Paraqiten problemet e para në aplikimin për 100 eurot në sektorin privat

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, njoftoi sot se është hapur aplikimi për shtesën prej 100 euro për punëtorët e sektorit privat.

Megjithatë, menjëherë pas hapjes së aplikimit, janë paraqitur problemet e para. Disa prej aplikuesve, po u figuron se “Më këtë numër personal është aplikuar një herë më parë për këtë masë”, shkruan Reporteri.net

Rrjedhimisht, nuk po mund të procedojnë me kërkesën.

Nga Ministria ende nuk ka ndonjë sqarim për këtë problematikë. /Reporteri.net

Hapet aplikimi për 100 eurot për punëtorët e sektorit privat

Është hapur aplikimi për subvencionimin e punëtorëve të sektorit privat, ndërsa afati për aplikim është deri më 5 qershor 2026.

Të drejtë aplikimi kanë punëtorët e sektorit privat, OJQ-ve dhe entiteteve publike që nuk paguhen nga lista e pagave të buxhetit.

Përfituesit duhet të kenë pagë bruto deri në 1,000 euro dhe të jenë të deklaruar në ATK për muajin prill.

Njoftimi i plotë:

Hapet aplikimi për punëtorët e sektorit jo-publik

Aplikimin mund ta bëni duke plotësuar formularin në vijim:
https://apps.atk-ks.org/Subvencionim

Secili i punësuar duhet të aplikojë individualisht, dhe të sigurohet që të dhënat e plotësuara të jenë të sakta.

Llogaria bankare duhet patjetër të jetë në emër të përfituesit.

Aplikimet që përmbajnë gabime, refuzohen.

Afati i aplikimit:
Deri me datën 5 qershor 2026.

Kush mund të aplikojë:
– Punëtorët në sektorin privat;
– Punëntorët në entitete jo-publike (OJQ);
– Punëtorët në entitete publike por që nuk marrin pagë nga buxheti përmes listës së pagave (Ndërmarrjet Publike, RTK etj).

Kriteri i përfitimit:
– Përfituesi duhet të ketë të ardhura mujore bruto jo më shumë se 1,000 euro;
– Punëtori duhet të jetë i deklaruar në ATK nga punëdhënësi me deklaratën e muajit prill (që është bërë deri me 15 maj).

Qindra serbë aplikojnë për t’u bërë shtetas të Kosovës, Sveçla ‘krenohet’ në një konferencë

Ligji për Shtetësi që votua në Kuvendin e Kosovës ka bërë që qindra serbë të kenë mundësi të aplikojnë që të pajisen me shtetësi të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili tha se të gjitha aplikimet janë duke u verifikuar, transmeton lajmi.net.

“Ka pas me qindra aplikime të shtetasve të Serbisë, të gjitha ato janë duke u verifikuar dhe në momentin që përplotësohet edhe kërkesat ligjore dhe të cilat u janë adresuara atyre në momentin  e publikimit të këtij ligjit do fillojmë edhe me fazën tjetër.”, u shpreh ai.

Ky ligj u votua me votat e VV-së dhe Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës. Opozita ishte kundër.

“Vajzën 5-vjeçe e kishte aty”, detaje nga vrasja e 37-vjeçarit në Mitrovicë

Një rast i rëndë është shënuar të mërkurën mbrëma në lagjen Romëve në Mitrovicë të Jugut, ku një 37-vjeçar, Eduan Brahimi, mbeti i vrarë, ndërsa vëllai i tij, Shaban Brahimi mbeti i plagosur.

Daja i dy vëllezërve, Habib Hajdini, për Klan Kosovën ka treguar se si ka ndodhur ngjarja.

“Viktima ka qenë i përgjakshëm, kam menduar që është rrahur me dikë. Kur i kam pyetur policët, më kanë treguar se janë dy të lënduar që janë dërguar në spital. Shokët e lagjes aty më kanë treguar se më kanë pasur problem. Vëllai i viktimës, Shabani veç se kishte pas ardhur nga Gjermania, dhe ka shkuar te vëllai i tij për me shku në Lipjan, për festë të Bajramit, ka pasur muzikë atje. Me viktimën, Erduanin, ka qenë një shok i tij si dhe vajza pesëvjeçare e Erduanit”, tha daja i të ndjerit.

Sipas Hajdinit, dorasi ka shkuar rreth orës 21:00 te shtëpia e Erduanit, i cili sipas dajës, ia ka hapur derën.

“Ndoshta i kanë ndërruar dy-tre fjalë, e pastaj ka nxjerr një mjet të mprehtë ku i ka mëshuar në fyt. Ndërkohë, Shabani dhe ai shoku kanë qenë në terasë. Kur e kanë pa Erduanin, e kanë pa të përgjakshëm. Vrasësi ka tentuar më pas edhe Shabanin ta sulmojë”, tha Hajdini.

