Behramaj: Peci ia paska punësuar vajzën këtij prokurorit të ri që lëshoi urdhëresë për rinumërim në Mitrovicë

Adil Behramaj ka thënë se ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ia ka punësuar vajzën në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Bujqësisë prokurorit të ri të caktuar në rastin e parregullsive në numërimin e votave në Mitrovicë.

Behramaj me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se Aida Tmava Shabani, e përzgjedhur për pozitën në fjalë në ministrinë e Pecit, është vajza e prokurorit Sahit Tmava, që dha urdhër për rinumërimin e votave në QKN në Mitrovicë.

“Valla bre rrjet kriminal ishin. Qy tash, Faton Peci ia paska punësuar vajzën edhe këtij prokurorit të ri, Sahit Tmavës, që sot lëshoi urdhëresë në Mitrovicë. Aida Tmava Shabani qenka vajza e tij”, ka shkruar Behramaj.

Ai e ka parë këtë si konflikt interesi.

 

 

“Bastisje” brenda Speciales, kontrollohen të gjithë kompjuterët që përdori Thaçi

Një zhvillim tjetër, i paprecedent ka ndodhur në Gjykatën Speciale në Hagë përderisa atje po vazhdon të dëshmojë Chris Hill, emisar amerikan gjatë kohës së luftës në Kosovë. Atje, me kërkesë të Prokurorisë e aprovim të Gjykatës, është marrë vendim që të kontrollohen kompjuterët dhe printerët që ka përdorur për procedura ish-presidenti Hashim Thaçi në Qendrën e Paraburgimit. Materialet që Thaçi ka përdorur aty, janë ruajtur në një kopje e më pas e njëjta i është nënshtruar një analize forenzike.

Image

“Më 8 shtator 2025, me kërkesë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (“ZPS”), Gjykatësi i Procedurës Paraprake autorizoi disa kontrolle (shtesë) forenzike mbi materialet e ruajtura nga printerët dhe kompjuterët që (pretendohet se) janë përdorur nga dhe/ose kanë qenë të qasshme për Hashim Thaçin (“z. Thaçi”) në Qendrat e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara. Specifikisht, Gjykatësi i Procedurës Paraprake autorizoi kryerjen e kontrolleve të mëtejshme nga një kompani e jashtme forenzike (“KJF”)”, citohet në një shkresë, të nxjerrur nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot në rastin ku Thaçi akuzohet për ndërhyrje në drejtësi.

Siç kuptohet nga parashtresa parakrake e cituar, për nxjerrjen e “dosjeve” nga kompjuteri që ish-presidenti Thaçi përdori në qendër të paraburgimit (për çështje të procesit), gjyqtarja Masselot ka urdhëruar të angazhohet një ekspert i jashtëm. Ky i fundit, ka marrë të gjitha dokumentet dhe printimet e bëra nga kompjuteri i përdorur nga Thaçi dhe të njëjtat ia ka dorëzuar Prokurorisë.

Image

Kontrolli i kompjuterëve ka ndodhur gjatë shtatorit dhe për të ka qenë në dijeni edhe mbrojtja e ish-Presidentit. Paraprakisht, me urdhër të së njëjtës gjyqtare, Thaçit i ishin ndaluar vizitat nga mbi 10 persona. Prokuroria fillimisht kërkonte që i njëjti vendim të merrej edhe për vëllezërit e Thaçit, por që pas reagimeve publike nuk ndodhte një gjë e tillë./ voxkosova.com

Numërohen të gjitha votat në Mitrovicën e Jugut, ky është rezultati final

Vetëm pak kohë pas rifillimit të procesit të numërimit, janë numëruar 100% të votave të rregullta në Mitrovicë të Jugut.

Sipas përditësimit të fundit të KQZ-së, numërimi tashmë ka përfunduar.

Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë 53,47% apo 17,837 vota, ndërsa Arian Tahiri i PDK-së mori 46,53% apo 15,522 vota.

Kujtojmë që pas dyshimeve për manipulim të votave, Prokuroria Themelore në Mitrovicë e ka urdhëruar të martën Komisionin Komunal Zgjedhor ta rifillojë numërimin e votave të balotazhit të 9 nëntorit në Qendrën Komunale në Mitrovicën e Jugut, i cili u ndërpre dje pas raportimeve për parregullsi.

Pamje tronditëse pranë aeroportit, qytetarët përpiqen të thyejnë xhamat e makinës për të nxjerrë viktimën

Këto janë pamjet pas atentatit të rëndë të ndodhur mesditën e sotme pranë aeroportit të Rinasit në Tiranë.

Një automjet qëlloi në drejtim të një mjeti tjetër ku ndodhej viktima dhe i plagosuri. Sikurse duket në pamje, qytetarët kanë tentuar të thyejnë xhamat e makinës, me qëllim për të nxjerrë viktimën dhe të plagosurin.

KQZ nis rinumërimin e votave të 41 vendvotimeve në Drenas

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, të martën, do të nisë procesi i rinumërimit të votave të 41 vendvotimeve në Komunën e Drenasit (Gllogocit), me kërkesë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Sipas njoftimit zyrtar, rinumërimi do të fillojë në orën 14:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) në Prishtinë. Vendvotimet që do t’i nënshtrohen rinumërimit i përkasin zgjedhjeve për Kuvendin komunal të Drenasit, ku PZAP-ja ka kërkuar rishikim të procesit për të garantuar transparencë dhe saktësi të plotë në numërim.

