik në Itali

Personi që shihet në foto është 19-vjeçari Dion Emerllahu nga fshati Ramjan i Vitisë, i cili ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë trafiku në Itali, teksa po udhëtonte nga Franca drejt vendlindjes së tij.

Sipas njoftimit të Këshillit të Fshatit Ramjan, më 21 korrik 2026, Dion Emerllahu ishte nisur së bashku me familjen nga Franca për në Kosovë, për të kaluar pushimet dhe për të festuar ditëlindjen e tij.

Gjatë rrugës, në afërsi të Milanos në Itali, automjeti që drejtohej nga Dioni u përfshi në një aksident me një veturë tjetër. Pas përplasjes, 19-vjeçari u dërgua me urgjencë në një spital të zonës, ku për disa ditë luftoi për jetën.

Por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, Dioni nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra. Ai u nda nga jeta më 24 korrik, pikërisht në ditën kur mbushte 19 vjet, në praninë e prindërve të tij.

Familjarët dhe banorët e Ramjanit e kanë përshkruar Dionin si një djalë të urtë e punëtor, i cili jetonte dhe punonte me prindërit dhe axhallarët e tij në Francë.

Këshilli i Fshatit Ramjan ka shprehur ngushëllimet më të thella për familjen Emerllahu, prindërit e Dionit, axhallarët dhe të gjithë të afërmit, duke e cilësuar humbjen e tij si një dhimbje të madhe për gjithë fshatin.

Njoftimi për kohën e varrimit pritet të bëhet nga familja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *