Dyshimet për blerje votash në Mitrovicë, a do të ketë rivotim në këtë komunë?

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, pas dyshimeve të bazuara për cenimin e procesit zgjedhor në Mitrovicë, ka kërkuar që kjo komunë të shkojë në rivotim.

Ai në konferencën për media ka thënë se bartja e fletëvotimeve nga një vend në vendin tjetër bie ndesh me ligjin dhe me rregullat e KQZ-së.

“Jam këtu për të shprehur shqetësimet lidhur me dyshimet për procesin zgjedhor në Mitrovicë. Procesi është shënuar me presion të madh, me ndërhyrje në proces dhe institucionet shtetërore kanë ndërhyrë. Gjatë ditës së djeshme, komisionerët tanë kanë vërejtur parregullsi të rënda që janë gjetur në klasa të tjera, madje edhe në qendra të tjera të votimit. Pra, ka pasur bartje të fletëvotimeve nga një klasë në tjetrën dhe nga një shkollë në tjetrën. Menjëherë pas vërejtjes, janë lajmëruar organet kompetente. Si pasojë, procesi i votimit është ndërprerë. Bartja e fletëvotimeve nga një vend në vendin tjetër bie ndesh me ligjin dhe me rregullat e KQZ-së. Kodi që shërben në fletëvotime është për vendvotime dhe si mekanizëm i vërtetimit. Ky kod është një element themelor i integritetit zgjedhor. Pra, çështja nuk është vetëm një çështje teknike, por një çështje thelbësore që ndikon në sigurinë e votës. Rastet konkrete: Në shkollën “Avdullah Shabani” janë gjetur 3 fletëvotime që i takojnë një shkolle tjetër. Në shkollën “Migjeni” është gjetur një fletëvotim që i takon një klase tjetër. Është vërejtur që ka fletëvotime të shumta të bartura nga një klasë dhe nga një shkollë tjetër”, tha Gruda.

Ai ka theksuar dhe si fakt atë se Mitrovica ishte komuna e vetme ku pati më së shumti votimem e potencojnë se ky dështim i KQZ-së është më serioz si në rezultate, ashtu edhe në proces.

“Mitrovica është e vetmja komunë ku qytetarët dalin më së shumti në votime. Këtë herë, dështimi i KQZ-së është më serioz si në rezultate, ashtu edhe në proces. Këto janë shkelje të qarta të ligjit dhe ngrejnë dyshime të bazuara për lëndim të procesit zgjedhor dhe për aktivizim të “trenit bullgar”. Për ta vënë në funksion mjafton një fletëvotim, por janë gjetur disa fletëvotime”. Tha Gruda.

Ndonëse nga KQZ u tha se ka qenë një gabim teknik, ai tha se kjo më së paku ka rëndësi dhe se askush nuk mund të thirret mbi këtë

Kompania sllovene CETIS lëshon sqarim zyrtar për fletëvotimet në Mitrovicë

Kompania sllovene CETIS, e cila ka kryer shtypjen e fletëvotimeve për zgjedhjet lokale të vitit 2025, ka thënë se disa fletëvotime në komunat e Mitrovicës së Jugut dhe Gjakovës janë shtypur gabimisht.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se gjatë ditës së sotme ka pranuar sqarim zyrtar nga kompania sllovene CETIS për fletëvotimet në komunat e Mitrovicës së Jugut dhe Gjakovës.

Kompania e kontraktuar për shtypjen e fletëvotimeve për zgjedhjet lokale të vitit 2025, ka thënë në sqarim se bëhet fjalë për gabime gjatë shtypjes së fletëvotimeve.

CETIS tha në sqarim se ka kryer një hetim lidhur me rastin, i cili ka rezultuar në evidentimin e disa gabimeve në shtypje të disa fletëvotimeve në dy komuna.

Në njoftim thuhet se pas pranimit të fotografive që tregonin gabimin, kompania ka zhvilluar një hetim të plotë të procesit të prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave. Hetimi ka zbuluar se problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, përderisa sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), ndaj gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes.

CETIS thekson se merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim teknik, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre. Kompania shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaron se për këtë përgjigje është njoftuar Prokuroria e Shtetit.

