div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-64 category-paged-64 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Musliu: Le ta dijë Kurti se edhe Millosheviqi luftën e nisi në Drenicë, por ajo kurrë nuk u nënshtrua

Ish-deputetja Ganimete Musliu e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për “rrethimin” e Skenderajt me forca speciale policore.

Musliu, e cila u gjend në ballë të presionit qytetar pas shtimit të forcave policore në Skenderaj të enjten në mbrëmje, krahasoi veprimet e Kurtit me ato të ish-kriminelit serb të luftës, Sllobodan Millosheviq.

“Dëshpërimi është në kulm, ndërsa zhgënjimi bëhet i pashmangshëm kur sheh se si një njësi elitare si NjSO, në mes të natës, e rrethon Skenderajn me policë të maskuar dhe me armë të gjata… Le ta dijë Albin Kurti se edhe Millosheviqi luftën e kishte nisur në Drenicë. E megjithatë, Drenica historikisht asnjëherë nuk u nënshtrua, asnjëherë nuk u frikësua dhe kurrë nuk e duroi poshtërimin”, ka shkruar Musliu në një shkrim në Facebook.

Ish-deptetja ka publikuar video nga Drenica ku janë parë forca të Njësisë Speciale, derisa i ka quajtur pamje të rënda skenat e mbrëmshme.

Njësia Speciale në Skenderaj pas incidentit mes Lushtakut e Mehanit, reagon Hamza: Skenarë të rrezikshëm përçarës, ndalu Albin

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka reaguar pas zhvillimeve të djeshme, që pasuan pasi kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe zëvendësministri i Financave, Hysni Mehani janë përfshirë në një rrahje.

Pas këtij incidenti, mbrëmë në Skenderaj pati prani të Njësisë Speciale.

Hamza i ka cilësuar si “skena aspak të mira” veprimet e Policisë së Kosovës me njësi speciale.

Ai tha se njësitë speciale janë dërguar “me urdhër të Qeverisë” dhe se prapa tyre ka pasur “prapavija presioni dhe demonstrimi force”.

Ai i bëri thirrje kryeministrit në detyrë që të ndalë, siç u shpreh, “propagandën, urrejtjen, provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë partiakë”.

“E porosis kryeministrin në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndërpresë urrejtjen dhe, para së gjithash, t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë të tij partiakë”, deklaroi Hamza.

Sipas tij, “braktisja nga votuesit nuk mund të parandalohet me skenarë të rrezikshëm përçarës”.

Në fund të reagimit, Kryetari Hamza u bëri thirrje votuesve të PDK-së dhe qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të fokusohen te zgjedhjet e 7 qershorit.

“Aty do ta japim me votë përgjigjen tonë ndaj politikës së përçarjes”, përfundoi ai.

Postimi i plotë:

Mbrëmë pamë skena aspak të mira, ku Policia e Kosovës, me urdhër të Qeverisë, dërgoi njësi speciale në Drenicë me prapavija presioni dhe demonstrimi force.

E porosis kryeministrin në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndërpresë urrejtjen dhe, para së gjithash, t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë të tij partiakë.

Ai nuk mund ta parandalojë braktisjen nga votuesit me skenarë të rrezikshëm përçarës. Ndalu, Albin.

Kërkoj nga votuesit e PDK-së dhe nga të gjithë qytetarët ta ruajnë gjakftohtësinë dhe të fokusohen në datën 7 qershor. Aty do ta japim me votë përgjigjen tonë ndaj politikës së përçarjes.

 

Në kërkim nga Policia: Nëse e shihni këtë person, njoftoni menjëherë autoritetet

Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e personit në kërkim, Kujtim (Iftiman) Koqi, i lindur më 11.05.1989 në Prizren.

Policia njofton se i njëjti dyshohet për përfshirje në vepra penale, ndaj autoritetet kompetente janë në kërkim aktiv të tij.

