div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-7 category-paged-7 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
I dolën 460 vota të vjedhura, reagon Quni: Çdo rritje e votave është bërë pa dashjen dhe dijeninë time

Kandidati i LDK-së për deputet, Anton Quni, aktualisht nga procesi i numërimit i janë hequr 460 vota. Lidhur me këtë ai ka bërë një reagim në Faceboo, duke thënë se çdo rritje e votave ndaj tij është bërë pa dashjen dhe dijeninë e tij, shkruan Reporteri.net.

Siç thotë ai, s’ka kërkuar, inkurajuar apo asistuar në asnjë formë devijimin e vullnetit të qytetarëve.

Madje ai ka shtruar disa pyetje se që sipas tij, pse është zgjedhur emri i tij për manipulim dhe se kush janë urdhëruesit për këtë gjë.

Reagimi i plotë:

DEKLARATË PËR MEDIAT DHE OPINIONIN PUBLIK

Në lidhje me zhvillimet e fundit dhe raportimet mbi procesin e numërimit të votave në Qendrën e Numërimit në Prizren, ndjej detyrim moral dhe qytetar që të sqaroj pozicionin tim ndaj këtyre parregullsive që cenojnë procesin zgjedhor.
Dëshiroj të bëj të ditur me përgjegjësi të plotë se çdo rritje e votave në emrin tim është bërë pa dashjen dhe pa dijeni timen. Unë nuk kam kërkuar, inkurajuar apo asistuar në asnjë formë devijimin e vullnetit të qytetarëve. Kjo ngritje artificiale e votave nuk përfaqëson mbështetjen time reale dhe as parimet e mia njerëzore.

Përmes këtij operacioni, i cili nuk mund të cilësohet ndryshe veçse si kriminal, më është njollosur personaliteti dhe karriera. Përfshirja e emrit tim në skema të tilla manipuluese është një goditje e rëndë për dinjitetin tim dhe besueshmërinë që kam ndërtuar me vite para elektoratit.

Motivin dhe qëllimin e vërtetë prapa këtij operacioni kriminal duhet ta vërtetojnë institucionet e drejtësisë.
Unë jam i interesuari që të zbardhet e vërteta:

-Pse u zgjodh emri im për këtë manipulim?

-Kush janë urdhërdhënësit dhe ekzekutorët në Qendrën e Numërimit?

U kërkoj ndjesë publike të gjithë kolegëve kandidatë, votat e të cilëve mund të jenë tjetërsuar në favorin tim.
Garimi duhet të jetë i drejtë dhe çdo votë e fituar me meritë duhet të shkojë te personi që e ka marrë atë besim.
Deklaroj se jam plotësisht i gatshëm të bashkëpunoj me Policinë, Prokurorinë dhe çdo organ tjetër të drejtësisë për të zbardhur këtë skandal deri në fund.

E vërteta është mbrojtja ime e vetme.
Me respekt,
Anton Quni

Dallimi i madh në vota te kandidatët gjatë rinumërimit, vjen reagimi i parë nga PDK-ja

Pas dallimeve të mëdha në vota në PDK gjatë rinumërimit, në një komunikatë të lëshuar për media nga kjo parti thuhet se po përcjellin me vëmendje procesin dhe se “indikacionet për cenim apo manipulim të votës janë të papranueshme”, shkruan Reporteri.net.

Sipas PDK-së, eliminimi i çdo dyshimi është në interes të kandidatëve, institicioneve e qytetarëve.

“Për ne si subjekt politik, indikacionet për cenim apo manipulim të votës janë të papranueshme. Vota e qytetarëve është e shenjtë dhe çdo trajtim jokorrekt ose përpjekje për manipulim shkelë parimet demokratike që ne mbrojmë. Standardi ynë është i qartë dhe çdo votë duhet të trajtohet me të njëjtin respekt dhe kujdes, nga momenti i hedhjes deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve.

Eliminimi i çdo dyshimi është në interes të kandidatëve, institucioneve dhe qytetarëve”, thuhet në reagim.

Tutje thonë se PDK është e përkushtuar për integritetin e procesit zgjedhor dhe për respektim të votës.

“Partia Demokratike e Kosovës i pret konkluzionet zyrtare të organeve përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me besimin se e vërteta dhe vullneti i qytetarëve do të reflektohen saktë dhe në përputhje me ligjin.

Partia Demokratike e Kosovës rikonfirmon përkushtimin e palëkundur për integritetin e procesit zgjedhor dhe për respektimin e votës së qytetarëve”, thuhet në reagim.

