div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-63 category-paged-63 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Vdes politikani i shquar shqiptar

Vdes Alush Gashi, politikani i shquar kosovar.

Alush Gashi ishte një nga figurat e hershme të Lidhja Demokratike e Kosovës dhe bashkëpunëtor i afërt i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Ai ka shërbyer edhe si ministër i Shëndetësisë në Kosovë dhe njihej si një prej themeluesve të strukturave institucionale të LDK-së gjatë viteve ’90.

Gashi ishte aktiv për dekada në politikë dhe jetën publike, ndërsa konsiderohej si një nga zërat më të vjetër të krahut rugovist brenda LDK-së.

Kurti: Reagimi i Policisë dhe Prokurorisë në Skenderaj ishte i vonuar

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë konferencës së përbashkët me Komisioneren për Zgjerim të BE-së, Marta Kos, nga gazetari i RTV21 u pyet për rastin e djeshëm në Skenderaj, në veçanti për praninë e Njësisë Speciale në këtë qytet.

Sipas tij, reagimi i Prokurorisë dhe Policisë ishte i “vonuar”.

“Në Republikën e Kosovës nuk mund të ketë asnjë individ e as grup që sfidon me sukses shtetin. Ligji i Republikës na barazon para tij dhe jo si dikur që na ndante. Në lokalin e Skenderajt, në të cilin është rrahur dhe përgjakur zëvendësministri në Ministrinë e Financave, Hysni Mehani, kryetari i VV-së atje dhe kandidat për deputet, ka kamera dhe shumë dëshmitarë. Siç mora vesh, dy persona janë arrestuar. Për mendimin tim, reagimi i Policisë dhe Prokurorisë ka qenë i vonuar. Nuk e di çfarë ka ndodhur pas orëve të mesnatës, por reagimi ka qenë i vonshëm. Aktivistët e VV-së për postimet në Facebook janë dënuar me dy vite burg; të shohim tani çfarë vendimi do të marrë Prokuroria”, tha Kurti./

“Kur je me gra nuk sulmohet njeriu”, reagon Hysni Mehani pas incidentit me Sami Lushtaku

Zyrtari i LVV-së, Hysni Mehani, ka reaguar pas incidentit të raportuar me ish-kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, duke deklaruar se është goditur “tinëzisht me telefon” nga Lushtaku

Mehani tha se nuk e kishte besuar se një gjë e tillë mund të ndodhte, ndërsa theksoi se edhe sipas traditës shqiptare nuk sulmohet një person kur është në shoqëri të grave dhe fëmijëve.

“Sami Lushtaku është ai që më ka goditur me telefon, tinëzisht. S’e kam besu. Le të kthehemi edhe në traditat shqiptare: kur je me gra, nuk sulmohet njeriu. Unë dal me fëmijët e mi edhe me gruen. A do të thotë kjo se s’duhet me dal vetëm për shkak të qëndrimeve të mia?”, deklaroi Mehani në T7

Ai e cilësoi ngjarjen si të papranueshme dhe tha se qëndrimet politike nuk duhet të çojnë në përplasje fizike. /Indeksonline/

 

Dyshohet se morën ryshfet nga pacientët, Gjykata i lë në paraburgim dy mjekëve

Gjykata Themelore në Mitrovicë u ka caktuar nga një muaj paraburgim dy mjekëve të Spitalit të Vushtrrisë, të arrestuar nën dyshimin për marrje ryshfeti.

Bëhet fjalë për Ekrem Sefiun dhe Valdet Rexhepin, ndaj të cilëve Prokuroria kishte kërkuar masën e paraburgimit pas arrestimit të tyre më 13 maj.

Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se të dy të pandehurit kanë kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit”, të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Paraburgimi ndaj tyre do të zgjasë deri më 13 qershor 2026.

Kurti jep premtimin e madh: Shtesat për fëmijë do të rritën deri në 90 euro

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka premtuar rritje të shtesave për fëmijë nga 60 deri në 90 euro dhe rritje të mbështetjes për lehonat deri në 500 euro në muaj gjatë mandatit të ardhshëm

Në tryezën e organizuar nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare në  shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, Kurti tha se mbi 400 mijë fëmijë kanë përfituar nga shtesat për fëmijë, ndërsa mbi 80 mijë nëna nga shtesat për lehona.

“Politika për familjen dhe mirëqenien e saj. Kështu mbase do të ishte përshkrimi më i saktë dhe më i shkurtër i qeverisjes sonë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, sepse ajo, pra familja, është trajtuar jo si diçka e ndarë dhe jashtë kontekstit zhvillimor, por në tërësinë e politikave sektoriale dhe në kuadër të gjerë të vendimmarrjes. Për të zbërthyer këtë, më lejoni të përmend disa prej punëve, shumë prej të cilave në sektorë të ndryshëm, por që të gjitha në qendër e kanë familjen”.