“Çdo informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e vendndodhjes së personit është i rëndësishëm për hetimet dhe trajtohet me konfidencialitet të plotë.

Qytetarët inkurajohen që çdo informacion relevant ta raportojnë në numrin emergjent 192 ose përmes linjës pa pagesë 0800 19999, si dhe në aplikacionin ‘Lajmëro Policinë’”, thuhet në njoftim.

“Polici private e Albin Kurtit”, Mërgim Lushtaku reagon ashpër për aksionin e Njësisë Speciale në Skënderaj

Ish-deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka reaguar lidhur me praninë e Njësisë Speciale në Skënderaj.

Sipas tij, ajo çfarë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në këtë qytet është pjesë e një skenografie të “regjimit autoritar të Albin Kurtit”.

“Gjithçka që po shohim sonte në Skënderaj është skenografi e këtij regjimi autoritar. Disa policë me maska, pa asnjë nevojë, vetëm për të shërbyer si një polici politike e private e Albin Kurtit. Gjithsesi, respekt për uniformën që mbajnë. Shumë gjak është derdhur në tokën e lavdishme të Drenicës që një ditë ta kemi shtetin dhe policinë tonë”, ka shkruar Lushtaku.

Osmani thotë se në SHBA ka pasur diskutime për sanksione ndaj Qeverisë Kurti: I kam mbrojtur

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se edhe së fundi, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtete perëndimore ka pasur diskutime për sanksione ndaj anëtarëve të Qeverisë Kurti, anise nuk përmendi emra.

Osmani në Klan Kosova ka thënë se sanksionet janë përmendur edhe gjatë dy muajve të fundit të mandatit të saj.

“ShBA-të në një periudhë të caktuar kanë pasur mospajtime jashtëzakonisht të mëdha me disa veprime, unë i kam mbrojtur veprimet e Qeverisë së Kosovës sepse konsideroj që kanë qenë legjitime dhe në përputhje me Kushtetutën. Rruga se si janë bërë ato veprime, nuk ka qenë e koordinuar.

I kanë me emra e mbiemra ShBA-të. Po natyrisht(anëtarë të qeverisë). Ka pasë diskutime për sanksione edhe tash së fundi, kemi insistuar që një gjë e tillë të mos ndodhë. Ka pasur diskutime nga individë të ndryshëm nga shtete perëndimore dhe ShBA-të, ku janë përmendur emra dhe se nuk e tolerojmë këtë këtë këtë, dhe janë përmendur edhe sanksionet. Edhe për individë edhe pasoja për Kosovën.

Po pra, pasoja do të paguhej nga Kosova, prandaj unë kur i kam mbrojtur këto qëndrime, e kam mbrojtur.

Nuk do të goditeshin vetëm individët, sepse pasoja do të paguhej nga Republika e Kosovës. Ka pasur dhe po ju them ka pasur diskutime të tilla edhe tash së fundi, dhe edhe tash unë në muajin e fundit, dy muajt e fundit, ka pasur diskutime se si do të duhej të konsideroheshin sanksione”.

Dejona Mihali: Sami Lushtaku dikur ishte komandant e gjeneral, sot është burracak

Dejona Mihali e VV-së e ka quajtur “burracak” Sami Lushtakun.

Postimi:

Sami Lushtaku, ka qenë dikur, në luftë, komandant e gjeneral.

Po sot çfarë është?

Burracak. Se cili gjeneral lufte del shesheve dhe grushton kundërshtarët politik?

Lushtaku: Edhe prokuroria serbe e cilësonte Sami Lushtakun, terrorist e bandit, njëjtë si disa akterë të LVV-së!

Pas incidentit të ndodhur sot në Skënderaj ka reaguar ish-deputeti i PDK-së njëherësh djali i Sami Lushtakut, Mërgim Lushtaku.

Lushtaku ka ndarë një video ku prokuroria serbe e cilësonte Sami Lushtakun terrorist dhe bandit e kjo sipas tij është në vijë me disa akterë të Vetëvendosjes.

