Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot, rreth orës 11:00, në aksin rrugor Zllapek–Raushiq në Pejë, ku një këmbësor ka humbur jetën pasi u godit nga një veturë.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Sipas informacioneve fillestare, drejtuesi i automjetit pas aksidentit është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ndodhet në arrati, ndërsa vetura ka mbetur në vendngjarje.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e këmbësorit.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit dhe identifikimin e shoferit të dyshuar.
Një person me të kaluar kriminale është arrestuar mbrëmjen e 27 majit në Prizren, pasi Policia i gjeti armë pa leje gjatë një kontrolli rutinë në një kafiteri, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Shpend Hotin, i dënuar më herët për vrasje.
Sipas informatave, patrulla policore kishte dalë në rrugën “Remzi Ademaj” pas raportimeve për muzikë me zë të lartë në lokalin “Fellas”.
Gjatë kontrollit rutinë ndaj të dyshuarit, Policia kishte zbuluar në brezin e tij një pistoletë të prodhimit turk të kalibrit 9×19, së bashku me një karikator, 14 fishekë dhe këllëfin e armës.
Sinjali mëson se i dyshuari është shoqëruar menjëherë në Stacionin Policor në Prizren, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit policorë dhe njësia e krimteknikës, të cilët kanë sekuestruar armën dhe municionin në cilësinë e provave materiale.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, Shpend Sejdi Hoti është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Si numër 1 në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e ka synim edhe një mandat.
Por ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po thotë se kandidimi i saj për një mandat të dytë nuk ka të bëjë me përfitime personale.
Osmani thotë se kjo është kërkesë e qytetarëve.
“Kjo nuk ka të bëjë aspak me emrin tim, por me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, të cilët, siç e dinë të gjithë, e kanë kërkuar edhe një mandat të dytë. Unë e kam dëgjuar atë zë, e kam dëgjuar zërin e qytetarëve të Kosovës dhe interesin e Republikës së Kosovës. Megjithatë, në asnjë moment kjo nuk lidhet me ndonjë ambicie personale, sepse unë e kam përfunduar atë ambicie; pra është qesharake të thuhet se po kërkoj diçka që unë veçse e kam pasur dhe e kam përfunduar si mandat”, u shpreh Osmani mbrëmë në Tëvë1.
Ish-shefja e shteti i listoi edhe arritjet dhe punën që e bëri për pesë vjet.
“Nga katër njohjet e reja, tek anëtarësimi si shtet themelues në një organizatë ndërkombëtare që është Bordi i Paqes, te përfshirja e Kosovës në misione paqeruajtëse ndërkombëtare, tek fuqizimi i sistemit të mbrojtjes, e deri te shumë çështje të tjera që nuk diskutohen në baza ditore, si mbështetja e grupeve të margjinalizuara, mbështetja e fuqishme e grave dhe e fëmijëve me nevoja të veçanta, si dhe shumë tema të tjera që i kemi shtyrë përpara dhe i kemi shndërruar në kauza jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij. Unë e kam përfaqësuar Kosovën me dinjitet, kam treguar storien e popullit të Kosovës kudo në botë dhe jam siguruar që nuk ka cep të botës që nuk e di për krimet e Serbisë. Jam ballafaquar me Vuçiqin dhe me çdo lider të Serbisë, publikisht, në takime dhe në samite ndërkombëtare, dhe kudo tjetër kam mbrojtur interesin e Kosovës dhe vetëm të Kosovës. Nga një punë e tillë nuk ka përfitim personal; ka përfitim vetëm për Republikën e Kosovës”, tha ajo.
E kthyer në LDK pas disa vitesh, Osmani u pyet se deri ku mund të shkojë LDK më 7 qershor.
“Kemi pritshmëri pozitive. Nuk dua të flas me numra, sepse nuk do të ishte mirë nga ana ime, por megjithatë entuziazmi është shumë i madh, motivi i njerëzve është shumë i madh për të na përkrahur dhe për të na besuar këtë vizion. Kështu që mbesim me shpresë se me punën e përbashkët që do ta bëjmë edhe në ditët e mbetura do të kemi një rezultat të mirë”, tha Osmani.
Kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, ka deklaruar se do t’i ndjekë në rrugë ligjore deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët sipas saj kanë shpifur ndaj saj.
Një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur nga therjet me thikë të mërkurën në mbrëmje në Mitrovicë.
Dy viktimat – Erduan dhe Shaban Ibrahimi – janë vëllezër, ndërsa i dyshuari është një person me inicialet A.S.
I dyshuari është arrestuar të enjten në mëngjes, ka bërë të ditur Prokuroria.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen e Romëve.