Në njoftim thuhet se KQZ-ja po e ndjek me kujdes procesin dhe do të vazhdojë të informojë publikun në mënyrë të rregullt dhe transparente për çdo zhvillim të ri.

Ndërkohë, deri në orën 13:00 të ditës së sotme, janë përmbyllur verifikimet e rezultateve në 15 qendra komunale të numërimit, ndërsa procesi po vazhdon në dy komuna të tjera. Në Mitrovicën e Jugut, procesi nuk është duke vazhduar për arsye që tashmë janë bërë të njohura nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

Lista e vendvotimeve që do të rinumërohen përfshin numrat: 0324/01, 0325/01, 0322/01, 0320/01, 0318/02, 0317/04, 0317/03, 0316/02, 0312/02, 0310/03, 0310/02, 0304/01, 0321/01, 0324/03, 0327/01, 0315/02, 0316/01, 0308/01, 0320/02, 0306/01, 0301/05, 0301/04, 0328/02, 0326/03, 0311/03, 0340/03, 0311/05, 0310/01, 0323/03, 0322/0, 0323/02, 0311/01, 0330/01, 0324/02, 0317/01, 0317/02, 0324/02, 0309/01, 0309/02, 0310/05 dhe 0313/01.

KQZ-ja thekson se ky proces do të zhvillohet nën mbikëqyrje të plotë dhe sipas standardeve ligjore, për të siguruar një rezultat përfundimtar të saktë për Drenasin.

Dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte, ish-polici Shaqir Lutvija

Ish-polici Shaqir Lutvija është dënuar 10 vjet burgim për krime lufte në Prizren.

Vendimi është marrë të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në seancën fillestare të mbajtur më 17 shtator 2024, Lutvija u deklarua i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka mirëpritur aktgjykimin fajësues.

“Sipas aktakuzës së ngritur më 04 shtator 2024, Sh.L., në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë viteve 1998-1999, ka ushtruar masat represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor ndaj civilëve shqiptarë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Shaqir Lutvijës, i cili akuzohet se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë periudhës kohore 1998-1999, në Prizren, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka ushtruar masat represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.

Aktakuza thotë se sipas dëshmisë së dëshmitarëve: Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba, i akuzuari Lutvija nga 28 shtatori 1998 deri më 7 tetor 1998, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të forcave policore, kanë ndërmarr një fushatë për arrestimi e tyre në burgun e Prizrenit, në cilësinë e  popullatës civile të nacionalitetit shqiptar, në mesin e të cilëve ishin: R.J., dhe të lartcekurit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, forcat serbe pas arrestimit i dërguan në Stacionin Policor në Prizren, me ç’rast i akuzuari Lutvija së bashku me të pandehurit e tjerë, në cilësinë e inspektorit të këtij stacioni, i morën në pyetje të dëmtuarit dhe gjatë procesit të marrjes në pyetje i kanë rrahur me boksa e shqelma, me mjete të tjera të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor.

Në aktakuzë thuhet se Lutvija dhe të pandehurit tjerë, kanë përdorë mjete të rrymës elektrike, të cilat ua vendosnin në pjesën e duarve dhe në organe gjenitale, me ç‘rast si pasojë e kësaj R.J., kishte vdekur, kurse Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba pësuan lëndime serioze trupore.

Me këtë, Lutvija po akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.

Thaçi mezi mban të qeshurat me këtë përgjigje të Hillit

Ish-diplomati amerikan Christopher Hill, po vazhdon dëshminë e tij në Hagë.

Gjatë dëshmisë së tij, ai u pyet nga prokurori James Pache, për një takim ku ishte edhe Rexhep Selimi, dhe atij ia cituan një libër të Blerim Shalës.

Por, me këtë rast, Hill, tha se ishte cituar për diçka që nuk e ka thënë, e për çka u shpreh:

“Lufta e UÇK-së sikur e Peloponezit”, deklaroi ish-diplomati amerikan.

E dhimbshme: Ky është i riu që vdiq në aksidentin e rëndë

Një aksident trafiku ka ndodhur dje rreth orës 01:00 në Bresje të Fushë Kosovës

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

Ai ka thënë se në atë aksident është përfshirë një veturë, një person ka pësuar lëndime dhe ekipi mjekësor ka konstatuar se i njëjti është pa shenja jete.

“Policia është marrë me procedurat në vend ngjarje”, ka thënë Krasniqi.

Viktima është, 30 vjeçari Mentor Zmajlaj nga Suhareka.

Ndërpritet sërish numërimi i votave në Mitrovicë
Është ndërprerë sërish numërimi i votave në Mitrovicë.

Ndërprerje të numërimit ka pasur edhe gjatë ditës së djeshme në Qendrën Komunale atje, pas dyshimeve për manipulime me vota. Rreth kësaj çështje u aktivizua edhe Prokuroria e Shtetit.

Derisa sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë sërish me sqarim, duke publikuar deklarimin e kompanisë sllovene e cila i ka shtypur fletëvotimet.