Ai tha se disa persona nga LVV po kërkojnë përgjegjësi për ngjarjen e sotme duke u viktimizuar për një grusht vota por se të njëjtit i inkurajoi të kërkojnë drejtësi edhe për Astrit Deharin.

“Piunat e Albin Kurtit dhe Dejonës, si Faton Peci, Mefail Bajqinovci, Enver Dugolli, Arjeta Fejza, Dimal Basha e të tjerë, po kërkojnë drejtësi për ngjarjen e sotme, duke u viktimizuar si gjithmonë për një grusht votash.Unë i inkurajoj që të kërkojnë drejtësi edhe për Astrit Deharin” thuhet në reagimin e Lushtakut.

Lushtaku tha se ‘kur pushteti mbjell propagandë dhe përçarje, nuk mund të pritet që shoqëria të mbetet e qetë dhe e matur’.

“Ose a ju kujtohet kur Kurti nuk i përgjigjej prokurorisë, bile u thoshte publikisht “të shohim a guxon prokuroria të më vijë në zyrë”?!Prandaj, së pari le të kërkojnë që vetë kryeministri t’i përgjigjet drejtësisë” shkruan Lushtaku në reagimin e tij.

Reagimi i plotë:

Dimal Basha e quan “bandit” Sami Lushtakun

Dimal Basha i Vetëvendosjes e ka quajtur “bandit” kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtakun, pas raportimeve se ky i fundit personalisht ka rrahur kryetarin e degës së VV-së në Skenderaj, Hysni Mehanin.

Lushtaku në një reagim tha se Mehani e kishte quajtur atë “Sami Serbia,” dhe se reagimi ishte i qytetarëve, duke mos implikuar veten.

“Nuk po arrijnë me fitu përmes popullit, po provojnë përmes dhunës! Nuk ka kthim mrapa! Nuk ka bandit që e sfidon shtetin,” shkroi Basha.

Incidenti në Skenderaj – Lushtaku nuk i përgjigjet Prokurorisë, dy persona ndalohen

Dy persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për përfshirje në një sulm fizik ndaj kryetarit të Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehana.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit me inicialet E.L. dhe B.N. po hetohen për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Ata janë intervistuar nga organet e hetuesisë, së bashku me viktimat me inicialet H.M. dhe B.Z., si dhe pesë dëshmitarë të rastit.

Ndërkohë, Prokuroria ka bërë të ditur se Sami Lushtaku nuk i është përgjigjur ende ftesës për intervistim në lidhje me këtë rast.

Po ashtu, as i dyshuari tjetër, Kushtrim Haziri, nuk është paraqitur në Prokurori deri më tani, sipas njoftimit zyrtar.

Rrahja e Hysni Mehanit, reagon edhe Blerta Deliu e PDK-së

Pas incidentit në Skenderaj ku u sulmua kryetari i degës së Vetëvendosjes në këtë komunë, Hysni Mehani, ka reaguar Blerta Deliu nga PDK.

Ajo ka thënë se “dhuna nuk është zgjidhje”, por “as provokimet, linçimet dhe akuzat sistematike nuk janë”.

“Sepse kur për vite të tëra instalohet gjuha e urrejtjes, e përçarjes dhe e dehumanizimit, pasojat nuk vonojnë. Njëra e sjell tjetrën. Gjithmonë kështu ka qenë. Prandaj, sot më shumë se kurrë, kemi nevojë për përmbajtje dhe respekt në diskursin publik. Për ndalim të gjuhës që prodhon konflikt, e jo për ushqim të saj”, ka shkruar ajo.

Vetëvendosje tha se Mehani është sulmuar nga kryetari i Skënderajt Sami Lushtaku, derisa ky i fundit e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se qytetarët kanë reaguar pasi ai e kishte etiketuar atë si “Sami Serbia”.