Sipas Hajdinit, Shaban Brahimi është lënduar në fytyrë, kurse dorasi Arben Spasolli është larguar nga vendi i ngjarjes.

I dyshuari është kapur nga policia dhe është dërguar në mbajtje për 48-orë.

Pak para zgjedhjeve, Limaj vendos sloganin e kësaj partie në profilin e tij në Facebook

Fatmir Limaj ka vendosur logon e Partisë Demokratike të  Kosovës (PDK) në profilin e tij në rrjetet sociale.

Megjithëse nuk pranuan që Limaj të ishte pjesë e listës së kësaj partie për zgjedhjet e 7 qershorit, ai nuk ka hezituar që logon e partisë, pjesë e së cilës ishte vite më parë, ta vendosë në profilin e tij.

Logo “Stop krizës , ndrysho Kosovën PDK 125”, tashmë shihet në profilin e Limajt në Facebook.

 

Kurti jep detaje për krijimin e Xhandarmërisë së Kosovës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dhënë detaje të reja rreth krijimit Xhandarmerisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si një nevojë të domosdoshme për sigurinë kombëtare dhe përballjen me sfidat që sipas tij, vijnë nga Serbia.

Kurti deklaroi se struktura e Xhandarmërisë do të jetë moderne, e specializuar dhe e disiplinuar, me rol të ndërmjetëm mes Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Sipas Kurtit, Xhandarmeria do të ketë mandat të qartë për sigurimin e vijës tokësore, ujore dhe ajrore në gjithë territorin e Kosovës, si dhe për operacione kundër grupeve terroriste, strukturave të armatosura dhe formacioneve paraushtarake.

Ai shtoi se kjo forcë do të angazhohet edhe në parandalimin e kontrabandës ndërkufitare me mallra dhe migrantë, si dhe në mbrojtjen e infrastrukturës kritike të vendit.

Kryeministri në detyrë bëri të ditur se themelimi dhe funksionalizimi i Xhandarmerisë do të realizohet përmes një ligji të veçantë që pritet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës në legjislaturën e 11-të.

“Me qëllim të adresimit të sfidave e vështirësive të mëdha e rreziqeve jo të vogla nga Serbia e përballja me to – themelimi i xhandarmerisë si strukturë e re e specializuar moderne dhe e disiplinuar është domosdoshmëri e kohës , e cila do të plotësojë boshllëkun ndërmjet Policisë së Kosovës dhe ushtrisë, përkatësisht FSK-së. Xhandarmeria do të ketë një mandat të qartë, sigurimi i vijës tokësore, ujore dhe ajrore në tërë territorin e Kosovës, operacione kundër grupeve terroriste dhe të armatosura, përfshirë ato me karakter paraushtarak, parandalimi dhe luftimi i të gjitha llojeve të kontrabandës ndërkufitare, si me mallra dhe migrantë, si dhe sigurimi i infrastrukturës kritike. Themelimi dhe funksionalizim i xhandarmerisë do të bëhet me miratimin e ligjit të veçantë nga Kuvendi i Kosovës në legjislaturën e 11-të”, deklaroi ai në konferencën për media.

VV kërkon para për fushatë nga qytetarët: Kontribuoni lehtësisht me kartelë bankare ose përmes bankës

Lëvizja Vetëvendosje me anë të një postimi ka kërkuar para nga qytetarët për fushatën zgjedhore.

VV me anë të një postimi tha se Lëvizja ka nevojë për paratë e qytetarëve, transmeton lajmi.net.

“Lëvizja, si çdo herë, ka nevojë për ndihmën tuaj. Për të mbështetur aktivitetet e vullnetarëve, organizimin e tubimeve dhe mbrojtjen e votës, secili donacion sado i vogël ndihmon jashtëzakonisht shumë.”, u tha ndër të tjera në postim.

Tutje, VV tha se donacioni mund të bëhet me kartelë ose me anë të bankës.

Postimi i plotë:

Të dashur mbështetës, miq e aktivistë,
Lëvizja, si çdo herë, ka nevojë për ndihmën tuaj. Për të mbështetur aktivitetet e vullnetarëve, organizimin e tubimeve dhe mbrojtjen e votës, secili donacion sado i vogël ndihmon jashtëzakonisht shumë.
Rregullat e dhurimit mund t’i lexoni në faqen tonë zyrtare. Ndërsa, brenda pak minutash, mund të kontribuoni lehtësisht me kartelë bankare ose përmes bankës.
Faleminderit për mbështetjen, besimin dhe angazhimin tuaj të vazhdueshëm!
Vizito faqen tonë: https://www.vetevendosje.org/nf.