Nga mijëra vota më pak: Kush janë kandidatët më të goditur nga rinumërimi

Procesi i rinumërimit të votave të disa vendvotimeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka shfaqur rezultate më ndryshe nga ato që u dhanë fillimisht. Teka rinumërimi vazhdon, disa kandidatëve për deputetë u janë shtuar votat, disa të tjerëve u janë hequr.

Për këtë, ditëve të fundit ka pasur diskutim të gjerë, e kritika të shumta ku mes tjerash është kërkuar edhe hetim ndaj atyre që supozohet të kenë manipuluar vota.

Ndryshimet në vota janë parë tek të gjitha partitë. Megjithatë, tek ndonjëra ndryshimi ka qenë më i madh.

Te Lëvizja Vetëvendosje, numri i votave që u janë shtuar deputetëve ka qenë më i vogël. Deri më tani, vetëm një kandidati, Hajrulla Çekos, i janë shtuar mbi 100 vota, ndërsa të tjerët pas tij, janë nën 100 vota më shumë?

Pak më ndryshe është situata kur bëhet fjalë për kandidatët që u janë hequr votat. Aty janë mbi 10 kandidatë të cilëve u janë hequr më shumë se 100 vota pas rinumërimit. Arbër Rexhajt, deri më tani i janë hequr 518 vota, Rea Krasniqi 420, Valon Ramadanit 392 e Dafina Alishanit 327.

Por, ndryshim më i madh i votave vërehet tek partitë e tjera. Tek Partia Demokratike e Kosovës, janë pesë kandidatë, të cilëve, jo qindra, por i janë hequr mbi një mijë vota. Kësaj liste i prin Fetah Paçarizi, të cilit, gjatë rinumërimit i janë hequr 4,622. Pas tij është Nait Hasani me 2,594 vota më pak, Kujtim Gashi me 1,821 vota më pak, Luljeta Veselaj Gutaj me 1,502 vota më pak, e Arianit Çollaku me 1,413 vota më pak.

Rezultate të tjera, bukur shumë të ndryshme kanë pësuar edhe kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Aty, Xhavit Ukës, gjatë rinumërimit ka dalë të ketë 1,183 vota më pak. Pas tij është Driton Selmanaj me 808 vota më pak, Anton Quni me 444 vota më pak.

Një situatë e ngjashme me VV’në e ka edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Edhe tek AAK’ja deri më tani, ndryshimet në vota janë më të vogla nga rasti i PDK’së. Aty, Besnik Krasniqi ka rezultuar me 215 vota më pak, pastaj Tringa Morina me 161 vota më pak, Edmond Hoxha me 120 vota më pak dhe Burim Ramadani me 107 vota më pak.

Këto të dhëna janë marrë nga përditësimi i fundit i bërë nga KQZ me 99,55%.

Rinumërimi zbardh vjedhje industriale të votave në Prizren, preken edhe kandidatë të komunave tjera

Vjedhje industriale votash brenda llojit gjatë numërimit në Prizren, ka shpërfaqur procesi i rinumërimit. Devijimet më të mëdha janë evidentuar te kandidatët e Partisë Demokratike, e cila udhëheq me këtë komunë.

Pas rinumërimit të gati gjysmës së kutive të votimit, rezulton se kandidati i PDK-së Fetah Paçarizi është kampion për kah votat që ka përfituar nëpërmjet abuzimit në Qendrën Komunale të Numërimit. Aty, gati gjysma e votës së kësaj partie i është përshkruar rrejshëm këtij kandidati për deputet. Nga 7,550 vota që i janë rinumëruar në këtë komunë PDK-së, rezulton se 3,369 i janë paraqitur rrejshëm Paçarizit.

Kandidatë tjerë për llogari të të cilëve është vjedhur në Prizren, janë edhe eksponentë të PDK-së. Deputetit veteran Nait Hasani i janë përshkruar 1,742 vota më shumë, ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, 1,208 vota, Arianit Çollakut 1,196, kandidates Luljeta Veselaj Gutaj 1,026 më shumë, ish-kryediplomatit Enver Hoxhaj 750 vota, ish-deputetit Fadil Demaku 705 e deputetit senior, Xhavit Haliti, 558 vota më shumë.

Pas PDK-së, devijimi më i madh i votës është evidentuar te kandidatët për deputetë të Lidhjes Demokratike. Nga 3,077 votat e kësaj partie që janë rinumëruar, rezulton se më së shumti ka përfituar kandidati Xhavit Uka, të cilit i janë përshkruar rrejshëm 741 vota, pasuar nga Driton Selmanaj të cilit i janë paraqitur 552 vota përtej atyre reale.