Njoftimi i plotë i kompanisë CETIS:

I/e nderuar Zotëri ose Zonjë,

Po ju shkruaj në emër të kompanisë CETIS në lidhje me pyetjet për printimin e fletëvotimeve për zgjedhjet lokale të Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 nëntor 2025, konkretisht në lidhje me numërimin e fletëvotimeve në komunat, Mitrovica Jugore dhe Gjakovë.

Për më shumë se 20 vjet, CETIS ka printuar fletëvotimet për zgjedhje presidenciale, parlamentare, evropiane, lokale, për kryetar komune, referendume dhe zgjedhje të tjera për vende të ndryshme anembanë botës, ndërsa që nga viti 2009 edhe për Kosovën. CETIS d.d., një nga kompanitë kryesore të zgjidhjeve të printimit të sigurt në Evropë, ofron dokumente udhëtimi, identifikimi dhe leje çarkullimi, si dhe zgjidhje gjithëpërfshirëse të gatshme për menaxhimin e identitetit dhe lëshimin e dokumenteve. Me mbi 200 vjet përvojë në printim, kompania jonë është një partner strategjik i besueshëm për kompanitë dhe qeveritë në të gjithë botën.

Pasi morëm fotografitë tuaja që tregojnë gabimin, ne kemi filluar menjëherë një hetim të plotë të të gjithë procesit të prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave.

Për prodhimin e fletëvotimeve zgjedhore, ne përdorim pajisje të specializuara të printimit të kombinuara me teknologjinë me ngjyrë për printimin e të dhënave të ndryshueshme. Çdo kokë (pllakë) printimi është e lidhur me një njësi qendrore kontrolli që përpunon të dhënat nga baza e të dhënave. Pajisjet, të përdorura për këtë projekt, si për zgjedhjet parlamentare të këtij viti ashtu edhe për raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Republikën e Kosovës , janë përdorur gjithashtu për shumicën e projekteve tona të fletëvotimeve zgjedhore.

Procesi ynë i prodhimit dhe kontrollit të cilësisë së fletëvotimeve kërkon verifikimin e numrit serik në çdo deng prej 50 fletëvotimesh. Çdo deng përfshin një kod QR për të siguruar që çdo qendër votimi të marrë sasinë dhe përmbajtjen e saktë të fletëvotimeve sipas planit të shpërndarjes. Përveç numrit serik, çdo fletëvotim përmban edhe numrin e qendrës së votimit. Këta dy elementë – numri serik (kodi QR) dhe numri i qendrës së votimit – shtypen nga koka/pllaka të veçanta ngjyre të pozicionuara në vende të ndryshme në fletëvotimin.

Hetimi ynë i brendshëm zbuloi se problemi i numërimit ndodhi ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printerëve me ngjyrë, përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit. Fatkeqësisht, ky gabim nuk mund të zbulohet gjatë printimit sepse i gjithë procesi i kontrollit bazohet në monitorimin e numrit serik. Nga një perspektivë teknike, kjo do të thotë që koka/pllaka e printimit, përgjegjëse për numrin e qendrës së votimit, ka pasur një keqfunksionim, gjë që nuk është zbuluar gjatë prodhimit.

Pavarësisht zbatimit të masave gjithëpërfshirëse të sigurisë dhe kontrolleve të rrepta bazuar në standardet më të larta të cilësisë dhe sigurisë, ne marrim përgjegjësi të plotë për këtë gabim, i cili në rrethana normale do të ishte pothuajse i pamundur të ndodhte. Fletët e votimit përfshijnë disa elementë sigurie që nuk mund të replikohen, prandaj besojmë se falsifikimi nuk mund të ketë qenë i mundur. Thellësisht na vjen keq që një incident i tillë ndodhi pavarësisht të gjitha masave parandaluese, përfshirë ekzaminimin personal nga ekipi juaj në ambientet tona të prodhimit.

Ne mbetemi në dispozicionin tuaj të plotë për të ofruar çdo ndihmë të nevojshme në hetimin dhe verifikimin e mëtejshëm të fletëve të votimit, me qëllim sqarimin e rrethanave të këtij incidenti.