Rasti është iniciuar si vrasje e rëndë, tha sot Prokuroria Themelore e Mitrovicës në një njoftim për media.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se mbrëmjen e 27 majit 2026, në Lagjen e Romëve në Mitrovicë, ka ndodhur një vrasje e rëndë, ku si pasojë e plagëve të marra në fyt nga një armë e ftohtë – thikë, një person i gjinisë mashkullore ka humbur jetën, ndërsa është plagosur edhe vëllai i tij”, tha Prokuroria.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë.
Ka ndërruar jetë Flamur Kuçi, në moshën 37-vjeçare, raporton Sinjali.
I ndjeri ka qenë ekonomist në Suharekë, ku njihej për profesionalizmin dhe angazhimin e tij, duke lënë pas dhimbje të thellë te familja, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur.
Familja Kuçi ka njoftuar se varrimi i të ndjerit do të bëhet sot, më 28.05.2026, në orën 18:00, në varrezat e qytetit në Suharekë.
Organet e hetuesisë e kanë identifikuar të dyshuarin për vrasjen e Agron Hajdarit, të njohur me nofkën ‘Radulla’, e cila ndodhi të mërkurën në mbrëmje në Prishtinë.
Pas intervistimit të dëshmitarëve, hetuesit policorë e kanë identifikuar Arblind Pirevën si të dyshuar për vrasjen në rrugën ‘Rifat Berisha’ të lagjes Bregu i Diellit në kryeqytet, raporton sot portali Sinjali bazuar në burime.
I dyshuari, Pireva, ndodhet në arrati.
Sipas raportimit të portalit, katër dëshmitarë janë intervistuar të mërkurën për vrasjen e rëndë.
Agron Hajdari vdiq në vendin e ngjarjes si pasojë e plagëve të pësuara nga të shtënat me armë zjarri, të cilat e goditën në kokë, gjoks dhe shpinë.
Prokuroria e Shtetit e ka cilësuar rastin si vrasje e rëndë.
Një tjetër ngjarje kriminale, disa rrugë më tej vendit ku ndodhi vrasja e Hajdarit, tronditi lagjen Bregu i Diellit para më pak se dy javësh. Të shtënat me armë zjarri në natën e 14 majit, e plagosën rëndë një person. Autorët e atij krimi nuk janë identifikuar ende.
Në Breg të Diellit në Prishtinë, një person është vrarë mbrëmjen e sotme.
Viktima është Agron Hajdari, i njohur me nofkën “Radulla”, i cili ka qenë emër i njohur për organet e rendit.
Ndërkaq, gazetarja e Klan Kosova, Amantina Hasani, ka dhënë detajet e fundit nga ky rast.
Sipas informatave që ka mbledhur gazetarja, ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të një borxhi që dorasi i ka pasur viktimës.
“Dyshohet që në mosmarrëveshje e sipër ka ndodhur edhe vrasja. Me sa kemi dëgjuar, ka pasur probleme me dikë, por nuk dihet nëse është dorasi personi me të cilin ka pasur probleme”.
“Fqinjët thanë se i kanë dëgjuar krismat, teksa shtuan se e kanë njohur viktimën, por që nuk kanë pasur ndonjë problem me të dhe nuk është njohur si problematik. Thonë se ka qenë i qetë në lagje”, tha gazetarja Hasani.
Po ashtu, është mësuar se “Radulla” është vrarë afër vendit ku ka qëndruar zakonisht, teksa banesën e ka pasur pak më larg vendit të ngjarjes.
Ai ishte rreth të 30-ave.
Trupi i viktimës tashmë është larguar nga vendi i ngjarjes.
Një person ka mbetur i vdekur në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë mbrëmjen e së mërkurës, si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.
Lajmin e ka konfimruar për Gazetën Sinjali, Enis Pllana nga Policia e Kosovës.
“Rreth orës 20:30 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri, në rrugën “Sali Nivica” në Prishtinë”.
“Njësitet policore dhe ekipi mjekësor, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e një personi (mashkull)”.
“Policia në koordinim me prokurorinë ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”.
Bashkim Gashi nga Kosova, është arrestuar nën dyshimin se gjatë natës mes të martës dhe të mërkurës ka vrarë gruan me të cilën bashkëjetonte në Ulqin dhe më pas i ka vënë zjarrin shtëpisë ku jetonin.
Ai është lënduar nga zjarri dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm në Tivar, e më pas në Qendrën Klinike të Malit të Zi në Podgoricë, tha policia.
Viktima ishte shtetase e Shqipërisë, siç bëri të ditur policia malazeze.