E, Lëvizjes Vetëvendosjes i janë rinumëruar 15,474 vota, ndërsa devijimi më i madh është tek kandidatja Dafina Alishani, së cilës në Prizren i janë përshkruar rrejshëm 269 vota, pasuar nga Arbër Rexhaj të cilit i janë paraqitur 252 vota më shumë.

Rinumërimi ka zbuluar edhe viktimat e vjedhjes së bërë në qendrat komunale të numërimit.

Në nivel Kosove, 19 kandidatët që më së shumti janë prekur nga vjedhja brenda llojit, janë të Partisë Demokratike, ndërsa i 20-i është Paris Guri i LDK-së.

Viktimë më e madhe është nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, të cilit nuk i janë paraqitur 435 vota, pasuar nga Arian Tahiri, Përparim Gruda, Vlora Çitaku e Mërgim Lushtaku.

Bazuar në rinumërimin e deritashëm, në partitë e tjera, viktimave të vjedhjes në Qendrat Komunale të Numërimit nuk u janë hequr më shumë se 100 vota.

Parashikimi i motit për javën e ardhshme-Ja kur pritet të ketë reshje bore

Nesër pritet të ketë më shumë intervale me diell dhe më shumë kthjellime, duke u shpërndarë vranësirat.

Kështu ka njoftuar Mendimi për Motin. Aty shtohet edhe se, mot i kthjellet parashihet të jetë edhe gjatë javës tjetër, edhe pse, temperaturat do të jenë më të ulëta.

Postimi:

Përgjatë ditës së shtunë vransirat do të mbulojnë pjesën më të madhe të vendit,  Herë herë vransirat largohen për të lejuar rreze dielli të depërtojnë në sipërfaqe.  Nuk përjashtohen mundësi që përreth zonave malore të ketë edhe ndonjë rrebesh të dobët dëbore më vonë duke shkuar nga mbrëmja.  Temperaturat në rënie, minimalet zbresin në -2C e 2C, e ato maksimale shkojnë deri në 4C e 6C.  Frynë erë e lehtë dhe mesatare nga verilindja 3-8m/s.

Me kalimin në ditën e diel, vransirat parashihet të shpërndahen, e të ketë më shumë kthjellime dhe intervale me diell.  Mot stabil me më shumë kthjellime po parashihet ditëve të para të javës vijuese, megjithëse me temperatura të ulëta.  Minimalet zbresin deri në -7C e -8C, ndërsa maksimalet shkojnë deri në 3C e 4C.  Ditën e mërkurë shfaqen kushte për reshje të dobëta dëbore, ndërkohë që temperaturat po mbesin të ulëta.  Frynë erë e lehtë dhe mesatare verilindore e lindore 3-8m/s, nga dita e martë me hove mbi 10m/s.

Rinumërimi i votave, Kurti bie në vota

Nga rinumërimi  i 96% i vendvotimeve të votave për kandidatët për deputetë, lideri i LVV-së, Albin Kurti dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj kanë rënie të numrit të votave.

Kurti i cili kishte thyer rekord si lideri më i votuar në Kosovë me 43,739 vota sipas rezultateve të para, tani ka 146 vota më pak.

Rritje të numrit të votave ka kryetari i PDK-së, Bedri Hamza për plus 40.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka rritje prej 18 vota.

Ndërsa, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka 14 vota më pak se nga rezultate e para.

Sipas të dhënave, deri më tani procesi i rinumërimit është përmbyllur në 19 komuna, ndërkohë gjatë pjesës tjetër të ditës, të tjera komuna, sipas radhës, do të përfshihen në këtë proces.

Rinumërimi i votave ka ndodhur për shkak të dyshimeve në gabime në numërim të votave.

Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut).

Sot i jepet lamtumira e fundit 18-vjeçares që vdiq tragjikisht

Ditën e sotme do të përcillet për në banesën e fundit Vikena Greku, 18 vjeçarja e cila humbi jetën tragjikisht në aksidentin e rëndë rrugor të ndodhur mbrëmjen e 15 janarit pranë urës së Dajlanit, në Durrës.

E reja, me origjinë nga fshati Dushnik i Beratit, udhëtonte si pasagjere në automjetin tip BMW X5, që drejtohej nga 26-vjeçari Arbër Xhaxhaj nga Fieri. Sipas Policisë së Durrësit, mjeti po lëvizte me shpejtësi shumë të lartë, rreth 120–130 km/h, në aksin Tiranë–Durrës, kur drejtuesi humbi kontrollin, theu barrierat mbrojtëse dhe “fluturoi” nga mbikalimi i urës së Dajlanit, duke përfunduar poshtë saj, në një hapësirë për tregtimin e luleve.