“Për herë të parë në Kosovës kemi nisur me aplikimin e shtesave nga të cilat kanë përfituar mbi 400.000 fëmijë. Kur nisem me 10 dhe 20 euro – pati tallje e përqeshje për një politikë të këtillë. E sot çdo familje që plotëson kushtet merr shtesa prej 30 deri 45 euro, varësisht nga numri i fëmijëve. Ndërkaq zotimi ynë është që në mandatin tjetër, të cilin e synojmë edhe një herë, shtesat për fëmijë t’i dyfishojmë 60 deri në 90 euro”, tha ai.

“Paralelisht me këtë kemi filluar me shtesat për lehonat, nga të cilat kanë përfituar më shumë se 80 mijë nëna. Njësoj sikurse për fëmijët, edhe këtu i patëm gjetur zero. Nisi me 170 euro muaj, aktualisht janë 325.9 euro, por me synimin që ato të ngritën në 500 euro në muaj”, tha ai.

Ministri në detyrë i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, tha se familja ka qenë gjithmonë shtylla kryesore e qëndrueshmërisë shoqërore dhe kombëtare në Kosovë.

Ai deklaroi se ruajtja dhe fuqizimi i familjes mbetet prioritet kombëtar përballë sfidave ekonomike, sociale dhe demografike.

“Familja në Kosovë ka qenë gjithmonë shtylla kryesore e qëndrueshmërisë sonë shoqërore dhe kombëtare. Në periudha sfiduese, familjet tona kanë ruajtur humanitetin, kujdesin ndaj njëri-tjetrit dhe vlerat e solidaritetit. Sot, përballë sfidave ekonomike, sociale dhe demografike, ruajtja dhe fuqizimi i familjes mbetet prioritet kombëtar. Prandaj, institucionet tona janë të përkushtuara të mbrojnë dinjitetin e çdo familjeje, të fuqizojnë mirëqenien sociale, të krijojnë mundësi të barabarta për të gjithë dhe të sigurojnë mbështetje për familjet në nevojë, fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe të rinjtë. Andaj dhe si qeverisje, edhe në këtë mandat, për herë të parë familja është vendosur në qendër të politikave shtetërore përmes masave konkrete dhe të matshme që i kemi zbatuar”, tha ai.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se familja është hapësira ku ndërtohen siguria, solidariteti dhe dinjiteti njerëzor, prandaj meriton mbështetje të vazhdueshme institucionale.

“Familja si hapësira e parë ku ndërtohet siguria, solidariteti, edukimi dhe dinjiteti njerëzor, meriton vëmendje dhe mbështetje të vazhdueshme institucionale. Mënyra se si një shoqëri kujdeset për familjen reflekton drejtpërdrejt mënyrën se si ajo e koncepton drejtësinë sociale, barazinë dhe të ardhmen e saj. Kur familja është e mbrojtur, edhe shoqëria është më e fortë. Prandaj slogani ‘Shteti fillon me familjen’. Por kur brenda familjes ekziston dhunë, frikë, mungesë e mirëqenies ekonomike apo mungesë e mbështetjes institucionale, pasojat reflektohen në të gjithë shoqërinë në mirëqenien e fëmijëve, në pozitën e grave dhe në stabilitetin e vetë shtetit. Për këtë arsye, fuqizimi i familjes është prioritet shtetëror. Institucionet kanë obligim të ndërtojnë mekanizma që mbrojnë dinjitetin njerëzor, fuqizojnë familjen dhe garantojnë që çdo grua, çdo fëmijë dhe çdo qytetar të jetojë i lirë nga dhuna, diskriminimi dhe pasiguria”, tha ajo.

Lirohet nga spitali zëvendësministri Mehani

Pas trajtimit mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, kryetari i degës së LVV-së në Skenderaj, Hysni Mehani është liruar në shtëpi.

Lajmin për lirimin e Mehanit e ka bërë të ditur zyra për media e Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës.

Mehani pranoi trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë të enjten si pasojë e plagëve të shkaktuara nga një sulm fizik në qendër të Skenderajt në mesditë.

Dy persona u ndaluan për 48 orë nën dyshimet për sulmin ndaj Mehanit, konfirmoi Prokuroria e Mitrovicës të enjten.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuari me inicialet E.L dhe B.N janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”.

“Janë intervistuar në cilësinë e viktimave H.M., dhe B.Z., pesë (5) dëshmitarë si dhe dy (2) të dyshuar me iniciale E.L., dhe B.N., të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për dyzetë e tetë (48) orë, me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndërron jetë zyrtari i Policisë së Kosovës, Sheqir Ferizi

Ka ndërruar jetë pjesëtari i Policisë së Kosovës, Sheqir Ferizi, i cili prej rreth shtatë ditësh ishte duke luftuar për jetën pas një infarkti.

Familjarët dhe të afërmit kanë bërë të ditur se i ndjeri ka ndërruar jetë pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, pavarësisht përpjekjeve mjekësore për ta mbajtur në jetë.

Ceremonia e varrimit do të mbahet sot, më 15 maj 2026, në orën 17:00, në varrezat mbi xhaminë e fshatit Prapashticë.

Në njoftimin e familjes thuhet se ai do të kujtohet si pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe njeri i respektuar në komunitet.

Prania e Njësisë Speciale në Skenderaj, Koci: Është fyerje jo vetëm për qytetarët e atij qyteti, por për të gjithë ne

Avokati Arianit Koci ka reaguar ndaj pranisë së forcave të shtuara policore në Skenderaj, duke e cilësuar situatën si të panevojshme dhe fyese për qytetarët.