“Policia, në një kohë shumë të shkurtër, identifikoi dhe vuri nën kontroll personin që dyshohet se gjatë natës ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë ndaj gruas që po bashkëjetonte, e më pas ka shkaktuar zjarr në vendin e ngjarjes, në shtëpinë ku jetonin së bashku, në lagjen Kodre në Ulqin. Departamenti i Sigurisë në Ulqin është njoftuar rreth orës 00:30 se në një objekt banimi, në një shtëpi në lagjen Kodre, kishte rënë zjarr. Zyrtarët policorë dolën menjëherë në vendin e ngjarjes, ku u gjet trupi i pajetë i një personi të panjohur, i identifikuar më vonë si D.N. (36), shtetase e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Siç shtohet më tej, zyrtarët policorë shumë shpejt gjetën dhe vunë nën kontroll një person me lëndime të shkaktuara nga zjarri, për të cilin më vonë u konstatua se bëhej fjalë për Gashin (46 vjeç).
“Lidhur me ngjarjen është njoftuar prokurori i shtetit në Prokurorinë e Lartë Shtetërore në Podgoricë. Zyrtarët policorë, në koordinim dhe me urdhër të prokurorit kompetent, kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet për zbardhjen e rastit, kanë marrë deklarata nga disa persona dhe kanë sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë, si dhe prova materiale nga vendi i ngjarjes që do t’i nënshtrohen ekspertizës. Veprimet e deritanishme policore dhe prokuroriale tregojnë dyshime se B.G. ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ka shkaktuar zjarr në vendin e ngjarjes dhe më pas është larguar nga aty”, thuhet në njoftim.
Hetimet në vendin e ngjarjes janë kryer nga prokurorja kompetente e Prokurorisë së Lartë Shtetërore në Podgoricë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve policorë dhe në prani të ekspertit për zjarre, shpërthime dhe aksidente teknike. Prokurorja e ka cilësuar rastin si vepër penale të vrasjes së rëndë, thanë nga policia.
“Trupi i viktimës D.N. është dërguar për obduksion mjeko-ligjor në Qendrën Klinike në Podgoricë, ku do të përcaktohen shkaku i vdekjes dhe rrethanat e sakta në të cilat ka ndodhur vdekja. Personi B.G. është vënë nën kontroll dhe po ruhet nga policia në Qendrën Klinike, ku po trajtohet për djegiet që ka pësuar gjatë ngjarjes. Publiku do të njoftohet me kohë për informacione të tjera lidhur me rastin nga organet kompetente që po merren me hetimin”, thuhet në njoftim.
Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka deklaruar se nuk do ta votonte Albin Kurtin për kryeministër, edhe në rast se do të kishte marrëveshje politike me Lëvizjen Vetëvendosje, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Në “Intervista Zgjedhore” në KosovaPress, ish deputetja e LDK-së u shpreh kategorike kundër një qeverie të udhëhequr nga Kurti, duke thënë se vota e saj nuk do të ishte pro një kabineti të tillë.
Megjithatë, Ymeri tha se një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës mund të diskutohet dhe mbetet në dorën e strukturave partiake.
Ndiqeni intervistën e plotë këtu:
Ymeri preferon qeveri me PDK-në e AAK-në: Nuk e votoj Kurtin për kryeministër edhe nëse ka marrëveshje politike
“Unë veç mundem me thënë për vete që një qeveri ku është kryeministër Albin Kurti unë nuk e votoj. Qysh do që të jetë. Me ditë që LDK-ja i merr 18 ministri, por kryeministër është Albin Kurti unë nuk e votoj. Kur ta bëjnë atë marrëveshje politike, le ta dinë se vota ime nuk është…39:11(Koalicioni) Mes LDK-së, PDK-së e AAK-së le të mbetet në vendim të partisë, mundet me u diskutu”, tha ajo.
Duke folur për çështjen e presidentit, Ymeri tha se LDK-ja nuk duhet të insistojë kategorikisht që Vjosa Osmani të jetë presidente edhe për një mandat, nëse kjo do ta çonte vendin sërish në zgjedhje.
Ymeri thotë se LDK nuk duhet të insistojë që domosdo Vjosa Osmani të jetë presidente
“Çështja e presidentit nuk duhet të jetë kategorike, për me e çuar prapë në zgjedhje. Ajo (Vjosa Osmani) tha se është e kënaqshme edhe me qëndru si deputete… Në këtë drejtim do të sillet LDK-ja në mënyrë konstruktive dhe jo bllokuese, nuk e kemi pasur as të kaluarën, nuk e kemi as tash….Me insistuar aq shumë, sa me e çuar vendin në zgjedhje vetëm për një figurë, për cilado që të jetë ajo, jo. Unë jam e sigurt që nuk e bën as Vjosa Osmani”, shtoi Ymeri. Ymeri komentoi edhe raportet mes Osmanit dhe Kurtit, duke thënë se presidentja “e ka kallëzuar fytyrën e vërtetë të Albin Kurtit”, ndërsa shtoi se disa nga kritikat që ka pasur ndaj Osmanit vazhdojnë të mbeten të njëjta.