Nga verifikimet rezultoi se drejtuesi i mjetit ishte në gjendje të dehur; testi i alkoolit shënoi 0.50 mg/l alkool në gjak. Si pasojë e aksidentit humbi jetën 18-vjeçarja Vikena Greku, ndërsa u plagos rëndë drejtuesi i automjetit, i cili ndodhet në gjendje kritike për jetën. Dy persona të tjerë mbetën të lënduar dhe po marrin ndihmë mjekësore.

Ceremonia mortore për viktimën do të zhvillohet sot në mesditë në fshatin Dushnik të Beratit.

Ndërkohë, Arbër Xhaxhaj pritet të dalë sot para Gjykatës së Durrësit për vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë. Në gjendje të rëndë psikologjike, ai ka mbërritur i prangosur në ambientet e gjykatës, ku do të zhvillohet seanca përkatëse lidhur me aksidentin fatal.

Nuk kursen askënd: Rrah nënën, babanë dhe motrën, arrestohet nga policia

Të premten në Kaçanik një person është arrestuar për dhunë në familje.

Ai dyshohet se ka rrahur nënën, babanë dhe motrën e tij.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj babait, nënës dhe motrës së tij”, thuhet në Raportin e Policisë së Kosovës.

“I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Sulmohen policia e Kosovës brenda stacionit, lëndohen dy zyrtarë policorë – njërit i thyhet dora

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë pakënaqësitë e tyre kalojnë në kërcënime, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.

Një incident i tillë ka ndodhur mbrëmjen e 16 janarit në Kaçanik, ku një person i dyshuar ka sulmuar zyrtarë policorë brenda Stacionit Policor, duke shkaktuar lëndime trupore ndaj dy zyrtarëve.

Burimet e besueshme bëjnë të ditur se rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”,ndërsa njëri nga zyrtarët policorë ka pësuar lëndime më të rënda dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Ferizaj.

Sipas informatave, fillimisht zyrtari policor ka marrë tretman primar në Emergjencën e Kaçanikut, por për shkak të natyrës së lëndimeve është transferuar në Emergjencën në Ferizaj, ku mjekët kanë konstatuar se ai ka pësuar lëndim të rëndë, përkatësisht thyerje të gishtit të madh të dorës së djathtë.

I dyshuari në këtë rast është D. K.

Ngjarja, sipas burimeve, dyshohet se ka nisur pasi i dyshuari ishte shoqëruar në stacion, pasi ai dhe një person tjetër ishin hasur duke konsumuar substanca narkotike në oborrin e shkollës “Skënderbeu” në Kaçanik.

Pasi është sjellë në stacion, i dyshuari dyshohet se ka filluar të fjaloset me zyrtarët policorë, duke shfaqur sjellje të vrazhda dhe arrogante, me pretendimin se “nuk ka bërë asgjë” dhe se nuk kishte arsye të shoqërohej.

Situata më pas ka eskaluar, ku i dyshuari dyshohet se ka kaluar në sulm fizik ndaj zyrtarëve policorë, duke shkaktuar lëndime, përfshirë edhe lëndimin e rëndë të njërit prej tyre.

Pas trajtimit të rastit, i dyshuari është dërguar në stacionin policor në Ferizaj, ku në prezencë të avokatit mbrojtës ka zgjedhur të mos deklarohet, duke u mbrojtur në heshtje.

Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti po vazhdon të trajtohet nga organet kompetente.

Përfundon rinumërimi në Prizren, një kandidati të PDK-së i “zhduken” mbi 1 mijë e 300 vota

Po vazhdon procesi i rinumërimit të votave në disa komuna të vendit.

Por, në Prizren, deri më tani janë rinumëruar të gjitha vendvotime, ku tashmë kanë dalë në pah dallime të konsiderueshme në rezultatet për disa kandidatë.

Sipas të dhënave, në radhët e PDK-së janë evidentuar mospërputhje të mëdha.

Kandidatit Fetah Paçarizi, pas rinumërimit, i kanë rezultuar mbi 1 mijë e 300 vota më pak krahasuar me rezultatin fillestar.

Po ashtu, edhe kandidati tjetër i kësaj partie, Nait Hasani, ka humbur mbi 600 vota pas rinumërimit.