Ju shprehim respektin tonë dhe presim me padurim zgjidhjen me sukses të kësaj çështjeje.

E dhimbshme: Ndërron jetë në moshë të re, Mentor Zmajlaj
Ka ndërruar jetë në moshë të re Mentor Zmajlaj.

Lajmi është publikuar nga Suhareka Express.

Më poshtë njoftimi:

Njoftim mortor

Me dhimbje të madhe ju njoftojmë se ka ndërruar jetë në moshën 30-vjeçare Mentor Ali Zmajlaj.
Për kohën e varrimit do të njoftoheni me kohë.

E pamja mbahet te kompleksi “Besimi Commerce”, prapa Art Center – Suharekë.

Ngushëllime familjes Zmajlaj për humbjen e më të dashurit të tyre.
U prehtë në paqe!

Rrëmbimi i shtetasit kosovar nga xhandarmëria serbe, reagon ashpër Osmani: Serbia ka provokuar rëndë Kosovën…
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Forumin “25 vjet nga kur gratë transformojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë”, ka folur edhe për grabitjen e serbit në veri nga xhandarmëria e Serbisë.

Presidentja Osmani deklaroi se gjendja shëndetësore e tij është e rëndë. Madje, tha se familjarët e tij nuk janë lejuar që ta vizitojnë në spital.

“Serbia ka provokuar rëndë shtetin tonë. Informatat që i kemi për qytetarin tonë të plagosur brenda territorit tonë, janë se gjendja e tij është e rëndë, dhe se familjarët e tij nuk janë lejuar ta vizitojnë atë nga spitali ku gjendet aktualisht”, deklaroi ajo.

Ajo tha se Kosova është në koordinim me partnerët dhe duke monitoruar situatën, ngase plagosja dhe kidnapimi i Milan Vukashinoviq, ka ndodhur brenda territorit të Kosovës.

“Jemi në koordinim me partnerët tanë, dhe jemi duke monitoruar situatën sepse Serbia këtë kidnapim dhe plagosje të qytetarit e ka kryer brenda territorit tonë”.

Nura: Sjellja e dy përfaqësuesve të PDK-së në KQZ ka qenë për keqardhje dhe në kundërshtim me interesat e partisë

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura ka thënë se sjellja e dy përfaqësuesve aktual të PDK-së në KQZ ka qenë për keqardhje dhe në kundërshtim me interest e partisë.

Nura ka thënë se vend që të kotribuojnë në mbrotjen e qëndrimeve të PDK-së dhe të reagojnë ndaj fyerje dhe sulmeve të përsëritura nga përfaqësues të VV-së në mbledhjet e KQZ-së, këta anëtarë, sipas Nurës kanë dështuar të mbrojnë dinjitetin dhe qëndrimet politike të partisë.

“Sjellje të tilla dëmtojnë imazhin dhe besueshmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës në një institucion të rëndësishëm siç është KQZ-ja”, shkruan ndër të tjera Nura.

PDK-ja në KQZ përfaqësohet nga Ilir Gashi dhe Arianit Elshani.

‘Eskalon’ Adriana Matoshi: O flaka ju daltë krejt juve bashkë me mahallën e Lushtakëve se nuk vidhet Mitrovica!

Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Adriana Matoshi ka reaguar për rastin e procesit të numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në Komunën e Mitrovicës -Jug.

“U mundun me vjedh Mitrovicën me exit-polle 2 herë, por dështun keq! Pas dështimit me exit-polla, e paskan aktivizu prokurorinë.

O flaka ju daltë krejt juve bashkë me mahallën e Lushtakëve se nuk vidhet Mitrovica! S’un e ka marrë as Vuçiqi, as Radojçiçi, e as ju tybe kurrë.

Veç sabër, se qysh e ka pastru Albini Veriun, ka me pastru edhe Jugun kismet, se nuk ka shancë me fitu krimi aty ku ka fitu populli! Urime Faton Peci, se lujtën hibridat!”, ka shkruar ajo.

Kushtetuesja e kthehu në detyrë, Erion Veliaj jep urdhrin e parë nga qelia për Tiranën

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka dhënë këtë të martë urdhrin e parë pas rikthimit në detyrë, duke kërkuar nisjen e menjëhershme të përgatitjeve për festat e fundvitit në kryeqytet.