“Disa prej kritikave i kam ende”, ky është qëndrimi i Janina Ymerit për Vjosa Osmanin
“Vjosa e ka kallëzuar fytyrën e vërtetë të Albin Kurtit. Një njeri që pavarësisht se sa ka pushtet, ndihet i vogël, ndihet i kërcënuar, ndihet i rrezikuar, edhe mendoj që kjo u ka treguar njerëzve, jo mendoj, po tash po e shohin sa është errësia e tij e vërtetë, kur frikësohet prej presidentit që e zgjedh vetë ai…Zonjën Osmani e kam pritur në Ferizaj, në dy tubime, te ‘Hajde folim’ edhe në tubimin fillestar. Kritikat që i kam pasur për të janë në lidhjen me Martin Berishajn, që qëndrojnë edhe sot. Pse nuk është shkarkuar Martin Berishaj si pjesë që është i paguar prej GEN-it të Serbisë, pra të njëjtat janë? Pse nuk u zgjodh kryeprokurori? Është kryeprokurori në detyrë”, deklaroi Ymeri.
Në intervistën për KosovaPress, ish-deputetja Ymeri mohoi ekzistencën e grupeve brenda LDK-së dhe tha se nuk ka rol vendimmarrës në strukturat qendrore të partisë.
Ajo tregoi edhe arsyet pse bashkë me Hykmete Bajramin dhe Avdullah Hotin nuk po shihen në tubimet lokale të LDK-së në parafushatën zgjedhore.
A ka përçarje në LDK?
“E para punës, unë nuk jam në kryesi të LDK-së. E dyta, nuk jam në këshill të LDK-së. Domethënë unë jam veç deputete e grupit parlamentar të legjislaturës së tretë, për partinë Lidhja Demokratike e Kosovës. Çdo kryetar që vjen, çdo bartës i listës që bëhet, nuk jam delegate në asnjë pikë. Domethënë as në kuvend, as në këshill, veç anëtare e kryesisë në Ferizaj. Pra, nuk është që unë kam ndikim në strukturë, për se kush vjen kryetar, kush bëhet bartës i listës. Tjetra, tek tubimet ‘Hajde folim’, janë lokale, me karakter lokal…Ne i kemi agjenda të tjera. Çka duhet me prit është ne me prit kur të vijnë te ne, në degët tona. Gjë që e kam bërë. Pra, këto janë ‘Hajde folim’, janë për ata njerëz të asaj zone, të atij vendi. Po jo pse unë s’mundem me shkuar nëse kam qejf, po unë jam qenë deputete, e gjej, unë kam edhe agjendë tjetër, konkrete… Unë kam punuar për zonjën Bajrami, pra ajo ka qenë shefe e grupit parlamentar, unë kam qenë këshilltare e grupit parlamentar. Njohja me zonjën Bajrami shkon më herët sesa edhe me kryetarin e partisë Lumir Abdixhiku, e aq më shumë me Vjosa Osmanin”, shtoi ajo.
Sa i përket angazhimit të saj në çështjet e energjisë elektrike, Ymeri tha se këtë herë ka preferuar të jetë më afër qytetarëve në terren sesa në studio televizive, ndonëse pranoi se perceptimi publik mund të jetë ndryshe.
Ajo mohoi lidhjet me kompani të tregtisë së energjisë elektrike dhe tha se nuk ka informata zyrtare për pretendimet që lidhin eksponentë të LDK-së me kompani të caktuara në sektorin energjetik.
“Jo nuk e kisha thënë, po po shihet qashtu, ki të drejtë, se kam dashur me e pasur terrenin më shumë këto zgjedhje. Me i njohur njerëzit më nga afër. Herës së kaluar kam qenë shumë në media se ka qenë tepër kohë e shkurtër. Kur jam zgjedhur, veç me kandiduar….Jo nuk ka të bëjë, sa për sqarim te kompania e Visar Azemit. Nuk e mbajta në mend si e pat emrin, mundesh me e parë në studio televizive. Po, nuk e ka as aktivitet tregtinë elektrike…E dyta kompania ku bën pjesë Berat Rukiqi, kam fol me të, është panel solar i kapacitetit tepër të ulët. Nuk ka mundësi dhe lëre që është në licenca për tregti me shumicë të energjisë elektrike…25:45 Asnjë bisedë e imja për energji elektrike nuk ka qenë me zotërin Lutfi Haziri. Ka spekulime që ka lidhje familjare, por kjo nuk më ndalon mua…Në lidhje me ETMT-në, nëse ka tregtim të energjisë elektrike, ka spekulime, por unë nuk kam informata zyrtare. Është mirë KOSTT me u drejtu me informata zyrtare. Nuk mundesh me nxjerr diçka prej meje që e dëgjon në studio televizive, por kjo nuk më ndalon me e quajt komplet mafian energjetike, edhe po të jetë ETMT pjesë e saj”, përfundoi ajo.