Përmes një reagimi në Facebook, Koci tha se problemet nuk zgjidhen me demonstrim force dhe se dërgimi i njësive të shumta policore në Skenderaj nuk i shërben qetësimit të situatës.

“Prania e forcave të mëdha policore në Skenderaj është fyerje jo vetëm për qytetarët e atij qyteti, por për të gjithë ne”, ka deklaruar ai.

Sipas Kocit, Skenderaj nuk është qytet që mund të frikësohet me autoblinda apo me prezencë të madhe policore.

“Skenderaj nuk është qytet që frikësohet me autoblinda e demonstrim force. Këtë e ka dëshmu shumë herë”, u shpreh ai.

Ai ka bërë thirrje për unitet dhe për ulje të tensioneve, duke theksuar se Kosova ka sfida më të mëdha me të cilat duhet të merret.

“Kosova ka ende shumë çështje të hapura me Serbinë. Kemi probleme ekonomike, jostabilitet politik dhe sfida tjera serioze. Energjia dhe vëmendja jonë duhet me u përqendru aty, jo në përplasje mes vete”, deklaroi Koci.

Në fund, ai u bëri thirrje liderëve politikë që të reagojnë menjëherë për të qetësuar situatën dhe për të tërhequr policinë nga Skenderaj.

“Liderët, nëse ka e nëse janë të pjekur, duhet me reagu menjëherë, me e qetësu situatën dhe me e tërheqë policinë nga Skenderaj. Menjëherë!”, përfundoi ai.

Postimi i plotë:

Musliu: Le ta dijë Kurti se edhe Millosheviqi luftën e nisi në Drenicë, por ajo kurrë nuk u nënshtrua

Ish-deputetja Ganimete Musliu e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për “rrethimin” e Skenderajt me forca speciale policore.

Musliu, e cila u gjend në ballë të presionit qytetar pas shtimit të forcave policore në Skenderaj të enjten në mbrëmje, krahasoi veprimet e Kurtit me ato të ish-kriminelit serb të luftës, Sllobodan Millosheviq.

“Dëshpërimi është në kulm, ndërsa zhgënjimi bëhet i pashmangshëm kur sheh se si një njësi elitare si NjSO, në mes të natës, e rrethon Skenderajn me policë të maskuar dhe me armë të gjata… Le ta dijë Albin Kurti se edhe Millosheviqi luftën e kishte nisur në Drenicë. E megjithatë, Drenica historikisht asnjëherë nuk u nënshtrua, asnjëherë nuk u frikësua dhe kurrë nuk e duroi poshtërimin”, ka shkruar Musliu në një shkrim në Facebook.

Ish-deptetja ka publikuar video nga Drenica ku janë parë forca të Njësisë Speciale, derisa i ka quajtur pamje të rënda skenat e mbrëmshme.

Njësia Speciale në Skenderaj pas incidentit mes Lushtakut e Mehanit, reagon Hamza: Skenarë të rrezikshëm përçarës, ndalu Albin

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka reaguar pas zhvillimeve të djeshme, që pasuan pasi kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe zëvendësministri i Financave, Hysni Mehani janë përfshirë në një rrahje.

Pas këtij incidenti, mbrëmë në Skenderaj pati prani të Njësisë Speciale.

Hamza i ka cilësuar si “skena aspak të mira” veprimet e Policisë së Kosovës me njësi speciale.

Ai tha se njësitë speciale janë dërguar “me urdhër të Qeverisë” dhe se prapa tyre ka pasur “prapavija presioni dhe demonstrimi force”.

Ai i bëri thirrje kryeministrit në detyrë që të ndalë, siç u shpreh, “propagandën, urrejtjen, provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë partiakë”.

“E porosis kryeministrin në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndërpresë urrejtjen dhe, para së gjithash, t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë të tij partiakë”, deklaroi Hamza.

Sipas tij, “braktisja nga votuesit nuk mund të parandalohet me skenarë të rrezikshëm përçarës”.

Në fund të reagimit, Kryetari Hamza u bëri thirrje votuesve të PDK-së dhe qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të fokusohen te zgjedhjet e 7 qershorit.

“Aty do ta japim me votë përgjigjen tonë ndaj politikës së përçarjes”, përfundoi ai.

Postimi i plotë:

Mbrëmë pamë skena aspak të mira, ku Policia e Kosovës, me urdhër të Qeverisë, dërgoi njësi speciale në Drenicë me prapavija presioni dhe demonstrimi force.

E porosis kryeministrin në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndërpresë urrejtjen dhe, para së gjithash, t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë të tij partiakë.

Ai nuk mund ta parandalojë braktisjen nga votuesit me skenarë të rrezikshëm përçarës. Ndalu, Albin.

Kërkoj nga votuesit e PDK-së dhe nga të gjithë qytetarët ta ruajnë gjakftohtësinë dhe të fokusohen në datën 7 qershor. Aty do ta japim me votë përgjigjen tonë ndaj politikës së përçarjes.