 

Tragjike: Vetura godet për vdekje këmbësorin në Pejë, shoferi ikën nga vendi i ngjarjes

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot, rreth orës 11:00, në aksin rrugor Zllapek–Raushiq në Pejë, ku një këmbësor ka humbur jetën pasi u godit nga një veturë.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Sipas informacioneve fillestare, drejtuesi i automjetit pas aksidentit është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ndodhet në arrati, ndërsa vetura ka mbetur në vendngjarje.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e këmbësorit.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit dhe identifikimin e shoferit të dyshuar.

 

I dënuari për vrasje kapet me armë në brez në një kafiteri

Një person me të kaluar kriminale është arrestuar mbrëmjen e 27 majit në Prizren, pasi Policia i gjeti armë pa leje gjatë një kontrolli rutinë në një kafiteri, raporton Gazeta Sinjali.

Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Shpend Hotin, i dënuar më herët për vrasje.

Sipas informatave, patrulla policore kishte dalë në rrugën “Remzi Ademaj” pas raportimeve për muzikë me zë të lartë në lokalin “Fellas”.

Gjatë kontrollit rutinë ndaj të dyshuarit, Policia kishte zbuluar në brezin e tij një pistoletë të prodhimit turk të kalibrit 9×19, së bashku me një karikator, 14 fishekë dhe këllëfin e armës.

Sinjali mëson se i dyshuari është shoqëruar menjëherë në Stacionin Policor në Prizren, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit policorë dhe njësia e krimteknikës, të cilët kanë sekuestruar armën dhe municionin në cilësinë e provave materiale.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, Shpend Sejdi Hoti është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Osmani: Kandidimi kërkesë e qytetarëve, jo ambicie personale

Si numër 1 në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e ka synim edhe një mandat.

Por ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po thotë se kandidimi i saj për një mandat të dytë nuk ka të bëjë me përfitime personale.

Osmani thotë se kjo është kërkesë e qytetarëve.

“Kjo nuk ka të bëjë aspak me emrin tim, por me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, të cilët, siç e dinë të gjithë, e kanë kërkuar edhe një mandat të dytë. Unë e kam dëgjuar atë zë, e kam dëgjuar zërin e qytetarëve të Kosovës dhe interesin e Republikës së Kosovës. Megjithatë, në asnjë moment kjo nuk lidhet me ndonjë ambicie personale, sepse unë e kam përfunduar atë ambicie; pra është qesharake të thuhet se po kërkoj diçka që unë veçse e kam pasur dhe e kam përfunduar si mandat”, u shpreh Osmani mbrëmë në Tëvë1.

Ish-shefja e shteti i listoi edhe arritjet dhe punën që e bëri për pesë vjet.

“Nga katër njohjet e reja, tek anëtarësimi si shtet themelues në një organizatë ndërkombëtare që është Bordi i Paqes, te përfshirja e Kosovës në misione paqeruajtëse ndërkombëtare, tek fuqizimi i sistemit të mbrojtjes, e deri te shumë çështje të tjera që nuk diskutohen në baza ditore, si mbështetja e grupeve të margjinalizuara, mbështetja e fuqishme e grave dhe e fëmijëve me nevoja të veçanta, si dhe shumë tema të tjera që i kemi shtyrë përpara dhe i kemi shndërruar në kauza jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij. Unë e kam përfaqësuar Kosovën me dinjitet, kam treguar storien e popullit të Kosovës kudo në botë dhe jam siguruar që nuk ka cep të botës që nuk e di për krimet e Serbisë. Jam ballafaquar me Vuçiqin dhe me çdo lider të Serbisë, publikisht, në takime dhe në samite ndërkombëtare, dhe kudo tjetër kam mbrojtur interesin e Kosovës dhe vetëm të Kosovës. Nga një punë e tillë nuk ka përfitim personal; ka përfitim vetëm për Republikën e Kosovës”, tha ajo.

E kthyer në LDK pas disa vitesh, Osmani u pyet se deri ku mund të shkojë LDK më 7 qershor.

“Kemi pritshmëri pozitive. Nuk dua të flas me numra, sepse nuk do të ishte mirë nga ana ime, por megjithatë entuziazmi është shumë i madh, motivi i njerëzve është shumë i madh për të na përkrahur dhe për të na besuar këtë vizion. Kështu që mbesim me shpresë se me punën e përbashkët që do ta bëjmë edhe në ditët e mbetura do të kemi një rezultat të mirë”, tha Osmani.

Kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, ka deklaruar se do t’i ndjekë në rrugë ligjore deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët sipas saj kanë shpifur ndaj saj.