Sipas dokumentit zyrtar, Ndërmarrja e Dekorit dhe Eventeve do të marrë masat për vendosjen e ndriçimeve dhe zbukurimeve festive në sheshe, rrugë dhe hapësira publike, “duke respektuar standardet më të larta të sigurisë, si edhe kriteret teknike dhe estetike të përcaktuara për këtë qëllim”.

Në urdhër theksohet gjithashtu se, në zbatim të vendimit nr. 420, datë 8 qershor 2006 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, do të merren masa për dekorimin e godinave të ministrive sipas kërkesave të institucioneve përkatëse.

Deputetja e LVV-së: Ne nuk bëjmë qeveri me pazare

Deputetja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Albena Reshitaj ka thënë se ata kanë dhënë të gjitha mundësitë për bashkëpunim me partitë tjera.

Por, ajo ka thënë se refuzimi i partive ish-opozitar për të bashkëpunuar është se ata siç ka thënë ajo nuk janë mësuar me standardin e ri të krijuar nga LVV-ja, ku janë bërë pazare për formim e qeverisë.

“Partitë opozitare e kanë përherë të parë një qasje jo të pazareve të tilla fare i kanë pas në të kaluarën dhe për ta ky standard është i ri, kanë frikë nga kjo, nuk janë mësuar në këtë mënyrë. Po presin që me tre deputetë të marrin përgjegjësi të cilën nuk ja ka dhënë qytetari. Ne po krijojmë një stanar të ri politik”, ka thënë ajo në Tëvë1.

Sa i përket mundësisë së votimit të qeverisë ku i mandatuar për kryeministër është Glauk Konjufca, ka thënë se kjo varet nga qëndrimi i parive opozitare.

Por, ajo ka thënë se shkuarja në zgjedhje në këtë kohë nuk është e duhur.

Reshitaj ka thënë se nuk frikësohen nga zgjedhjet e reja nacionale, duke thënë se do të dalin fitues përsëri.

Babai e rrah vajzën e mitur, përfundon në spital
Një vajzë e mitur ka raportuar në Polici babain e saj, pasi sipas saj ai e ka sulmuar fizikisht.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti ka ndodhur të dielën në kryeqytet. Si pasojë e dhunës së ushtruar, viktima ka marrë trajtim mjekësor.

“Lidhur me rastin është intervistuar i dyshuari, i cili me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë.

PDK do të dorëzojë ankesë në PZAP për votat në Mitrovicë
Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do të dorëzojë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me dyshimet për manipulim të votave në Mitrovicë.

Betim Gjoshi, sekretar organizativ i PDK-së në një postimi në Facebook ka shkruar se vota është e shenjtë dhe partia të cilës i përket ai, është e vendosur për ta mbrojtur integritetin e zgjedhjeve.

“Sot, në mbrojtje të vullnetit të qytetarëve të Mitrovicës, Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë brenda afatit ligjor ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Vota është e shenjtë në demokraci dhe PDK është e vendosur për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve”, ka shkruar Gjoshi në profilin e tij në Facebook.

Të hënën në mbrëmje është ndërprerë procesi i numërimit në Mitrovicë për shkak të dyshimeve se ka pasur manipulim të votave. Kjo pasi janë hasur fletëvotime me numra të ndryshëm serik.

Komisionerët e PDK-së në Mitrovicë dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk kanë pranuar të rikthehen në sallën e numërimit, duke deklaruar se nuk pranojnë ta shkelin ligjin. Për këtë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me qëndrim zyrtar duke deklaruar se ka ndodhur një gabim teknik nga kompania që ka shtypur fletëvotimet.

Tutje ka shtuar se kompania do të dalë me një sqarim lidhur me rastin. Fletëvotime me gabime të ngjashme ka pasur sipas KQZ-së edhe në Gjakovë. Ndërkaq në një njoftim vonë të hënën, Prokuroria ka njoftuar se ka urdhëruar ndërprerjen e përkohshme të numërimit, deri në sqarimin e kompanisë.